Vetë koncepti i "të qarës" rrjedh prej vajit , këngëtimit të vajtorëve dhe vajtojcave. Të frymëzuara prej dhimbjes vajtorët apo vajtojcat krijojnë muzikën dhe vargjet më patetike të mundshme. Në mbështetje të arsyetimeve tona të mëpastajme, në këtë pikë, na duket se është shumë i rëndësishëm konstatimi i E. Koliqit se i vdekuri në fantazin` e saj të tronditun asht nji gjasend që ndien dhe arsyeton: prandaj zen me përligjërue me të e i thotë e e porosit një mijë gjana për vendësit e mbretënisë së përjetshme, tue i përcjellë ato fjalë me lot e me britma .
Efekti tragjik i konstatimit të dukurisë së vajtimit masiv shumëzërësh, nuk ka kaluar pa lënë gjurmë përsëri edhe tek mjaft studiues dhe udhëtarë që përshkonin viset tona në kohë dhe vise të ndryshme. Një ndër këto është edhe ajo që lidhet me vdekjen e Panit të Madh. Sipas Plutarkut , një anije njoftoi vdekjen e Panit pranë liqenit Pelod (liqenit të sotëm të Butrintit), dhe pas kësaj u dëgjuan vajtime në grup, sikur shumë qënie të vajtonin së bashku. Edhe Konica, ka tërhequr me kohë vëmendjen në lidhje me vlerat unikale që paraqesin në radhë të parë ato gjëmë-kuisjet e vajtoreve shqiptare në Jug të Shqipërisë etj.
Sipas mendimit më të përhapur, "e qara": del nga shpirti, me fjalët më të menduara dhe që i drejtohet të vdekurit për ta ndikuar atë.
Pa dëgjo, vëllai im,
S`të kas as fare, as fis,
Po për hatër të perëndisë,
E për një çyçkë me bathe,
Edhë për një okë djathë,
Dy lot për tyj do t`i zbras .
Labëri
Kanë nisë vajën e po vajtojnë,
Kanë nisë gjamën e po gjamojnë
Me ju dhimët gurit e drunit.
Aspak Muji s`po ngushllohet .
Gegëri
Në këtë rrjeshtim të vajit, futet edhe " e qara me bote", në të cilën ne gjejmë gjenezën e lindjes së iso-polifonisë popullore, e shpallur së fundi nga Unesko edhe si "Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit" .
I. "E qara me bote" si mandata për kumtimin e vdekjes.
Së pari do t`i referohemi analizës së kësaj dukurie në muzikën iso-polifonike të Shqipërisë së Jugut, si një bërthamë ende arkaike në të cilën mund të identifikojmë lindjen dhe perceptimin e dukurisë së jashtëzakonshme muzikore të iso-polifonisë vokale, sepse: vajtimet janë djepi ku përkunden këngët e lashta dhe ato të reja.
Sipas Prof. Cabejt , fjala bote ka kuptimin shtamë, pra enë që mbush ujë. Të dhënat materiale dëftojnë se kjo fjalë është një me botë, dhe, baltë, deltinë si dhe me baltë shtamash. Ai e nxjer si fjalë të toskërishtes në pjesën jugore edhe në formën bot-i. Sido që ta kapësh, apo në të gjitha rastet që ta interpretosh, "e qara me bote" është përsëri e lidhur, si me të qarën me shtama (pra me rrëke lotësh), ashtu dhe me të qarën për dheun, për tokën, pra si një vajtim masiv për tokën. Pa asnjë lloj dyshimi, "e qara me bote" (e hasim edhe si " e qarë me vome", në Malëshovë, Përmet), shfaqet si një mbetje e praktikave shumë të vjetra rituale të ceremonialit të vdekjes, kjo e lidhur edhe me boti-n, pra me njeriun si mikropjesëz e botës, që lind nga toka dhe vdes po në tokë.
Duke bërë fjalë për sosjen e stinës njerëzore të një personi të caktuar, (pra të një boti), me përcjelljen e tij në botën e përtejme, na bën përshtypje fakti se "e qara me bote" ruan në strukturimin e saj, si bërthamën, modusin iso-polifonik të ndërtimit (pra strukturën e shumëzërëshit të lidhur ngushtësisht me ison, këtë ngashërimin masiv të pjestarëve në të "qarën me bote"), por dhe se evidenton mjaft qartë veten si një dukuri që është përbërëse e një rituali të mirë strukturuar. Këtu, së bashku qëndrojnë si të barabarta: e folura-e ligjëruara me zë, e kënduara dhe lëvizja.
E shoqja:
Pilo zëmëra, ç`më le,
u nis guri në Varre
hume me gjithë kope.
