2011-02-23

Ibrahim Kadriu: Frymëmarrje në shtjellë, “Kosova PEN Center” Prishtinë 2007



Ali R. Berisha



Poeti i universit tonë letrar



Cikli tjetër Relacione të ndrydhura, ka dhjetë ligjërata, rrëfenja, meditime të cilat poeti i quan hapa. Hapat zakonisht finalizohen me një udhëtim. Udhëtova gjatë – (vargu i parë i Hapit të parë), për t’u shpallur jetësor (vargu i fundit i Hapit të dhjetë). Nga vargjet para të këtyre ligjëratave do të mund ta formonim një akrorrëfim jo (akrostik) që mund ta ketë këtë përmbajtje:
1. Udhëtova mbrëmjeve të errëta
2. të dëgjoj çfarë flitej për Teutën
3. për Harfin që fjalën bukë ia mësova
4. (për) dasmën e madhe që bënte Gjergji.
5. Hapi i pestë është himni “Zbrita në fushëbetejë”;
6. Shfaqen Budi dhe Bardhi
7. Bogdani që mban meshë.
8. Në këtë hap i ligjërohet lirisë
9. Portretojnë skeletet
10. Në Prizren hapet dera e kullës
Kohë pa emër quhet cikli i fundit, i cili përbëhet prej 16 poezive. Poeti bie në dilemë se si ta quaj kohën, prandaj u këndon temave, të cilat do të mund të merreshin si mostër për të pagëzuar. Poezitë e këtij cikli nuk kanë lidhmëni tematike as motivore, ato janë si një tufë lule livadhesh; secila e ka ngjyrën e vet, aromën e vet, petalet e veta dhe emrin e vet. Emocionalisht aty i këndohet një kohe e cila ende nuk ka emër të qëndrueshëm. Kur një poet u këndon luleve, ditës e pastaj ...dritës dhe aromës... para dhe prapa çdo luleje qëndron kujtimi... Lulja - qysh para njeriut e deri më sot nuk ka ndryshuar (s’ka nevojë për pikëçuditëse). Lulja e ka njeriun në dorë. Prandaj nuk është befasi pse ky poet e ka marrë emrin e saj dhe ia ka “vu” të dashurës. Asnjë lule nuk ka emër njeriu (tash ka nevojë për pikëçuditëse)!
Në poezinë e parë të këtij cikli Lule në vaze të dritares, lulja simbolizon të dashurën, e cila Në më të mirën stinë / ... / frymëzimin ma bën më të hijshëm. Në poezinë Nga ajo ditë e te kjo ditë, tri herë refrenohet titulli, me qëllim që poetin e shtyrë në moshë ta detyrojë të pranojë se “janë mijëra kodra që s’kalohen më”. Sa domethënës ky varg për poetët e shtyrë në moshë, e që ende shkruajnë poezi, sepse vetëm kjo kodër është e kalueshme për ta. Poezitë e radhës me të tjera motive u këndojnë striktisht disa temave, që në këtë Kohë pa emër Në shkopin e tij të lodhur/ bën dreqi / ve kur Toka ime / në tavolinën e operacionit / i druan prerjes cezarike, pastaj kohë moj qyqe qyqeve u je falë / të gjitha orët të kanë harruar. Këtu poeti stigmatizon ata që në këtë Kohë pa emër me uri të paharruar hanë e hanë e hanë.
Ma merr mendja dhe ma thotë logjika t’i them edhe dy çështje; poezia kushtuar Ulpianës do të zinte vend më të përshtatshëm atje diku nga fillimi i përmbledhjes. Dhe se poezia Unmikistani – nuk do të duhej të emërtohej ashtu, sepse ky emërtim po më duket fort gazetaresk. Bile po të quhej Unmikland, sipas Konicës!
Përvoja mbi 5 dekada e poetit Ibrahim Kadriu e fituar nga ndërveprimet e tij me botën e jashtme, e të derdhur këtu sikurse ne krijimet tjera letrare, nuk na lë të nxitojmë. Edhe në krijimet tjera poetike ai ka dhënë krijime të çmuara e të vlera, qoftë nga aspekti strukturor, vargësor e motivor, qoftë edhe nga ai gjuhësor, duke ia dalë me sukses të krijojë një stil gati-gati vetjak. Poezia e sotme bashkëkohore paraqet një botë të tërë, ku lexuesi, e aq më tepër vrojtuesi recensional, po bëri e u fut tërësisht në brendësinë e saj, zor e ka të bëjë me ndonjë seleksionim çështjesh ku duhet ndalur më gjatë apo theksuar me thekshëm.


