2012-10-28

TERRORIZMI VETEVRASES



        Nga Flori Bruqi

Atentatet terroriste vetëvrasëse, rrënjët e të cilave shkojnë deri në antikitet, në mënyrë të padiskutueshme përbëjnë njërin nga instrumentat më shqetësues të terrorizmit të sotëm. Rastet e këtij fenomeni që pasqyrohen sot qoftë nëpërmjet akteve rastësore, por edhe nëpërmjet një veprimi sistematik të formave veteleminuese, të praktikuara kryesisht nga militantët me frymëzim fetar por edhe nga ata me frymëzim laik, duke vënë në përdorim pothuajse gjithmonë material eksploziv. Sulmet natyrisht janë të shumta. Shpërthimet e ndodhura ndaj dy avionave me pasagjerë rus këto kohët e fundit, ku humbën jetën rreth 90 vetë të pafajshëm, apo masakra në shkollën e Osetise, janë të fundit në serinë e gjatë të krimeve. Në kontestin e terrorizmit të kohës sonë, i pari atentat vetëvrasës i cilësuar nga disa burime të kohës, ndodhi më 15 dhjetor 1981, kur një autokarro e ngarkuar me eksploziv lëshohet kundër ambasadës së Irakut në Bejrut të Libanit, duke vrarë 61 veta si dhe plagosur mbi 100 të tjerë. Hakmarrja qe e mënjëhershme prej armatës për çlirimin e Kurdistanit dhe armata për çlirimin e Irakut, nga Komanda e Përgjithshme. Nga ana e saj, qeveria e Bagdadit ja adresoi autorësinë disa agjentëve sirianë dhe iranianë të cilët i përkisnin, të parët një shteti laik dhe të dytët një shteti teokratik, por që të dy armiq të Irakut.
Megjithatë kurba e këtij lloj terrorizmi vetëvrasës vazhdon të rritet dhe më 23 tetor 1983, po në Liban, në të njëjtën kohë, lëshohen dy automjete të ngarkuara me eksploziv kundër gazermave të një kontigjenti amerikan dhe francez, me pasojë respektivisht, 241 dhe 58 të vdekur. U fol për një akt hakmarrës, shfaqur nën një emër emblematik, ku merrte përgjegjësinë organizata Hezbollah, ose Partia e Zotit, duke protestuar ndaj krijimit të një shteti islamik me shumicë shite në Liban. Ndonëse nuk qenë të parët në kuptimin absolut, atentatet e 23 tetorit 1983 me siguri që inaguruan taktikën e atentateve vetëvrasëse të nxitur shumë herë nga grupe të ndryshme ekstremiste. Atentate të mëtejshme vetëvrasëse kanë ndodhur në Liban, ku radikalët islamik palestinez kanë shkuar drejtë një përfeksionimi të sulmeve me bomba vetëvrasëse. Por kjo taktikë vetëvrasëse zgjerohet dhe futet në repertorin e separatistëve Tamil, me frymëzim laik, në shtetin e Siri Lankës, të cilët vetëm kohet e fundit janë futur në negocime me qeverinë sengaleze për një zgjidhje paqësore. Eshtë interesant fakti se këta separatist janë përfshirë dhe e kanë përdorur teknikën vetëvrasëse jo vetëm si një instrument terrorizmi diskriminues, por edhe si një instrument të vërtetë ushtarak duke e bërë të vetën në operacionet tokësore e detare, kundër forcave të armatosura dhe objektivave të tjera shtetërore.
Në Izrael, Gaza dhe në territoret e Cisjordanisë, atentati i parë vetëvrsës është bërë në vitin 1993 për të kundërshtuar marrëveshjen e Oslos, e cila pati si qëllim që të vendoste një proces paqe ndërmjet Izraelit dhe Autoriteteve Palestineze. Në vazhdim ky fenomen intensifikohet me të ashtuquajturën Intifada e dytë e cila filloi më 28 shtator 2000, ku u shfaqën atentate jo vetëm nga organizatat, si Hamas dhe Xhihadi Islamik Palestinez, por edhe nga formacionet laike Brigadat Martire të Alaksas. Në fakt, duke përfshirë edhe rreth 40 atentate terroriste vetëvrasëse të kryera në përiudhën 1993-28 shtator 2000, si dhe afro 49 të tjera të ndodhura në periudhën 2000-2004 ky numër arrin në rreth 90 të tilla.
