Avdi Kelmendi një veprimtar i çështjes kombëtare




DËSHMI TË KOHËS

Në përkujtim të tetëmbëdhjetë vjetorit të vdekjes së Avdi Kelmendit, veprimtarit të paepur për çlirim e ribashkim kombëtar, i cili vdiq më 18 janar 1996.

Duke i përkujtuar atdhetarët e devotshëm , jo vetëm që i bëjmë nder atij, po me këtë edhe i shërbejmë kujtesës historike, sepse vetëm duke i përkujtuar ata, e nderojmë historinë tonë kombëtare. Unë, kam një të drejtë të veçantë që të flas më me kompetencë për Avdiun, sepse e kisha shok ideali, bashkëveprimtar e bashkëvuajtës në burgjet serbosllave, në Prishtinë, Zajeçar e në Nish, si veprimtar në kuadër të LNÇKVSHJ-së.

Avdi Kelmendi, veprimtar i çështjes kombëtare (21.XII.1951–18.I.1996)

Me Avdi Kelmendin, që njihesha nga viti 1978, nëpërmjet shokut tim shumë të besueshëm, Ismet Beka nga Mazgiti i Kastriotit. Pas pak kohe, duke biseduar për shumë çështje kombëtare, fituam besimin te njëri tjetri, u morëm vesh që të organizoheshim në mënyrë ilegale për çlirim e bashkim kombëtar. Që të dytë e adhuronim Shqipërinë e Enver Hoxhës. Unë i propozova që të aderoj në LNÇKVSHJ, gjë që e priti me një dëshirë të zjarrtë. E lexuam bashkë betimin dhe u betuam në fund të vitit 1978 në shtëpinë time, në fshahtin Shtitaricë, tani Shtruerë. E lexuam gjithashtu Paraprojektin e Statutit prej 15 pikash dhe Udhëzimi për konspiracion. Në Statut cekej shumë qartë se: qëllim kryesor i LNÇVSHJ-së, ishte çlirimi i të gjitha krahinave shqiptare të ndara e të robëruara nga Jugosllavia dhe bashkimi i tyre me shtetin amë, RPS të Shqipërisë. Format e veprimit ishin të ngjashme, me metodat e organizatave tjera ilegale, me formimin e tresheve në ilegalitetin më të thellë.. Ndërsa, për Komitetet, në fazën e formimit, parashihej që t’i kishim nga pesë anëtarë. Veprimtarinë e vazhdonim me një intensitet të paparë. Ne, ishim të bindur se, në krye të udhëheqësisë kishim simbolin e rezistencës, Adem Demaçin, sepse, vetë emri i tij ishte frymëzim për ne, ndonëse ky qëndronte në pranga në kazamatet serbo-sllave. Poashtu, ne kishim besim edhe në përvojën e ish të burgosurve për çështjen kombëtare; për liri e ribashkim kombëtar, sidomos në ata që kishin pasur rastin të vuanin burgun me Bacën Adem. Kështu, krahas ngritjes dhe aftësimit ideopolitik të anëtarëve me literaturë patriotike që i merrnim, në mënyrë ilegale, në Shqipëri dhe në shtetet perëndimore, kishim filluar t’i vëmë edhe hapat e parë praktikë. Tani, kishim filluar edhe të shkruanim pamflete e trakte kundër okupatorit shekullor serboçetnik, të cilat i shpërndanim në shkolla, në fabrika dhe nëpër institucionet kulturore dhe informative. Avdiu ishte shumë i zellshëm.
Për Avdiun janë shkruar disa artikuj nga autorë të shumtë, kurse veprimtarët e nderuar Dr. Zymer Neziri dhe prof. Ismail Gashi kanë shkruar monografinë , « Avdi Kelmendi – jeta dhe veprimtaria atdhetare» botuar nga Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës, Prishtinë, 2002.
Të gjitha përkujtimet për Avdiun në monografinë e lartpërmendur ndihmojnë, plotësojnë dhe ndriçojnë më mirë veprimtarinë e tij. Nga kjo del në dritë se ky atdhetar i paepur e kishte filluar veprimtarinë e vet atdhetare nga viti 1968, kur ishte shtatëmbëdhjetë vjeçar, në demonstratat historike të vitit 1968 në Ferizaj, ku Avdiu ishte nxënës i Shkollës Normale të këtij qyteti. Për këtë dëshmon Hysni Beqiri, shoku i tij i shkollës, kur thotë «Në rendin e parë të demonstruesve qëndronte Avdiu me shokët e tij ». Veprimtarinë e vet patriotike nuk do ta ndërpret kurrë, edhe gjatë studimeve në Universitetin e Prishtinës, gjatë punës së tij në arsim, do të njihet e do të bashkëpunoj për çlirim e bashkim kombëtar me shumë shokë. Ndër më të dalluarit do t’i ketë Isa Demajn, Ismajl Gashin, Qemajl Aliun, Beqir Lecajn, Banush Bytyqin, Muhamet Ademin, Idriz Kelmendin, Ismet Bekën, Fadil Shytin, Fevzi Beqirin, etj. Aktivitetin e vet atdhetar do ta intensifikoj në mënyrë organizative kur bëhet anëtar i LNÇKVSHJ-së, më 1978, kur në krye të Lëvizjes , pos Metush Krasniqit, ideologut dhe themeluesit të kësaj organizate, vjen si promotor kryesor, pishtari ynë kombëtar, Jusuf Gërvalla, i cili angazhohet shpirtërisht për ngritjen ideo-politike në frymën kombëtare e shkencore të punëtorëve, studentëve, fshatarëve, si dhe të gjitha shtresave të tjera popullore që jetonin në trojet e veta stërgjyshore, të robëruara nga Serbia e ish Jugosllavia.
Pra, në këtë vit Avdiu u angazhua në Lëvizje, atëherë kur ishte në formim Komitetit Qendror i LNÇKVSHJ-së me pesë anëtarë. Dihet se, dëshmori ynë, Jusuf Gërvalla, pas strehimit politik në Gjermani, bashkë me atdhetarin e paepur Smajl Haradinajn formojnë Komitetin e Deçanit që do të jetë njëri nga levat më kryesore të Lëvizjes sonë gjithëkombëtare deri në formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK-së, në krye me komandantin legjendar Adem Jashari.
Unë, kisha intensifikuar angazhimin, bashkë me Avdi Kelmendin, për të formuar Komitetin Vendor tëLypjanit. Komitetin e parë vendor të LNÇKVSHJ-së e krijuam në Lypjan, më 1979 bashkë me Avdi Kelmendin. Në komunën e Lypjanit kishim një numër të konsiderueshëm anëtarësh të Lëvizjes. Avdiu, ishte një veprimtar me përvojë, kishte shumë shokë në rrethin e vet, si në Lypjan, Ferizaj, e gjetiu. Avdiu, sipas udhëzimeve të mia, e ka formuar Komitetin me këta anëtarë: Qemajl Aliun, kryetar, Banush Bytyqi, Muhamet Ademi dhe Ali Zejnullahu, anëtarë. Ky Komitet, kishte celulat e veta në formë të treshes me veprimtarë të tjerë si : Agim Ademin, Hilmi Mehmetin, Ekrem Llugiqin, Bajram Vishesellën, Refik Ymerin, Ahmet Bislimin, Idriz Kelmendin, etj.

