2014-02-05

Sylë Kuçi : ME GAZETARIN FRANCEZ - PERJETIME NGA LUFTA NË GLLOGJAN(E LAMË DUGAGJININ NË ETHE)




PERJETIME NGA GLLOGJANI


Nga se isha pak i ftohur, ose pse kisha nevojë “të vuaj pak për atdhe”, at paradite të ftohtë marsi ktheva në kafenenë “Rozafa” të pi një gotë verë të vluar. Diku kah mesi i sallës pash një grup shokësh, tek të cilët mund të ulesha lirisht. Ende pa zënë vend mirë u inkuadrova në bisedë. E biseda ishte e zakonshme. Ajo te cilën e kishim këputur një ditë më parë. Kush është pro, e kush është kundër kësaj ,apo, asaj politike. Kush është pro, e kush kondër zgjedhjeve. Kush si… e kush sa…. E biseda vazhdonte tërkuzë.
Kushedi se si do të përfundonte “debati”, sikur tavolinës sonë mos t`i afrohej një vajzë e re,hollake, e zbehtë, dhe me sy të skuqur. Përshëndeti shkurt, dhe u ul qetas. Ma prezentuan si gazetare të re. Shkakun e shqetësimit të saj ata e dinin mirë. Ajo lehtë nga qanta nxorri një kukull, të përgjakur dhe e vendosi para nesh në tavolinë.Qupëza hollake, me sy të përlototur shpjegoi se tërë natën nuk kishte fjetur. Gërmadhat e Prekazit ia kishin vrarë gjumin. Dhe filloj t`i renditë imazhet makabre q’i kishte lënë pas ekspedita serbe.

Disi, ia pata zili kësaj vajze, e cila ndër të parët kishte marrë guximin t’i shoqëroj gazetarët e huaj, dhe kështu t’ia bëjë të ditur botës “të bëmat” e policisë serbe mbi popullatën shqiptare në Kosovë. M’u duk punë e mbarë kjo. Dhe pa hezitim pranova ta shoqëroi ekipin e TV francez. (TF2).

Dita e parë “në detyrë të re”. E çuditshme! Si duhet të veproi? A thua do t’i dal matanë? Dolëm në rrugë. Aty një lum. Lum i gjatë studentësh shqiptarë. Demonstronin qetë dhe me dinjitet. Parulla dhe sllogane të njohura. S` e pata vështirë të përkthej. Por të nesërmen! Të nesërmen ishte krejt ndryshe. Demonstronin serbët. Ishin mbledhur nga kahmos. Parulla dhe sllogane të njohura. Fashiste.Në çdo kërkesë për dekleratë, ata përgjigjeshin me fyerje dhe kërcnim. Gati nuk pati nevojë për përkthim.

Në mbrëmje derisa darkonin,reporteri Lorent Boussie(Loren Busie) më tregoj një artikull të datës 18 mars 1998 të botuar në “Le figaro” . Ishte një reportazh për Manastirin e Deçanit. Ishte shumë i intriguar. Në fund shprehu dëshirën ta vizitoi at Manastir.

Mëngjezi i 24 marsit 1998 ishte kthjellt. Disi i egër. Rrugës për në Dukagjin patëm kohë të llafosim mjaft, siq thonë deçanasit “për Shkup e për Shkodër”.Kur iu afruam “Alpeve shqiptare” (kështu i quanin ata),përmbylljen e bisedave e bëri montazhieri Filip duke thënë:”Ndoshta ka ardhur koha që Franca, ta rishqyrtoi qëndrimin e vet politik ndaj Ballkanit e posaqarisht ndaj Serbisë”.


