2014-02-13

Cikël poetik nga Pranvera Drita Gjoni

Pranvera ka lindur në Tropojë, ishte shkolluar për 8 vjet në Shkodër e tani jeton në Belgjikë, E veçantë në këtë rast ishte se ajo kishte një zë poetikisht të bukur në frymën e sonetave lakonike dhe se kishte mësuar, me sa dukej, tre sekrete të domosdoshme në lidhje me poezinë.
Se ajo dinte kur ta niste një poezi, dinte sa ta mbante në dorë dhe së fundi dinte se kur mbaron poezia. Pastaj thirra në ndihmë imazhin e një zogu që cicërin e na e bën jetën të bukur. Një zog bjeshke sigurisht.
Një krijues- thashë në fjalën time - , në momente frymëzimi gjëndet si në një dhomë me dy dritare të hapura nga të cilat në një krah hyjnë zogjtë e në krahun tjetër dalin. Krijuesi i mirë duhet ta kap atë zog në fluturin, duhet ta mbaj në dorë por aq kohë sa ky zog të mos i vdesë në dorë, por ta lërë të fluturojë e të dalë në dritaren tjetër.(Kolë Shkodrani)

Dhe Agjencioni Floripress nga Prishtina e uron këtë malësore të Alpeve Shqiptare , të zërë sa më shumë zogj e cicërimat e tyre të na i deshifrone në librat e saj të ardhëm ,siç thotë Pranvera Drita Gjoni:

... e kam nis fluturimin
mos më pengo, hapëm rrugë.
T’i shkrij ngricat e dëborën
të çelin sythet, të shuaj brymën.
...Dallëndyshet i lëshova qiellit
t’ dërgojnë, lajmin e pranverës.



Foto


SONATA E HËNËS

Tinguj të shtrydhur yjesh,
pentagramit,
violinat luajnë,
në kuartet,
e melodin e shpirtit, vuajnë,
skalitur notash rrënqethëse,
në çelsin e solit,
hënë ...
Më mbështjellin muzën.
*
Përthyhen drithërima,
afshit të dallgëve,
të etura,
të dëshiruara,
nën dritën e hënës ...
Shuhen mbi buzët,
shkrumbuara të valëve,
puthja e shkumës,
nën melodinë e natës.
*
Parajsë qiellore,
shkrirë syve të mi...
Në orbitën e përbotshme,
dirigjon,
vetëm ti...!


Foto: Kurrë nuk e kam shikuar jetën bardh dhe zi.
Edhe pse ajo shumë herë, ka qenë kokëfort, e pa mëshirshme. Më ka tronditur nga zhgënjimet, nga hipokrizitë dhe interesat e saj, por gjithmonë, përballja me të dhëmb për dhëmb, më ka dhënë forcë të vazhdojë përpara, duke i buzëqeshur ditëve të sotme dhe pregaditur për ditët që do të vijnë. Të luftosh e motivuar, mbi bazën e principeve, virtyteve, duke mbajtur si armë studimin, korrektesën, sinqeritetin, çiltërsinë, përkushtimin, më kanë bërë, një njeri sfidant, duke iu gëzuar të gjitha ngjyrave të jetës.

METEOROLOGËT

Meteorologët,
parashikojn mot të egër!
Shira,
ngrica deri në paralizë.
Ndoshta...
*
Sot bën ngrohtë!
Dielli më nxeh nga të gjitha anët!
*
Po vrapoj!
Përse të mendoj dimër?
*
Meteorologët nuk jane zotër!
... edhe gabojnë.
Foto: Pershendetje;ju falenderoj per miqesin fb..respekte.

NDJESË JETË!

...

Nuk e dija që dashuria,
të bën piktor...!

Penelata të panumërta ngjyrash,
hidhen telajeve marramendëse,
të papërceptueshme,
nga sytë ordiner,
të kalimtarëve të çastit.
*
Nuk e dija që dashuria,
të jep statusin e skulptorit ...!

Heq tepricat e mendimeve,
që komandojnë shabllonin,
e njeriut të hekurt,
të patundur,
nga paralelet e gozhduara,
tokës të palëvizshme,
që nuk njeh rrëshqitjet.
*
Nuk e dija që dashuria,
me halusinacionet e saj,
të kthen në poltronin, folozof...!

Fantazi e shthurur,
spontane,
që hynë labirintheve,
të prekshme,
sensuale,
zjarrndjellëse,
vullkanike...
*
Nuk e dija që dashuria,
të përhumb galaktikave,
të jep fronin e poetit...!

Lirizmi josh deri në rrënqethje,
horizontin e pa eksploruar,
trishtimit të ngrirë,
diagonaleve dimërore,
që kuadratizojnë,
ftohtësinë,
dhe "lule mos më prek",
përthyhen në rreze,
patrullojn gjithësinë...
*
Nuk e dija që dashuria,
dashuron dashurinë,
në përmasa të pallogaritshme...!