Shoqet:
Ti shoqe si shumë the,
kështu s`qajënë nër ne,
po vure në derexhe.
Ja dhe një model tjetër dialogu iso-polifonik:
Labika:
Latif Breshan hije beu,
Zëmrën hasmi s`ta dëfteu,
Erdhi brënda e të gënjeu,
e bë qën edhe gërth dheu,
armëergjëndat t`i mësheu.
Shoqja:
Latif Bredhan, bojëdrita,
mos mba vesh ç`thotë Labika,
hasmi kish zëmrën me çika,
pa erth të grisi me thika,
i kish armët e ergjënda,
pa erth e të vrau brënda .
Në këtë pikëpamje na duket se "e qara me bote" është pjesë e një mini-tragjedie popullore, e cila nuk luhet më në teatrot antike, por bash mu në mes të "teatrit-shtëpi", në të njëjtën skenë qindravjeçare të njeriut. Sipas popullit : kërcet dhoma atje kur e mer një të qarë me botë, ja bëjnë të gjitha i-i-i. I Kadare ka vënë re dhe ka evidentuar ngjashmëritë që ekzistojnë mes teatrit primitiv dhe "të qarit me ligje" në Jug, por dhe sidomos kur flet për rolin e përbashkët që kanë si vajtojcat ashtu edhe korri antik si përgjigje e fjalëve të tyre në komentimin e tipareve të të vdekurit .
Tek e qara në grup, dhe në formacionet e saj të përveçme si "e qara me bote" apo "e qara me ligje", gjejmë të sendërtuara edhe format e organizimit strukturor, të cilat më pas u implementuan dhe u bënë të përveçme në strukturën e tragjedive antike të Eskilit ( në mënyrë të veçantë tek tragjeditë Lutëset, Agamemnoni, Koeforet dhe Eumenidet), me korife, kor, dhe recitues, si formacione për dhënien dhe fillimin e ceremonialit kompleks të mandatës së vdekjes.
Oresti:
O ati im, i mjeri at
C`fjal ë të të them, ç`vepër të bëj
Që të t`arrij atje ku je,
Te shtrati i vdekjes që të mban?
Drita dhe terri japin të dy,
Të njëjtin fat, të njëjtin zi:
Një këngë për ty që je nën dhe,
Dhe një për ne që rrimë këtu,
Te porta e mbyllur e shtëpisë.
Korifeja:
I vdekuri mbi varr kur qahet
Me qarjen bashkë hakmarrësi vjen
Dhe kur është fjala për babanë
Që të ka sjellë ty mbi dhe
Ahere vaji yt rrëqethës
Do ta arrijë gjer n`atë pus.
Elektra:
Dëgjo, o at dhe vajin tim:
Të dy fëmijët përmbi varr
Po të vajtojnë ty me gulç.
Në studimin e "Odiseja dhe Sirenat, grishje drejt viseve iso-polifonike të Epirit" , kemi tërhequr vëmendjen në lidhjen që ekziston mes vajtimit dhe praktikave të varrimit me tuma tek ilirët dhe epiriotët. ku mendohet se duhet kërkuar edhe fillesa e poezisë së lashtë gojore. Një skemë e tillë, e mirë strukturuar, sigurisht që tregon nivelin e lartë artistik të perceptimit të jetës dhe të vdekjes nga banorët e atyre anëve. Që kjo gjë nuk ishte e zakonshme, për këtë flet edhe fakti se tek Homeri ("Iliada" , kënga XXIII dhe tek "Odiseja" kënga XXIV ), gjejmë të përshkruar mjeshtërisht dukurinë e vajtimit masiv, që siç do të shohim më poshtë nuk është gjë tjetër veçse forma arkaike e "të qarës me bote".
Iliada, Kënga XXIII
E, kur mbërritën në shtëpinë mbretërore,
vendosën trupin në një shtrat të gdhendur.
Te kryet e shtratit i vunë gjëmatarët,
që zunë përvajshëm këngën e përmortshme.
Gratë me dënesë vajtimit mbrapa i vin .
Odisea, Kënga XXIV
Bijat e plakut t`detit përreth teje
Ia nisën të vajtojnë duke të veshur
Me rroba të pavdekshme. Nëntë muzat
me radhë me zënë e tyre t`melodishëm
kënduan këngë të përmotshme e askush
nga grekët nuk qëndroi pa derdhur lot,
aq shumë u mallëngjyen nga ato zëra.
Për shtatëmbëdhjetë ditë e net, parreshtur
hyjni e njerëz qanë dhe vajtuan.
