Të mërkurën në Hagë është mbajtur konferenca statutare në lidhje me rastin Haradinaj dhe të tjerët, me ç’rast pala mbrojtëse e Haradinajt ka kërkuar që procesi gjyqësor ndaj ish-kryeministrit të Kosovës të fillojë sa më shpejt që të jetë e mundur, ndërsa si datë të mundshme të fillimit të gjykimit ka propozuar datën 1 maj.
Kjo është bërë e ditur në një konferencë për media nga ana e nënkryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka raportuar Kosovapress.
“Sot më 23 shkurt është mbajtur konferenca statutare e rastit të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj. Ne kemi qenë në kontakt me ekipin mbrojtës dhe dëshiroj të ju njoftoj se kjo konferencë statutare ka trajtuar kryesisht tema që ndërlidhen me çështje teknike, të cilat duhet të përgadisin procesin gjyqësor, fillimin e gjykimit. Ekipi mbrojtës i Haradinaj, ka paraqitur para gjykatës evidencën e vet dhe njëkohësisht ka kërkuar që data 1 maj të jetë data kur do të mund të fillonte gjykimi ndaj ish-kryeministrit Haradinaj dhe njëkohësisht ka kërkuar që procesi të përshpejtohet sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë Tahiri.
Konferenca e parë statutare ishte mbajtur me 26 tetor të vitit të kaluar. Kohë me parë prokuroria e Tribunalit shkurtoi disa pika të aktakuzës ndaj Haradinajt.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj është paraqitur në Hagë më 20 korrik të vitit 2010, pasi Tribunali vendosi për rigjykimin e pjesshëm kundër tij.
Shkalla e parë e gjykatës kishte shpallur të pafajshëm Haradinajn dhe të akuzuarin e dytë, Idriz Balaj, derisa Lahi Brahimaj është dënuar me gjashtë vjet heqje lirie, për kinse krime lufte në Kosovë.
Gjykimi i parë kundër Haradinajt kishte filluar më 5 mars 2007, ndërsa gjykata e kishte shpallur të pafajshëm më 3 prill 2008.