Vargje të kompozuara,
shkronjave të thella,
nën trajektoren e sizmikës shpirtit,
valëviten si valëza ere,
mbi magnetizmin,
e poleve të kundërta,
me forcë të njëjtë tërheqëse,
harkut, horizontit tim.
*
Ah! Kohë e humbur!

Foto: " Me thoni se si eshte e ndertuar nje peme ,me thoni se si eshte e ndertuar Drejtesia ,por mos me thoni kurre se cili eshte Dinjiteti ,sepse dinjiteti nuk eshte thjesht nje fjale .por eshte thelbi me i paster i Lirise ,eshte ajo qe te lejon t'a thuash me vepra :Jam e Lire ! "  
Tek bej nje shetitje ne faqen e poetes Pranvera Gjoni me vijne nder mend shume shprehje te tilla qe viganet e mendimit na kane lene trashegim ,sepse sinqerisht i gjej te meshiruara tek ajo tiparet me te mira te njeriut ,ato qe vetem Kultura te lejon t'i realizosh . Duke jetuar ne nje bote xhungel poetja e ka kuiptuar se menyra me e mire per t'u mbrojtur nga ajo ,eshte t'a njohesh ne mbrendesi ,prandaj edhe gjykimi i saj mbi kete bote nuk eshte gje tjeter veçse nje skaner i jetes njerezore ne te gjitha aspektet e saj. Responsabile ne te gjitha gjerat qe thote edhe ben eshte misherimi i te se vertetes qe njeriu nuk e ka krijuar vehten , por mbasi e krijuan dhe e hodhen ne kete xhungel njerezore . i krijuan edhe pergjegjshmerine per aksionet e saj , pergjegjshmeri  e cila nuk e pengon aspak te jete gjentile dhe e sjellshme me te gjithe ,nuk e pengon aspak qe  zemra e saj te mos jete nje ishull i veçuar nga te tjeret , zemra e saj e madhe eshte nje kontinent qe e bashkon me te gjithe  . Tek i lexon poezite e poetes Pranvera Gjoni kupton se cila eshte ajo ne te vertete ,sepse Jeta e saj eshte nder poezite e saja. " Po ,kam lindir e divorcuar " thote poetja
 PO...KAM LINDUR E DIVORCUAR!

Kacafytem cdo ditë,
mos të bashkëjetoj,
as të fejohem,
dhe absolutisht,
mos të pranoj martesë...
*
Me antinjerëzoren,
me antinatyrën,
me antishpirtërat,
me antizotat,
me antivlerat,
që krijojnë vetëm gjobë,
që progresin,
e kthejnë në regres.
*
E pra...
asnjë unazë,
floriri,
bronzi,
teli,
apo thjesht peri,
nuk mund të rrethojnë,
hapësirat e ndërgjegjes,
nuk mund të shtrydhin,
piketat e vendosura udhës time,
shtruar me veveten,
mes urithësh,
zvarranikësh,
dhe...
diamantësh.

Poetja bertet fuqishem 
" Jeta ime eshte ne poezite e mia ,une jam poezia ime ,nuk kam shkruar kurre as edhe nje presje ,qe te mos konfesoj qe jam Une ne poezi " Suksese mikja ime ,suksese pa fund ne rrugen artit qe u hap perpara teje ....
INTERFERENCË

Po shurdhohem zhurmash!
Kampet antagoniste paradoksale,
kanë hedhur heshtat e mprehta,
udhëve të mesdheut...
*
Vlera varrosohet,
në asfiksin e anestezis së moshës,
nën tingujt e trompetave të stonuara,
të syresheve,
që nuk njohin lavdinë e përbotshme,
të smeraldeve,
që ndërtuan kartagjenat e artit.
*
Homazhet e kortezive,
të megafoneve antivlerë,
qëndisur lajkash,
pështirosin,
"post - mortal",
me tinguj të shformuar.
*
Ndjehem mirë...
Tani nuk dëgjoj më!

Foto: Mirëmbrëma, familjarë të dashur, miq të respektuar!

Dua të ndaj me ju, një falenderim publik, për të talentuarin Jonathan Nikolli, djali i poetit tashmë të mirënjohur Tonin Nikiolli, që bëri të mundur realizimin e  kopertinës së  librit tim " AUTOPSIA E SHPIRTIT "... duke ju dhënë jetë, elementeve sipërfaqsorë dhe gjithashtu duke u bazuar në përmbajtjen e poezive, ka realizuar me shumë përkushtim dhe art, kopertinën.

Ju falenderoj me shumë respekt, punës tuaj të mrekullueshme dhe ju uroj me shumë përzemërsi, suksese të pafundme, në rrugën kaq të vështirë dhe të bukur të artit!
MIRËNJOHJE!

KOHA NUK NDALI


Ma varrosen dritën sot,
në pamëshirën e egërsirës,
errësirë...
Me kurora lulesh,
fjalë të rralla,
të pa - artikuluara ndonjëherë.
*
Shiriti i dasmës, mortore,
hapi perden,
mes veshjes së zezë,
kostumeve,
këpucave me taka,
shamive të mëndafshta,
që fshihnin sytë e tharë...
*
Mbi mua ra një lot margaritar,
përpëlitej,
të më njomte,
me afshin e shpirtit të pendesës,
me aritmin' e çmendur të zemrës.
*
Por..., më kot,
koha nuk u ndal...
U rrokullis si e marrë,
drejt universit të virgjër!

