2014-02-13

Shpendi Topollaj, një akt letrar që ngre në kult dashurinë njerëzore


(Ditën e Shën valentinit mbush 67 vjet)

image

Dukagjin HATA

Nuk mund të bësh një rrugëtim estetik, qoftë horizontal apo vertikal, sado të thelluar apo të sipërfaqshëm në këto njëzet vjet të çlirimit të letrave tona kombëtare nga jashtësitë estetike dhe të mos evidentosh një emër që qëndron denjësisht krahas emrave të shquar të letrave tona, atë të Shpendi Topollajt, i cili ka lindur në ditën e të dashuruarve dhe me krijimtarinë e tij të gjërë e të larmishme ka përcjellë e vazhdon të përcjell vetëm përkushtim e dashuri njerëzore. Me emrin e tij lidhet poezia, tregimi, romani, eseistika, kritika e studimet letrare, kulturologjia në përgjithësi, gdhendja në memorialin e fjalës të kujtesave historike, gjurmëve të individëve të përveçëm në kohë dhe hapësirë, si një dedikim për të vdekurit e pavdekshëm dhe apel brezave për të mos harruar…

Gjurmët e ëndrrës së tij estetike nisin të konturohen që në bankat e shkollës shtatëvjeçare, teksa në vetmi bluante vargje poezishë dhe miningjarje prozazh, por ëndrra e djaloshit përplasej në sinoret e kohës së pa kohë, duke bërë që të mbeteshin “ëndrra në sirtar”.

Shpendi Topollaj, megjithëse për shkak të rrethanave jashtëletrare e ka nisur disi vonë procesin e botimit të krijimtarisë së tij, në një periudhë kohore prej njëzet vitesh ka botuar një lumë veprash të zhanreve e gjinive të ndryshme, ku spikat stili i tij i zhdërvjellët e komunikativ, qëndrimi i autorit në anën e atyre që luftojnë për të drejtën dhe të vërtetën njerëzore, përdorimi me efikasitet i mjeteve stilistike, përzgjedhja e temave në fokus të së cilave janë ngjarje me bërthamë reale, sigurisht të ngritura në nivel artistik.

Në këtë krijimtari të shpalosur me talent dhe përkushtim të thellë estetik lëvizin një galeri personazhezh, mjedisesh, tabloshë jetësore, kujtesash, përjetimesh, gjendjesh emocionale, lëvizin ish kolegë të tij, oficerë karriere, që u ballafaquan me mekanizmat e djallit, heronj të kampit nazist të Mat`hauzenit, mishëruar në figurën e Ahmet Çekajt, malësor nga Shipshani i Tropojës, i cili është një nga heronjtë e Rezistencës kundër fashizmit, një nga luftëtarët e lirisë, që e pagoi këtë rezistencë në kampet famëkeqe të nazizmit dhe që vetëm fati e shpëtoi gjallë; “heronjtë e Gramozit”, skalitur në penën e një luftëtari të lirisë, babait të tij të dashur, që e pësoi për shkak të mirënjohjes ndaj bashkëluftëtarëve, tanimë të etiketuar “armiq të popullit” etj.

Poeti, shkrimtari, kritiku i talentuar Shpendi Topollaj, gjithnjë e më tepër po dëshmon se është në vlugun e një krijimtarie të suksesshme, me zgjerimin e një game tematike që vjen përherë duke marrë konture të reja të shfaqjes; njëkohësisht ai është nga ata të rrallë shkrimtarë që manifeston një narracion të mbushur me bulëza jete dhe i përket detyrimisht imponimit të natyrshëm për ta çuar deri në fund.

Bota shqiptare, me farfuritjet, dritëhijet, magjitë e një bukurie të virgjër, pasionet dhe dramat e përplasjet njerëzore, vjen në krijimtarinë e begatë të Shpendi Topollajt me shpalimin e gjithë spektrit të ngjyrave të jetës, gjallërinë dhe vrullin e vektorit të së drejtës, të së bukurës, të së madhërishmes, përballë rënies, shëmtimit dhe zvetënimit të veseve njerëzore.

Është një botë virgjine, e thyer, vertikale, disi trandenshente, ku në humnellën e saj vërtiten si një karusel gjigand pasionet dhe brengat njerëzore, veset dhe ligësitë, heroizmi dhe besnikëria, dashuria për jetën dhe gjithçka e bukur që gëlon në mendjen, shpirtin dhe jetën e gjallë njerëzore. Është një botë e pastër, fluide, plot kontraste dhe kontrapunkte, që vjen në penën e mprehtë dhe zhbiruese të Topollajt, me një kolorit të pasur gjuhësor dhe një stil elegant.

Nëse, bie fjala, “Luani i kafazit” është një roman që i kushtohet jetës së Abaz Fejzos, njërit prej luftëtarëve dhe gjeneralëve tanë më të talentuar, në tregime e romane të tjerë ka protagonist të njohur e të panjohur që përleshen me dallgët e fatit dhe fatalitetin njerëzor, në emër të jetës dhe vlerave të botës njerëzore për paqe e lumturi kombëtare.