Në këtë vepër autori jehon si një poet që i thotë lirshëm edhe ato frymëzime poetike që i kanë mbetur pa ua dhuruar lexuesve, ku reflektohet përvoja e gjatë (10 vëllime poetike), sepse poezia akoma e grish, e ngacmon dhe kaqumitet me të, ndonëse më shumë dhe më suksesshëm po shfaqet si prozator (20 romane e novela), ku pena e tij përvojësore po tregohet shumë e begatë. Kur je shkrimtar ... mbahesh gatitu ... si ushtar i disiplinuar” / fq. 7/ prandaj vëllimi në fjalë nuk ka tepri temash as llojllojshmëri vargimi, por ka një esencë thelbësore dhe një horizont të gjerë të kulturës poetike.
 Gjithçka me maturi krijimore e pjekuri vështrimore. Ai nuk ngul këmbë t’i jep mesazhe, as ta shtrumullojë (me ia ngjitë për gryke e me e dridh) lexuesin, ai ngul këmbë të shkruajë poezi për atë lexues që e do vargun si krijim letrar, duke mos i shkaktuar trazime.. Prandaj, poezia e tij nuk ngarkon me asgjë. Ajo dhuron kënaqësi. Figurativiteti letrar i Ibrahimit është ai i universit tonë letrar.


 Çdo figurë e zë vendin mjeshtërisht aty ku duhet, posa ta fillojë ecjen. Bota shqiptare, por më shumë nënbota kosovare është ajo që frymon e rrezaton për vete (në këto vargje) e për mendjen dhe shpirtin që nuk mund të hesht përgjumshëm, e s’ka të heshtur. Analog me vargun e tij “se mund të infektohesh nga patriotizmi i tepërt” për poezinë lirike do të vlente thënia se mund të sëmurësh nga “ahet” e “ohet” e tepërta, kur e kundron nga larg atdheun kinse të gjynahshëm. Këtyre poezive të Ibrahim Kadriut do të mund t’u qëndronte përshtatshëm si moto mendimi i tij origjinal: Nuk del bir nëne të jetë më i pushtetshëm / se ai që i mban në rresht / ndjesitë e të gjitha rrafsheve / për t’i veshur mysafirët / që zënë vend në faqe “librash”.


Ibrahim Kadriu mund ta lë poezinë e t’i rreket me tërë qenien prozës romanore, ku po hapëron me shumë sukses, por kam drojën se do ta lë jetim damarin e një poezia të gjitharrirë, ku erëmon jeta e sotme me një semiotikë figurative – gjithnjë në hulumtim dhe me motivime hulumtuese - gjithnjë në lëvizje. Po e them këtë nga frika, sepse në njëzet vjetët e fundit ka botuar vetëm katër vëllime poetike, kundrejt njëzetë veprave në prozë.


******************



IbrahimKadriu.99x127.jpg


Ibrahim Kadriu lindi më 8 Janar 1945 në Zheger të Gjilanit. Shkollën fillore e ekreu ne vendlindje në vitin 1959 kurse atë të mesmen e mësuesisë në Gjilan me 1964. Studimet universitare i kreu në Prishtine, ai ka një opus të gjerë të krijimtarisë letrare mbi 40 vepra. Pas dy viteve të punës si pedagog, më 1968 ka filluar punën e rregullt të gazetarit në të përditshmen "Rilindja", gazetar ee redaktor i kulturës dhe reporter i lirë. Në "Rilindje" i ka vazhduar puna gjer në dhjetor të vitit 1999 kur (në detyrën e redaktorit) kalon në të përditshmen "Zëri" ku edhe sot punon. Që nga fillimi i viteve të gjashtëdhjeta aktivisht merret me letërsi. Sot ai jeton dhe vepron ne Prishtinë.Gazetar dhe redaktor në gazetën Rilindja dhe tash redakton robrikën e kulturës në të përditshmën Zëri, Prishtinë. Shkrimtarë shqiptarë, anëtar i Pen Qendra e Kosovës (klubit) Prishtinë. Botime të tjera: Dhurata letrare, libër leximi për kl. VII (1987), shumë herë i ribotuar, "555 arsye për të qeshur", libër me mahi, me pseudonim I. Karadaku (1995), "444 arsye për të qeshur", libër me mahi, me pseudonim I. Karadaku (1997) .

