Prof.dr. Eshref Ymeri
(Me rastin e 6-vjetorit të pavarësisë)
Në faqen e internetit të zotit Feliks Taho të datës 29 tetor 2013, u botua një informacion me titull: “Vatikani: Kosova, djepi i Kishës Ortodokse Serbe”. Aty, ndër të tjera, thuhet:
“Vatikani nuk ka ndërmend ta njohë pavarësinë e shpallur njëanshëm nga shqiptarët e Kosovës, thotë Kardinali Uallter Kasper për të përditshmen katolike Kathpress. Kardinali është kryetar i Këshillit Papnor për Promovimin e Unitetit të Krishterë me seli në Vatikan. Ai ishte për vizitë muajin e kaluar në Rusi ku u takua me kreun e Kishës Ortodokse Ruse, patriarkun Aleksei II. Pas takimit përpara mediave ruse, ai u shpreh se “Vatikani i kupton shqetësimet e Rusisë dhe të Kishës Ortodokse mbi problemin e Kosovës. Ne, gjithashtu, e kuptojmë se Kosova është djepi i Kishës Ortodokse serbe... Uallter Kasper brenda qarqeve diplomatike të Vatikanit njihet si një prej personaliteteve më me ndikim të Kishës dhe një ndër diplomatët më të mirë të Vatikanit…”.
Nga ky informacion rezulton se Uallter Kasperi qenka një njeri me paha të madhe në Vatikan. Por është e çuditshme se si ka mundësi që një figurë kaq e lartë e Vatikanit dhe me gramë kaq të madhe, të mos e ketë informacionin e duhur lidhur me djepin fetar në Kosovë!
Nuk e besoj që ky zotëri, me një përgatitje kaq të madhe, të mos e dijë se kujt i përket djepi fetar në Kosovë! Të mos e dijë vallë zotëria në fjalë se politeizmi ilir filloi t’ia lëshojë vendin kristianizmit, i cili, me Ediktin e Milanos, në vitin 313, u shpall fe zyrtare, institucionale, shtetërore? Të mos e dijë vallë ky zotëri që kisha katolike shqiptare në Dardani është përhapur që në shekullin e parë pas Krishtit?
Me sa duket, Vatikanit nuk i bëka përshtypje fakti që populli shqiptar i Kosovës e ka të vetin djepin fetar në Kosovë se është popull rrënjës dhe institucionet e veta fetare, si kisha dhe manastire, i ka ngritur ca shekuj më parë, para se tributë sllave të shpënguleshin nga stepat ruse dhe të dyndeshin drejt Gadishullit Ilirik. Prandaj, me deklaratën publike se Kosova na qenka djepi i kishës ortodokse serbe, Vatikani nuk bën gjë tjetër, veçse del para opinionit publik ndërkombëtar me një mashtrim skandaloz. Me sa duket, Vatikani paska vendosur të notojë në detin e gënjeshtrave dhe të mashtrimeve, me të cilat janë mbushur cep më cep legjendat dhe mitologjia grekoserbe, duke i përvetësuar ato për bukuri. Barbarët serbë në Kosovë nuk bën gjë tjetër, vetëm se bën meremetime dhe përshtatje të objekteve fetare katolike të Kosovës në objekte fetare ortodokse.
Me këtë deklaratë tejet revoltuese, Vatikani radhitet përkrah armiqve shekullorë sllavë kundër popullit shqiptar të Kosovës, siç kanë qenë, janë dhe vazhdojnë të mbeten serborusët. Me sa duket, Vatikani, për shkak të aleancës së ngushtë që ka me ortodoksinë serboruse, nuk e ka dashur kurrë çlirimin e popullit shqiptar të Kosovës nga zgjedha njëshekullore e tiranisë serbe. Deklarata e Vatikanit, e përcjellë në mjetet e informimit masiv ndërkombëtar me gojën e Uallter Kasperit, dëshmon pastër fare se kjo kështjellë e katolicizmit botëror ende nuk qenka çliruar plotësisht nga tetë mëkatet e rënda të fesë katolike, të cilat i bëri të njohura botërisht Gjon Pali II në kërkimin e ndjesës publike këtu e ca vjet të shkuara.