Foto: Ka plasur dashuria në guzhinë ♡
JAM EGOISTE


Shportën time shtrëngoj fort,
mes falangeve të rrezeve,
mbështetur karhërororit të qiellit...
Ta ruaj nga tërmetet,
erërat kinse...
*
Fanatike arkaike!
Dëgjoj ehon,
të shpërndahet valë -valë,
horizontit të largët...
Pragu i dëgjimit,
rëndohet cicërimave, çakorduara.
Melodi e trishtë,
e mendjeve,
të rritura në morsë.
*
Më gjykoni,
paragjykoni,
aludoni ... si te doni!
Thuamëni: - Hitler,
ajzberg,
diell që djeg,
a dreq me huqe...
*
Në shportën time jam unë,
ndaj ... jam egoiste!


NËSE LULJA IME...

Nëse lulja ime, lëshon hije,
alegrinë prish të kopshtit tënd,
më thuaj, më thuaj, pa hile,
mes shënjtorësh, iki, n'timin vënd.

Nëse lulja ime, të burgos,
e ti nuk ndjehesh lulishtarë,
më thuaj, mos më brengos,
i vyshk petalet, me lot të tharë.

Nëse lulja ime është magjike,
nektari i saj i dehë dhe mitet,
përkëdhelja shtatin të harliset,
të vesojnë buzët, orbitës t'diellit.
Foto: SHPIRTIN... JO !

Shpirti rënkon ,venave t'natës,
Buzëthar,fytyrë fishkur, mekur.
Kërkon në bohcen e kujtimeve ,
Një rreze , një germë , fije drite...

Fantazmat , sillen të uritura ,
Copë shpirti, diku...t' shkyejnë,
Të shuajnë  urinë , e kobshme ,
Hijenat , bijtë  e djajve të  kuq .

Shpirti ,lëvrin n'arkën e bardhë ,
Jep e merr , me të fundit frymë .
Të gjitha  nga mirësia, j'ua dhash ,
Shpirtin... jo, kët' pasuri kam unë !

Ashtu , i lodhur , i rraskapitur...
Brënda territ të arkës së  vjetër.
Mori frymë  thellë, u ngrit reshë ,
Veshi pelerinën , e ëngjëllit t'jetës !

P. D. Gj

NDJEHEM KONFUZ

Jam goditur rëndë,
nga voltazhi marramends,
në qëndrën e analizës...
Mbetjet kërkojnë pse - të,
e shformimit të drejtëzave,
natyrshmes,
biologjikes...
*
Zigzage...kurba...mefshtësi,
urrejtje...xhelozi...padrejtësi,
lypsa,
ku poshtë petkave të arnuara,
të fëlliqura,
djallëzia brohoret,
me suprioritetin e shkëlqimit,
me të zgërdhirën mediokre,
si një palaço cirku...
Rrjeta e etshme,
pret, euforinë e ëndërrës.
*
Paradoks!
Po po paradoks i shekullit të ri,
monstra njeri është veshur me liri,
kërkon revanshin,
brënda intervalit tokë - qiell...
*
Ndjehem e gufosur,
e mbytur,
këtyre kënetave...
Këmbana e malaries,
ka zënë veshët...nuk bie!


FORCA E EROZIONIT

Gjethet e thara kanë pushtuar,
udhën time.
Në sytë e mjegulluar,
nga ngjyra e përhime,
nga mbledhja krruspull e tyre,
rrëshqasin ujëvarat e nxehta,
me shpresën e ripërtëritjes.
*
Gjymtyrët paralizohen,
ajërit të ballsamosur,
nga psherëtimat ulkonjare,
zërash të transformuar,
në jeho shpirtërash,
që kërkojnë ndihmë,
kufirit jetë - vdekje...
*
Më ngjan sot rruga ime,
si një varrezë,
varresh pa varr...
Që për kortezi,
duhet andej të kaloj,
ani pse kundër dëshirës.
*
Erozioni,
fuqi e mbinatyrshme!
Gjithëçka mund',
... edhe njeriun.
Foto: CAST REFLEKSIONI

