Nderim për artistin e madh Gjosho Vasija, legjendën e humorit shqiptar

Ndahet nga jeta në moshen 82 aktori i madh i humorit shqiptar Gjosho Vasija.
I larguar nga Shqipëria që në vitin 1992 dhe i vendosur në Trieste të Italisë, ai gjithmonë ka qenë pranë me humorin e tij dhe me veprimtarinë e tij artistike.
Për shumë vite ai ishte ndër komikët, më të preferuar në skenën e estradës e në ekranin e televizorit shqiptar, për aftësite origjinale që e bënin të pangjashëm me asnjë komik e humorist tjetër.
Gjasho Vasija, eshte dekoruar tre vite më parë nga Presidenti i Republikës me titullin “ Mjeshtër i madh”. Varrimi do bëhët në Trieste nga të afërm dhe familjarë.(FLORIPRESS)





Prof.dr. Eshref Ymeri



          
Ka pak kohë (para Krishtlindjeve) që iku për në botën e përtejme artisti i shquar i skenës së humorit shqiptar, Gjosho Vasija. Diktatura e egër komuniste e shkoi nëpër vrimën e gjilpërës, por ai kurrë nuk u lig, kurrë nuk u dha. Ferri i kampeve të përqendrimit dhe i punëve të detyruara nuk arriti ta mposhtte dot shpirtin e tij prej artisti të lindur. Kitara e tij në botën e humorit shkodran bëri epokë.



Natyra nuk është aq dorëlëshuar që artistë të kalibrit të Gjosho Vasisë të dalin shpesh në skenë. Arti i humorit të tij do të vazhdojë të jetojë gjatë në kujtesën e njerëzve, si melhem për plagët e shpirtrave të trazuar. Me energjinë që e karakterizonte dhe me shpërthimet e tij mitike përmes telave të kitarës tingujëmbëloshe, me të cilën publikut i përcillte gjëmimet e shpirtit qelibar, magjinë e fantazisë së tij të jashtëzakonshme, Gjosho Vasija më bën të shtegtoj drejt kohës kur isha student në Leningrad (1959-1961) dhe të sjell në kujtesë një artist të madh sovjetik, Arkadi Rajkinin (1911-1987), Artist i Popullit (1968), i cili edhe sot vazhdon të vlerësohet si një figurë e papërsëritshme e skenës së humorit në mbarë botën ruse.


Prandaj më dridhërohet shpirti kur e kujtoj në skenë artistin e madh Gjosho Vasija që nuk e kemi më midis nesh:

Mungon në skenë Gjosho Vasija,
Humor’ i tij, mit i vërtetë,
Për të vajton mbar’ Shqipëria,
Ç’na bëre, plaç, moj vdekj’ e shkretë!

Dil prapë në skenë, Gjosho Vasija,
Pse s’dukesh? Ç’është kjo heshtj’e zezë?
Për ty loton mbar’ Arbëria
Që nga Tivari në Prevezë.

Këtu e dy vjet të shkuara, me artistin Gjosho Vasija patëm letërkëmbim përmes faqeve të internetit. Në ato letërkëmbime, i pata shprehur tërë entuziazmin tim për artin e humorit të tij gjëmimtar, të shoqëruar me vargje të magjishme poetike. Në njërin nga ato letërkëmbime, ai më dërgoi disa krijime fantastike, të cilat i ruaj si relike të shenjta në memorien e kompjuterit tim. Ato titullohen:
““Ndera” e madhe e Miladinit”, “Metamorfoza e djallit (rapsodi)”, “Dreqi i kuq”.


Meqense sot është data 20 shkurt që simbolizon rënien e diktaturës së egër komuniste në Shqipëri, përmes rrëzimit të shtatores së kriminelit Enver Hoxha, lexuesve të nderuar, në mbarë trojet tona etnike dhe në diasporë, dëshiroj t’u përcjell poemën satirike ““Ndera” e madhe e Miladinit”. Më 31 janar 2014 unë botova në faqet e internetit artikullin me titull “Enver Hoxha, varrmihës i nacionalizmit shqiptar”. Pikërisht varrosjen e nacionalizmit shqiptar, përmes bashkëpunimit kriminal të Enver Hoxhës me shovinizmin serbomadh, artisti i shquar Gjosho Vasija e ka përcjellë me mrekullinë e artit të tij poetik.