Autor i përkthyer në gjuhë tjera: Pjesë nga veprimtaria e Ibrahim Kadriut (poezi e fragmente prozash) janë botuar edhe në frëngjisht, gjermanisht, arabisht, rumanisht, turqisht, italisht, anglisht.
| "Koprena vremena" , serbokroatisht,
| "Lekovit izvor" roman (1982), botimi serbokroatisht (1987),
| "Na ramas timp pentru sarbatori" (S'mbet kohë për kremte),vëllim poetik në gjuhën rumune, Bukuresht, 2005.
| "Dreni dhe Drenusha", novelë, ilustracion shqip-norvegjisht, 2005;

Për veprimtari letrare ka marrë mirënjohje të ndryshme, si:

|Çmimin "Shtjefën Gjeçovi," për poezi,
|Çmimin e Nëntorit (të Prishtinës) për skenarin e serisë televizive ("I ikuri"), 1980 RTP, "Fidani", realizuar sipas romanit "Pas kthimit",
|Çmimin e vendlindjes,
|Çmimin "Agim Ramadani",
|Çmimin vjetor “Ymer Elshani”,
|Çmimin vjetor të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës
|Dramatizimet dhe ekranizimi i romanit "Pas kthimit" Radio Tirana e ka realizuar edhe si radiodramatizim të cilin (në disa vazhdime) e ka emituar gjatë viteve të tetëdhjeta.


Veprat

| "Netët e Karadakut", poezi (1969);
| "Qyteti i luleve", tregime (1970),
| "Pranvera shikon nga bregu", vjersha (1972),
| "Diçka po ndodh", poezi (1972)
| "E lumi rridhte", novelë dhe tregime (1973),
| "Armendi", poemë (1974),
| "Pas kthimit", roman (1975), ribotoi "Naim Frashëri",(1985),
| Hapësirë bot. Rilindja, Prishtinë, 1977
| "Shpëtimtarët", novelë dhe tregime (1978),
| "Kohë e të korrave", roman (1979),
| "Troku" , poezi, (1980),
| "Kroi i ilaçit", Tregime (1980),
| Ethet e një dimri bot. Rilindja, Prishtinë, 1983
| Poezi (Veli i kohës) - (1984),
| "Zogjtë fluturojnë vetë", roman (1986),
| "Fjalori i mbrapsht", poezi, (1986),
| "Epoka në figura", roman (1987),
| "Nëna", novela, (1988),
| Tregime, përzgjedhje lektyre (1988),
| Pastaj harrohet bot. Rilindja, Prishtinë 1989
| "Më shumë se lojë", roman (1990),
| "Qerrja e dritës", roman (1990),
| "Loja e fundit", roman (1993),
| "Përrallorja", novelë dhe tregime (1996),
| "Vite me plagë", roman (1998),
| "Spirale muzgu", roman (2002),
| "Shqiptarja e gjithë botës", roman, ribotim i UEGEN-it, Tiranë, 2003,
| "Qerrja e dritës"; "Shtëpia e fantazmave",Ribotim i romaneve, 2004;
| Qeni me tenxhere", poemë, 2005,
| “Çuni i kohës së Lekës”, roman, (2006),
| “Frymëmarrje në shtjellë”, vëllim poetik (2007),
| “Kalorësi i Karadakut”, roman, (2007),
| “Në Vajhall” (dy vëllime), roman (2008),
| “Dy plus Dy”, dy drama dhe dy novela (2008).



