2014-02-13

LUAN LAZE:NË VEND TË URIMIT PËR KOMANDANTIN TIM TË DIKURSHËM SOT SHKRIMTAR I DËGJUAR

Në qoftë se do të na duhej ta portretizonim poetin, prozatorin dhe kritikun letrar Shpendi Topollaj me dy fjalë, vështirë të gjendet diçka më e goditur sesa: i kulturuar dhe njerëzor.

E gjithë krijimtaria e bollshme e tij e vërteton më së miri këtë.

Ashtu siç është në jetë, ashtu paraqitet ai edhe në veprat e tij letrare.

Personalisht, të tillë e kam njohur qysh kur e kisha komandant, ndërsa kryeja shërbimin e detyrueshëm ushtarak në një repart këmbësorie. E dashuronte profesionin e tij (edhe pse kishte kryer studimet në universitet dhe ishte titulluar jurist, edhe pse pas dënimit të babait për një libër që kishte shkruar edhe atë e kishin ndëshkuar, po për një libër që kishte lexuar) dhe si një magjistar i fjalës së mençur, sjelljes fisnike, korrektësisë, drejtësisë, kurajos dhe shembullit që jepte, dinte të rrëmbente zemrat e kujtdo, ushtar a oficer qoftë. Me një takt të pashembullt pedagogjik, ai ishte mjeshtër i mobilizimit të efektivit në realizimin e detyrave, duke bërë që t`i kalonim lehtë, madje këndshëm, vështirësitë e asaj kohe, kur me të qeshur, ushtrinë e quanim një lodër kalamajsh e marrë seriozisht. E shikonim në sy dhe e dëgjonim me ëndje, pasi gjithmonë na thoshte gjëra interesante dhe të pa njohura më parë. Mblidheshim rreth tij në kohën e lirë dhe mezi prisnim kulturën masive, ku do diskutonim për librat, artin, muzikën, pikturën, teatrin e deri operat.

E kam shprehur edhe më parë, se fillesat e mia si shkrimtar, ia dedikoj frymëzimit, nxitjes, këshillave dhe kujdesit të tij. Mua që s`më rrinte goja rehat dhe hidhja shpesh romuze me zarar, më quante shpotitës i pandreqshëm dhe në intimitet më thosh: “Mos harro atë konstatimin e vjetër se grekët janë dënuar për marrëzitë e kryetarëve të tyre.” Sot krenohem që kam mbetur një mik i mirë për të.

Por Shpendi, i tillë është për këdo, gjë që e tregon fare qartë edhe ky libri i tij me kritika letrare dhe portrete, me emrin kuptimplotë “Libri si papirus”.

Është vërtetë e trishtueshme kur vëren se të rinjtë sot janë distancuar me librin. Librat për ta, po bëhen si papiruset për Shampolionin. Natyrisht, kjo ka shpjegimin e vet, por dëmi dhe pasojat që rrjedhin nga ky largim, nuk janë të vogla. Këtë më shumë se kushdo, e ndien shkrimtari i cili duke vazhduar të shkruajë dhe botojë, bën të pamundurën që brezit të ri t`i ngjallë interesin për letërsinë artistike. Se fundja, shkrimtari është një misionar. Dhe të jesh misionar i përhapjes së dijes dhe predikimit të pastërtisë morale apo kultivimit të shijeve të shëndosha artistike, është një shërbim i vyer ndaj atdheut. Vetëm kështu përgatiten qytetarë të denjë për të, me vizione demokratike dhe orientim perëndimor.

Po t`i hedhësh një sy, përmbajtjes së këtij libri, do vësh re se autori mëton të merret me pena të ndryshme që nga Stefan Cvajgu, Ismail Kadareja, Viktor Canosinaj, Marçel Hila, Lufter Xhuveli, Jani Lufi, Mimoza Pulaj etj. Fjalët e tij për ta, janë dashamirëse, të ngrohta, shpesh edhe të zjarrta. Gjejmë aty analiza të arsyetuara bukur e thellë që e bëjnë lexuesin t`i kërkojë e lexojë veprat e tyre. Topollaj, na ngjall emocione kur i referohet veprës së pavdekëshme të Cvajgut. Ai me një prozë poetike, na kujton sesa i detyrohemi ne një shkrimtari vigan si ai që me librat e tij na e bëri jetën më të bukur. Ashtu sikurse na e bëri më të gëzuar Kadareja ynë, pikërisht atëherë kur gëzimi ishte arratisur. Shpendi, duke i bërë apollogjinë Ismailit, duke u thënë ziliqarëve që padrejtësisht e sulmojnë atë: Mjaft! i del në mbrojtje vetë kuturës tonë. Në një libër të botuar fare pak ditë më parë dhe të titulluar “Kur qesh dhe qan Kadare”, Shpendi qysh në krye kujton atë thënjen e vjetër romake “O Kombe, ruani njerëzit e mëdhenj se përmes tyre do t`ju njohë bota.” Ai nuk fyen njeri, veçse evokon Aufenbergun që thosh se xhuxhat kur hipin në shpinën e gjigandit, pandehin se janë më të mëdhenj se ai. Atyre që duan ta baltosin Nderin e Kombit, ai vetëm u thotë se “…duke mprehur shpatat e ndryshkura mesjetare, harrojnë thënjen e Ciceronit se “Lapsi është më i fortë se shpata.”