Lidhur me Komitetin Qëndror të LNÇKVSHJ-së, siç e ceka më lartë, dua të shtoj edhe një dëshmi shkruar nga Jusuf Gërvalla, tashmë hero kombëtar që u botua para pak kohe në “Albaniapress”.
Verba volant scripta manent (Fjalët fluturojnë, shkrimet mbesin.) ...
Në shkrimet e mia që i kam bërë për historikun e « Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës dhe e Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi» (LNÇKVSHJ), në veçanti kur kam shkruar se Komiteti Qëndror i LNÇKVSHJ përbëhej nga pesë anëtarë dhe me formën e tresheve, kam pasur një breshëri kritikash, jo të shëndosha, nga disa ish bashkëveprimtarë, emrat e të cilëve nuk është nevoja që t’i përmendi sepse i kemi kryer muhabetet, duke më quajtur edhe gënjeshtar e çka jo tjetër... Arsyeja që më nxiti që t’i shkruaj prapë dy-tre fjalë për këtë temë është artikulli i Faridin Tafallarit

”INTERVISTË E JUSUF GËRVALLËS, BOTUAR NË GAZETËN GJERMANE “TAGISCHE ZEITUNG”, ME 20 JANAR 1982

Publikuar në “Albaniapress”, më 14 nëntor, 2013, intervistë të cilën e shpërndava nëpërmes elektronikës, në FB, qe dy herë. Pos të dhënave tjera për Lëvizjën, Jusuf Gërvalla flet edhe për Komitetin Qëndror të Lëvizjes, ku thotë:

* Si është e ndërtuar kjo lëvizje në aspektin organizativ?
Jusuf Gërvalla: « - Kjo lëvizje ka bazat e veta kudo ku jetojnë shqiptarët Brenda kufijve politik të Jugosllavisë. Ajo përbëhet nga një Komitet Qendror prej pesë vetësh. Pastaj janë komitetet e rretheve të cilat dërgojnë përfaqësuesit në Komitetin Qendror.
Bazat janë celulat, që përbëhen nga tre anëtarë dhe që punojnë në mënyrë konspirative. »