Cudi: jam zgjuar me mendimin që gjithcka është asgjë...
Ashtu sikurse asgjëja mbetet e barazvlershme me vetveten...
Si udhëtare në këtë tren, më mbetet në mëndje hypja në të dhe ndonjë kalimtarë që sëbashku kaluam shumë stacione në marrjen & dhënien e konceptimeve të produkteve neto që përligjin të qenit unikal...
Kalimtarë të tjerë, që akoma pa hypur zbresin, pasi karriga nuk përmban përmasat e masës të vet' përmbajtjes të këtyre individeve, të cilëve u jepej kartoni i kuq dhe bileta e zbritjes në stacionin më të parë...
Treni ecën... Me mua vetëm në trishtimin dhe koificentin bazë të principit: që më mirë e vetme se jargavitës primitiv parazitarë....
Kjo nuk do të thotë që nuk marrë dhe jap dashuri me përmasa të jashtëzakonshme të vazhdimësisë... por në platformën e protagonizmit, me ngjan sikur fizikisht jam vetëm... shpirtërisht jam e pasur, e mbushur me një qiell të pafund, të  papërmasë, të palimituar, të pasunduar, të pa skllavëruar... Demokratik dhe fjalë - ndjenjë - koncept dhe principë e lirë...
Por, rrethanat, ambienti, mentaliteti, zbehja dhe fundosja e shumë cilësive njërzore, më bën shumë herë të bie në konflikt "agresiv" me vetveten, duke u ushqyer me impulse negative, deri në pesimizëm...
Dhe përsëris nën dhëmbë: përse është kaq e domosdoshme, kjo praktikë njerëzore, që të bëjnë jetë të shumëfishtë? 
A nuk është mjaftueshëm e shkurtër kjo jetë, për ta jetuar si një njeri?
Kaq e vështirë deri në ekstrem, është të mposhtësh të keqen, me më të mirën tënde?
... dhe shumë të tjera mendime, më pushtuan gjatë gjithë kësaj dite, ku i ftohti i dimërit u bë një me të shpirtit..............

Pranvera Drita Gjoni

FOTO - CAST!

Imazhi yt i thyer,
goditi,
si çekanë të ashpër,
minutat e pambarim,
të dëshpërimit tim.
*
Qeskat e fryra të trishtimit,
përrreth syve të përhumbur,
përkthyen dhimbjen,
në fjalët e pathëna.
*
U ndjeva e humbur!
Nuk të ndihmova dot,
të largoja peshën e rëndë,
që të kishte zënë frymën,
që të mbyti në lotë...
*
E fshehur në qoshen time,
vuaja dhimbjen tënde,
heshturazi,
nën fjollat e tymit,
që dilnin oxhakut,
të mendimeve...
*
Një foto - çast,
grumbull,
siluetash të grihta,
më paralizuan buzëqeshjen.
Foto: Familjarë të dashur... miq të nderuar realë dhe virtualë, Ju uroj nga zemra, Gëzuar Vitin e Ri! Qoftë një vit i mbarë dhe i begatë për Ju dhe familjet tuaja në cdo fushë të jetës! Ju përshëndes me shumë respekt dhe nderim, për gjithë korrektesën, edukatën dhe qytetarinë, në ndarjen e mendimeve, krijimtarisë dhe cdo diskutimi tjetër në këtë faqe sociale....
( arësye festash do shkëputemi për pak ditë) Ju faleminderit!

MORTJA E THASHETHEMEVE

Mjegulla hije rëndë,
pushtoj hapësirën...
Vetëtimat si maje thike,
u ngulën në zemër,
në trupin krenarë të ditës.
Plagët rënkojnë,
orëve të çakërdisura,
nga amullia periodike.
*
Thash - e - më - thetë,
ziejnë mbi temperaturat e vëlimit,
nga parazitët ordiner,
me gjak sanguin,
dhe ... dheee,
surretërit pa fytyrë,
që ngulmojnë me heshta,
të marrin maxhorancën.
*
Plënc - shfryrët,
ushqehen me mbeturinat e kohës,
duke përgaditur komplote pas krahësh,
për të lidhur dritën nyje,
që rezonon mirësi,
horizontit ylberian.
*
Mjegulla më ka zënë sytë sot!
Trishtim deri në dhimbje,
nga llafazanomania - kërma,
krijuar nga mortja e çernobilit,
për të infektuar ajërin...


MË "DETYROVE" TË TË DUA

Ma shëmbe makiazhin,
e ndërtuar,
si një gladiatore,
fushave të betejës,
... pa mburojë.
*
Me fëshfërimat tua,
solle shiun,
zhveshe të bukurën maskë,
preke lakuriqsinë,
me tingujt,
e partiturës së ndjenjës.
*
Ti ... di të më duash!
Ti ... di të gjurmosh,
burimin e lumenjëve të rrëmbyeshëm,
pa cënuar rrjedhën.
*
Thellësive të brishta,
derdhe afshin e purpurt,
si frymë e Zotit,
për shpirtin që kërkon mëkim.
*
Me thjeshtësinë e magjishme,
hape dyert e dyllosura,
të hermetizmit të dashurisë,
mbyllur,
dimrit të ashpër të profecive.



METAMORFOZA E KORNIZAVE


U shkruan me ngjyrë plumbi,
ligje,
nene dhe nën - nene...
Në presionin,
e arkitekturës së dëshirës,
ndoshta,
dhe të urdhërores.
*
Traumat shtoheshin,
si rrathët e ferrit,
në karikaturën e fshehtë,
dhe rrahja e çekiçit,
si aprovim final,
i shkresës,
nën petkun e zi,
ku bloza si vetë - frymëmarrja,
që dilte fytit të oxhakut,
mbyllte seancën,
pa drejtë apeli.
*
Korniza të blinduara,
anarshisë mentalitetit,
gjymtojnë pa mëshirë,
kalimtarët e udhës,
që nuk praktikojnë zikzaket,
që nuk bëhen robër të sëmundjeve infektive,
që kërkojnë shpagimin,
në emër të jetës...
*
Korniza të sajuara,
të arnuara ndër shekuj,
me diplomacinë,
e jetës së vdekur,
brënda intervalit ... lindje - perëndim!