Përgatiti :Flori Bruqi





Dr. Mahmud Hysa per romanin e autorit Ibrahim Kadriu

 Këndvështrim mbi romanin e Ibrahim Kadriut, “Kalorësi i Karadakut” 


Moto. Me romanin e fundit “Kalorësi i Karadakut”, ashtu si Sabri Godoja me romanet “Ali pashë Tepelena” dhe “Skënderbeu”, krijon një roman të personazhit, ku në qendër të strukturës kompozicionale e vendos Idriz Seferin, njërin nga prijësit e luftës e të rezistencës jo vetëm në krahinën e Karadakut e të Moravës, por edhe të luftërave që i prinë shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë

Dr. Mahmud Hysa


Mst. Tipi i romanit

Ibrahim Kadriu, me romanin e fundit “Kalorësi i Karadakut”, ashtu si Sabri Godoja me romanet “Ali pashë Tepelena” dhe “Skënderbeu”, krijon një roman të personazhit. Në qendër të strukturës kompozicionale e vendos Idriz Seferin, njërin nga prijësit e luftës e të rezistencës jo vetëm në krahinën e Karadakut e të Moravës, prej nga rrjedh dhe ku ka vepruar prijësi, por edhe njërin nga prijësit e rrallë që i ka dhënë kahen e duhur mbarë Lëvizjes Kombëtare të shek. XIX-XX, kahen drejt realizimit të lirisë e të pavarësisë gjithëkombëtare apo dëshirës për realizimin e një ideali të tillë. Për shumësinë e temave, që integrohen në strukturës kompozicionale të romanit, siç janë tema e pajtimit të gjaqeve, e shpërnguljes së popullatës drejt Anadollit, e tradhtisë kombëtare të disa elementeve destruktivë, e përpjekjes për iluminizëm kombëtar, e rrezikut nga propagandat e huaja, në radhë të parë të fqinjëve, për rrëmbimin e trojeve shqiptare, e dhunës dhe terrorit që ushtrojnë të huajt në trojet shqiptare, e vigjilencës, vitalitetit dhe heroizmit që tregoi në tërësi populli shqiptar në momente më vitale të historisë së tij, e intersubjektivizmit në strukturën kompozicionale, mund të themi se romani i I. Kadriut është shumë afër të quhet edhe roman shoqëror. Megjithatë, epiqendra dhe forca motorike që i ka vënë në lëvizje dhe ka marrë pjesë në të gjitha ngjarjet, figura më koherente, më energjike dhe më stabile nga tërë ajo galeri personazhesh markante të Lëvizjes, strategu, luftëtari dhe prijësi i të gjitha aksioneve të kryengritësve, pa dyshim është ajo e prijësit, e Idriz Seferit. Madje, jo pa arsye, autori nuk është kënaqur vetëm me njohuritë elementare për biografinë e këtij luftëtari të madh, por bën edhe hulumtime të reja historike dhe dokumentare që nga gjithë ajo mori ngjarjesh, konfliktesh, përpjekjesh, idealesh, sakrificash, të shtruara në poetikën e këtij romani, lexuesi mund të mësojë më shumë nga ky roman se nga historia pse arti letrar të jep mundësi që të zbulosh edhe botën e brendshme të personazhit, atje ku historia nuk ka fare qasje. Letrari, madje, jo vetëm e zbulon, por edhe e interpreton artistikisht historinë, ai mbledh dhe seleksionon ngjarje pse atij i intereson e vërteta historike e transponuar përmes së vërtetës artistike.

Jashtë kodit të romanit historik, që lejon interpretimin cilësor të të vërtetave historike, në këtë roman kemi edhe interpretimin sasior të të vërtetave historike pse na jep një mori dokumentesh e faktesh, ngjarjesh e personalitetesh, aksionesh e veprimesh të të gjitha palëve të involvuara në këtë periudhë nga mund të shihen sa dimensionet, aq edhe kahet e lëvizjes të udhëhequra nga prijësi i vërtetë popullor, Idriz Seferi.