Duke analizuar romanin “Mallkimi i grave” të autorit Viktor Canosinaj, Shpendi shpreh admirimin e madh të këtij shkrimtari me aq vlera, por që falë modestisë së tij, nuk vihet në kërkim të lavdisë. Ai, e rendit Vitorin tek ata shkrimtarë që “heshtja nuk i ka lënë që të shkëlqejnë sa duhet në qiellin e rrëmujshëm të letrave shqipe.” Shpendi në shkrimin për të, ngre zërin edhe ndaj kritikës në përgjithësi, që nuk tregon vëmendjen e duhur për të ndërtuar drejtë hierarkinë e vlerave, gjë që sjell pompimin e atyre që ndofta nuk e meritojnë, por që kanë në anën e tyre të tjera mundësi.

Tek shkrimi “Marçel Hila, një befasi e këndëshme e letërsisë”, Shpendi entuziazmohet nga talenti i panjohur i këtij shkrimtari shkodran që ka botuar vonë, por që e ka mbajtur përherë të freskët atë sentencën “Memoria minitur nisi eam exerceas” që do të thotë se memoria pakësohet po të mos ushtrohet. Brezat duhet të dinë se ç`ka ndodhur me ne gjatë viteve të ferrit komunist. Pra, pësimet duhen bërë mësime.

“Shqiptarët dhe bimët” është libri i prof. dr. Lufter Xhuvelit por që Shpendi me të drejtë e konsideron “më shumë se një libër, një enciklopedi, ku ndërthuret me mjaft kulturë, erudicioni i autorit, përvoja e tij dhe informacioni i mirëfilltë shkencor.”

Fare nuk njihet Sh. Topollaj me Mimoza Pulajn, poeten që jeton prej vitesh në Milano, por që nuk i ndahet shpirti nga atdheu i saj. Ajo edhe pse larg, jeton me shqetësimet dhe gëzimet e popullit të saj. Dhe kuvendon me ta me gjuhën poetike. Butësinë e saj ai e çmon dhe na kujton thënien e S. Rushdies se “Vlera e artit tonë qëndron te dashuria dhe jo tek urretja… Dashuria është ajo që u jep jetë të gjatë librave.”

Këto ditë ka dalë nga shtypi libri monografik i gjeneral Jani Lufit për gjeneral Petrit Dumen, hero i popullit, me titullin “Biri i madh i Shqipërisë”. Dhe pasi e përktheu aq mirë nga gjuha ruse miku i tij Mehdi Ramohito, është po mirësia e Shpendit që e botoi atë. Kjo është pasqyruar edhe këtu, ku ne kuptojmë lidhjet e tij shpirtërore dhe intelektuale me gjeneral Janin i cili aq shumë ka shkruar për ne dhe historinë tonë, duke u shndërruar në një ambasador të Shqipërisë në Rusi.

E kam parë heret dobësinë që “komandant” Shpendi ka për Shkodrën ku ka kaluar një pjesë të mirë të fëmijërisë së tij dhe ka përftuar mbresa të pashlyeshme. Këtë ndjenjë ai e demonstron edhe te përsiatja e tij aq e ngrohtë dhe e sinqertë “Shkodrës i qe kthyer buzëqeshja”.

Por, dashurinë dhe respektin për të tjerët ai e manifeston natyrshëm edhe te portretet e tij të përfshira në këtë libër dhe që ai e ka bërë edhe herë të tjera dhe që duken si të pikturuara me ngjyrat e zemrës. Flet në Akademi për mësuesin e paharruar dhe mikun tim të vyer Ali Kastratin në 90 vjetorin e lindjes së tij, pasi trajneri i dikurshëm i mundësit Shpendi Topollaj, ja kishte kërkuar vetë këtë. Ai duke perifrazuar Bernard Shoun, e quan profesor Aliun një pishtar që qëndron ndezur me çdo mënyrë, një njeri që nëpërmjet sportit i dha dhe vazhdon t`i japë emër atdheut të tij.

Në një intervistë që i kam marrë aty nga vitet 2000 me cilësinë e gazetarit televiziv, e kam pyetur Shpendin si me shaka se a vazhdon të mbash fjalime, veç të gjallëve edhe nëpër ceremonitë mortore, pra për të vdekurit. Pavarësisht shakasë, e kam parë këtë gjë si një virtyt të madh të tijin. Unë nuk di ndonjë rast tjetër, që dikush të tregohet kaq i gatshëm dhe i papërtuar për t`i nderuar dhe për t`u dhënë lamtumirën e fundit shokëve, miqve apo të fërmëve të tij. Duhet të kesh një zemër të madhe si ai që ta vlerësosh aq shumë atë moment. Ja pse ne gjejmë me pak fjalë gjithë jetën e gazetarit të njohur Agron Çobani, Garip Trocit, mësuesve të tij të letërsisë në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej” Gjylizare Çiços e Perikli Jorgonit, artistit Nikolet Vasia, veteranit Qemal Mançe, kolegut të tij Namik Hasani deri dhe njerëzve fare të thjeshtë.

Autor i suksesshëm në poezi, tregimtar e novelist nga më të mirët, romancier i dëgjuar dhe i përkthyer në disa gjuhë të huaja edhe në këtë libër, që në mos gaboj është i dymbëdhjeti me kritika letrare, unë ndjej po atë kënaqësi kur shoh se Shpendi ka mbetur po ai komandanti ynë i ditur dhe njerëzor. Por mbi të gjitha, i dashur si pak kush, me të gjithë.

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...