Rrugës drejt pishave të Deçanit, mendoja se çfarë do na thonë kallugjerët mjekrrosh, për atë Manastir që është aq shumë i lidhur (por edhe i hidhur) për historinë e popullit tim?! Seq më ra ndërmend një përjetim i moçëm.Në “Darkat e lëmave” a në pasdarkat dimërore, gashjanët talleshin prej shaljanëve.Thonin se kur erdhi Shala ta “korigjoi gabimin e historisë” Gashi, ua këthej pushkën . Rreth manastirit qetësi mortore. E çudithme. Më kujtohej, kur aty, rreth manastirit, te “Balli i urës” por edhe pranë “Gurëve të qereqit”, kësi kohe, kishte gjallëri.Dëgjohej pallje bagëtish dhe zëra fëmijsh. E sot? Ç’pamje e trisht! Nëpër oborr të manastirit lëvizin ca hije. Hije, apo silueta!? Uniforma. Shumë uniforma.Të kaltëra,të hirta,kamuflazhe dhe të zeza.Vallë ku jemi? Në “shpi të zotit” apo?…

Para na doli një kallugjer i ri, i gjatë,me mjekër të kuqe dhe shikim të pa definuar. Na ofroi mirëseardhje dhe na ftoi brënda. Me një anglishte të rjedhshme përgjigjej në pyetjet e shtruara. Foli për historikun e këtij manastiri. Për jetën e kallugjerëve, për besimtarët e pakët.Normalisht, më shumë foli për polotikën aktuale. Po,po, njeriu i veshur me manti të zezë fliste për politikë. Besa edhe bënte politikë. Gjatë tërë kohes së intervistës rrotull nesh silleshin polic, ushtarak, dhe paramilitarë. Na shikonin quditshëm. Në sytë e tyre kjartë shihej urrejtja.

Kështu pjesa e parë e reportazhit, që për temë kishte: “Bashkëjetesën e manastirit ortodoks (serb), dhe popullatës shqiptare për rreth” mbaroi. Tashi duhej biseduar me subjektin tjetër. Me ate shqiptarë. U nisëm drejtë qytetit. Askush në rrugë. E Çuditshme, kur dihet se rrugët e kësaj qyteze përherë “vlojnë nga sehirgjinjtë e bollshëm”. Më duhej një bashkëbisedues i përshtatshëm për këtë bisedë. Një bashkëbisedues i denjë t’i bëjë ballë “teorisë së “otac Savës”.

Por, ku ta gjej se !? Në lokalin e parë që hymë, na shikonin me habi. Edhe pse të gjithë më njihnin, kush nuk na foli. Çudi! Loreni si gazetarë me përvojë që ishte, vërejti këtë pazakonësi dhe tha: “këtu zien diçka”. More… desha t’ia filloi disi, kur m’u drejtua Neziri. Hë… keni ardhur për Gllogjan? Jo i thash, pse?” Po atje ka filluar lufta ore. Gllogjani sot është sulmuar me tankse e helikopter”. Tanks e helikopter!

Ku or ku ? Klithi Loreni. Vemi shpejt. Me të arrijtur në Prejlep dëgjoheshin krismat. Në sheshin e fshatit Irzniq u ndalëm. Meqenëse vetura jonë mbante targa me BG, fshatarët hiknin prej nesh si prej djalli. Dola nga vetura. Asnjëri. Pas pak, nga një “kapigjik” doli një burrë. E njoha, ishte Sadriu shok imi i shkollës. “Ku po shkon or Sylë zeza”, m’u drejtua. Në darsëm ia këtheva me një gaz të hidhur.” Mos e merr veten në qafë, a e di se ata nuk kursejnë askë!, Por nëse vërtetë keni vendosur të hyni atëherë mbajani…” Nuk e dëgjova deri në fund. Vetura u nis furishëm.

Pas pak… Klithje, britma dhe dhjetra tyta të drejtuara nga ne.Vetura ndaloi rrëmbimthi. I ngritëm duartë lartë. Urdhëra të pakuptimta. Dikush na urdhëronte të ndalonim e dikush të afroheshim. Dukej se edhe koha ndaloi. Shikonim vetëm grykat e armëve dhe pritnim kur do të villnin zjarr.Njëri që si dukej ishte epror , u bërtiti: “Ne pucajte, imaju beogradsku registrciju” (mos gjuani, kan regjistrim të beogradit). Nga dritarje e djathtë gjiruesi nxori kamerën dhe thirri” Francuska televizija, frann…. “ “Ah nënën tuaj vetëm edhe ju na duheshit”. Shfryu Tjetri.