Një parim kompozicional i domosdoshëm për tipologjinë e romanit historik të personazhit është edhe shtrirja kronologjike e jetës së kryepersonazhit që autori ynë e respekton plotësisht. Ai na flet për gjenetikën familjare të Idrizit, i ati i tij, Isufi, ishte po ashtu një luftëtar i shquar i çështjes kombëtare, që e vazhdoi më me përkushtim, më me energji dhe më me sukses edhe Idrizi. Fëmijëria e Idrizit ka qenë e rëndomtë, prandaj romansieri nuk ndalet shumë, por rinia, burrëria, trimëria e pleqëria e tij janë të ngarkuara me ngjarje të njëpasnjëshme, më dramatike njëra se tjetra, me kontakte të shumta me njerëz e personalitete, me intervenime dhe ndërmjetësime, me vendime dhe me urdhra, me aksione dhe konfrontime. Ёshtë me interes se autori nuk i anashkalon edhe huqet, veset, të metat, dështimet, dobësitë e Idrizit qofshin ato objektive, ka qenë i pashkollë dhe nuk ka pasur informacione për platformën e Rilindjes dhe të Lëvizjes Kombëtare, qofshin ato subjektive, siç janë burgosjet e tij të shpeshta nga turqit apo serbët, leja që i dha të birit, Isufit, të degdiset në Arabi për të fituar një pushkë të praruar ku e la edhe kokën, jeta në fëmijëri e të birit, Isufit, e shthurur, intervenimi i vetë Idrizit që t’ia marrë me forcë nusen Demir Krosit nga Mogilla e tjerë. Natyrisht se këto janë shumë pak në krahasim me aktivitetet, aksionet, veprimet e Idriz Seferit për interesin e përgjithshëm duke e udhëhequr dhe mobilizuar një krahinë të tërë drejt rrugës së idealit kombëtar: çlirimit dhe mbrojtjes së vendit nga të huajt.

Romani “Kalorësi i Karadakut” ka elemente edhe të romanit kalorësiak jo vetëm formale, për pjesën e parë të sintagmës së titullit metaforik, por edhe esenciale, për faktin se prijësi ka disa veçori tipike, të jashtme dhe të brendshme, të një kalorësi. Veshja karakteristike me koburen në shokë, kali i tij, bukuria mashkullore, vështrimet e mprehta, lëvizjet energjike, janë tipare të jashtme, ndërsa forca fizike dhe morale, trimëria, zhdërvjelltësia, mjeshtëria e strategjisë së luftës, vitaliteti, virtytet dhe zemërgjerësia janë tipare të brendshme të prijësit tonë që ngjasojnë me ato të romaneve kalorësiake. Po edhe veprimet dhe idealet e Idrizit janë në frymën kalorësiake. Kështu te ai shquhet ndjenja e sakrificës për të tjerët, ideal i tij është e vërteta, e drejta, liria, dinjiteti, është kundër arbitraritetit, dhunës, robërisë së tjetrit, hipokrizisë, konformizmit, prandaj gëzon autoritet dhe respekt të të gjitha masave në një hapësirë shumë të madhe territoriale.

Mt: Luftërat për liri e pavarësi të Idriz Seferit

Romani i Kadriut ka si element të strukturës kompozicionale ngjarjet nga e kaluara të transponuara artistikisht, ngjarje për lirinë e pavarësinë në krahinën e Karadakut dhe më gjerë për të na rikrijuar skena të shumta sa të qëndresës heroike, të udhëhequra në mënyrë gjeniale nga Idriz Seferi, aq edhe të dhunës, të vrasjeve e torturave që ushtronte pushteti i huaj ndaj një populli që luftonte për lirinë e vendit të vet. Në këtë kontekst, për të ardhur deri te e vërteta historike për këtë periudhë, autori shërbehet me burimet historike, jo për t’ia mësuar lexuesit historinë, pse atë e bën vetë ajo, por për t’ia zbuluar artistikisht një vistër ngjarjesh që mund të ndikojnë te lexuesi për t’ia përforcuar memorien dhe ndërgjegjen historike, për të parë të kaluarën në dihotominë e saj: të sukseseve, të sakrificave, të angazhimeve, dhe të zhgënjimeve, të dobësive, të rreziqeve, të lëshimeve, të kobit tragjik. Nga ky kënd mund të shihet edhe e sotmja, po në dihotominë e saj,: e shëndoshë, krenare, vitale, dhe e cunguar, e përgjysmuar, e sakatuar.