Foto: MIQ TË NDERUAR! 

E ndjej obligim moral dhe shpirtëror, të ndaj me Ju falenderime për të gjithë, që kontribuan për lindjen e fëmijës "AUTOPSIA E SHPIRTIT"

Siç jeni në dijeni, me datën 19 tetor 2013, u bë promovimi i librit tim " AUTOPSIA E SHPIRTIT". Ishte një emocion që i kaloi gjitha parashikimet. Evenimenti duhej të fillonte në orën 16:00 pasdite, por miqtë e mi erdhën një orë përpara, ku na u dha mundësia e shkëmbimeve të njohjeve me njëri - tjetrin dhe dhurimi i librave.
- DUA TË FALENDEROJ PUBLIKISHT:
-Me respekt maksimal, miqtë e mi poetë, studiues të kritikës letrare, profesorë, adhurues dhe njohës të poezisë, miqtë e mi lexues, familjarët e dashur, gjithashtu dy fëmijët e mi, për të gjithë mbështetjen, përkrahjen, besimin tek pena ime, dhe absolutisht për shtytjen drejt botimeve. Mirënjohje shpirtërore, për të gjithë JU.
- Mikun shumë të respektuar dhe njohës i letërsisë, z. Naim Zhinipotoku, i cili bëri parathënien e librit me një përkushtim, profesionalizëm dhe sinqeritet të jashtëzakonshëm, gjithashtu për ndjekjen, përkrahjen, vlerësimin dhe kritikën e krijimtarisë time! Mirënjohje pafund!
- Një falenderim për të talentuarin Gjonatan Nikolli, i cili krijoi një kopertinë të shkëlqyer, me parametra bashkëkohorë. Respekt pafund punës tuaj!
- Për dy miqtë e mi të mrekullueshëm, poetë të afirmuar në cilësi dhe përkrahës të jashtëzakonshëm të talenteve të reja dhe fjalës së bukur poetike, zotërinjt Tonin Nikiolli  dhe Gjergj Nikolla.
Mikun dhe mjeshtrin e kritikës zotin Muhamed Bektashi, kontributi i të cilit ka qënë i shkëlqyer me kritikën konstruktive dhe mbështetjen e tij. Falenderime zemre, për JU miq dhe fjalën tuaj të gdhëndur përjetësisht, në faqet e këtij libri.
- Sponsorin material dhe shpirtëror, tim bir Ergis Gashi, për gjithë këtë ndërmarrje.Të dua dhe të vlerësoj pafund, bir!
- Profesorin dhe mikun e respektuar Hasan Gremi. I cili përcolli reçencën e librit tim, me një seriozitet dhe profesionalizëm admirues, në një kohë rekord, duke qënë një surprizë shumë e bukur, në këtë aktivitet.
- Mikun, poetin dhe intepretuesin e shkëlqyer zotin Xhelal Luca, i cili organizoi festën time, mrekullisht. Gjithashtu për miqsinë, respektin dhe vlerësimin, ndaj meje dhe tim biri. Mirënjohje shpirtërore!
- Moderatoren e talentuar zonjën Silvana Braçe, që i dha shkëlqim aktivitetit, me fjalën dhe buzëqeshjen e saj të mrekullueshme. Respekt maksimal!
- FALENDERIM TË PËRZËMËRT, për të gjithë pjesmarrësit, që i dhanë ngjyra ylberore aktivitetit dhe miqëve të fjalës së bukur poetike, që më dhuruan surprizën më të mrekullueshme, me përshtypjet e tyre të sinqerta.
MIRËNJOHJE PËR TË GJITHË MIQTË, që proklamuan aktivitetin në muret e tyre, për urimet dhe ngrohtësinë e jashtëzakonshme.
JU FALEMINDERIT!

TË TRAZOSH!


Ti di vetëm të trazosh,
akrepat e orës,
që minutat numërojnë,
ritmin e përcaktuar,
të mjeshtërve të kohës...
*
Metronomi standart,
rreh, një - dy, një - dy,
larg amullive,
krisjeve,
thyerjeve,
llustrave,
pasioneve të ndezura,
dashurive të vdekura...
*
Heej!
Hidhe hapin në ritmin klasik,
ku ditës i thërrasin ditë,
e miku, njihet për mik!


LOTI NË MUZEUM

Në muzeumin e dashurisë,
gjendet loti,
më i rëndë,
më i madhi,
më i bukuri,
më i vërteti i kohërave.
*
Binomi, Romeo dhe Xhuljet,
janë epilogu i teorisë,
fantazisë së poetit.
*
Sot,
loti i dhimbjes së dashuruarve,
historikisht të rrallë,
të dashurisë vërtetë njerëzore,
shëmbi cdo kreature,
fantazie...
Duke u kthyer,
në heroglif brezash.
*
Në muzeum,
përjetova ngjarjen,
e pajetuar,
kurrë më parë...
Cicëroni - loti,
deshifroi madhështinë e saj!