Na mësyen si bisha. Na nxorrën jashtë dhe na mbështetën për verurë. Kush mëshonte me grykë e kush me qytë pushke. Më së keqi e pësoi “tonaku”. Dikur na i kërkuan dokumentet. Kur morën vesh emrin tim u tërbuan fare. Po ti çka lyp këtu…? U thash se jam përkthyes dhe se për këte e kam lejen. “Jo, jo, than, je terrorist. Je i porositur t’i sjellësh këta këtu”. Më mbështetën me duar lartë për një mur. Derisa “merreshin” me mua, një e shtënë e hollë erdhi nga ana e “kundërt” Desh thyen qafën duke rënë për tokë. Pastaj edhe një e shtënë. O zot, nuk gjenin birë për t’u strukur. Ashtu me fëtyrë për toke thua se as frymë nuk merrnin.

Vetëm ne të pestët ishim mbetur në këmbë, me duar të ngritura. Nuk di, si t’a përshkruaj at “ kuadër”!? Ushtar, polic, e “speciallca” të armatosur deri në dhëmb, në një lagjë fshati. Kur fishkëllonte, një plumb,…vetëm një, ata njësoheshin me tokën.Ndërsa ne, pesë të tjerët,me duar lartë, qëndronim tamam si butafori mbi kokat e tyre!

Nuk di!… pa dyshim, pamje bizare. Edhe një tjetër e shtënë. Eee… tashi vlente ajo “bira e minit 300 qese”. Shkrryheshin, klithnin, mallkonin. Nuk zgjati shumë, dhe filloi granatimi. Toka dridhej. Tashi “trimat” u ngritën. U shkundën pak dhe filluan të shtiejnë. Shtinin pa shikuar fare cak. Disa të tjerë dualën nga një shtëpi. Para kishin vënë një plak.

Ishte rreth të shtatëdhjetave, dhe i hendikepuar në dorën e djathtë. E shqelmonin dhe e tallnin. Ai nuk ipej.E urdhëronin, ai fare s’ua varte. Ecte lirshëm për mes rrugës, dhe asnjëherë se ktheu kokën pas. Ishe e kjartë se i sfidonte.

Edhe një tjetër fshatarë të moqëm e kishin vënë përpara. I sulleshin si çakej. Secili e malltretonte në mënyrë të vetë. Pashë se ia kishin deformuar fëtyrën, posaqarisht nofullat. Nga se ishte i dërmuar ecte maramendshëm. Një polic trashaluq e rroku për jake dhe e solli pranë meje.”E sheh këte? Ky ka dashur të më vras. Ja, këtej më ka kaluar plumbi. Ky dështoi. Unë nuk dështoj. Unë jam profesional. Ja, këtu, këtu do të të qëlloi”, dhe preku ballin tim me tytë automatiku.

Pastaj filloi të qeshej si i marrë.
Nga një”micubishi” zbritën tre polic me uniforma të çuditshme. Kur i pa Loreni u step. Këta, tha janë vrasës profesional. I kam parë në Bosne.Ishin të armatosur me snajper shumë të sofistikuar të prodhimit anglez dhe me revole zvicrrane.
Kishin shikim të akullt. As përshëndetjet s’ua kthenin kolegëve të vetë.Nga një tallki-vallki të varrur në gjoks dëgjohej: “ Rubin jedan zove rubin dva,…(rubin një thërret rubin dy) Shenjë kishin kullën e tretë nga e majta. Dhe u nisën. Pak më lartë sillej një helikopter. Shihej qartë se ishte i armatës. Madje edhe ata që gjuanin nga ai helikopter mbanin uniformë ushtarake. Tashmë edhe francezët u bindën në “mos përzierje e armatës në trazirat e vogla në Kosovë”.

Si duket këte e vërejti njëri prej tyre.Mua më urdhëroj të qëndroi aty ndërsa francezëve u tha të shkojnë. Për hai francezet kërcyen të gjithë dhe i thanë se na pa këte nuk shkojmë askundi. Madje ata të katërt më futën në mes dhe më thanë “ mos u shqetëso, edhe ti si ne ke akredititiv, këta duhet të të lëshojnë”. Ngulën këmbë.