Dëshmi të prekshme të atij realiteti kemi edhe ndër gjetjet e arkeomuzikës shqiptare, në mënyrë të veçantë tek "Sirenat vajtore" pa vegla muzikore të Apolonisë, Sirenat e Durrësit, Antigonesë dhe Vlorës, të cilat janë dëshmi unikale të këtyre personazheve tragjikë të këndimit, por dhe të veprimit teatral iso-polifonik.
Krahas "Sirenave vajtore", ekzistenca në folklorin muzikor iso polifonik e disa gjinive si. p.sh në këngën iso-polifonike me origjinë mitologjike apo edhe në "vallet rituale", mund të provojë se iso-polifonia ka qënë bashkëudhëtarja muzikore e përhershme e gjinisë. Në këtë tip kënge të bien në sy, si një shtresim i lashtë me prejardhje mitologjike, një varg thirrjesh që sjellin jehonën e praktikave ritualo-magjike, të lashta. Si shembull mund të përmendim të tilla formula stereotipe të fillimit të këngëve: "Oj lia oj", / Vaj lia vaj/ Vaj duduk vaj! ; etj.
Në Shqipëri varret e vjetra në përgjithësi kanë drejtimin lindje-perëndim dhe kjo sipas Tirtës, kjo ka lidhje me kultin e diellit . Mbështetur Lukianit, sjellim në vëmëndje se në rastin e varrimit greku e djeg të vdekurin, persiani e kall në dhe, indiani e mbulon me një tis të tejdukshëm, skiti e ha dhe egjiptiani e than .
II. Bota e përtejme dhe "e qara me bote" si ndërlidhëse
Konceptimi i shqiptarit për botën në përgjithësi shfaqet si një unitet binar, pra: jeta=dynja e sipërme dhe vdekja=dynja e poshtme. I konstatuar edhe nga studiues të etnokulturës, ky raport binar i perceptimit të jetës dhe vdekjes nuk ka funksionuar asnjëherë i ndarë si me thikë. T`i thras t`dekunt me m`dihmue thuhet në vargjet e një vajtimi tradicional shqiptar , pasi tek shqiptarët ekziston besimi se i vdekuri nuk humbet, por thjesht ndërron jetë. Në Shqipërinë Jugore e hasim edhe në formën: i qe sosur dita.
Atë Lovro Mihaçeviq në shënimet e tij të udhëtimit në Shqipëri në vitet 1883-1907, ka konstatuar se shqiptari vdekjen e pranon me seriozitet dhe gjakftohtësi, sikur nuk duhet të vdesë kurrë, por të bëjë një udhëtim nga një vend këtu në një vend tjetër atje. Kadareja mendon se bota e përtejme, hyrjet dhe daljet që andej të personazheve, vajtjet atje të bujtësve të gjallë, e kthimit që andej të të vdekurve e këshu me radhë…. bota e amaneteve, e kumteve dhe lajmeve të dërguara me anë zogjsh, resh a qyqesh, nga trevat e vdekjes në ato të jetës ose e kundërta ishin diçka normale për psikën shqiptare dhe krijimtarinë e tij poetike . Pra, i gjithë ceremoniali i vajtimit, duket se është lënda lidhëse me dy botëve që përmendëm më sipër.
Nuk ka asnjë dyshim se "iso-polifonia", si prodhim tingullor i "të qarës me bote", ka lindur në një hallkë shumë të rëndësishme kohore, e cila për ne përfaqëson momentin që qëndron: mes vdekjes trupore mbi tokë dhe përcjelljes në botën e pasosun, në dhe. D.m.th konceptimi dhe lindja e iso-polifonisë ndërlidhet ngushtë me këtë fill kohor shumë të rëndësishëm që është: koha midisëse as jetë as vdekje. Në këtë çast midisës, ka ende mjaf kohë për të folur i gjalli me të vdekurin, siç vajtohet më poshtë:
Mu në mal të hoshtevjate,
ra i pari i progonate.
-More Taro, kush të vrau?
-Më vrau një bajgë kau.
-MoreTaro sa të ranë?
-Një më ranë dhe më vranë,
kokën mes për mes ma danë,
trutë m`i hodhën mënjanë.
Progonat, Tepelenë,
Sigurisht që ka një element të rëndësishëm për botën e nëndheshme, e cila nuk preket dhe që nuk e njeh diellin, që nuk ndriçon dot në ato anë. Pavarësisht se sipas Lukianit vajtimi për të vdekurit ndjek kudo të njëjtat ligje, ne nuk do të lëmë pa përmendur faktin se Lumi i Vdekjes-Akeronti, dhe Hadesi, mbreteria e Vdekjes lokalizohen vetëm si të tilla në rajonin e maleve të Sulit, ish Thesprotia, Camëria e sotme. Në shënimet e udhëtareve të ndryshëm, deri në prag të shek. XX, lumin Akeront, e gjejmë të përcaktuar edhe si Lumi i Zi ndërsa ende sot, pika e kufirit mes Shqipërisë dhe Greqisë në zonën e Camërisë mbart togfjalëshin kuptimplotë: Qafa e Botës!
