BEDRI HALIMI
Në luftën e fundit në Kosovë, gjatë viteve 1988-1999, Serbia, përveç vrasjes së njerëzve të paarmatosur, vrau pleq, gra e fëmijë, nuk i kurseu as njerëzit e kulturës, disa prej të cilëve u likuiduan pa mëshirë, edhe pse ishin duarthatë. Edhe ata që luftuan me pushkë në dorë, por edhe ata që u morën nga shtëpitë e tyre, ku pastaj u likuiduan në kushte enigmatike, deri tani veprimtaria e tyre qoftë në lëmin e muzikës, qoftë në artin e të shkruarit, do përkujdesje. Dhe përkujdesja doemos duhet të jetë institucionale, për të dëshmuar edhe para vetes, edhe para popullit, por edhe para opinionit ndërkombëtar se Kosova di t’i çmojë dhe t’i ruajë vlerat e artit e kulturës, veçmas të atyre që nuk janë më fizikisht në mesin tonë. Janë të gjallët ata që duhet t’u dalin zot të rënëve, e Kosova duhet ta dëshmojë se vërtet ka të gjallë. Këtu më poshtë po i japim disa nga personalitetet e kulturës, për veprimtarinë e të cilëve duhet përkujdesje.
Rahoveci duhet të përkujdeset për ruajtjen e veprimtarisë shkencore të Ukshin Hotit
Gjithashtu, edhe letrat e burgut të Ukshin Hotit, ndonëse të botuara në ndonjë gazetë a revistë të kohës, deri tani nuk janë të botuara si libër i veçantë, që gjithsesi do të ngjallnin interes për lexuesit jo vetëm vendës. Kjo pashmangshëm kërkon edhe nevojën urgjente të botimit të kompletit të veprave të Ukshin Hotit, të cilat deri tani kanë mbetur të shkapërderdhura, siç është “Filozofia politike e çështjes shqiptare”, “Lufta e ftohtë dhe detanti”, si dhe punimet e shumta të tjera të tij. Për këtë çështje, rolin kryesor do të duhej ta luante në radhë të parë Komuna e Rahovecit, tashmë me kryetar të ri dhe energjik, por edhe instancat e tjera deri te Qeveria. Kjo gjë, pa dyshim, do ta sensibilizonte opinionin, jo vetëm vendës, por edhe atë ndërkombëtar, në zbardhjen e fatit të tij të pagjetur. Hezitimi dhe paraqitja e çfarëdo pengese në këtë drejtim, në radhë të parë, është nëpërkëmbje e dinjitetit të Ukshin Hotit. Logjika e kujtdoqoftë, se mos po i bëjmë keq Ukshinit me botimin e kompletit të tij, është vetëmashtrim. Është koha që fatin tragjik të Ukshin Hotit të mos e përjetojë edhe krijimtaria shkencore e tij. Serbia e di krejt çka ka shkruar Ukshin Hoti, prandaj përse kjo punë është zhagitur deri tani? Ukshin Hoti tërë jetën ia kushtoi çështjes kombëtare, duke u shkrirë për shqiptarizëm, prandaj ai u përket tërë shqiptarëve, kudo që gjenden ata. Urojmë që të gjitha këto të bëhen gjatë vitit 2011.
Drenasi duhet të përkujdeset për ruajtjen e krijimtarisë së Ymer Elshanit
Nga komuna e Drenasit është shkrimtari njohur për fëmijë Ymer Elshani, i cili, gjithashtu, u vra në prill të vitit 1999. Kjo komunë ka bërë organizimin e një manifestimi letrar “Sofra poetike”, që e mban emrin e Ymer Elshanit. Por, kanë kaluar 12 vjet dhe emri i tij meriton më shumë se kaq. Meriton që t’i botohet edhe kompleti i veprave të tij. Komuna e Drenasit ka përvojë në manifestime kulturore, që nga Revista e Folklorit Burimor e deri te “Sofra poetike”, prandaj botimi i kompletit të veprës së Ymer Elshanit do të ishte një larje e borxhit ndaj tij dhe, njëkohësisht, një kontribut në letërsinë shqiptare. Ja se çfarë deklaron poeti Xhevahir Spahiu në momentin kur, pas luftës, ka ardhur për herë të parë për ta vizituar Drenicën:
“Kur hymë në Drenicë, mbante erë shkrumbi e erë baruti. Ndalojmë në Drenas. Doja ta shihja vendin ku ishte vrarë poeti i njohur Ymer Elshani me gjithë familje. Në oborrin e shtëpisë së tij na pret një plak mbi të 70-tat, me qeleshe të bardhë në kokë e me një shall malësori. Ishte babai i poetit. Pasi përshëndetemi vëllazërisht, ulemi në tokë. Lotët na pushtuan. Të gjithë qanim. Ai qante pa zë, unë isha gati të vija kujën, por u përmbajta. Aty erdhi edhe i vëllai i Ymerit. -Kur erdhën policët serbë, fill u drejtuan nga ai grumbull me thëngjill,- tregon ai me dorë andej nga cepi i oborrit. Aty gjetën dorëshkrimin e një vepre të Ymerit kushtuar Skënderbeut, të cilin e asgjësuan. Nga dritarja e dhomës së punës së poetit dëshmor shikoja një kumbull. Një frymëzim i çastit ku më lindën disa vargje...Sakaq, kur mora vesh se ende askush nga Prishtina nuk e kishte vizituar këtë familje, nëpër mend më silleshin vërdallë pyetjet:
- A janë botuar të gjitha librat e Ymer Elshanit në Kosovë?
- Po në Tiranë?
- Kush do të kujdeset për to?
Për realizimin e të gjitha këtyre propozimeve për komunat e Rahovecit e Drenasit, përpos angazhimeve dhe organizimit që do të duhej të bënin drejtoritë komunale të kulturës, ato mund të gjenin edhe përkrahjen e donatorëve (firmave të ndryshme dhe individëve të vullnetit të mirë), si dhe përkrahjen për aq sa do të ishte e nevojshme edhe të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Qeverisë së Kosovës.
Shembujt e mirë që duhen ndjekur
Në këtë drejtim, Komuna e Podujevës ka bërë një hap të qëlluar në botimin e tre librave të gazetarit, luftëtarit dhe krijuesit Afrim Maliqi, tashmë dëshmor.
Në foto Afrim Maliqi
Ndërkaq, në Prizren, me ndihmën e bashkëluftëtarëve dhe të familjeve të dëshmorëve Xhevat Berishës e Remzi Ademajt, u janë botuar nga një libër.
Është mirë të veprohet kështu, siç është vepruar me të drejtë edhe me krijimtarinë e prof. Latif Berishës dhe të dr. Fehmi Aganit, duke ua botuar librat e tyre pas luftës.