Sa për sqarim lexuesve të nderuar të gazetës “Dielli”


Prof.dr. Eshref Ymeri

Sa për sqarim lexuesve të nderuar të gazetës “Dielli”

Pas botimit më 16 shkurt 2014 në faqen internetike të gazetës së nderuar “Dielli” të artikullit tim me titull:
“Të gjitha këngët i thamë,Por më të mirën e lamë”,në rubrikën “Komente”, lexuesi Nik Kodra ka bërë ndërhyrjen e mëposhtme kundër meje. Komentin e vet, ky lexues, pasi më heq mua një një sapun mbi gunë, e ka shoqëruar me një shpifje të çuditshme. Komentin e tij po e riprodhoj fjalë për fjalë, me pikë e me presje, megjithëse më vjen keq që ai nuk ka respekt për shkronjën “ë”:

Nik Kodra says:
February 17, 2014 at 1:40 am

“Kam respekt per shkrimet qe benit dikur tek Gazeta “Rimekembja Kombetare” qe delte ne Tirane Z. Ymeri dhe me kete shkrim me vjen shume mire qe jeni aktive perseri pas nje kohe te gjate qe nuk ju kam pare ne shtyp. Zoteria juaj mban dhe tituj shkencore e akademike si “profesor” e “doktor” qe nuk mund ta ve ne dyshim se i keni merituar si mesimdhenes ne universitet por sinqerisht u habita me frazen tuaj:
“Nuk ishte e rastësishme fjala e Kryeministrit shqiptar, zotit Sali Berisha, i cili, pikërisht në kohën e duhur, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, në Shkup dhe në Vlorë, si edhe në disa qytete të tjera, deklaroi botërisht për domosdoshmërinë e ribashkimit kombëtar, brenda kufijve natyralë të Shqipërisë Etnike”. Kjo ishte nje befasi shume e madhe per mua sepse thenie te tilla i degjoj per here te pare nga ju atribuar Saliut tuaj thene “boterisht” ne Shkup, Vlore dhe disa qytete te tjera te Shqiperise! Me vjen keq por ky eshte nje spekullim i paster dhe shpresoj qe fale integritetit tuaj t’i kerkoni falje lexuesve qe mos te zhgenjehen nga pena juaj e nderuar.

Sinqerisht,

Nik”.