Në lidhje me fjalën tragjedia, në Vlorë, kemi përqasjen e fjalës në emrin e fshatit Tragjas. Gjithashtu, banorët e Bregut të Detit, në mënyrë të veçantë piluriotët, ende i thërrasin këmbëcjepër, që sigurisht që lidhen me Panin, kjo në pikëpamje të aftësive të tyre muzikore, tepër të veçanta. Të qarën-vajtimin e hasim si toponimi (si fshati Vajzë, Vajkal etj), por edhe në realitete mitologjike siç është rasti i Grabofçit, i cili njihet si një qënie mitologjike që vazhdimisht qan me zë. Sipas traditës popullore, Grabofçi përfytyrohej si një gjarpër i madh me dy kokë, i cili zbulonte vetëm njërën dhe me tjetrën qante sikur të ishte i dëshpëruar. Këtë e bënte për të afruar njërëzit dhe për ti ngrënë ata më pas.
Në këtë krijmtari, ndër të tjera konstatojmë edhe portretizimin e zogjve fatidikë. Këta zogj quhen të tillë pasi me anë të këngës dhe këngëtimit të tyre të parathonë fatin. Si zogj fatidikë në muzikën tonë popullore njihen bilbili dhe qyqja. Një ndër krijimet më të hershme ku konstatohet roli i qyqes si zog fatidik është balada "Konstandini dhe Doruntina".
"Ç'ka kan zojt si po flasin
Thon: Qysh hec i vdekni me t'gjallin?
Shuj moj motr Zotyn të vraft,
Nuk kan zojt tjetër zanat".
Me një dëndësi emocionale dhe e ndërlidhur ngushtë me vajtimin, e gjejmë këngën e qyqes në vargjet e mëposhtme:
Kënon qiqija në maj,
Kënon-o, seç ja thotë,
Vajton-o, qan me lotë,
Për ca plaka që la vjet,
Erth sivjet e nuk i gjet,
U gjeti furkatë shkret.
Kënon qiqija në maj,
Kënon-o, seç ja thotë,
Vajton-o, qan me lotë,
Për ca nuse që la vjet,
Erth sivjet e nuk i gjet,
U gjeti flokatet shkretë.
Rëndom fjala korba dhe zeza që lidhet me zogun e korbit, përdoret si refren në pjesën më të madhe të vajtimeve.
Ceço, ku e le harbinë,
korba, o Ceço.
Dhëmblan, Tepelenë, 1948
Një pjesë e madhe e këtij realiteti dy botësh është përjetuar edhe në fjalët e urta:
"Dheu për ne dhe ne për dhe"-Jug
"As varri nuk ka frikë nga i vdekuri, as i vdekuri nga varri"-Gjirokastër
"Vaji në vdekje si kënga në dasëm"-Vlorë
"Dy vdekje s`ka, dhe nga një nuk shpëton dot"-Myzeqe
"Gjella e njerëzet, një qiri"-Arbëreshe
"I vdekuri ndjesë, i gjalli shpresë", berat
"Këjo jetë-si një fletë"-Labëri
"Kush qahet, s`këndon kurrë"-Jug
"Loti tret dhe gurin"-Jug
"Nuk bën hije lis i rënë"-Jug
"Njeriu nuk vdes kur mbulohet me dhe, por kur harrohet"-Jug
"Sa lindin, aq do vdesin"-Jug
"Nga ç`do kokë del një zë"-Kurvelesh
"Baltën e zotit mos e përbuz"
III. Si shfaqet strukturimi i clusterit shumëzërësh gjatë vajtimit?
Për hir të së vërtetës, e shkuara e studimeve etnomuzikologjike në fushën e iso-polifonisë, më shumë ka synuar analizën e gjerësisë së dukurisë së iso-polifonisë, se sa thellësinë drejt origjinës, shtresëzimeve dhe rrënjëve të saj të stërlashta. Me kohë është venë re, se në traditat popullore shqiptare janë të mbivendosura shtresëzime kulturash. Sipas E. Koliqit : kruej nji shtresë del tjetra me dishmina të çuditshme ngjarjesh. Tue hjekë nji shtresë e tue gjetë tjetrën arrin dijetari në parahistori. Pra, si në rastin e traditave popullore shqiptare, na duket se edhe gjatë hulumtimit të iso-polifonisë, kemi të bëjmë me konstatimin e teknikës së palimpsestit.