Luftërat dhe kryengritjet të udhëhequra nga Idriz Seferi kapin një hark kohor shumë të gjatë, prej vitit 1860, kur sulmohet nga turqit shtëpia e Isuf Seferit, e cila digjet, por vriten disa ushtarë turq. Në këtë rezistencë, për herë të parë, merr pjesë edhe Idrizi, dhe ato vazhdojnë deri më 1920, duke qenë fytyrë markante për Lëvizjen Kombëtare dhe “Nyje e Gordit” për armiqtë, sa për turqit, aq edhe për serbët, bullgarët. Ai me inteligjencën dhe zgjuarsinë e tij të lindur ua ndërpriste armiqve strategjitë pushtuese me kundër strategjinë e tij mbrojtëse dhe dëbuese që shkonte, në mënyrë implicite, në dobi të çështjes kombëtare. Megjithatë, strategjia turke ndryshonte nga ajo serbe, e para ishte frontale, asgjësuese, ndërsa e dyta perfide, diplomatike, hipokrite. Sipas asaj që tregohet në roman, Idrizi u tregua gjenial në të dyja rastet: strateg luftarak, në rastin e parë, dhe strateg diplomatik, në rastin e dytë, duke qëndruar vertikalisht në të dyja rastet, pavarësisht se me plumbin në qafë qëndroi tërë jetës.

