Scott Fitzgerald hoqi mundime të mëdha për t‘i vënë titullin romanit të tij të tretë. Ndër kandidaturat e shumta, të cilat i zgjidhte dhe i hidhte poshtë pafund së bashku me botuesin e tij, ishin variantet: "Trimalchio", "Banketi i Trimalchios", "Mes pirgut të hirit dhe milionerëve", "Gatsby" e shumë variante të tjerë. Në fakt, ishte botuesi ai që i eliminoi një nga një të gjithë titujt e tjerë, për të përfunduar tek ai me të cilin vepra e famshme e Fitzgeraldit njihet sot, pra "Gatzbi i Madh".
Po përse Gatsby? Sepse, sipas botuesit, është një emër që evokon dhunë. Për ata që e kanë lexuar veprën, emri i heroit kryesor, por jo ai reali, është Jay Gatsby, ndërsa emri i vërtetë, James Gatz. Domethënia e emrave Gatsby dhe Gatz qëndron në rrënjën "gat", që ngjan me fjalën angleze "gun", armë, me të cilën personazhi kryesor i jep fund jetës.
Edhe pse libri nis me optimizëm, ai përfundon në mënyrë të dhimbshme. Gatzbi, pavarësisht jetës që bënte në fillim, është një individ pa rrënjë, pa miq, pa dashuri dhe në fund edhe pa jetë. Në funeralin e tij morën pjesë vetëm tri persona dhe ky ishte trishtimi i fundit, ndaj gjetja e titullit "Gatzbi i madh" është një ironi sarkastike. Përveç referimit me personazhin kryesor, autori ia vuri emrin romanit të tij duke synuar që ai të ishte "Një roman i madh amerikan".
Sipas biografëve të tij, Fitzgerald në mënyrë të ndërgjegjshme po përpiqej që në gjurmët e Melville dhe James të ndërtonte një epokë të re të letërsisë amerikane. Për Fitzgerald, "Gatzbi i madh" është vepra e tij më e mirë dhe me këtë mendim bashkohet edhe pjesa më e madhe e lexuesve.
Titulli mund të konsiderohet si tentativë e autorit për të përshkruar dhe dhënë ndjenjat e shoqërisë amerikane të epokës. Në libër ëndrrat për madhështi, pasuri dhe sukses, që formuan mitin e kombit amerikan, u shtypën brutalisht.
LEXONI :
http://en.wikipedia.org/wiki/The_Great_Gatsby
http://ebooks.adelaide.edu.au/f/fitzgerald/f_scott/gatsby/