Jemi të një mendje, kur themi, se format e sotme të gjallimit të iso-polifonisë popullore shqiptare janë ndër më të kultivuarat syresh. Këtu kemi paraysh jo vetëm larminë në shfaqjet e 2, 3, dhe katër zërëshit iso-polifonik me zëra; kabanë me gërnetë dhe format e tjera iso-polifonike me vegla; bashkëjetesën e iso-polifonisë në vallëzimin popullor shqiptar, por në mënyrë të veçantë edhe dukuri të jashtëzakonshme brenda fenomenit të iso-polifonisë si "Cluster iso", apo dhe "iso-polifonia e fshehur".
Në lidhje me sa më sipër, gjykojmë se është e mundur të bëhet një rikthim për nga origjina e iso-polifonisë popullore shqiptare. nisur pikërisht nga disa copëza elementësh apo dukurish të këndimit dhe strukturimit iso-polifonik që vazhdojnë të ekzistojnë. Kështu, duke kruar një shtresë dhe duke dalë dëshmira të reja, mund t`i afrohemi origjinës së lëndës sonë të vjetër. Një ndër shtresat kulturore që mbështetur strukturimin e iso-polifonisë është edhe ajo e ritualit të vdekjes apo e "kalimit në jetën e pasosme". Këtu kemi parasysh vajtimin në përgjithësi dhe në mënyrë të veçantë "të qarën me bote-me ulërimë" dhe atë "me ligje", si e para origjinë e iso polifonisë.
Së pari na duhet të pohojmë se "vajtimi me bote" është një vajtim masiv, një vajtim i përmotshëm. Si i tillë është evident fakti që ky tip vajtimi prodhon një tingull masiv në formë të clusterit iso-polifonik. Shekuj më parë, udhëtari i njohur turk Evlija Çelebi Sejjahatnamesi në udhëpërshkrimet e tij të viteve 1660-1664 shkruan se gjirokastritët kanë edhe një zakon tjetër të çuditshëm: vajtojnë njerëzit qi kanë vdekë deri shtatë a tetëdhjetë vjet përpara. Çdo të Diellë gjith far' e fisi i të vdekunit mblidhen në një shtëpi dhe bajnë përshpirtje për të ndjerin tue mbledhë vajtuese me pagesë të cilat qajnë e vajtojnë me dhimje të madhe, me za të naltë e të mallëngjyeshëm tue derdhë lot si rrëke. Në këtë ditë në qytet nuk mund të qëndrojë njeriu nga poterja e zhurma e vajtueseve. Ai e pagëzoi Gjirokastrën "qyteti i vajtimit".
Ky produkt, ende sot, shfaqet në formën e një ngashërimi muzikor shumëzërësh (gjysëm i folur dhe gjysëm i kënduar), i cili është padyshim, në formën e tij më elementare ajo që sot e quajmë thjesht iso. Ky cluster-ton, në formën e tij më arkaike nuk është gjë tjetër veçse magma iso-polifonike, ku "fshihen", si zërat e përveçëm por dhe isoja, ky shtrat i domosdoshëm për lindjen, zhvillimin dhe më pas kthimin e tyre në këtë shtrat muzikor vajtues.
Eshtë pikërisht ky shtrat vajtues, në të cilin mbivendosen natyrshëm, pa sforcim, të gjitha ato tingëllime të mrekullueshme të polipentatonive të cilat provojnë, se i menduari muzikor iso-polifonik, nuk mund të kufizohet brenda sistemit pesë notësh të pentatonisë, por mund të zgjerohet ndjeshëm si rezultat i harmonisë iso-polifonike që prodhohet nga "thurrja dhe shthurrja" e shkallëve pentatonike me bazë të ndryshme. Këto elementë të rëndësishëm identifikues të iso-polifonisë, janë të lidhur sigurisht edhe me një seri gjetjesh teknike të shprehjes së tyre, si p.sh rënkimi muzikor me glissando (kjo rrëshqitje muzikore nga lart poshtë me tendencë zbritjen në iso por dhe poshtë saj), e ngjashme me aktin e zbritjes të të vdekurit në dhe, por dhe në artikulimin e dendur të septimës minore nga Zëri i I-marrësi, që në konteksin tonë edhe kjo të ngjason jo më me zbritjen në var, por me të kundërtën, ngritjen e shpirtit në qiell!