Idriz Seferi në odisejadën e tij të luftës dhe të rezistencës kaloi nëpër të gjitha format e dhunës e të rrezikut që përjetoi populli shqiptar brenda këtij harku kohor. Ai, pasi doli nga burgu i Nishit, pa me sy shpërnguljet e shqiptarëve nga krahina e Nishit më 1876, ai e përjetoi humbjen e turqve në Pleven dhe Marrëveshjen e Shën Stefanit, ai e pa Toplicën, ai i vizitonte fshatrat e Gjilanit dhe Stubllën e Letnicën për të mbajtur të ndezur moralin e rezistencës, ai mori vesh për pazaret antishqiptare me vendimet e Shën Stefanit, ai mori vesh për Komitetin Shqiptar të Stambollit në krye me Sami Frashërin, kuptoi për aktivitetin e Pashko Vasos në Prishtinë dhe për formimin e Lidhjes së Prizrenit, para se të mblidhet Kongresi i Berlinit. Gjithë kjo është edhe histori, por autori edhe e letrarizon me alegorinë e bagazhit në shpinë, me shkëlqimin e mozaikut, me porosinë nga mbledhja e Prizrenit dhe me mësimet nga rrethimi i Gjakovës. Idrizi ballafaqohet edhe me strategjinë perfide serbe: të nxiten shqiptarët në kryengritje kundër Turqisë për të depërtuar vetë në Kosovë më lehtë. Ai e kupton rolin e emisarëve serbë dhe bën rezistencë dëbuese ndaj premtimeve dhe ndihmave në armë që ofronin ata. Po në këtë kohë na zbulohet strategjia ushtarake e Idrizit: të sulmohen kazermat turke për të futur panik në ushtrinë turke. Turqia vetëm tani e merr seriozisht rezistencën e shqiptarëve dhe dërgon Durgut Pashën në Grykën e Kaçanikut e në Cernalevë. Edhe Ibrahim Kadriu, në stilin e romaneve të Kadaresë, na paraqet forcën e madhe të rezistencës shqiptare përmes gojës së pashait turk, të Akturkut. Dialogu i tij i brendshëm është mjaft i fuqishëm dhe pjesa më e letrarizuar. Me këtë rast na del para nesh edhe fenomeni i hafijeve, i spiunëve, dhe aksionet konkrete të Idrizit kundër torturave turke: çlirojnë disa kryengritës të groposur duke i tmerruar edhe më tepër pashain e gjeneralin turk. Figura e Idriz Seferit bëhet enigmë e patejkalueshme për Sulltanin pse lëvizja e tij inkuadrohet në lëvizjen e përgjithshme shqiptare dhe bëhet një pjesë e saj e rëndësishme. Lëvizja e xhonturqve nuk e mashtroi as Bajram Currin, po as Idriz Seferin, prandaj edhe Sulltani më 1909 e dërgoi Durgut Pashën për t’i qetësuar shqiptarët kryengritës. Tani shprehet edhe më tepër strategjia e Idrizit: të sulmohen kazermat armike dhe të organizohet pritë në Grykë të Kaçanikut e në Konçullë. Ngjarjet historike intesifikohen dhe romansieri i afrohet pak si shumë historisë pse na dalin në pah personalitete e jo personazhe, siç kërkon arti letrar. Kryengritja e Kosovës zgjerohet edhe në Dukagjin me Hasan Prishtinën e Isa Boletinin, krijohet psikologjia e frikës te turqit, prandaj intesifikohet dhuna e Shefqet Durgut Pashës, del programi i Hasan Prishtinës, Idriz Seferi inkuadrohet në luftë në drejtimin Gjilan-Preshevë dhe Tetovë-Shkup. Veçohen betejat e Idrizi Seferit me turqit te Zabeli i Beqir Sadovinës, Beteja e Binçës, e Kaçanikut. Mbahet Kuvendi i Pozharanit dhe arrihet marrëveshja e Turqisë me kryengritësit. Vetëm tani del në pah politika hipokrite serbe me koalicionin ballkanik në dëm të shqiptarëve. Arrestohen krerët e lëvizjes shqiptare nga serbët, ndër të tjerë edhe Hasan Prishtina, Isa Boletini, Idriz Seferi dhe lirohen pas shpalljes së pavarësisë më 28 Nëntor 1912. Vjen edhe Konferenca e Londrës, rrëmbehen tokat shqiptare, vritet tradhtisht Isa Boletini me shokë, e mbërrin Konferencën e Versajës, helmimin e Ismail Qemalit dhe në vitet ’20 përfundon legjenda e maleve të Karadakut me fjalët shumë simptomatike se “…U munova tanë jetën me e ba kët’ven’Shypni, po zor te koka, bre!” që të përkujtojnë ato të De Radës po të madh “Gjaku arbëresh po shkon”.

Mst. Intersubjektivizmi i romanit

Në poetikën kompozicionale të romanit integrohen edhe shumë fytyra tjera me rëndësi për Lëvizjen Kombëtare që kanë kontribuar në rezistencën dhe në luftën për çlirim dhe pavarësi kombëtare. Në aspekt të intersubjektivizmit, si në rrallë raste tjera, integrohen bartësit e iluminizmit të hershëm kombëtar, siç ishte Pjetër Bogdani, dhe të mëvonshmit, Gasper Krasniqi i Mirditës, Ndue Sopi i Stubllës, Sami Frashëri, Pashko Vasa, Dom Luzi, mulla Sinan Maxhera, apo prijës të tjerë të Lëvizjes Kombëtare të kësaj kohe si Sulejman Vokshi, Isa Boletini, Hasan Prishtina, Jakup Ferri e tjerë Në këtë rast duhet të përmendim edhe faktorin serb si intersubjekt për rolin destruktiv në çështjen shqiptare si mësuesi Radulloviq, konsujt serbë si Milan Rakiqi, Bogunxhiqi, Popoviqi. Nga intersubjekti, Idrizi merr njohuri ose informata për ngjarjet e kaluara apo për të tanishmet të cilat edhe Idrizi i pranon me kënaqësi. Gaspër Krasniqi e informon për hartat serbe, Ndue Sopi për Shën Stefanin, për Lidhjen e Prizrenit, për Komitetin Shqiptar në Stamboll, për vargjet e Pashko Vasos, Bajram Curri për xhonturqit.