Al Kaeda, organizatë e krijuar nga Osama Bin Laden, si dhe grupe të tjera të afërta ose të lidhura me të i janë bërë pjesë e pandashme të terrorizmit vetëvrasës. Goditjet e këtyre grupeve nuk kufizohen vetën ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe ndaj shteteve të cilët luftojnë për futjen dhe zhvillimin e standardeve demokratike në vendet e pazhvilluara, kryesisht në vendët arabe. Goditjet e Al Kaedës, nëpërmjet atentateve terroriste vetëvrasëse, vetëm kundër SHBA-së, nga viti 1998, me goditjen ndaj ambasadave te Shteteve të Bashkuara në Dar Es Salam (301 të vdekur), anijeve të luftës amerikane në gjirin e Adenit (17 të vdekur), Kullat Binjake në Nju Jork dhe Pentagon (mbi 3000 të vdekur), deri në vitin 2004 shkon afro 3500 të vdekur.
Qendra të ndryshme studimore llogaritin sot, se duke filluar nga viti 1980 janë kryer mbi 300 atentate terroriste vetëvrasëse në 14 vende të ndryshme të botës nga 17 grupe terroriste. Nga një studim i detajuar, që i takon përiudhës së lartpërmëndur, del se atentatet terroriste vetëvrasëse i klasifikohen si vijon: organizata Tigrat për Çlirimin e Tamil Elamit, me 171 atentate terroriste vetëvrasëse; organizata Hezbollah dhe Amal (libaneze-politiko-fetare), me 25 atentate vetvrasëse; grupe të tjera libaneze, me 25; Hamasi me 22; partia e Punëtorëve të Kurdistanit (turko-laike), me 21; Xhihadi Islamik Palestinez me 8; separatistët çeçen me 7; Al Kaeda me 4; Dava (organizatë kuvaitiane-politiko-fetare) me 2; grupi Islamik (egjyptian) me 1; grupi Islamik i armatosur (algjerian) m 1 etj.
Kjo përbën thjesht një përmbledhje të terrorizmit vetëvrasës në vështrimin historik bashkohor të këtij fenomeni. Sipas shumë studiuesve bashkëkohor, më komplekse paraqitet tentativa e përcaktimit të shkaqeve dhe karakteristikave, veçanërisht në mungesën e studimeve të thelluara të cilat lidhen me terrorizmin vetëvrasës në nivel botëror. E gjithë "literatura e kohës" në këtë fushë tenton më shume që të përqëndrohet në aspektin palestinez të këtij fenomeni, edhe pse, sikurse tashmë është bërë e qartë, terrorizmi vetëvrasës palestinez përbën vetëm një komponente të këtij fenomeni. Gjithashtu është fakt i qartë se që të gjithë atentatorët vetëvrasës të 11 shtatorit 2001, gjithsej 19 veta, ishin që të gjithë arab, asnjeri nga ata nuk ishte palestinez. Gjithsesi shumë studiues të kohës vlerësojnë se është me rëndësi që të studiohet evolucioni i profilit të atentatorëve vetëvrasës palestinezë. Kjo flet për vetë faktin se ky fenomen më i përhapur është pikërisht atje dhe konkluzionet e reporterëve analistë të tyre janë si me poshtë: arsimimi i pakët kryesisht i seksit mashkull, mosha shkon nga 16 deri në 23 vjeç, të cilët nuk kanë asnjëlloj përgjegjësie për të mbajtur familje dhe prindër, gjëndje e vështirë ekonomike-shoqërore, të painteresuar në debatet verbale, me shumë prirje për hakmarrje rastësore, me shumë besim tek rezultatet që të jep dhuna, këmbëngulës drejt luftës deri në pikën e fundit të gjakut, me një bindje absolute se do të përkujtohen me shumë madhështi nga pasardhësit dhe besnikët e tyre.