Kjo “ndezi”. Të nervozuar na urdhëruan të hyjmë në veturë dhe të shkojmë pas tyre. Në dalje të fshatit, livadhet e vërshuara me polic, ushtar, civil, tanksa, autoblinda, niva, e çka s’kishte. Na derguan te një tjetër “shef”. Prap fyrje, kërcnime, bastisje dhe legjitimim. Kur lexoi emrim tim u çakërdis. “A… ha evo starog policajca! (ja polici i vjetër) .

Më ngatërroi me kusherin tim Sylë N. Kuçin, një ish punëtor të sigurimit, kahmoti halë në sy të policisë serbosllave. Kur u bind se nuk jam ai, shfryu,Edhe ti nuk je hiq më mirë. Në të vërtetë të gjithë ju jeni një. Një farë. Farë e keqe. E, fara e keqe duhet herrur. Prandej jemi këtu që të…

Loreni ndërhyri duke kërkuar përkthim. Kur fillova të përkthej, polici u çjerr. Dëgjo më tha : Nëse vetëm një fjalë e asaj çka të thash do të publikohet të premtoi se do të zhduk me soj e sorollop. Kuptove?

Jo vetëm unë por edhe francezët,pa përkthim fare, e patën të kjartë. Deshi të më thonte edhe diçka, por fjalët e tija i mori ushtima e helikopterit i cili ateroi aty pranë. I sollën tre vigj me polic të përgjakur.Për herë të parë shihja polic të plagosur.

Çudi! Jo, ndjenë e çuditshme. Vallë edhe këta “po i merrka” plumbi?Si duket po. Erdhi edhe një vig. Afër tij Vula. “Naçellnik” Vula. Thash, e pat puna. Kur të më vërei, do të merret me mua personalisht. Ashtu si e ka zakon të “merret” me bashkëqytetarët e vet shqiptarë. Për fat, u hallakatën. Nga një tallki-vallki thërrisnin në ndihmë.

Thonin,se po sulmoheshin me bomba. Pasoi një granatim i gjatë. Tërë lagja u mbulua me tym. Granatimi ende vazhdonte, kur neve na urdhëruan të largoheshim. Gjiruesi Gerek, më këshilloi të shtrihem në dyshemen e veturës. Më tha: se ka mundësi të të gjuajnë me snajper, e pastaj deklarojne se e kanë vrarë të vetët.

Kur mbërritëm në Deçan, kishte rënë muzgu. Duhej ta merrnin veturën të cilën për fat të keq e kishim parkuar mu pran stacionit të policisë. Po sa u afruam një dyzinë policësh i drejtuan armet kah ne.Nuk flisnin, vetëm qëndronin ashtu të gatshëm. Pastaj erdhi një i dehur. Iu sul gjiruesit Gerek. Uluronte. Shante. “

Nënën tuaj shqiptare, deri sa tanët vdesin, ju keni ardhur të fotografoni shiftarët”.Tentoi ta grushtonte, por ishte (për fat) aq i dehur sa iu morën këmbët dhe desh u rrëzua. Në brez kishte një revole të markës TT.

Hymë në vetura dhe me fishkëllimë gomash u nisëm drej Peje. Isha i dërmuar.Por edhe, i emocionur. Për çudi gazetarët dukeshin të qetë. Sikur nuk kishin përjetuar asgjë. Në habinë time, ata u përgjigjën me një proverbë: “Nga lufta hik çdo gjallesë, vetëm ushtarët e gazetarët futën në te”. Ndoshta .

Por, unë nuk jam as gazetarë as ushtarë, e… është dashur të jem aty. Po më tha. Po. Shumë mirë që ishit me ne. Kështu që ne pamë se si duket bashkëjetesa “alla serbqe”.
Qetësi.

Ndonjë shikim vjedhës, plot dhembje.

E lamë Dukagjinin në ethe.

E lam Glogjanin e plaguar rëndë at ditë të 24 marsit të 1998-ës.

(Autori Sylë Kuçi,është aktor profesionist i Teatritn  Kombëtar të Kosovës.Gjatë Luftës ishte përktyes i televionit francez France TF2)

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...