Farida Zmijani Ramadani
Emri yt
Sa herë dëshiroj të shkruaj
një emër,
Shkronja yte vjen e para,
Dua ta largoj, por nuk di se si…?!
Pse çdo fjalë fillon nga Ti.
Mundohem e mundohem...
Ndiej sytë, më tërbohen,
Sapo filloj sërish të shkruaj,
Shkronjat me emrin tënd luajnë.
Largoj fletën, marr një tjetër,
Përsëri ngjason e njëjta letër…
Kaq fort emri yt qenka ngulitur,
S’largohet prej letrës,dhe duke i
bërtitur!
E detyruar fort i thërras,
Si e llastuar shprehet në gaz,
Nga e zhubrosur, letra drejtohet,
Të njëjtat shkronja, papritur,
sistemohen!
Buzëgaz unë i mbledh,
Emrin tënd përsëri përcjell.
Hyj në kuptim, kërkoj me zemër:
Këmbëngulës sytë të njëjtin emër!
Shkruajmë me ndjenja
Sa më shumë të lexosh,
aq më shumë do të ndjesh.
Impulsi i ngrohtë,
prej thellësisë çel.
Por librin,
s’do të lë ta mbarosh,
se do të “mbërthej keqas”,
këtë vetë do e kuptosh.
Eh, të lexuar me ndjenja!
Librin me këtë stil
e çojmë në fund,
ashtu të dy në tundim,
prologojmë te bukurën lojë,
tërë gazmim...
Magji mashkullore
Të gjithë,
për bukuri femërore,
shkruajnë, pa kuptuar,
se pa meshkuj,
bota shuhet.
Edhe ato kanë plot hijeshi,
bukuri e magji,
kanë cilësi të kërkuar,
nga ajo që preferohet...
E kush nuk kërkon
Të munguarën …!?
Vajzat miklojnë
Një vajzë,
po miklonte një djalosh,
herë me kokën lart,
herë poshtë.
Zhubravit në mendje,
tiparet e tij,
i sistemon,
siç dëshiron t’i arrijë.
Hedh hapat drejt tij,
rrugëtuar me ndjenjat,
që e përfshijnë.
Ngatërrohet, sa nuk bie,
vetes s’po i gjente fije…
Ti më ngatërron
Dashuri, si forcë e egër,
provoj të të bëj kontroll,
po ti bie në ngatërrim...
shtrydh mendjen në kuptim...
Po më të hutuar më lë,
të dashuruar dhe të lirë...
Ç’lumturi dhe tmerr,
njëkohësisht:
Mëshirë e vrer!...
Fsheh sekrete të mëdha,
me lot muron kala...
Sytë e përkufizuar: “Më të bukur”,
nga ty tashmë kanë humbur!
Preferoj të ngrihem,
të ngjitem në shkallë,
të lexoj pa shkronja,
të kuptoj pa fjalë!
Ç’mësove nga ky lëndim,
nëse më ke njohur.
Do të kesh një shpërblim,
prej meje tashmë e panjohur...
Më mirë siç je
Po zbrisja shkallët,
dy e nga dy,
Ai priste poshtë...
Ishte aty.
“Sa u vonove!” - më tha.
Po unë rrugën bëra shpejt,
shkallët dy nga dy i kapërceva.
Eh, ky hap i “drejtë”!
Kapur përdore,
në një përqafim...
Ashtu pa folur...
fliste dora mbi shpinë!
Të nesërmen, mendova,
të vesh krahë,
të shkoj më shpejt,
por te shkalla e fundit
desh rashë...
U dërmova krejt!
“Po ç’tu deshën krahët!?
Mirë ishe dje,
thjesht,
ashtu siç je!”
Të nesërmen s’i vura,
kështu çdo ditë lëvizte,
po nuk ishim vetëm,
dikë lamë të priste ...
Gëzimin, lumturinë,
si mikeshë të vjetër,
Dashurinë.
Sa shpejt i ngjisim,
i zbresim shkallët,
malli rritet, gazërisht,
mezi presim krahët,
të biem tërësisht:
Në përqafim!
Skaner i vetvetes
Dua të të shoh më afër,
nuk të dalloj mirë,
të shoh tërësinë tënde...
Mendova ta fal mendjen,
kur s’dije, ku kishe tënden...
Pata gjithë qiellin,
preferova vetëm një yll!
Pata detin,
mora vetëm një pikë ujë!
Pata botën,
të tërhoqa vetëm ty!
Rrugët e jetës,
flisnin vetëm për ne të dy!
Diku do të kryqëzohen prapë,
Dhe ne do jemi ,po ty.
Me tërhoqe “zvarrë” shpirtërisht,
filloje të më kishe frikë...
Vallëzoj, sikur askush s’më sheh...
Këndoj, sikur askush s’më dëgjon...
është më mirë të hesht.
Kjo le të mbetet një sekret...
Them se kurrë s’ke dashuruar,
Ndriço mendjen, o i uruar,
Buzëqeshja në fytyrën time,
Nuk do thotë se perfekte jam...
Po shpirti im po çalon,
dua dikush të dijë:
Se ku jam,
me kë jam,
si jam!
Të realizoj ëndrrat,
të më mbrojë nga frikimet e mia,
të më korrigjojë të metat,
të më trajtojë me respekt...
Atëherë për mua, natyrisht,
je tepër i dobishëm...
E pse mos ta them çiltër,
pa trembur syrin:
“Je perfekt!”