OKTAPODI

Më ngjan si një herë dhe një kohë,
kur e drejta pushkatohej,
fjala burgosej,
bukuria përçudnohej,
modernja internohej,
e keqja servile,
mjaftohej me një fletë - rrufe.
*
Një dhe vetëm një, rreh' gjoksin,
të individualizmit të qorruar,
dhe si një oktapod,
me gjymtyrët plot jargë,
kurvëron,
paranë,
prestigjin,
femrën,
edhe mashkullin,
nën emrin e katedrës,
të marrë me dhunë.
*
Dhe në botën e çudirave,
çmimin e vlerës,
e merr antivlera,
me levdata lumë...
Meritave u mbyllet goja,
në vakumin e këmbëve të stërzgjatura,
të oktapodit pushtues...
*
Mjerim!
Mjeeerim deri në kupë të qiellit!
Koha e pllaq - plluqeve,
e syve të përdalë,
është ulur në fron,
ku mbretëron,
me elitat e të shtypurve.
Foto: Ju kerkoj ndjese miq, por kisha probleme me iphonin...dhe u zhduk fotoja e profilit! Ju falenderoj te gjitheve per komentet dhe dashamiresine tuaj! Me respekt, Pranvera

HITHËRAT

Gjethe të bukura,
rrëzë rrugës,
të veshura me pelerinën e jeshilt',
tërheqin mëndjezbathurit.
Pushtueset pamore,
të kontaktit sipërfaqsor,
mbështetur bindshëm,
tek rrënjët,
tërheqin në mëkat,
të vobektit,
poltronit rrëzëllitës.
*
Trungu misterioz,
rrethuar me gjëmba,
vrojton heshturazi,
lakmitarët,
që lotojnë,
botës tyre të vogël,
të të pasurit qoftë dhe për pak,
alegrinë,
e së bukurës,
nën qepallat e tyre.
*
Casti fluroid,
shëmbet para këmbëve të tyre,
me vallen e djegies se hithërave!

Foto: ATËHERË, DOM NIKOLL KACORRI, ARBËRIA FESTON

Nën retë e përhime,
të kësaj vjeshte të tretë,
të nëntorit,
njëqindë e një,
puthi flamurin të ndarë pjesë - pjesë,
në emrin tim,
në emrin tënd,
në emër të Preshevës,
Labërise e Gostivarit,
në emrin e çdo shqiptari
shkrirë në një.
*
Biri i Krej - Lurës,
nën velidonin e meshtarit,
shpirtit zjarr' të shqiptarit,
zemrës shkëmb,
të atdhetarit,
këput vargonjt,
nga famullia " Shën Luçia",
thërret në emër të burrave të kombit,
Rroftë Pavarësia!
Rroftë Shqipëria!
Rroftë Liria!
*
Tek ti erdha sot,
të firmosesh dhe njëherë,
njëzëri,
të gjallë dhe të vdekur,
të bashkojmë krahët,
rreth boshtit,

....("Në qoftë për nesër, vdesim sot, o flamur o dekë!")...

Atëherë...
Gëzuar gjak i derdhur,
Gëzuar ardhmëri!
Gëzuar e vërteta, Pavarësi!
*
E nuk ka më ré, as mjegulla...
Trojet Arbënore,
i nxeh vetëm një diell!

Pranvera Drita Gjoni


VALC ME LOTIN

E ftova sonte në vallëzim,
lotin e fshehur,
thellësive të errëta,
të babilonisë ndërtuar,
mes shkreptimash,
flakërima rrufesh.
E kisha strukur mirë,
që askush mos ta njihte,
as mos ta shihte...
*
Forca e dhimbjes,
e kishte shtrydhur,
shtypur,
dukej i vogël
i brishtë...
Por,
digjte o zot,
sa shumë digjte...
si shiu dhe rëra në tropik'.
*
Vallëzuam gjithë natën,
nën dritën e qirinjëve,
me verë të kuqe,
nëpër sallon...
Në tingujt e pianos së dikurshme,
derdhëm unë dhe loti, lotë.
*
Vallëzuam valcin tonë,
kompozuar,
shtrëngatave të stuhishme,
fshim lotët njëri -tjetrit,
u pamë sy me sy,
dhe ramë të flinim...



PËRHERË MË MUNGON

Ti përherë, më thua erdha,
Humbet gjurmët, diku...larg.
C'farë t'mendoj ,unë e "zeza",
Kur çdo minutë, zgjatet pa cak.

Ti përherë, më thua "je t'aime",
Me kaq ikën dhe më s'vjen.
A quhet kjo dashuri "grande"?
Asnjë përgjigje, dot s'gjej.

Ti përherë thua, je ylli im!
Mbyll bisedën edhe shkon.
Je gjithmonë, me nxitim,
Vetëm për mua, s'ka kohë.