Sipas Krutës përdorimi i vazhdueshëm i zanoreve i,o,u apo i grupit dyzanorësh ou pothuaj në çdo fjalë të vargut në intervalin melodik të septimës së vogël thekson sipas tij akoma më shumë karakterin e tyre dramatik, kjo e ndërthurrur edhe me "të kënduarin trash", të korrit iso-polifonik të vajtoreve. Një pjesë e vajtoreve, me kalimin e viteve e shndëruan vajtimin në institucion, që do të thotë se arritën të krijojnë gati profesionion e vajtores, kjo për shkak të zotësisë në hartimin e vargjeve dhe melodisë pikëlluese të këngës që këndonin nën sfondin e isos ngashëruese të njerëzve të tjerë, të afërm të të vdekurit që ishte nisur për në Gropat e Zisë siç thotë populli. Një pjesë e këtyre vajtoreve që kanë ngelur si të tilla në vargjet e popullit (në kushtet kur ka qënë e pamundur dokumentimi zanor i vajit të tyre për shkaqe të ndryshme), janë edhe vajtoret e Bregut të Detit si Marë Bixhili, Llambrini Goreci, Lenë Dhimgjoka, Afroviti Gjoka, Marë, Boçia, Lelo Mërkuri, Dhimitrulla Kashta etj.
Mendojmë gjithashtu se ka një lidhje esenciale mes këndimit iso-polifonik, qëndrimit të këngëtarëve gjatë aktit të këndimit, me traditën e vjetër vajtimore të iso-polifonisë. Këtu tërheim vëmendjen ndaj pozicioneve "klasike" iso-polifonike të këndimit vajtimor arkaik nga ana e këngëtarëve, siç është ai "kokë më kokë" , aq i dukshëm në rastin e këndimit iso-polifonik të vajtoreve labe dhe në shumë të njohurën "Dy dhe tre vetçe dukaçe".
Ende sot, në tërësi, qëndrimi dhe rrjeshtimi i këngëtarëve të iso-polifonisë rruan në esencë qëndrimin grumbull, rreth e rrotull, të grupit për nga i vdekuri i pavarosur. Ky pozicion unikal përsa i përket këndimit, rezulton shumë i vlefshëm edhe në këndvështrimin e raporteve tingullore që krijohen, pasi vendosja e këngëtarëve kryesorë (marrësi në qendër, prerësi dhe hedhësi në rrshtin e parë), dhe isoja e grupit mbrapa ndikojnë pozitivisht si në rritjen e koordinimit mes këngëtarëve por dhe në volumin tingullor të tyre. Gjykojmë se në këtë rast, ruajtja e strukturës së qëndrimit, ka ndikuar drejtpërsëdrejti edhe në gjithë unitetin e vetë këndimit iso-polifonik, si një i interpretuar pa dirigjent, gjë për të cilën nuk po zgjatemi kësaj here.
Në pikëpamje formale vërejmë si këndimin solo me shoqërimin masiv të korit; si vajtimin solo me kostatimin e "iso-polifonisë së fshehtë" apo qoftë edhe format tashmë klasike , të mirënjohura të këndimit iso-polifonik siç janë ato dy, tre dhe katër zërëshe me iso. Besojmë se "e qara me bote" (si forma më e vjetër e të kënduarit iso-polifonik), reflekton në strukturën e saj të ndërtimit edhe raportet që studiuesit e letërsisë antike kanë vënë qysh herët në portretizimin e Korrit, si element kryesor strukturor në tragjeditë antike, kryesisht ato Eskiliane. Pra Kori, kjo strukturë polifonike në ndërtim (pra me recitues, korife dhe koristë), çmohet ta ketë prejardhjen e vet nga rituale tragjike arkaike, si ky që ne po flasim për vajtimin.
Në këtë shtjellim, janë ende të shumta gjinitë dhe format muzikore iso-polifonike të cilat janë coptuar dhe kanë ngelur sit ë tilla nga rituali i vjetër muzikor iso-polifonik, pavarësisht tendencës së përgjithshme për të kërkuar gjini muzikore iso-polifonike më larg këtij shtrati vajtues, iso-polifonik. Ndër to përmendim: të qarën me ligje , këngët me grikë, borohiten, logatjen, logorisjen , vajtimin, dertin, ksollën , dy dhe tre vetçen e Dukatit etj. Këtu mund të renditim edhe gjini relativisht të reja si "Kabaja" me gërnetë apo violinë, e cila nuk është gjë tjetër veçse një rikthim "modern" drejt burimit vajtues, të lëndës muzikore popullore iso-polifonike.
Së fundi, kjo fjalë (e qara), është përgjithësuar më pas gjatë përdorimit në folklorin tonë muzikor, për shkak të materialeve muzikore që citojnë elementë tematike të saj, si p.sh tek kabatë me saze. Sipas Eqrem Bej Vlorës: "Mos të qafshin" është një mallkim i rëndë, ndërkohë që "Më qafsh!" përdoret shpesh si lutje. Të "Qarën" e hasim edhe si gjini muzikore popullore". "E qara" luhet me: tambura, llahutë, fyell, gërnetë, bakllama dhe buzuk.