Dalja në pah dhe me një trajtë krejt ndryshe, është një nga qëllimet kryesore të krijueses, krijuesit, i cili, e cila përlufton një dalje larme, të “tualetizuar” poetikisht dhe të lartësuar simbolikisht... Profecitë profetike dhe urtitë, të cilat shënojnë daljet, bukurohen nga mënyra e thënies: “Ka dalë dielli,... hëna e bukur,... apo ka zbardhur agimi i në dite premtuese...”. Këto figurime, simbole, herë prezente e herë “fashitëse”, herë drithëruese e herë guximtare, herë biskuese e herë jo në tentim të “bujshëm” rritjeje, kërkohen vullnetshëm...
Një kërkim i tillë ndodh dhe në vëllimin “Pikturoj në qiell”, ku autorja Farida Zmijani Ramadani, nëpërmjet një kompozicioni “pesëgishtrinjsh”, përcjell krijimin e saj të biskuar, në një harmoni “kurorë petalore” përkufizuese: “Virtualitet ndjenjash”, “Lodrojmë me natyrën”,“Ngjyrë tjetër”, “Në poret jetësore”, “Me bashkëkohësinë”... Një lidhësi e tillë përcaktuese realizon synimet dhe jep mesazhe dinamikë për jetën në kahje socialo-psikologjike, morale dhe etike dhe poeten e qendërzon në podium dhe në sfond ... Vëllimi “Pikturoj qiellin” është një vëllim ku gjen: shkruarje me ndjenjë, lotin e lirë, kuartetin me qiellin, marrëzinë me xixëllonjën, binomin e shpleksur, mos numërimin e minutave të dashuruara, rrëfenjën për legjendën e reve, (ku retë protagonistojnë me stil origjinal); luledelen e “lodhshme” të brezave, pentagramin, ku ndjehet zogu i lirë, figuracioni i reve, prekja e qiellit, kur ka gazmim, mbushimi me magji..., (duke lënë prapa dilemat e dashurisë rinore), këngërimi i këngës së zemrës…; mos bërja lojë me jetën; simbol i "gardhit" rënkues e tjerë. Në poret jetësore manifestohen plagët e rënda shoqërore si: emigrimi dhe distancimi njerëzor, moskamja, prezenca dhe shtimi i lypsësisë, trajta e “manive”, tashmë të rrumbullaksuara. Interesante është kapja e një teme të bukur, ku autorja trajton fenomenin e maskilitetit (magjia mashkullore), e cila nuk ka zënë, si duhet vendin që i takon në trajtesën e bukurisë njerëzore. Në këtë mënyrë thyen një “lëvdim” dhe trajtesë vetëm të bukurisë supreme femërore... Në vëllim ka monologime dinamike me detin , me peshkun me globin, me malet, me vetveten e tjerë. Farida kërkon që të “pagojën” ta simbolizojë , të paarriturën ta arrijë, valën ta ndalë.... kukuvajkën ta krahasojë me zogjtë e tjerë bilbilues, në aspektin rrokësor, përligjur nga natyraliteti i ekzistencës normale të kontrasteve : Më je bërë refleks,/ çdo agim mëngjesi,/ më zgjon, “ku, ku…ku, ku...” (Kukuvajka) .
Në glob autorja kërkon të bëjë të “pabërën” ....
...Shtrydha trurin, /të pikturoj./ Telajo…,Bojëra…,Mjedis...(Globi).
Ah, shpirtrat !/Nuk i mbledh dot,.../të hallakatur, përsillen nëpër botë.
Këto janë gjallesat e këtij vëllimi ....
Mesazhi jetësor: “Me jetën nuk bëj lojë” wshtw pwrcaktues...
“Merre shpirtin tim vishe...” shprehet autorja e këtij vëllimi, i cili është një rritje e krijimtarisë së saj në kahje të bukur . Ajo ka si qëllim të shprehet e drejtpërdrejtë, nëpërmjet krijimit modest në pamje, por, nëse shihet me një sy profesional ky libër. ka shumë tentime, perceptime dhe arritësi për të hedhur hapa në poezinë bashkëkohore...
Shpesh vërehet dhe tendenca pozitive, ku, ndoshta, në pamje të parë ka prezencë moraliteti të drejtpërdrejtë, por në realitet është një moralitet me një botë hapësirëgjerë shpirtërore , kur ajo shprehet: “Skanohu... ”, duke dhënë një mesazh për të riparë e provuar veten, në gjithçka realizon...
Prezeca e vargjeve të tillë si : “ Si ortek i vogël,/ loti rrëshqet mbi faqe, /sa maja e maleve të shpirtit ngelen në çudirë... apo: Frymëruam së bashku të dy,/ buzëqeshëm, deri në marrëzi. ....Figuracioni i reve prin buçimas...
“Këndo, këngën e zemrës!... /Të paktën provoje, /ta ndjesh veten...”.
Shijon buzëqeshjen,/ Ëndrrat mbetën “pa u lyer”,/ Të pashkruara në qiell, /si një tekst i pakryer.
Shpirtrat do të paqetojnë bashkë! /Flasin shqip sytë... Nuk dua lumturia,/ të jetë ai çast, /i zgjatur aq pak... e tjerë, flet për frymim ndryshe të autores.
Pra , në krijimtarinë e autores, Farida Zmijani Ramadani, ka rritje , por autorja do të dijë të rritë më tej nivelin e saj të krijimtarisë , duke patur një cilësi vetjake të shprehur, shumë pozitive : “Mos të kënaqemi me atë që kemi arritur, por të synojmë kualitativen!”
Autorja shkodrane është e vetëdijshme për arritjen e saj dhe synimin e ardhmërisë në krijimtarinë poetike...
Një shpërfaqje e tillë e prezantimit të këtij vëllimi me titullin intrigues “Pikturoj qiellin”, mendoj se do të pritet si dhurim poetik i kësaj periudhe “mbylljeviti” nga lexuesit.(K.SH)
1 |
|