Me këtë rast dëshiroj të jap disa sqarime, në mënyrë që lexuesit Nik Kodra t’i thjellohet truri sadopak, derisa të zgjohet plotësisht nga gjumi i gjatë letargjik që e paska mundur keqas.
Së pari, sipas tij, unë paskam botuar shkrime publicistike dikur vetëm në gazetën “Rimëkëmbja” dhe që prej kohës kur kjo gazetë u mbyll në muajin janar të vitit 2007, unë s’paskam botuar më asgjë dhe askund! [Këtu dëshiroj të hapë një parantezë: më bëhet shumë qejfi që ky Kodra e paska ndjekur rregullisht gazetën “Rimëkëmbja”, e cila, gjatë tërë viteve të botimit të saj, që prej vitit 1995, platformën e ribashkimit kombëtar e ka pasur si yll karvani në faqet e saj, së bashku me çlirimin e Kishës Ortodokse të Shqipërisë nga thonjtë e kishës shoviniste greke dhe dëbimin e Janullatosit nga kreu kishës fanoliane. Pra, gëzohem që Nik Kodra e heqka veten për nacionalist, megjithëse sulmi me shpifje që ka ndërmarrë kundër meje, më bën të dyshoj në nacionalizmin e tij].
Pra, sipas tij, unë paskam heshtur që prej vitit 2007. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Unë nuk e kam ndaluar asnjëherë aktivitetin tim publicistik edhe pas mbylljes së gazetë “Rimëkëmbaja”. Kam vazhduar të botoj në gazetën “Republika”, “Bota Sot” dhe në gazetën “Telegraf”. Madje në këtë të fundit, në janarin që kaloi, janë botuar edhe dy artikujt e mi me titull “Rama pse kaq inferior para Beogradit?!” dhe “Janullatosi dekorohet se Shqipëria është vend pa zot”. Përveç kësaj, pas mbylljes së gazetës “Rimëkëmbja”, unë kam botuar rregullisht artikuj publicistikë dhe analiza në faqet e internetit që prej vitit 2007 e deri ditën e sotme, si në gazetat internetike “Shqipëria Etnike”, “Zemër Shqiptare” “Tribuna Shqiptare”, “Agjencioni Flori Press”, “Fjala e Lirë” etj. Prandaj me deklaratën e vet se unë paskam heshtur për një kohë të gjatë, zotëria në fjalë u ofron lexueve një informacion të rremë.
Së dyti, ç’hyjnë në këtë mes titujt shkencorë apo akademikë që më përmend ky lexues? Ç’lidhje kanë këta tituj me përmendjen prej meje të deklaratës së Kryeministrit Berisha në Shkup për çështjen e ribashkimit kombëtar?!
Së treti, përmendjen prej meje të deklaratës së Kryeministrit Berisha në Shkup, Nik Kodra e vlerson si diçka të befasishme sepse ai na e dëgjuaka për herë të pare se ajo nuk na qenka e vërtetë. Por këtij lexuesi nuk ia ka kush fajin që vazhdon gjumin e gjatë letargjik dhe kur zgjohet i thotë këmbës dorë. Duket ashiqare që atij i ka shtegtuar mendja, prandaj, për ta ndihmuar të zbresë me këmbë në tokë, po e citoj konkretisht se çfarë ka deklaruar në Shkup Kryeministri Berisha me rastin e manifestimeve të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë:
“Askush të mos druhet, të mos irritohet nga përpjekjet e shqiptarëve për bashkimin e tyre kombëtar, se kjo synon përqendrimin, shpalosjen e energjive të tyre të pafundme, për të ndërtuar atë që u mungoi. Askush nuk duhet të harrojë se shqiptarët u takuan me shekullin e ri, të lirë, por si një komb që kishte mbijetuar, si një komb që padrehtësitë e mëdha nuk e kishin lejuar të ndërtojë të ardhmen. Shqiptarët presin nga ne që në projektin tone evropian, si e ardhmja më e shkëlqyer e tyre, të realizojnë njëkohësisht projektin e bashkimit kombëtar të shqiptarëve, ndaj dhe nën moton të bashkohemi njëri me tjetrin, të bashkohemi me Evropën le të përqendrojmë ne tërë energjitë tona” (citohet sipas: “100 vjet Pavarësi, nga Shkupi mesazhe për bashkim kombëtar”. Marrë nga faqja e internetit “Shqiptarja.com”. 25 nëntor 2012).
Përveç deklaratës së Kryeministrit Berisha, po citoj edhe fjalët e një personaliteti të mirënjohur shkencor lidhur me problemin e ribashkimit kombëtar.
“Pavarësisht se si do të pozicionohet Qeveria, Kuvendi dhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë lidhur me kërkesën historike të kryeministrit Sali Berisha për bashkimin kombëtar shqiptar, të pohuar në mënyrë premtuese, të guximshme dhe solemne në manifestimet madhështore të kremtimit të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë së Ismail Qemalit, kryeministri Sali Berisha zyrtarisht në emër të Qeverisë së tij, i dha vizën legale bashkimit kombëtar shqiptar, me ç’ rast i hoqi “vellon” e zezë kontestuese, irracionale dhe përfolëse të bashkimit kombëtar shqiptar, duke nënvizuar se ai është realitet, domosdoshmëri e kohës, europianizëm, qytetërim, demokraci, paqe, stabilitet, siguri dhe qetësi, jo vetëm për kombin shqiptar, por edhe për mbarë rajonin dhe Evropën e integruar demokratike… Duke mbajtur parasysh faktin relevant se me deklarimin zyrtar të Kryeministrit Sali Berisha, bashkimi kombëtar, tanimë, nuk është kurrfarë tabu teme, as miti, as kurrfarë fantazme e trilluar, por realitet dhe domosdoshmëri e pashmangshme për zgjidhjen përfundimtare dhe të drejtë të problemit kolonial të shqiptarëve në Ballkan, si Qeveria, Kuvendi, ashtu edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, në mënyrë urgjente, konstruktive, demokratike dhe kushtetuese, duhet ta mbështesin dhe ta zyrtarizojnë APELIN PËR BASHKIMIN KOMBËTAR shqiptar të kryeministrit Sali Berisha, pavarësisht nga shpifjet dhe nga kritikat politiko-propagandistike antishqiptare të Athinës, të Shkupit, të Beogradit dhe të Podgoricës, të cilat e kanë akuzuar Sali Berishën kinse ai po kërkon formimin e një “Shqipërie të madhe” (Citohet sipas: Prof.dr. Mehdi Hyseni. “Të mbështetet apel-kërkesa e Sali Berishës për bashkimin kombëtar shqiptar”. Marrë nga faqja e internetit e gazetës “Dielli”. 05 dhjetor 2012).
