Prof.dr. Eshref
Ymeri
Në faqen e internetit “Agjencioni Floripress” (të datës 03
shkurt 2014) të moderatorit të nderuar Flori Bruqi, lexova një shkrim befasues
që më preku thellë në zemër. Shkrimi titullohej “Shkrimtaret e ekzilit”.
Në këtë shkrim, zoti Flori analizonte përmbledhtazi,
por me një nëntekst të thellë përsiatjeje, krijimtarinë letrare të katër
burbuqeve shqiptare, të cilat sot jetojnë dhe krijojnë në disa shtete të Evropës.
Anën befasuese të këtij shkrimi, e përbënte fakti që këto katër burbuqe krijojnë
dhe botojnë në gjuhë të huaj, si në italishte apo në frëngjishte. Këto janë zonjat
e nderuara Elvira Dones, Ornela Vorpsi, Anilda Ibrahimi dhe Besa
Myftiu. Në krijimtarinë e tyre letare në vendet ku banojnë (kush në
Itali, kush në Zvicër apo në Francë), ato trajtojnë tema që i vjelin nga
realitetet shqiptare.
Në shkrimin e vet zoti Flori zbulon një të
vërtetë lënduese, prandaj edhe u preka thellë. Ai thotë:
“Edhe pse këto shkrimtare zgjedhin një
gjuhë tjetër, bashkohen në një pikë: shfrytëzimi i temës së identitetit. “A ka nevojë të shkruaj në shqip për të
rrëfyer Shqipërinë e sotme?” - bën pyetjen retorike Anilda Ibrahimi. I ka
qëlluar të lexojë në shtypin shqiptar (online) sesi shqiptarët e fyejnë në
komentet e tyre për zgjedhjen e italishtes si gjuhë letrare. “Nuk ka asnjë akt tradhtie nga ana ime
drejt gjuhës mëmë. Zgjedhjen time e shoh si përulje të një personi të
ndërgjegjshëm që e do gjuhën e vet në atë farë mënyre, sa të hiqet mënjanë duke
thënë: unë s’jam në gjendje, ka të tjerë që e bëjnë më mirë se unë, Shqipëria
ecën përpara edhe pa mua! Nuk jemi të pazëvendësueshëm…”. Kjo është revolta
e saj në përballjen për së largu me lexuesin shqiptar. Ndoshta për këtë arsye
ajo edhe Ornela Vorpsi refuzojnë vazhdimisht që librat e tyre të përkthehen në
gjuhën shqipe”.
Kjo është
e dhimbshme. Në vend që këto katër pena të talentuara të përgëzohen, të urohen
dhe të përshëndeten ngrohtësisht për krijimtarinë e tyre në gjuhë të huaj, me
tematikë shqiptare, ato fyhen padrejtësisht prej një takëmi lexuesish shqiptarë.
Dhe zonja Anilda Ibrahimi reagon ndaj këtyre fyerjeve me gjuhën e një
intelektualeje të talentuar dhe me zemër të madhe. Domosdo. Se talenti është i
thjeshtë si e vërteta. Kurse patalenti e ka hundën në lis.
Nuk ka
asgjë për t’u habitur për krijimtarinë e këtyre katër zonjave në gjuhë të huaj.
Kjo është një dukuri mbarëbotërore.
Këto
katër burbuqe të magjisë së letrave po derdhin talentin e tyre për njohjen e
botës shqiptare në radhët e lexuesve të huaj. Prandaj ato nuk duhet të jenë
kurrsesi objekt fyerjesh prej askujt nga lexuesit shqiptarë nëpër faqet e
internetit. Ato duhen marrë si shembull i zotërimit të gjuhës së huaj deri në
atë shkallë, saqë reflekset e talentit letare i përcjellin përsosmërisht në
gjuhët përkatëse. Ky fakt të bën të mendosh se talenti i tyre dëshmon për
shfaqjen e një personaliteti të dyfishtë: edhe në aspektin gjuhësor, edhe në
aspektin e krijimtarisë letrare. Kjo mund të tingëllojë si shaka ose si një ide
me burim nga fantastika shkencore. Por nuk është kështu. Para do kohësh, disa
shkencëtarë të Universitetit Politeknik të Honkongut, patën kryer një sërë kërkimesh,
nga të cilat pati rezultuar se gjuha ndikon mbi personalitetin e njeriut. Gjatë
kryerjes së një eksperimenti, qenë pyetur qindra studentë kinezë dhe u vu re se
kur studentët flisnin me intervistuesit në gjuhën angleze, ata manifestonin
tipare që ishin karakteristike më shumë për një botë anglishtfolëse sesa për një
botë lindore.
Prandaj
katër zonjat e talentuara të botës së letrave që i botojnë veprat në gjuhë të
huaja, duhen vlerësuar maksimalisht nga të gjithë ata shqiptarë që shtegtojnë nëpër
faqet e internetit. Në të njëjtën kohë, ato duhen vlerësuar prej elitës
intelektuale shqiptare brenda trojeve tona etnike. Kjo për faktin se trojet
shqiptare janë vatrat ku kanë shpërthyer dhe vazhdojnë të shpërthejnë talente në
mjaft fusha të dijës dhe të artit. Këto talente duhen rrethuar me ngrohtësinë e
shpirtit shqiptar dhe jo të shikohen me smirë për shkak të xhelozisë
profesionale që është burim përçarjesh fatkeqe.
A nuk
do të ishte mirë që Ministria e Kulturës, qoftë në Tiranë, qoftë në Prishtinë,
të kishte një sektor të posaçëm në drejtorinë e marrëdhënieve me jashtë, i cili
t’u kushtohej kontakteve të herëpashershme me talentet tona nëpër botë? Kam
shumë dëshirë të shpresoj që ky rekomandimi im të merret parasysh.
Vallë e
nuk do të ishte me interes që të vendoseshin kontakteve mes këtyre katër
zonjave dhe Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës dhe të
Universitetit të Prishtinës, në mënyrë që veprat e tyre të prezantoheshin nëpër
auditoret përkatëse nga pedagogët e lëndës së përkthimit?
Më
kujtohet kur para ca vitesh, gjatë koncertit të radhës në njërin nga Festivalet
e Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar apo në Festivalin e Këngës Magjike (nëse
nuk e kam gabim), u shfaq në skenë tenori i shquar Saimir Pirgu, i cili këndoi
një këngë bashkë me artistin e mirënjohur Ardit Gjebrea. Kur mbaroi kënga, zoti
Gjebrea tha: nesër në mbrëmje zoti Saimir Pirgu ka për të kënduar në Teatrin e
Operës në Lisbonë. Mua, si çdo shqiptari, m’u bë zemra mal, që një
artist-tenor, me një talent të jashtëzakonshëm, si zoti Saimir Pirgu, sot ka
pushtuar skenat e teatrove të operës, që nga Evropa deri në Shtetet e Bashkuara
të Amerikës. Madje këto skena i kanë pushtuar edhe tenorë të tjerë të shquar
shqiptarë.
Profesori
i dijes, zoti Flori Bruqi, për dashamirësinë proverbiale dhe për humanizmin e
lakmueshëm që karakterizon formimin e tij intelektual, e meriton të
falënderohet përzemërsisht për këtë homazh të bukur që u ka bërë katër burbuqeve
të talentuara të magjisë së letrave. Do t’i uroja dhe do t’i përgëzoja me
gjithë zemër edhe unë sikur t’ua dija adresat
elektronike.
Santa
Barbara, Kaliforni
03
shkurt 2014