Së paku, ti mos premto!
Dhe unë orët, nuk numëroj.
Përhumb kohën,me lule dele,
Heq petale, më do...s 'më do .

Ti përherë, m'mungon, dije!
Kurrë si i dashur, apo muzë.
Por si shpirt, rreh brënda meje,
Siç pulson gjaku, ç'do minutë.



SHAMËNI MUA ,POR...

Derdhni mbi mua helmin tuaj !
Mos ngurroni ,gjarpërinj ,
Shamëni...në emërin tim ,
Jetën time ,vitet e mija !

Supet e mija ,edhe i mbajnë ,
Kanë pranverën .I ripërtërinë .

Ndezni flakën mbi trupin tim !
Rrufet tuaja ,të zhuritin ,kockën ,
Në emër të nënës ,do ti pres...
Por ,fëmijët e mi ,në liri të rriten .

Jam nënë ,lindur për t'u flijuar .
Hekur bluaj ,për të ardhmen...

Litarin ,lageni ,lidhëmani fytit ,gufosur ,
Mos të kem shpëtim ,ajërit të ndotur ,
Por ,kombin tim ,mos gaboni ,ta fyeni !
Nuk ia fali ,ju ,perëndive ,as Zotit .

Kam lindur dejeve të të parëve ,
Femër jam !Por ,gjak ,u marr në vetull !


BATICË - ZBATICË

Batica rrëshqet vrullshëm si zëri i erës .
Mbështetë buzët ,bregut që digjet ...
Shkrihen ,njëri - tjetrit ,si e fundit herë .
Lotë-puthjet avullojnë ,shkumës së kripës .
*
Endërra zgjat ,sa sekondi .Trokthi rrehë .
Zbatica hedh rrjetin ,si gjarpër tërhiqet .
Rrëmben piratërisht ,"sonnets d'amour " .
Ngrenë velat ,ikë ,pa thënë lamtumirë .
*
Baticë e ëmbël ,valë të marra ,joshëse .
Zbaticë tradhëtare ,erëmin i pabesë ,deti .
Luani me bregun ,si loja ,"mos u nxehë ".
Baticë ,puthje-buze ,zbaticë ,buzë-plasur.



TRIUMF I SË MIRËS

Ulu djall ,të shitoftë zana !
Shpërfytyrim...dhijé ,
Dhëmbë peshkaqen ,pret të grijshë ,
Të shuashë urinë me gjak hyjnorë .
Kërkon të marrësh revanshin ...
Me gjahun e radhës .
*
Struku aty , malukat !
Hesht ,heeesht ...Mos hapë gojë !
*
Katërdhjet e një pashë të kam burgosur ,
Mbuluar me altarin e ëngjëllit .
Flaka jote e shantazhit ,zien ferrit ,
Pret inkuzicionin e humanes ,
Kristalet e dritës ,t'i përçudnosh !

Oh ! Jo...zjarri yt ,nuk më frikëson !
Kam triumfuar sa herë ndaj teje ,
Edhe atëherë kur doje të vidhje shpresën ,
A të kujtohet si te hoqa shkallën ?
U rrëzove ...Theve shpatullën...

Paske harruar !...apo ...?!
Tani do t'i nxjerr sytë ,nga orbita !
Të shkel me rruspullin e ndërgjegjes .
Të të thej ,kokë e brinjë me dritën time...
*
Të kalamendesh si zvarranik...
Shkretëtirash të përzhitura ,sfiduar !
*
Të dogja ... të damkosa botërisht ,
U ringjalle ,prej ushqimit të pafeut .
Tani !...fundi i përket krematoriumit .
Hirin ,kataklizmës detit ,t'ua falë...

Foto: Mijëra shigjeta , sot godasin kokën,
Pa mëshirë , pa tolarencë...
Nuk më kursen dhimbja, të fluturoj ,
Të shëtis shpirtin, n'këtë ditë t'artë.

Zien koka , si magma e vullkanit ,
Dua ta mund  zjarrin, me flladin...

PASTRIM HORIZONTI

I bashkova më në fund ,retë ,shkreptimat ,
I mbylla në arkën e salduar ,prej hekuri ,
Detit ja dhashë të firmosur ,testamentin tim .
*
Të groposen thellë ,natyrëprishësit zuzarë !
Pa guaska dëshmitarë ,pa peshq vrojtues .
Dhe ,pa fjalim lamtumire të syleshëve valë .
*
Natës errët ,pa hënë ,pa yjë ,vetëm me qiri .
Kur gjithçka të gërrhasë , në gjumin e rëndë .
Hidheni !Mos ngurroni !Një -dy -tre ,hopaaa .
*
Detyra e kryer ,merr shpërblimin e parajsës .
Gradohet ,nga perandori Poseidoni ,fuqiplotë .
Deti ,hero i hapjes së horizontit ,"Dritë e Re" .

Foto


GJYQI I VETES ME VETVETEN

Të arratisem dua nga xhungla .
Të gjej diku kepin e shpresës .
Mos të ketë papagai !
Vrojtues ,
Erëra ,
Lojra fati .
As shikim filxhani .