Së katërti, ky njeri shpif kundër meje pa iu skuqur faqja kur shkruan të zezën mbi të bardhë se deklaratën e Kryeministrit Berisha unë e paskam shpikur nga mendja dhe ia paskam veshur Kryeministrit Berisha. Nuk e di se çfarë ka ky njeri që më bie në qafë pa të drejtë. Deklaratën e Kryeministrit Berisha për ribashkim kombëtar e mori vesh i madh e i vogël brenda trojeve tona etnike dhe në Diasporën Shqiptare. Atë e transmetuan të gjitha agjencitë e lajmeve në mbarë botën, kurse ky zotëri s’paska marrë vesh gjë! Mos vallë ky njeri paska qenë në ndonjë planet tjetër!
Së pesti, në vazhdën e shpifjes së mësipërme, zotëria në fjalë deklaron pa pikë turpi se unë paskam bërë një spekulim të pastër, prandaj duhet t’u kërkojë falje lexuesve për një “shpifje” që nuk e kam bërë. Unë mendoj se falje lexuesve duhet t’u kërkojë ky njeri që shpif ditën për diell kundër meje. Duhet t’u kërkojë falje pikërisht lexuesve të nderuar të gazetës “Dielli”për shpifjen e vet, jo mua, se unë shpifësit nuk di t’i fal. Se institutin e shpifjes unë nuk e njoh. Se nga prindërit, gjyshërit dhe stërgjyshërit e mi kam si trashëgim institutin e së vërtetës, të cilin jam munduar t’ua edukoj edhe studentëve të mi. Prandaj edhe sot, në pension dhe në moshë të thyer, jam ballëlart para tyre për edukatën që u kam dhënë gjatë gati tri dekadave me radhë.
Së gjashti, ky shpifës i rëndontë, duke m’u drejtuar mua, përdor shprehjen “Saliu juaj”. Me sa duket, këtë njeri të shkretë “e paska zënë samari keq” me Kryeministrin Berisha, prandaj edhe më drejtohet mua me këtë shprehje pa edukatë. Kjo shprehje më kujton kohën kur zoti Rama ishte në opozitë dhe sa herë që i duhej të përmendte Kryeministrin Berisha, gjithmonë i drejtohej në mënyrën e tij tipike, të pakulturuar: Sala, Sala, Saliu, Saliu. Ndërkohë që Kryeministri Berisha i drejtohej gjithmonë me shprehjen “zoti Rama”.
Për dijenin e këtij njeriu shpifës, inatçor dhe të paedukatë, dëshiroj të theksoj se Kryeministri Berisha është imi, ashtu siç është edhe i atyre 600 mijë shqiptarëve që më 23 qershor votuan për alternativën e tij. Kryeministri Berisha është i mbarë shqiptarëve që e kanë të shtrenjtë çështjen e ribashkimit të trojeve tona etnike. Se ai është i pari politikan i lartë i kombit shqiptar, i cili, me rastin e një ngjarjeje mjaft simbolike, siç ishte 100-vjetori i shpalljes së Pavarësisë, deklaroi botërisht se trojet tona etnike duhet të ribashkohen në një shtet të përbashkët, me një stemë dhe me një flamur. Se me emrin e tij lidhet hyrja e Shqipërisë në Këshillin e Evropës, nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, marrja e ftesës për të hyrë në NATO, anëtarësimi në NATO dhe heqja e vizave në kuadrin e Marrëveshjes Shengen. Me emrin e Kryeministrit Berisha lidhet fshirja e emrit të Shqipërisë nga lista e vendeve me trafik të theksuar droge dhe me trafik klandëstinësh, me emrin e tij lidhet zhdukja e bandave dhe vendosja e qetësisë publike, me emrin e tij lidhet rritja e vazhdueshme e pagave dhe e pensioneve, që rrogëtarët dhe pensionistët tashmë duhet ta qajnë rritjen e tyre nën qeverisjen e zotit Rama. Kurse tani bandat dhe vrasësit me pagesë kanë filluar të aktivizohen si me magji, trafiku i drogës ka marrë përmasa të frikshme, saqë Italia ka dhënë alarmin, tritoli është bërë një dukuri kaq e përditshme në Shqipëri, saqë në faqet e internetit vura re njerëz që bënin roje me radhë në makinën e tyre se mos ua hidhte ndokush në erë. Prandaj ka shumë të drejtë zoti Lulëzim Basha që ka filluar të përdor termin “tritolpolitika”.
Në fund dëshiroj të theksoj se ky njeri, që shpif kundër meje, është e pamundur që të mos ketë informacion për deklaratën e Kryeministrit Berisha më 25 nëntor 2012 në qytetin e Shkupit.Por padijen e tij të shtirur ai e përdori si vjegë për të më sulmuar mua në një mënyrë të pabesë, siç e kanë zakon njerëzit e pakarakter. Me siguri që e ka një arsye se pse shpif, por nuk e ka burrërinë të dalë në sheshin e mejdanit. Prandaj edhe dyshoj për “simpatinë” e tij të dikurshme për shkrimet e mija në faqet e gazetës nacionaliste “Rimëkëmbja”.

Santa Barbara, Kaliforni
18 shkurt 2014

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)