2011-02-23

Bedri Halimi :Me shkas: Si prezantohen vlerat e poezisë botërore nëpërmjet librave antologjikë


BEDRI HALIMI

Ndonëse interesimi për poezinë ka rënë pothuaj në pikën kritike, për shkak të gjendjes socio-ekonomike, kulturore dhe morale, në të cilën ndodhet Kosova dhe përgjithësisht shoqëria shqiptare, megjithatë bëhen përpjekje të caktuara për t’i prezantuar vlerat e poezisë në libra të veçantë. Kështu, për shembull, në disa libra përpiluesit e tyre i përdorin kriteret sipas shijes që kanë. Në disa libra të tjerë, përpiluesit e librit janë njëkohësisht edhe përkthyes të poezive. Kriteret e përzgjedhjes së këtyre poezive të autorëve të ndryshëm botërorë, para së gjithash, varen nga shija e përkthyesve. Në disa libra, duke dashur përpiluesi i librit të jetë sa më origjinal me vetveten dhe jo me autorin e përkthyer, e bën përzgjedhjen e poezive të papërkthyera, për t’ia sjellë opinionit lexues si një libër origjinal me vlera të reja. Në këto raste, dëmtohet autori i prezantuar nëpërmjet përzgjedhjes subjektive të krijimeve të tij, sepse mund të ndodhë që krijimet më të arrira, të përkthyera nga përkthyes të tjerë dhe të botuara në ndonjë libër tjetër, nuk përfshihen në antologjinë përkatëse.


image

Prezantimi i poezisë spanjolle, franceze...

Këtu më poshtë po i sjellim disa shembuj të botimeve të disa librave me poezi nga autorët botërorë:
Libri me titull “Poezi spanjolle të shekullit XX”, botuar që nga viti 1991 nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”, është përgatitur dhe është përkthyer nga Aurel Plasari, i cili është munduar ta ruajë strukturën poetike të autorëve spanjollë. Po kështu, edhe libri me titull “Poezia franceze e shekullit XX-Antologji”, e përkthyer nga Anton Papleka, i botuar nga shtëpia botuese “Uegen” Tiranë 2003, është një libër që pasqyron krijimet e një numri të madh të poetëve francezë (81 sosh). Mirëpo, edhe në këtë libër, brenda 240 faqeve nuk mund të prezantohet mirëfilli secili autor i përzgjedhur. Madje ka shumë autorë që janë prezantuar edhe me nga një poezi të vetme. Në këtë libër nuk ndodh niveli i prezentimit të poetëve, siç ndodh p.sh në librin e përgatitur nga Aurel Plasari, me poezi spanjolle, i cili përmban 460 faqe, gjithsej me 61 autorë. Gjithashtu nga shtëpia botuese “Mësonjëtorja” (për çudi viti nuk i figuron askund), nga i njëjti përkthyes dhe përpilues i librit, botohet libri me titull “33 poetë francezë-poezi të përzgjedhura” , i cili brenda 215 faqeve bën përpjekje të prezantojë krijime nga krijimtaria e këtyre poetëve francezë.
Ndërkaq, në Kosovë, nga shtëpia botuese “Rilindja” qysh më 1988 është botuar libri me lirikë bashkëkohore frënge, i titulluar “Kurrizi i engjëllit”, i përzgjedhur dhe i përkthyer nga Muhamet Kërveshi. Ky libër brenda 270 faqeve përmban 22 autorë. Numri i poezive të prezantuara nga autorët është i mjaftueshëm, por jo edhe niveli i prezantimit. Aq më tepër, në qoftë se lexuesi i vëmendshëm do t’i lexojë krijimet poetike të të njëjtit autor, të përkthyera nga këta dy përkthyes, do të vërejë dallime edhe në strukturën e poezisë të të njëjtit autor.

Prezantimi i poezisë gjermane, italiane...