Kurse unë, Ramadan Pllana, disa herë e kam theksuar se Format e veprimit ishin të ngjashme, me metodat e organizatave tjera ilegale, me formimin e tresheve në ilegalitetin më të thellë.. Ndërsa, për Komitetet, në fazën e formimit, parashihej që t’i kishim nga pesë anëtarë.
Siç shihet përputhja e të dhënave për LNÇKVSHJ nga Jusuf Gërvalla dhe nga unë janë katërcipërisht të pajtueshme dhe pa kundërthënje. Kjo nuk do koment, vetem më mbetet që ta falenderoj heroin tonë kombëtar- Jusuf Gërvalla
Siç dihet grupi ynë u zbulua nga UDB-ja e atëhershme, me shumicën shqipëfolëse, dhe arrestimet filluan nga 11 nëntori i atij viti, 1979. Pas gjashtë muaj hetimesh intenzive e barbare më 4 qershor 1980 grupi ynë i LKÇKVSHJ-së nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë u dënuam këta persona:
Shefqet Jashari me dënim me burg, në kohëzgjatje prej 8 (tetë) vjetësh,
Ramadan Pllana, me dënim me burg, në kohëzgjatje prej 7 (shtatë) vjetësh,
Avdi Kelmendi me dënim me burg, në kohëzgjatje prej 5 (pesë) vjetësh,
Abdyl Lahu me dënim me burg në kohëzgjatje prej 4 (katër) vjetësh,
Skënder Jashari, me dënim me burg, në kohëzgjatje prej 3 (tri) vjetësh,
Isa Demaj me dënim me burg, në kohëzgjatje prej 4 (katër) vjetësh,
Sylejman Qyqalla, me dënim me burg, në kohëzgjatje prej 4 (katër) vjetësh, dhe
Hysen Gërvallën me dënim me burg prej 3 (tri vjetësh).
Në vlugun e demonstratave hisorike të pranverës së vitit 1981, më 1 prill të atij viti, ne që ishim për politikë na transferuan nëper burgjet e Serbisë.
Në ndonjë “fatkeqësi”, për shkak të veprimtarisë së rrezikshme për çështje kombëtare, siç ishte burgosja jonë më 1979, ka nganjëherë edhe një fat. Prandaj, fati e deshi që të ishim së bashku me Isa Demajn dhe Avdi Kelmendin për 8 muaj në të njëjtën qeli, në burgun e Zajeçarit. Që të tretë, kemi kaluar në mënyrë vëllazërore. Isa, njihte mirë historinë kombëtare e ndërkombëtare, letërsinë, pedagogjinë, filozofinë dhe psikologjinë, me një fjalë ishte një erudit. Pothuajse, i dinte për mendsh vargjet më të njohura të të gjithë shkrimtarëve të letërsisë shqiptare nga vëllezërit Frashëri, Pashko Vasa, Mjeda, Noli, Gurakuqi, Migjeni etj., duke i përfshirë edhe këngët kreshnike « Gjergj Elez Alia », « Muji e Halili » etj. Në histori shkëlqente duke folur për Skënderbeun, Abdyl Frashërin, Ymer Prizrenin, Sylejman Vokshin, Mic Sokolin, Haxhi Zekën, Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Isë Boletinin, Idriz Seferin etj. Pastaj e çmonte shumë Nolin, Bajram Currin, Avni Rrustemin, Riza Cerovën, si dhe Qeverinë e Fan Nolit në përgjithësi. Kishte një respekt të veçantë për Enver Hoxhën dhe për heronjtë e Luftës Nacional çlirimtare të Shqipërisë. Fliste me zemërim për tradhtinë që na e bëri Titoja me Rankoviqin duke na e mohuar zbatimin e Vetëvendosjes, sipas Mbledhjes së Bunjajt, dhe i demaskonte me argumente historike, titistët shqipfolës. Avdiu, i cili kishte një prirje për të kënduar, shpesh na këndonte për të gjithë heronjt kombëtar të të gjitha kohërave. Edhe në burgun e Nishit, kur na transferuan nga Zajeçari, me Avdiun qëndruam bashkë pak kohë, pastaj na ndanë në qelia të ndryshme, gjithnjë në kushte shumë të rënda.
Lëvizja Nacional çlirimtare e Kosovës dhe e Viseve të tjera Shqiptare në Jugosllavi , “LNÇKVSHJ”-ja, është formuar në verën e vitit 1977, ishte njëra nga organizatat më të aktivizuara për çlirim e bashkim kombëtar në tërë hapësirën e trojeve shqiptare të ish Jugosllavisë gjatë fundit të dekadës së viteve shtatëdhjeta dhe fillimit të dekadës, në vazhdim, të shekullit të kaluar.
Ne, shokët, miqtë e bashkëveprimtarët e Avdi Kelmendit, duhet t’i kujtojmë shokët tanë të idealit kombëtar ashtu siç ka qenë realiteti i kohës, si dhe gjithë dëshmorët e atdhetarët tjerë, që sakrifikuan jetën për çlirim e ribashkim kombëtar, ky është një borxh moral e kombëtar, sepse duke i evokuar ata, ne nuk do ta harrojmë për ta çuar amanetin e tyre në vend, për bashkimin e trojeve shqiptare në një Shqipëri Etnike!
Avdi Kelmendi, ishte dhe do të jetë njëri nga figurat më të ndritshme të çështjes sonë kombëtare, do të kujtohet e do të nderohet gjithmonë nga familjarët, nga të afërmit , nga miqtë dhe nga bashkëveprimtarët e vet e nga populli.
Lavdi jetës dhe veprës të Avdi Kelmendit!

Zvicër, 18 janar 2014

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)