2014-02-05

Vullnet Mato -MOTËR, S’TË HARROJMË DOT!...

 
                          Vullnet Mato
 
          
 
                                  -Elegji- 
 
Gjashtë vëllezër, ti e vetme dhe prap nuk të ndalëm dot,
tufani i vdekjes së tmerrshme, fryu atë vit si asnjë mot.
Ike të mos kthehesh kurrë, te shtëpia jote e ngrohtë, 
mes vëllezërve le shkretimin, me re të zeza në horizont...
Motër s’të harrojmë dot!...  

 
Mbi njëzet nipër e mbesa, t’u lutën me duart në kokë:
“Mos na ler, hallë e dashur, tani që na ke shoqe e shokë!...”
Ti i doje si bij të tu dhe të donin si zogjtë nënën klloçkë,
kur të mbushej shtëpia plot, të këndonte zemra në gjoks. 
Motër s’të harrojmë dot!... 

 
Ngrite velat pa na lajmëruar, sikur të thirri i madhi zot, 
zgjodhe lundrën e arkivolit dhe u nise në një det me lot,
ngarkove buzagazin tënd dhe ne na le trishtimin në port,
Ike mes tufanit të hidhur me dallgë dhimbjesh mbushur plot.
Motër s’të harrojmë dot!...
 
Ti ishe foleja e vëllazërisë, që na mblidhje kokë më kokë,
na sheshoje hallet familjare, pasi na mbushje nga një gotë,
se kishe amanetin e nënës, që iku nga pakujdesia e kotë,  
të na mbaje me njeri- tjetrin, të lidhur e shtrënguar fort...
Motër s’të harrojmë dot!... 
 
Na le veç fotografinë, si Shënmëria ikonën e saj në botë, 
le krishtin tënd, birin e vetëm, që nga zoti e doje më fort,
mbërthyer në kryqin e vetmisë, të gozhduar këmbë e kokë,
le vëllezërit kokëulur, si apostuj të çoroditur për jetë e mot...
Motër s’të harrojmë dot!... 
 

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...