Në vitin 2000, nga shtëpia botuese “Logoreci”, është botuar libri me titull “Poezi gjermane, austriake, zvicerane”, zgjedhur dhe përkthyer nga gjermanishtja prej përkthyesit dhe studiuesit Petraq Kolevica. Ky libër, brenda 330 faqeve, mundohet ta paraqesë nivelin e poezisë gjermanofone nëpërmjet prezantimit të 46 poetëve gjermanë, 18 poetëve austriakë, 9 poetëve zviceranë, si dhe tre të tjerë që shkruajnë në gjuhën gjermane. Sado që si libër pretencioz, megjithatë nuk ia ka dalë në nivel të kënaqshëm që të paraqesë në formë antologjie poezinë gjermane, duke filluar që nga poezia popullore e shek XII e këtej.
Ky libër gjithsesi ka mbetur në nivelin e një panorame poetike dhe assesi antologjie (edhe përpiluesi i librit nuk e quan antologji). Prandaj, edhe shumë autorë në këtë libër prezantohen me shumë pak krijime (disa prej tyre edhe me nga një).
Ndërkaq, në Kosovë më 1988, nga redaksia e botimeve të Rilindjes, është botuar libri “Qumështi i zi i agimit” (lirikë e re gjermane), zgjedhur dhe përkthyer nga Isak Ahmeti, i cili në këtë libër brenda 190 faqeve mundohet t’i paraqesë vlerat poetike të 31 poetëve gjermanë. Në disa raste, ia del t’i prezantojë në nivel të kënaqshëm numerikisht disa autorë, kurse në disa stagnon, apo edhe ndonjë nuk e fut fare, si p.sh Herman Hesen.
Nga poezia italiane, në këtë rast vlen të përmendet libri “Poezi italiane e shek XX”, i përgatitur nga Klara Kodra dhe Donika Omari, ndërsa botuar nga shtëpia botuese “Elena Gjika”, Tiranë 2000. Ky libër brenda 380 faqeve përmban 50 autorë dhe mund të thuhet se është ndër librat më të realizuar, krahas librit të përgatitur nga Aurel Plasari me poezi spanjolle. Edhe pse ky libër nuk quhet antologji, i ka tiparet e një antologjie, megjithëse ndonjë autor prezantohet me shumë pak poezi.
Përzgjedhja e poezive nga këto dy studiuese është bërë me kujdes nga shumë përkthyes të ndryshëm, krahas edhe përkthimeve të veta.
Gjithashtu, në vitin 2005, nga shtëpia botuese “Plejad” është botuar libri “Antologji e poezisë italiane e shek. XIX-XX”, përkthyer dhe përgatitur nga origjinali nga Dritan Thomollari. Ky libër brenda 447 faqeve përmban 85 poetë dhe, ndonëse niveli i poezive të prezantuara është i kënaqshëm për autorët e prezantuar, megjithatë, do të ishte më e udhës sikur antologjitë e poezisë të ndaheshin brenda një shekulli, gjë që nuk është kështu në këtë libër.

Prezantimi i poezisë angleze, ruse...

Në vitin 2009, gjithashtu nga shtëpia botuese “Plejad”, është botuar libri “Antologji e poezisë në gjuhën angleze e shekullit XIX”, hartuar dhe përkthyer nga Dritan Thomollari. Ky libër brenda 320 faqeve përmban 35 autorë britanikë dhe 25 poetë amerikanë. Ndonëse hyn ndër librat e realizuar, megjithatë brenda tij do të ishte mirë sikur të prezantoheshin edhe poetë të tjerë nga Britania e Madhe (Skocia, Irlanda, Uellsi), si p.sh Xhojsi, edhe pse është më i njohur si prozator, etj. Gjithashtu, prezantimi i Emilly Dickinsonit në këtë libër nuk është fare adekuat, ngase autori, ndonëse është munduar të bëjë përzgjedhjen e pjesëve të poemës së saj, do të ishte mirë që të prezantonte edhe poezi të tjera me tituj të veçantë.
Në vitin 2003, në Tiranë, nga shtëpia botuese “Albin” është botuar libri me titull “Poezi anglo-saksone e shek XX”, përgatitur dhe përkthyer nga Azem Qazimi dhe Gazmend Krasniqi. Ky libër brenda 226 faqeve paraqet 34 poetë. Ndonëse numri i poezive është i kënaqshëm, niveli i përkthimit lë për të dëshiruar, ngase shumë poezi janë të pakuptueshme, saqë po t’ia heqësh emrin e autorit dhe t’ia ofrosh poezinë, cilësdo redaksi të botimeve, zor se do ta pranonte ndonjëra për ta botuar.
Në vitin 1999, nga botimet Dritëro është botuar libri “Shekulli i argjendtë”, shqipëruar nga rusishtja dhe përgatitur nga Dritëro Agolli. Ky libër brenda 556 faqeve prezanton 20 autorë rusë, ku niveli i prezantimit të secilit autor është i kënaqshëm, qoftë si emër, qoftë edhe si volum. Mirëpo, lind pyetja: a janë vetëm këta 20 autorë të letërsisë ruse që janë përfaqësuesit e vetëm të poezisë ruse të shek XIX? Sigurisht, jo. Ndonëse libër i arrirë, megjithatë vlen të theksohet se krijimet e shumë poetëve në këtë libër, për nga struktura, ngjasojnë me njëri-tjetrin dhe të lënë përshtypjen sikur nuk janë shkruar nga autorë të ndryshëm, por nga një autor i vetëm. Me fjalë të tjera, këto poezi ruse tingëllojnë nga pak Agollqe.
Në vitin 2007, nga shtëpia botuese “Uegen” Tiranë botohet libri me titull “Antologjia e poezisë ruse”, e përgatitur dhe e përkthyer nga Aleko Ballauri. Ky libër brenda 198 faqeve përmban 45 poetë rusë. Në të shumtën e rasteve, prezantimi i tyre bëhet me shumë pak poezi, kurse te disa prej tyre madje as nuk prezantohen fare titujt e poezive. Ndonëse përkthimet duket se janë funksionale, të pretendosh për antologji të poezisë ruse me kaq pak faqe, madje që nga shekulli XVII, është një pretendim që lë shumë për të dëshiruar.