Por, për t'u theksuar është fakti se, kohët e fundit jo vetëm në Palestinë por dhe në vende të tjera, ky profil po vjen gjithmonë e më tepër drejtë një ndryshimi, ku protagonist në këtë skenë po bëhet gjithnjë e më tepër edhe seksi femër. Disa karakteristika të tyre mund t'i përkufizonim më poshtë si: mosha disi më e madhe krahasuar me meshkujt, në shumicen e rasteve të martuara apo të fejuara, të pajisura me diplomë të shkollës së mesme apo edhe diplomë univeristare. Për t'u theksuar është fakti se pjesa më e madhe e atentatorëve terroristë vetëvrasës kanë diploma universitare, kjo ishte karakteristikë jo vetëm për kontigjentin palestinez, por edhe për atentatorët e vendeve të tjera, të cilët studimet i kanë përfunduar në Evropë ose edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Veç të tjerash, atentatori i sotëm terrorist vetëvrasës kërkon një personel të aftë dhe të disponueshëm, me përgatitje informuese, përnjohje të detajuar të terrenit, përgatitje teknike, logjistike, stërvitore dhe operative.
Pra, si rregull, nuk mjafton një atentator i vetëm për të kryer atentatin vetëvrsës terrorist, por është e nevojshme një organizatë dhe një strukturë e veçantë. Kështu duket qartë se sa më kompleks të jetë ky operacion, si në rastin e atentateve të koordinuara vetëvrasëse të 11 shtatorit 2001, aq më të mëdha janë edhe kërkesat organizative.
Por, në të njëjtën kohë, atentati terrorist vetëvrasës sjellë edhe avantazhe të shumta si për shëmbull: një kosto të ulët financiare në shumicën e rasteve; vdekje ose plagosje të sigurta për kundërshtarin (sasia varet nga sofistikimi operativ i atentatit); një mbulim i gjërë nga ana e masmedias, kjo si në nivel kombëtar por edhe në nivel botëror, me shumë avantazhe prapagandistike për kauzën; një goditje intensive me shumë propabilitet në vende të zgjedhura posaçërsht si hotele, kafene, restorante, diskoteka, tregje, stacione hekurudhore, porte, aeroporte etj; një lehtësi, pothuajse totale të rasteve, për fshehjen e eksplozivit si dhe të kalimeve e depërtimeve të atentatorëve vetëvrasës terrorist; një mundësi e thjeshtë përfitimi e atentatorit vetëvrasës nga udhëtimi me mjetet transportuese tokësore, ajrore apo detare të drejtuara dhe të pilotuara nga të tjerët; mungesë e nevojës së atentatorit për të patur një rrugëdalje shpëtimi, pra pamundësia e forcave të sigurimit për ta ndaluar atë; mundësia e alternimit të atentateve vetëvrasëse terroriste me atentate të natyrave të tjera të tjera terroriste. Megjithë humbjet e mëdha njerëzore nga këto lloj atentatesh si dhe koston e konsiderueshme për ta kundërshtuar atë, mund të jetë inkurajues fakti që në asnjë rast ky lloj terrorizmi nuk ka prodhuar rezultatet e lakmuara nga grupet organizatore të këtyre fenomeneve. I vetmi rast në të cilin është verifikuar njëlloj suksesi, por edhe ky nuk që deçiziv, ishte shpejtësia me të cilën u veprua për të hequr kontigjentet paqeruajtëse amerikane dhe franceze nga Libani, në vitin 1983.
Por në ditët e sotme nuk është inkurajues fakti që, pavarësisht nga specifikat dhe arsyetimet, situatat gjeopolitike, terrorizmi vetëvrasës vazhdon që të shfaqet akoma si një instrument i luftës politike dhe fetare etj.