1. Mbi vajtimin shqiptar shiko dhe Th. S. Hjuz, "Udhëtim në Sicili, në Greqi dhe në Shqipëri"; Cico, Stravre, "Vajet në Shqipëri", gaz. "Demokratia", 1925, nr. 29-4, 29 Dhjetor, fq. 2; Munishi Rexhep, "Këndimi i femrave të Podgurit", Prishtinë, 1979; "Mbi vajtimet shqiptare", Prishtinë 1985; Veliu Veli, "Bue, Ekari dhe Dozoni për këngët popullore shqiptare", "Gjurmime Albanologjike", Folklor dh Etnologji, XXI-1991; Skiroi Zef, "Mili e Haidhia", Tiranë, 1994; Çaushi Tefik, "Fjalor i estetikës", Tiranë, 1998; Sokoli Ramadan, "Gojëdhana e përrallëza të botës shqiptare", Tiranë, 2000; Cobani Tonin "Princi i përfolur Lekë Dukagjini",Tiranë, 2003, fq. 93 etj.
2. Ernest Koliqi, "Vepra 6", Prishtinë, 2003, fq. 301.
3.PLUT., De defectu oraculorum, XVII Cituar sipas Ugolini. Luigi M, "Butrinti", Romë 2000, fq. 80-81.
4. Këngë popullore të Labërisë", tek "Mbledhës të foklorit-8", Tiranë, 1991, fq.604. Vajtimi I cituar nga fshati Vasjar, Tepelenë.
5. "Epika Legjendare", Tiranë, 1966, fq. 58.
6. Vendim i datës 25, Nëndor 2005, dhënë në selinë qëndrore të Uneskos në Paris.
7. Cabej Eqrem, "Studime gjuhësore 1", Prishtinë, 1976, fq. 75.
8. "Këngë popullore të Labërisë", Vol. 8, Tiranë, 1991, fq. 558 dhe 574.
9. Shiko dhe Dino Thanas, "Xhevat Avdalli dhe Laver Bariu", Tiranë, 2004, fq. 71.
10. Shiko "Eskili-tragjeditë", parathënia nga Ismail Kadare, Tiranë, 1986, fq. 5.
11. "Eskili-tragjeditë", Tiranë, 1986, fq. 384-385.
12. Vasil S. TOLE, "Odiseja dhe Sirenat: grishje drejt viseve iso-polifonike të Epirit", Uegen, 2005, fq. 24-30.
13. Homeri, "Iliada", Tiranë, 1979, fq. 447.
14. Homeri, "Odisea", Prishtinë, 2000. fq. 398-399.
15. Homeri, "Iliada", Tiranë, 1979, fq. 447.
16. Alfred Uçi, "Mitologjia, Foklori, Letërsia", Tiranë 1982, fq. 180. Studim i cit. Për sa më sipër shiko gjithashtu dhe Fatos Arapi, "Këngë të moçme shqiptare", Tiranë 1986, fq. 72-93.
17. Mark Tirta, "Himara në shekuj", Tiranë, 2005, fq. 360.
18. Lukiani, "Vepra e zgjedhur", Tiranë, 1979, fq. 227. Studim i cit.
19. "Visaret e Kombit", V. III, Tiranë, 1937, fq. 180-184.
20. Shiko dhe Mihaçeviq, Lovro "Nëpër Shqipëri", 1883-1907, Tiranë, 2006, fq. 96.
21. Ismail Kadare, "Dantja i pashmangshëm", Tiranë, 2005, fq. 31.
22. Lukiani, "Vepra të zgjedhura", Tiranë, 1979, fq. 227.
23. Shiko dhe Mihaçeviq, Lovro "Nëpër Shqipëri", 1883-1907, Tiranë, 2006, fq. 49, 53.
24. "Këngë popullore të Labërisë", tek "Mbledhës të foklorit-8", Tiranë, 1991, fq. 574.
25. Koliqi Ernest, "Vepra 6", Prishtinë, 2003, fq. 587.
26. Evlija Çelebi Sejjahatnamesi, "Shqipnija para dy shekujsh", përkthyer nga Sali Vuçiterni, Tiranë, 1930.
27. Term i Beniamin Krutës. Cituar nga "Tipare të përbashkëta dhe dallime krahinore të polifonisë shqiptare", "Kultura Popullore", 1-2/1992, fq. 13.
28. Kruta Beniamin, " Polifonia dyzërëshe e Shqipërisë Jugore", Tiranë, 1989, fq. 134-135. Studim i cit.
29. Shiko dhe Bardhosh Gaçe, "Tradita dhe risi në poezinë popullore të Bregdetit të Himarës", tek "Gjurmime albanologjike", 33-34/2003-2004, Prishtinë, 2005, fq. 206-208.