Pretendimet për antologji botërore

Në vitin 2008 në SHBA, nga shtëpia botuese “Equinoxes Publishing House”, është botuar libri “Antologji e poezisë botërore e shek XX”, përzgjedhur dhe përkthyer nga Betim Muqo. Ky libër, i cili është ndër më voluminozët deri tani, brenda 600 faqeve i përmban krijimet e 135 poetëve nga vende të ndryshme të botës. Numri i madh i poetëve ia ka pamundësuar këtij përpiluesi të librit që t’i prezantojë autorët me më shumë krijime të tyre. Këtë e pranon edhe vetë përkthyesi. Ndonëse mund të konsiderohet si libër i suksesshëm, megjithatë, në disa gjëra çalon, ngase përzgjedhja e poezive është bërë kryesisht nëpërmjet internetit dhe jo nga librat e veçantë të autorëve të ndryshëm. Kjo d.m.th. se edhe përkthimet nuk janë bërë nga shumë gjuhë të botës, por kryesisht nga dy-tri sosh.
Në këtë libër, gjithashtu, ka edhe ndonjë poet që nuk është ndonjë emër i shquar në letërsinë botërore, siç është, p.sh., Vill Aleksandër, në krahasim me mungesën e disa emrave të shquar në këtë libër, si Kiplingu, Bukovski, Brehti etj.
Në vitin 2009, nga shtëpia botuese “Uegen”, është botuar libri me titull “Antologjia e poezisë botërore”, e përfaqësuar me 40 poetë, nga të cilët 16 nobelistë. Ky libër është përkthyer dhe është përgatitur nga poeti Faslli Haliti. Në këtë libër, brenda 364 faqeve, autorët që i prezanton janë në nivel të kënaqshëm. Por, normalisht, me 40 poetë, sa mund të quhet antologji e poezisë botërore?
Në vitin 200,5 në edicionin e botimeve të shtëpisë botuese “Toena” në Tiranë, u botua libri poetik me titull “Qielli pikon Yje” (Antologji e poezisë lirike botërore), përkthyer dhe përgatitur nga Muzafer Xhaxhiu. Në këtë libër, brenda 415 faqeve, përpiluesi prezanton krijime nga krijues prej 40 vendeve të botës. Mirëpo, gjatë leximit, lexuesi has në kritere të çuditshme të përpiluesit, ku as përzgjedhja e autorëve nga vende të ndryshme nuk është prezentuese më e denjë e vlerave poetike të atij vendi, pastaj përpiluesi më tepër i kushton rëndësi poezisë së vendeve ballkanike, madje edhe poezive popullore nga vendet e Ballkanit, të cilat, edhe pse mund të kenë vlera të caktuara, assesi nuk i plotësojnë kriteret për t’u futur në antologji të poezisë lirike botërore, siç pretendon përpiluesi. Për të parë se sa joseriozë është pretendimi për këtë të ashtuquajtur antologji e poezisë lirike botërore, i prezantojmë numerikisht disa të dhëna:
Nga Greqia paraqiten dy poetë me nga një poezi, nga Bullgaria 16 poetë me nga një poezi, nga Sllovenia 22 poezi, nga Kroacia 8 poetë, nga Serbia 12 poetë, nga Mali i Zi 6 poetë, nga Maqedonia 8 poetë, nga Bosnja poetë e kështu me radhë. Ndërkaq, nga Gjermania paraqiten tri poezi nga tre poetë, nga Italia 7 poezi nga 6 poetë, nga Franca 10 poezi nga 7 poetë, nga Anglia tri poezi nga tre poetë, nga Spanja tri poezi nga dy poetë, nga Amerika dy poezi nga dy poetë e kështu me radhë, duke e quajtur kështu përpiluesi i librit këtë prezantim “Antologji e poezisë lirike botërore”. Edhe pse në parathënien e tij thotë se “një vend me rëndësi të veçantë zënë poetët nga vendet e Ballkanit dhe poezia e tyre popullore”, si dhe e pranon se ka përzgjedhur poetë më pak të njohur me një kriter të tillë të çuditshëm, si mund të quhet Antologji e poezisë botërore?! Ky libër mund të jetë i një niveli, për shembull, me librin poetik “Nesër takohemi sërish”, botim i shtëpisë botuese “Mësonjëtorja” Tiranë 2005. Madje, për nga kriteret e përzgjedhjes së autorëve, është mbrapa edhe këtij libri. Dhe, megjithatë, libri me poezi botërore “Nesër takohemi sërish” nuk quhet nga përpiluesit e tij si Antologji.
Botimi i librave të tillë, s’do mend, mund të ketë edhe subjektivizëm nga përpiluesit e librave, por, megjithatë, është e nevojshme që secili përpilues të mundohet ta prezantojë sa më denjësisht atë epokë, atë poezi të atij populli, apo edhe të popujve të ndryshëm.
Vërtet, lexuesi duhet t’i kthehet poezisë, por që të bëhet kjo, së pari poezia duhet t’i kthehet lexuesit

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...