George Orwell
Fillimi i viteve ‘80 të shekullit të kaluar nuk ka qenë ndonjë periudhë shumë e mirë. Dy superfuqitë, të superngarkuara me armë, ishin në një gjendje lufte të pashpallur, por që mund të shpërthente në çdo moment acarimi. Qeveritë ishin shumë autoritare dhe forcat e rendit gati për dhunë. Bota perëndimore po ëndërronte për ditën kur i gjithë ky makth do të merrte fund dhe shpresat e vlerat njerëzore do të ringjalleshin e do të triumfonin. Për sa i përket titullit të librit të famshëm të Orwell-it, janë bërë shumë tentativa për të zbuluar domethënien e tij.
Shpjegimi më bindës është ai i teorisë së kthimit pas të vitit, domethënë Orwell e mbaroi së shkruari librin në vitin 1948 dhe "48" e kthyer mbrapsht del "84". Por nga ana tjetër, Orwell nisi ta shkruante librin në vitin 1943, për ngjarje që zhvilloheshin në vitet ‘80. Një tjetër teori po në lidhje me titullin e librit është ajo e njohur si argumenti i "Jack Londonit". Në romanin e tij, "Thundra e hekurt" (1908), një libër i adhuruar nga Orwell-i vetë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës qeverisen nga një grup oligarkësh fashistë, të cilët e kontrollojnë popullsinë përmes të ashtuquajturve "mercenarë".
Në këtë vepër, data e përfundimit të "qytetit të mrekullueshëm" Asgard është viti 1984. Por kjo datë nuk zë ndonjë vend të rëndësishëm në librin e Londonit. Ja edhe një argument i tretë intrigues në lidhje me përse-në e titullit, që ka të bëjë me gruan e parë të Orwell-it, Eileen. Ajo botoi një poezi në një revistë shkollore në vitin 1934, titulli i së cilës është: "Fundi i shekullit 1984" dhe trajton temën e një shoqërie të së ardhmes, në të cilën shkencëtarët kontrollohen përmes telepatisë. Ndoshta ky mund të jetë një shpjegim bindës, duke qenë se Orwell-i në libër flet pak a shumë për një gjë të tillë.
Në historinë e letërsisë, të rralla kanë qenë ato raste kur titulli i një vepre ka ngjallur një kuriozitet të tillë sa në rastin e librit të Orwell-it dhe jo vetëm kaq, por ka pasur shumë nga ata që e kanë konsideruar këtë datë orwelliane, si datën e përmbushjes së ndonjë profecie të frikshme.
Ndaj, kur erdhi viti 1985 dhe asgjë nuk ndodhi, për këtë kategori njerëzish duhet të ketë qenë një lehtësim i madh. Por, pavarësisht se ajo datë i përket së shkuarës, vazhdon të mbetet një mister shumë më tepër se orwellian.
LEXONI:
http://en.wikipedia.org/wiki/George_Orwell