Presidenti Topi me Gjosho Vasijan e Gëzim Krujën
                                       Presidenti Topi me Gjosho Vasijan e Gëzim Krujën


Gjosho Vasija
“Ndera” e madhe e Miladinit..?
Miladini shkjà Serbije,
rritë gjithë jeten “kalë ushtrije”
tue ba punen veç “nen hije”,
gjysa dhelpen, gjysë hafije..
Kish nji krye ndà me kuadrate,
mbrenda tynë si nder kate
ndrynte intrigat, ndrynte hilet,
ktu trathtinë, atje zhumilet,
këtu thiken, atje vesin,
ndersa djalli kish nxanë mesin
që i rrinte kambturqisht,
tue lujtë sy e tue hjedhë bisht..
Nji ditë trimi kish ujdisë,
me i hypë kalit e m’ u nisë
n’kryeqytetin e Shqipnisë
te nji mik, diku n’atë vend,
sa me ndà me te kuvend…
Por ma s’parit po mendon,
shum mendon mos po gabon,
ç’farë peshqeshit meriton?
“- Nuk besoj se’i mjafton mikut
me’i çue sot nji pulë furrikut,
se me pula, gjela e pata,
biba, rosa e tjerë dhurata,
k’to per mikun janë të thata,
s’meriton kaq gjana t’vogla,
s’rrehet miku me do gogla…
Sot dhurohen dele o viça,
o ndoj kosh me krapuliqa,
un kam pà në Podgoricë
dy harusha te’i rrugicë. .
Çojnë der shqipe’ e fllanza mali,
e po gjete ndoj lloj kali,
por t’ndoj rrace kund arabe,
ose ujq të tokes labe ,
ato po - ,kanë shum vlersìna,
nga që janë dhe egersina…”-
N’sa po’ e lodhte koken trimi,
fap!, i shkoj me’jherë mendimi
te Stalini e të Lenini
edhe muer vendim pa tjeter:
“-Po i çoj k’tij mikut t’vjeter
nji piton të gjatë 8 meter …
Nji lloj gjarpni, falë miq’sisë,
kapë nder tundra t’Siberisë,
fund e krye mveshun me pulla,
sjellë ma ka “shoqja” Janudha,
nga kolkozi sovjetik,
ky po,asht dhuratë per mik…
Shaloi kalin,mori vrapin,
der n’Tiranë s’e ndaloi hapin,
pa harrue patllaken n’brez
as dhe gjarpnin mbrendë në thes,
e me hundë t’skuqun si speci,
n’Tiranë mbrrijti “pucaleci”…
Sa e pau “Tarasi” mikun
vuni n’zjarr me’j herë jebrikun,
po pijnë kafe e bisedojnë
shum per gjarpen diskutojnë-
Erdhen shokët prej “strehimit”
me’ i puthë doren Miladinit,
u mbush dhoma cep më cep
s’ke madje ku t’hjedhish grep.
Dy nga “shokët” shtye nga “vesi”
që me dijtë ç’kà mbrenda thesi,
u afruen e futen sy.
Aman Zot seç kjenë merthy
prej gjarpnushes, tip kulsheder,
asaj kafshes plot 8 meter ,
se sa futen t’shkretin sy
në sekond mbeten pa krye..
Ashtu cung ,rànë mbi dysheme
si dy denga me tanteme…
Shperthej britma’ e deri gazi,
por mbi t’gjithë u qesh Tarasi
kur s’ja pau koken asnjenit,
t’premë si’ i prehet bishti qenit,
e me gaz që’ i dha shemtimi,
fillë u suell nga Miladini
edhe nisi falnderimi
per kete nderë, që s’kish të larë,
“ndoshta’ e denjë kjo per shqiptarë”..
Madje ndera e Miladinit
hyni n’ gojen e Xhuglinit,
që dhe kjo nga ana e sajë
te ai thes po ka uzdajë,
se n’duet, kjo dhe Tarasi,
kanë me prë krena si prasi
kush t’kerkojë që t’i gergasi–
N’fund me puthje Miladinit
u mbush letra e Xhuglinit…
Shkuen vjetet dy e dy,….
Taras Beu në zyrë mberthy,
e tue pasë partinë mbi kry