Mst. Segmenti iluminist i romanit

Koha e Idriz Seferit përputhet sa me Lëvizjen Kombëtare, aq edhe me Lëvizjen Iluministe për një alfabet të përbashkët, për shkolla në gjuhën shqipe, për libra shqip dhe për një kulturë kombëtare. Prandaj ka qenë e pamundur që në strukturën kompozicionale të mos integrohen premisat e kahet e kësaj lëvizjeje, edhe pse prijësi me dispozitat kryesisht i takon kategorisë së atyre që kanë pasur intuitë shumë të mprehtë për këto probleme, por jo edhe kapital iluminist. Idetë iluministe paraqiten në dy forma: përmes të tjerëve dhe përmes intuitës meditative të Idrizit. Embrioni i kësaj ideje fillon që me Isufin, babanë e Idrizit, i cili ven kontakte me Ndue Gashin, që konsiderohet si i pari që hapi shkollën në Stubëll dhe vazhdon me Idrizin që gjithashtu ven kontakte me Ndue Sopin, priftin e Stubllës që njihet si shpërndarës i librit shqip përmes kanaleve të fshehta, kanale të cilat i njeh edhe Idrizi. Megjithatë, shkollat shqipe kanë qenë fenomen mbarëkombëtar, kudo shqiptarët kanë qenë të privuar nga kjo e drejtë elementare. Për mungesën e shkollave për shqiptarët e Greqisë, Idrizi merr informata nga njerëz të asaj krahine, si Stathi Melani e Dhamo Dhimoklisi. Megjithëse Idrizi merr informata të sakta për arsimin shqip edhe përmes intuitës meditative, që e realizon përmes dialogut të brendshëm, që është më artistike jo vetëm pse qëndron në suazat e së mundshmes, por pse zbulon faktorë të rinj të këtij fenomeni. Përmes dialogut të brendshëm, Idriz zbulon paradoksin: pse shqiptarët e një feje me turqit, po edhe ata me fe të krishterë, janë pa shkolla, pa biblën dhe pa lutjet fetare në gjuhën shqipe, ndërsa serbët e Pasjanit e kanë mësuesin nga Beogradi, e kanë kishën e tyre që interesohet për shkollat, kanë diplomat në Pasjan, në Prizren del gazeta në turqisht dhe serbisht? Po ashtu me interes është edhe dialogu tjetër: pse serbët me fe tjetër nga turqit janë me shkolla dhe me shtetin e tyre që interesohet për ta, ndërsa na jemi pa shkolla e pa shtet? Për këto paradokse e ka edhe përgjigjen: Pushtuesi na do pa shkolla që të jemi përgjithmonë kokulur, ashtu siç e ka edhe zgjidhjen e këtij probleme: të kërkohet në Stamboll të hapen shkolla në gjuhën shqipe. Nevojën për shkollën shqipe si ideal kombëtar ia përmend edhe Bajram Currit, e brengos mbyllja e shkollës në Korçë, kërkon që fëmijët, nipërit e gjithë të tjerët të shkollohen. Natyrisht gjithë këto kërkesa të drejta mund t’i shqiptojë vetëm ai që ka intuitë për vlerën e shkollës e të shkollimit.

* *

*

Lexuesi, për ta kuptuar botën letrare të këtij romani, është e nevojshme të ketë njohuri paraprake nga historia pse romansieri rikrijon një periudhë të tërë historike, pjesën më vitale të historisë më të re. Romanit nuk i mungon narracioni letrar, pjesë kur autori na përshkruan botën e brendshme të personazheve, kur i jep ngjyrën letrare ngjarjeve historike megjithëse ky faktor u mungon fragmenteve të shtypit, dokumenteve zyrtare, kuvendeve dhe tubimeve historike duke dashur që t’u mbetet besnik fakteve historike. Romani “Kalorësi i Karadakut” për poetikën letrare, për stilin, për mjeshtërinë e transponimit të të vërtetave historike në të vërteta letrare, mbetet ndër veprat më të realizuara të këtij autori dhe një motiv më shumë që në këtë mënyrë të transponohet edhe jeta e shumë prijësve tjerë të Lëvizjes Kombëtare.

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...