2014-02-24

Liria si zhurmë mediale

Bardh Frangu


Shtypi duhet ta mbajë nën presion politikën, e jo politika shtypin. Kuantiteti vetvetiu nuk presupozon një liri të kënaqshme të medias. Përkundrazi, ai dëshmon një treg të çrregulluar të saj dhe një mundësi më shumë për abuzimin me këtë liri

“Ky zanat s’bëhet për para. Nëse takoni ndonjë gazetar të pasur, mos i zini besë”, thoshte gazetari i madh italian, Indro Montanelli. Madje ai shkonte më tutje duke thënë: “Një gazetar që i nënshtrohet zanatit duke i kërkuar ndjesë prokurorit, do ta pushkatoja”.

Si duket ky zanat, më i rrezikshëm se ai i parashutistit, në shtetin tonë të ri? Sigurisht që është sall iluzion fakti nëse ndër ne kërkoni ndonjë tip të gazetarit si Saviano, i cili fjalën e vet të shkruar e ka shndërruar në gozhdë të ngulur në shpinë. Megjithatë, në raport me nivelin e funksionimit të institucioneve dhe reflektimit të opinionit, nuk mund të themi se nuk po ndodhë gazetaria në Kosovë.

Mbase përtej këtyre konteksteve nuk mund të flasim për të as në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit. Jemi dëshmitarë të një zhurme mediale, ndërsa kemi një hapësirë kaq të vogël për një numër kaq të madh mediash. Kuantiteti vetvetiu nuk presupozon një liri të kënaqshme të medias, përkundrazi, dëshmon një treg të çrregulluar të saj dhe një mundësi më shumë për abuzimin me këtë liri.

Tocqueville vlerëson se është shtypi ai i cili duhet ta mbajë nën presion politikën, e jo politika shtypin. Këtë e thotë duke iu referuar lirisë së shtypit në vendet stabile demokratike, derisa për vendet tjera, si ky i yni, ai konstaton se në një regjim ku institucionet demokratike janë të pakonsoliduara, përkatësisht që pretendojnë se janë të lira, çdo zyrtar shtetëror mund të shkelë ligjin pa u ndëshkuar. Te këta popuj pavarësia e shtypit nuk duhet konsideruar si një nga garancitë për lirinë dhe sigurinë e qytetarëve.

Në një situatë të tillë, tipike për këtë tonën, çfarë mund të jetë funksioni i medias dhe roli i saj në shoqëri?

Jo në pak raste kemi shkruar për zyrtarë të lartë që kanë shkelur ligjin dhe në vend se të ndëshkoheshin, ata janë avancuar. Ky fakt dëshmon se pa një gjyqësor funksional, i cili së pari do të mbronte lirinë në përgjithësi, nuk mund të bëhet fjalë për lirinë e medias në veçanti. Prokurorët tanë janë deklaruar hapur se shkrimet në gazeta nuk u shërbejnë si shkas për të aktivizuar organin e tyre të akuzës. Në anën tjetër, kur kemi parasysh presionet e ndryshme të pushtetit ndaj medias, del se mediat janë si grupe biznesi që punojnë për të mbijetuar në këtë treg kryesisht informal.

Tompaduri ka vlerësuar se liria është një ushqim që nuk bën për çdo stomak. Dhe kjo liri e jona duket si shpesh në vend të fjalëve hedh të vjella, në vend të së vërtetës hedh gënjeshtra, në vend të interesit publik hedh interesin e grupeve të caktuara dhe atyre politike.

Autocensura është shumë më e keqe se censura. Ne mbase jemi dëshmitarë të drejtpërdrejtë të kësaj. Shpërputhja e tmerrshme ndodhë mes asaj që thuhet publikisht dhe asaj që bisedohet në mesin e komunitetit të gazetarëve. Mbase kjo gjë ndodhë në atë masë sa të bëhet tepër irritues ky zanat edhe ashtu tepër i zorshëm. Kjo ndoshta të dërgon deri tek pyetja nëse jemi përnjëmend një shoqëri që jeton në një moçal konspirativ. Mbase në favor të kësaj dëshmon edhe e kaluara jonë, ndërtimi ynë individual dhe kolektiv.

Për një gazetari të lirë dhe të kualitetshme duhen njerëz që ta bëjnë atë. Nëse gazetarin e mirë para së gjithash e karakterizojnë guximi dhe pasioni për të vërtetën, shikoni sa shumë intrigantë ka në mesin tonë. Për më keq, shikoni kush na predikon për gazetari profesionale, të lirë dhe të ndershme.

Në vendet me demokraci të zhvilluar, ku media ka rolin e vet të njëmendët dhe ku është faktorizuar si shtyllë e katër e pushtetit, gazetari nuk është person i dëshiruar nga pushteti, përkundrazi. Tek ne pushtetarët kërkojnë që gjatë gjithë orarit të punës së tyre të përcillen nga mediat. Për më keq, një zyrtar nuk ngurroi të më thotë se është i detyruar që brenda ditës të prodhojë një lajm për mediat, të cilat gjatë gjithë ditës e presin tek dera. Shembull tipik i vazhdimit të prodhimit të gazetarisë protokollare. Shikoni nëpër mediat tona sasinë e madhe të lajmeve që nuk paraqesin interes as për një lagje, e lëre më për një publik më të gjerë.

Sidoqoftë, do të ishte e pandershme të mos pranohet fakti se ka individë në mesin e komunitetit të gazetarëve që duan dhe nuk kursehen ta dëshmojnë fisnikërinë e këtij zanati të zorshëm, që ndër ne gabimisht ende vazhdon të llogaritet si i privilegjuar.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...