nji vesvese i kishte hy,
-Mos t’na mbesë gjarpni pa ngranë,?
Tash e parë duhet me’i dhanë.
Miladini na dha nderë,
na e pruni deri n’derë,
na me e lanë me ngordhë urije,
tue pasë k’tu kujdes partije?
U hodh para shkoi mbi tryezë,
filloj t’shkruej me ftyrë permbys
t’parin emen mbi nji listë…
“- Ky per mue asht shum i pistë,
ndersa ky ka qenë fashist
e ky tjetri oportunist,
Ky krye-madhi asht dembel
n’origjinë dhe pse gabel
thonë se veshet gagarel.
K’to të Kishës janë trathtarë,
k’tu asnjeni s’asht shqiptarë,
por anmiq edhe me bisht
qyshë se shkruejnë të gjithë gegnisht.”-
Edhe fillë me dy lloj vulash
mbarë i mblodh si zogj pulash
dhe me nxitjen e Xhuglinit,
fillë te thesi i Miladinit….
Gjarpni hangri shum zyrtarë,
sa shkollarë e mendimtarë,
e të gjithë sa kjenë tregtarë.
Zhduku miq e shokë sa pat,
zhduku prift e zhduku frat,
sa kushrij e der kunat,
dhe me ndihmen e Xhuglinit
nji nga nji pa farë pendimit
hyjshin n’ thes të Miladinit..
dhe ashtu, të ndamë në copa,
sot askujt s’i dihet gropa.
Por nji ditë Tarasi vdiq……
Kishte mbetë pa shokë e miq
me e vajtue e me nderue,
se kish lanë aq shum anmiq
sa me rrena kje vorrue….
La nji popull lakuriq,
gjithkund plagë e vàj e gjak,
frigë e burg, uri çdo prak…
Edhe gjarpni ngordhi’ i ditë,
s’pat ushqim ma kush me’i qitë,
por per dreq e faqe t’zezë
në Shqipni ka lanë do vezë
që nuk dihet, me pak dillë
asht rrezik se çelin fillë..
Sepse sot Shqipnija mbarë
nuk ka vue asnji kandar
që me’u quejt drejtsi shqiptare,
K’tu drejtsija s’jeton fare
derisa shetitë Xhuglini,
Araniti e Muhedini,
ai Xhevdeti apo Edvini
e me qinda tjerë gjaksorë,
që kanë prap diçka në dorë.
E që munden madje fillë
me grabitë do rreze diellë
edhe vezve me i hapë sytë
me sjellë prap faren e ndytë…
Prandej duhet pasë kujdes
mos jetoni me krye n’ thes,
se po të hyni thesi n’kry
ti jo veç nuk sheh me sy,
por der trunin ta ka ndry,
e po mbete me tru n’terr
barazohesh me nji derr,
e po pate vlerë sa’i shtasë
ma mirë zhduku prej dyrnjasë

Le ta kujtojmë me ndjenjën e repektit të thellë legjendën e humorit të skenës Shqiptare, Mjeshtrin e Madh Gjosho Vasija, dhe sivëllain e tij Skënder Sallaku, Artist i Popullit, i cili u nda prej nesh para pak ditësh. Këta krijues të shquar të Shkollës së Humorit Shqiptar kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në skenat e artit tonë kombëtar. Sot, për fat të keq, krijimtaria humoristike ka ardhur duke u venitur.

 Ekranet e televizioneve i kanë pushtuar lloj-lloj analistësh “të gjithdijshëm”, të rreshtuar ose në njërin ose në tjetrin krah të politikës, të cilët, me diskutimet e tyre të nxehta, njerëzve vazhdojnë t’ua bëjnë trutë dhallë. Po ku është humori? A do të dalë më ai ndonjëherë në ekranet e televizioneve, si balsam për qetësimin e shpirtrave të tyre?

Santa Barbara, Kaliforni
20 shkurt 2014

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)