Një libër i vlerësuar dhe i anatemuar, një autor i përkëdhelur dhe i kërcënuar, një vepër artistike e shumëlexuar,
Në këtë vëllim janë përfshirë vetëm një pjesë e zgjedhur e artikujve, shkrimeve dhe prononcimeve (rreth 60 të tillë nga media e shkruar), pro dhe kundër Blushit dhe librit të tij, që na janë dukur më të realizuar dhe sjellin një problematikë të caktuar sipas pikëpamjeve të artikullshkruesve, duke u nisur nga vlerësimet konkrete që ata kanë për këtë libër. Ndërkohë, për librin kemi mundur të evidentojmë mbi 200 artikuj të shkruar, dhjetëra emisione televizive e radiofonike, si dhe komente të panumërta në adresa e site të ndryshme në internet.
Ka qenë një roman i shkruar nga Ben Blushi, i njohur më shumë si politikan dhe si publicist në fillimet e karrierës së tij, që shkundi pluhurin e letërsisë kombëtare, theu rekordin disadhjetëvjeçarë të lexueshmërisë së një libri në gjuhën shqipe, risolli në vëmendjen e opinionit publik debatin për identitetin e shqiptarëve, duke provokuar një debat të paparë në të gjitha mjetet mediatike, në të gjithë botën shqiptare.
Nuk mbahet mend në historinë e letërsisë shqipe që të jenë shkruar në një kohë të shkurtër, jo më shumë se 6-mujore, një numër kaq i madh artikujsh e shkrimesh, sa për romanin e Ben Blushit “Të jetosh në ishull”; të jenë realizuar aq shumë emisione e debate televizive; të ketë pasur aq shumë takime me lexuesit në të gjithë vendin dhe jashtë kufijve; të ketë pasur aq shumë opinione e prononcime në internet. Por shprehja më domethënëse e interesit për këtë libër dhe autorin e saj është, pa dyshim, numri rekord i shitjeve: pothuaj 20.000 kopje në një gjysmë viti.
Një libër i vlerësuar dhe i anatemuar, një autor i përkëdhelur dhe i kërcënuar, një vepër artistike e shumëlexuar, e kuptuar dhe e interpretuar në mënyra të ndryshme, por sidoqoftë një roman i shkruar bukur dhe që lexohet këndshëm.
Të jetosh në ishull është romani befasues i Ben Blushit, i cili vjen në letërsi nga politika dhe pas një përvoje të gjatë në median e shkruar. Duke e marrë temën nga një periudhë jo fort e njohur e historisë së Shqipërisë, fabula shtrihet në gati katër shekuj duke sjellë në letërsinë shqipe, personazhe të njohur, ngjarje e data që të çudisin për erudicionin e autorit, njohjen deri në imtësi të epokës ku zhvillohen ngjarjet dhe të zakoneve, traditave, organizimit të jetës së përditshme, e, në mënyrë të veçantë, të riteve e normave fetare që rrjedhin nga Librat e Shenjtë. Një Skënderbe ndryshe nga ç’e njohim, mosmarrëveshjet e tij me princin Arianit Komneni dhe historia e familjes Komneni e parë në disa breza, Ali Pashai i Tepelenës dhe qeverisja ekzotike e Janinës, konfliktet e tij me çamët e krishterë, lulëzimi dhe shkatërrimi i Voskopojës i përshkruar për herë të parë në letërsinë shqipe, luftërat e shqiptarëve deri në Kretë kundër Turqisë, si dhe bëmat e Sabatai Zevit, çifutit më të famshëm të Perandorisë Osmane që vdiq në Berat, janë vetëm disa prej kulmeve që të mbajnë mbërthyer pas leximit për të ndjekur zhvillimet e mëtejshme dhe përfundimin e ngjarjeve. Por, linja më dominuese në roman që do të ngjallë, pa dyshim, debate e diskutime të shumta mbetet procesi i gjatë dhe i ngatërruar i islamizimit të shqiptarëve të paspushtimit nga Turqia. Ishte paqësor apo i dhunshëm ky transformim, u krye me dëshirën e vetë shqiptarëve apo u detyruan nga masat shtrënguese të pushtuesve?! Si bashkëjetoi një familje shqiptare e ndarë në dy fe në Shqipërinë e shekullit XVIII? Lexoni romanin e Ben Blushit “Të jetosh në ishull”, me një gjuhë, stil e rrëfim magjepsës. Një roman që përpiqet të tregojë se si shoqëria shqiptare e përsosi instrumentin e bashkëjetesës fetare për t’i mbijetuar asimilimit dhe rrebesheve të kohës.
Flori Bruqi