Shpendi Topollaj, edhe pse për shkak të punës së tij si jurist i ka takuar ndoshta më shumë se shumëkujt të ndeshet me zhulin e jetës, me atë zhul përdhosës e kundërmues që të bën të ndjeshë, siç thotë miku i tij Agim Bajrami, magmën e krupshme të “neverisë kafkiane”, ka zgjedhur të qëndrojë në skajin tjetër të realitetit, jo për t’iu shmangur përgjegjësisë së denoncimit, as për hir të ndonjë ekzoktike ormanistike, por për të përcjellë një realitet tjetër, atë të mirësisë dhe dashurisë, si kundërvënie nëntekstuale ndaj mbretërisë së krimit e absurdit, si lokomotiva të pandalshme të botës njerëzore.

Tek libri i tij me titullin mbresëlënës “Libri si Papirus”, Topollaj përzgjedh një galeri të veçantë kundrimesh estetike dhe gjendjesh emocionale, duke na krijuar përshtypjen se vjen nga një kohë e hershme, kohë historiko-mitologjike, e cila nxorri përfaqsues mjaft dinjitozë si Homeri, Eskili, Virgjili, Horaci, Dante, Shekspiri, etj. të cilët me veprimtarinë e tyre në ato kohë, mundën të hidhnin bazat edhe të moralit tonë të sotëm, ku mbi të gjitha dominonte thirrja për dashuri, vëllazëri dhe respekt.

Nëse në poezi Topollaj ka një komunikim refleksivo-sugjestiv, ku zotëron një lirizëm i ngrohtë e spontan, teksa përzihen tradita me modernen dhe postmodernen dhe poeti zhbirilon anët e errëta të dhembjes njerëzore, i ngre ato në art, duke ndërtuar portretin e Unit të tij dhe të shpirtit kolektiv të bashkëkohësisë, në prozën e tij zotëron rrëfimi i shtruar dhe i ngjeshur, ku shkrihet monologu dhe dialogu, rrëfimi në linjë horizontale dhe thyerjet e digresionet në kohë.

Si poet Topollaj i kundron objektet e tij poetike në brendësi të tyre, duke zbuluar dritëhijet, dramën dhe dyzimin që ato përcjellin. Poezia e tij është një poezi spontane, e shtruar dhe e thellë, herë herë ajo rebelohet, por në asnjë rast nuk thërret, siç ndodh me poezinë retorike dhe shabllone. Një udhëtim në poezinë e Shpendi Topollajt është si një kurë terapike kundër monotonisë, pasi ballafaqimi i lexuesit me të vërtetat estetike që ajo shpalos është një ballafaqim me thelbin ekzistencial të jetës njerëzore, ku kulti hyjnor të cilës i blatohet përkushtimi i autorit është dashuria.

Nëse temporitmi sundues i aktit poetik të Topollajt është lirizmi, një lirizëm i thekur, sa i natyrshëm, aq imazhinist kontemporan, në prozën e tij, sidomos në prozën e shkurtër, tipari më i qënësishëm i shkrimtarit mendoj se është konkretësia e rrëfimit, mprehtësia e detajeve fabulistike, vënia në epiqendër e ngjarjeve me bërthamë jetësore dhe historike. Në aktin poetik të poetit ka një ngutje estetike për ta kondensuar mendimin dhe ndjenjën në postulate të nivelit mesazhor, të tilla që të bëjnë të përjetosh të plotë metaforën dhe mjetet e tjera stilistike, që autori i përdor në funksion të kredos dhe besimit të tij tek kulti i lirisë dhe dashurisë njerëzore. Në prozat më të realizuara të tij, Topollaj ndërton figura të besueshme protagonistësh, tablo e rrethana konkrete, të cilat i vesh me petkun e kohës dhe të bashkëkohësisë, duke zbuluar në to magjinë e atyre rrethanave të mbetura në hije dhe që, sipas tij, kanë qenë përcaktuese në drejtimin e ngjarjeve dhe të vetë historisë.

Teksa lexon novelën “Pushkatimi”, lexuesi sjell në kujtesë gjurmët e atij rrënimi të rëndë deri në makth ekzistencial, që iu krijuan në Shqipëri intelektualëve të viteve gjashtëdhjetë të shkolluar në Bashkimin Sovjetik, dashuritë e mbetura në rrugë të madhe dhe të shkelura nga çizme të përgjakura gardianësh. Kjo vepër është ndërtuar me mjeshtëri të lartë artistike, duke na dhënë me ndjenjë të hollë dhe shpirt të pastër, virtytet e larta morale të djemve tanë dhe atyre vajzave ruse që erdhën në Shqipëri, pasi lidhën fatet e tyre me ta. Shpendi Topollaj si në gjithë krijimtarinë e tij edhe këtu paraqitet si një njohës i mirë i realitetit që bën objekt pasqyrimi estetik, me një kulturë të admirueshme, teksa duket sikur e nxjerr historinë e rrëfyer nga shpirti i tij, kur përshkruan dashurinë e majorit Thoma Rafaeli me Majën. Në këtë rrëfim ka shumë lirizëm, dritë e ngrohtësi, dhe kjo të kujton dashurinë e zjarrtë të Luftarit me Lilian te romani tjetër i tij “Lotët e zambakut”.

Në analizë të fundit duhet të pohojmë se krijimtaria letrare e Shpendi Topollajt, e vështruar në rrafshin vertikal, në disa pamje, prirje dhe tendenca të saj, i ngre kult dashurisë njerëzore dhe radhitet denjësisht në analet e letrave bashkëkohore kombëtare, si një krijimtari me mundësi shpalimi dhe që në të vërtetë shpalos e përcjell të vërtetat e ngritura në art të kohës dhe bashkëkohësisë së botës shqiptare.

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...