Unit të ja bëj gjyqin .
Nën betim .
Pa hatër .
Dua të kaloj kufirin e vetes ,
Të gjej vetveten ,
Përgjat ,kepit të pabanuar .

Shurdhëria !
Bashkëshorti im ,besnik .
Heshtjes i veshi mantelin e gjykatësit .
Pres verdiktin ,
Sipas kodit ligjor moral ,
Pa nene ,nën-nene ,të kodit civil .
Të ngrihet çekiçi i drejtësis ,
T'i bien me forcë ,kokës time .

Me vendimin :
Ndërgjegjeve të lënduara ,
Të varura degëve të pemëve ,
Fshehura nën pëshpëritjet ,
E gjetheve te kalbura...
I jepet falja !

Atëherë ,kepit t'i pritet shiriti .
Nga eproveta ,të dalin fjalë -lastarë .
Binjakzim ,vetes me vetveten .
Gdhendur ,kohës së pa kohë .



..PËR PAK EMËR !!


Qielli ka kryqëzuar duart në kokë ,
Me shamizën ,lidhur nyje nën mjekër ,
Vajton ! Po po , ka vënë kujën .
Shikon sesi jargaviten qëniet njerëzore ,
Për një emër të rremë , ndriçues fasadash .
Kapitull ,i shkruar me shkronja kapitale ,
Dashurojmë karbonin e artë ,deri në flijim !

Unë jam fenomeni i këtij shekulli !
Përuluni para hirësis time !
Me gishtin tregues ,si para një qeni ,
Që është gati të kafshoj në çdo çast ,
Ulërinë i egërsuar ,si ujqërit e uritur .
Preja e tyre ,zgurdulluar sysh ,hesht !

Me një lëvizje elegante, si prej mjelme ,
Kërkon të shuajnë etjen e ethshme ,për pak lavdi ,
Panairi ,shit - blerje shpirti !
Këmbimin e shpirtit ,në kursin e emrit !
Mënxyrë tragji -komike, shekullit njëzet e një !
Fama blihet me çdo çmim ,në tregun e zi !


C ' VLERË ?!

C ' vlerë kanë këngët e shkruara ?
Kur ato nuk u kënduan kurrë !
Këputur notash ,treten pa lënë gjurmë .

C ' vlerë kanë fjalët e hyjnizuara ?
Kur ato nuk u mbajtën kurrë !
Bronzit te kuq ,flori derdhur në trup .

C ' vlerë kanë dashuritë e përflakura ?
Kur ndjenjat presohen ,kapilarëve t'gjakut !
Mbyllur në kafazin hermetik , pëlcasin .

C ' vlerë ka jeta ,qëndisur ëndërrash ?
Kur rrezet e shpresës ,përthyhen gri !
Pështyn blozë me përçmim ,ç'do agim !

C ' vlerë ? Vlera zëmbytur ,memece !
Valvitet e droguar , smogut të ironisë .
Zhytur oqeanit të boshllëkut ,jep shpirt .


Foto: Nuk duhet të kërkojmë shumë larg, apo të presim derisa të mbushim portofolin plotë, për të dhuruar një kënaqsi shpirtërore, dikujt...
Thjeshtë...fare thjeshtë, me ato që gjinden brenda talentit dhe shpirtit tonë, mund të përcjellim anën më njerëzore, duke dhuruar sadisfaksione shumë të këndshme.
Kjo dhuratë e ardhur sot nga miku im kimist ne profesion dhe i talentuar ne pikturë Limon Cakaj, më futi thellë në mendime...
Duke JU FALENDERUAR me shpirt, për punën e mrekullueshme dhe dhuratën që më ofruat, mund të përcjell një mesazh për të gjithë JU miq: gjithësecili nga ne, ka diçka në dorë që mund të ofrojë një gjest, mos qoftë material, të jetë shpirtëror...prandaj MOS NGURRONI, jeta bëhet më e bukur kur gëzon dikë!
MIRËNJOHJE për Ju Limon!
 ( mu desh t'i zvogëloj parametrat, pasi nuk e pranonte fb - ku)

TË KËRKOVA...

Humbe kthinave këtë t ' martë ,
Nuk të pashë ,sytë m'i thave .
U trete në hapësirën e largët ,
Si nëndetse ,ujërave t ' akullta .

Të kërkova lëndinave të blerta ,
Të të gjeja mbi një lule ,fije bari .
Ato rrudhën shpatullat ,fytyrskuqur,
Nuk ka ardhur me erën , pjalmi !

Të kërkova detit ,cep më cep ,
T'gjeja një gjurmë ,mes dallgësh.
Valët përplaseshin ,egër në gjoks ,
Sytë nuk e dallonin ,dritën e farit !

Të kërkova qiellit ,mes kaltërsish ,
Me shpirtin që digjej ,si vetë prushi,
Një meteor shpupurishi flokët e artë ,
Kishe humbur ,në rrugën e qumshtit !


Përgatiti:Flori Bruqi

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...