Më 12 mars të vitit 2000, si vit jubilar ky, të cilin kisha katolike e organizon çdo 25 vjet, figura e shquar e katolicizmit, papa Gjon Pali II (Giovanni Paolo II - 1920-2005), për herë të parë shqiptoi një mea-culpa (faji im) të hollësishme në emër të kishës katolike. Ai kërkoi falje dhe pranoi fajin e anëtarëve të kishës për tetë mëkate:
1. Për përndjekjen e hebrenjve.
2. Për përçarjen e kishës.
3. Për luftërat fetare.
4. Për kryqëzatat.
5. Për dogmatikët teologjikë që kanë justifikuar luftën.
6. Për përbuzjen e pakicave.
7. Për përbuzjen e të varfërve.
8. Për justifikimin e skllavërisë.
Pra, Vatikani nuk qenka çliruar ende nga mëkati i justifikimit të shtypjes njëshekullore të popullit shqiptar të Kosovës prej shovinizmit serbomadh. Madje Nunci i Vatikanit në Serbi, Orlando Antonini, paska deklaruar se Vatikani as që do të diskutuaka për njohjen e pavarësisë, derisa qeveritë në Beograd dhe në Prishtinë të merren vesh vetë mbi temën e statusit të Kosovës!
Kjo është një deklaratë me të vërtetë absurde. Orlando Antonini i paska thënë këmbës dorë. Çështja e statusit të Kosovës është zgjidhur që më 17 shkurt 2008, kur ajo shpalli pavarësinë dhe deri tani është njohur nga më shumë se 100 vende. Siç duket, në Vatikan s’paska përfunduar ende puna për pastrimin e mykut mesjetar në mendësinë e figurave të tij kryesore.
Më vjen keq që nuk jeton Presidenti Rugova që të bindej përfundimisht se cili është qëndrimi i vërtetë i Vatikanit ndaj popullit shqiptar të Kosovës.
Qëndrimi i tanishëm i Vatikanit kundër pavarësisë së Kosovës dhe rreshtimi i tij përkrah ortodoksisë sllavogreke, të kujton qëndrimin e pabesë të Venetikut kundër Skënderbeut. Megjithatë, populli shqiptar i Kosovës nuk duhet të dëshpërohet nga ky qëndrim i pabesë i Vatikanit ndaj veprës së NATO-s dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Madje populli shqiptar i Kosovës duhet të jetë i bindur një herë e mirë se Vatikani ka marrë përsipër rolin e tellallit të grekosllavizmit në qëndrimin ndaj pavarësisë së tij, të shpallur gjashtë vjet më parë.
Me sa duket, personaliteti i lartë i Vatikanit paska shkuar në Moskë për të forcuar edhe më shumë lidhjet me boshtin e ortodoksisë sllave. Ç’është e vërteta, edhe ortodoksia ruse, edhe Kremlini janë në hall për sigurimin e njohjes së pavarësisë së Osetisë së Jugut dhe të Abhazisë nga anëtarë të ndryshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, meqenëse vetë Rusia i ka njohur ato menjëherë si shtete të pavarura. Prandaj Selia e Shenjtë mund të ushtrojë ndikimin e vet në këtë mes! Veç kësaj, qarkullojnë llafe se Vatikani mund t’i njohë këto dy shtete që do t’ia rrisin ca autoritetin, i cili këto vitet e fundit është tronditur keq nga skandalet e atyre 400 priftërinjve pedofilë që ia kanë ulur së tepërmi autoritetin në mbarë botë katolike. Se s’i thonë shaka: Osetia e Jugut dhe Abhazia janë dy shtete me shumë peshë! Osetia e Jugut ka një popullsi që vërtitet aty te 70-75 mijë banorë, kurse Abhazia - te rreth 240 mijë banorë!
Nuk duhet të dëshpërohen as ata 60 mijë katolikët e nderuar kosovarë për qëndrimin e Vatikanit kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës. Sepse nuk prishet “dasma kosovare” për një “limon” vatikanas.
Santa Barbara, Kaliforni
17 shkurt 2014