30. Sipas Krutës: këngëtarët rrinë pranë njeri tjetrit në një pozicion origjinal gjysmë të ulur duke vendosur secili gjurin e njerës këmbë në tokë me bërrylin e mbështetur në gjurin tjetër dhe me shuplakën e dorës gjysëm të mbledhur, në formën e një guacke, vendosur anash te goja dhe veshi. Shiko Kruta Beniamin, " Polifonia dyzërëshe e Shqipërisë Jugore", Tiranë, 1989, fq. 138-139.
31. Prof. Cabej mendon se e qara me ligje lidhet me vargjet që numuron një grua kur vajton një të vdekur në mort.
32. Prof. Cabej mendon se logoris është fjalë e toskërishtes jugore që kupton vajtimin e një të vdekuri.
33. Me këtë përcaktim e gjejmë të përdorur në Bregun e Detit dhe në Himarë në Jug të Shqipërisë.
Prof. Dr. Vasil S. TOLE
Tiranë, 2006
PUNA E REALIZUAR PER PRANIMIN E ISO-POLIFONISE SHQIPTARE SI "VLERE E TRASHEGIMISE GOJORE E NJEREZIMIT" MBROJTUR NGA UNESCO-s
Në kuadër të masave për ruajtjen, mbrojtjen, promovimin dhe popullarizimin e Iso-polifonisë shqiptare pas shpalljes së saj "Kryevepër e trashëgimisë orale të njerëzimit" të mbrojtur nga UNESCO, si dhe në mbështetje të Aksion-Planit 2003-2008 për "Iso-polifoninë shqiptare, kryevepër e trashëgimisë orale të njerëzimit", janë përgatitur :
1. Hartimi dhe dërgimi i Dosjes pranë Komisionit Ndërkombëtar të Trashëgimisë Shpirtërore në UNESCO, dosje e përgatitur nga eksperti Prof. Dr. Vasil S. TOLE.
2. Më datë 25 nëntor 2006, pranimi i Iso-polifonisë shqiptare si "Kryevepër e trashëgimisë orale të njerëzimit", të mbrojtur nga UNESCO shpallur nga Dr. Koichiro Macura, Drejtor i Pëgjithshëm i UNESKOS.
3. Hartimi i Udhëzimit, nr.1, dt. 09.12.2005 të Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve "Për ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e Iso-Polifonisë Shqiptare", dërguar
QENDRES KOMBETARE TE VEPRIMTARIVE FOLKLORIKE
QARQEVE VLORE, ELBASAN,KORCE, GJIROKASTER,FIER, BERAT
17 BASHKIVE DHE 17 QENDRAVE KULTURORE
SEKSIONIT TE CIOOF-it PERMET
4. Propozim Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për hartimi i një teksti plotësues për historinë dhe vlerat e iso-polifonisë shqiptare dhe përfshirjen e tij në programin e shkollës së ciklit 9-vjeçar, për njohjen dhe edukimin e brezit të ri me vlerat e trashëgimisë shpirtërore shqiptare si dhe për ekspozimin e vlerave të saj në kabinetet e të gjitha shkollave të këtij cikli.
5. Propozim të gjithë Muzeve Kombëtarë dhe lokale për hapjen e stendave ku të ekspozohen të dhëna e foto nga iso-polifonia shqiptare për vlerat e mëdha që ajo ka në trashëgiminë shpirtërore botërore, si një "Kryevepër e trashëgimisë gojore të njërëzimit
6. U krijua Rrjeti i Shoqatave të Iso-Polifonisë Shqiptare, mbështetur Aksioni-Planit të "ISO-POLIFONISE si kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit mbrojtur nga UNESKO".
7. Në muajin janar 2006 u realizuar botimi i numrit të parë Gazetës Iso-Polifonia, në të cilën do të pasqyrohen të gjitha veprimtaritë kulturore e shkencore në dobi të iso-polifonisë. Deri tani janë realizuar 4 numra të kësaj gazete.
8. Zhvillimin çdo vit në qytetin e Vlorës të Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar të Iso-Polifonisë.
9. Mbështetje e projekteve që organizojnë shoqata, Qendra kulturore apo individë të ndryshëm në dobi të iso-polifonisë, si psh:
a). Festivali i Veglave Popullore që organizohet në qytetin muze të Gjirokastrës çdo vit.
b) Festivali Folklorik Ndërkombëtar "Bylisfonia" që organizohet në Parkun Arkeologjik të Bylisit.
Prof. Dr. Vasil S. TOLE