Nga Elida Buçpapaj
Zgjedhja e presidentit të Kosovës dhe qeverisë „Thaçi dy“ ka qenë nga më të përgojuarat në historinë e re të Kosovës. Shpallja e kandidaturës nga ana e zotit Pacolli për president të Kosovës shërbeu për një fushatë sulmesh kundër tij, nga të gjitha anët, nga partitë e opozitës dhe nga brenda partisë së zotit Thaçi. U përdor deri Facebook-u për të vendosur foto, video e kopertina gazetash e revistash me intervista nëpër kohë dhe deklarime kontraverse të zotit Pacolli, të cilat pastaj ai do t’i mohonte të gjitha në një nga gazetat e Prishtinës.
Gazeta prestigjoze amerikane NYT do ta jepte lajmin e zgjedhjes së zotit Pacolli vetëm me disa rreshta, duke cituar agjencinë Reuters me një titull shumë provokativ „Kosova: Lideri i saj kishte lidhje me Rusinë“, ku më poshtë do të shkruante: „ Parlamenti i Kosovës e zgjodhi Behgjet Pacollin, një biznesmen me një histori lidhjesh me Moskën, të martën president, i cili do të ndajë pushtetin me Kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi pas zgjedhjeve të dhjetorit që shkoi“, vazhdon dhe citon Reuters-in NYT, ku më poshtë shton se „partitë e opozitës ia përmendën këto lidhje zotit Pacolli i cili nuk gëzon popullaritet midis dy milionë shqiptarëve të Kosovës, për shkak të lidhjeve të tij me Moskën, që ka kundërshuar pavarësinë e Kosovës nga Serbia, meqë është aleat i saj“, përfundon NYT së cituari agjencinë e lajmeve Reuters.
Edhe mediat zvicerane janë marrë me zotin Pacolli pasi ai është me shtetësi të dyfishtë. Zoti Pacolli nisi ta ndërtonte perandorinë e tij të biznesit nga Zvicra, ku është vendosur prej vitit 1976, kur më 1990 themeloi Mabetex dhe filloi të bënte pasuri në Lindje, duke restauruar Parlamentin e Rusisë, Kremlinin e me radhë. Muret e zyrave të Mabetex në në fund të viteve `90 ishin të mbushura me fotografitë e Jelcinit.
Menjëherë pas luftës hyn në Kosovë si investitor dhe angazhohet për herë të parë në politikë në vitin 2007, kur partia e themeluar prej tij AKR fiton 14 % të votave.
Në mandatin e tij si deputet i Kosovës është dalluar gjithashtu për lobimin që ka bërë për njohjen e pavarësisë të Kosovës nga shtete të ndryshme të botës. Është i angazhuar gjithashtu edhe në aktivitete humanitare. Ndërkohë prej një kohe të konsiderueshme është i orientuar nga Washington D.C., lobon atje, ka krijuar lidhje dhe tani nëpër deklarata i përmend gati gjithnjë SHBA.
Kur zgjedhja e tij për president ishte bërë si temë e ditës, i famshmi ish-ambasadori amerikan William Walker e ngriti lart Pacollin në një shkrim që e botua në disa gazeta në Prishtinë.
Në zgjedhjet e 2010, Behgjet Pacolli krijoi aleacncë me disa parti të vogla, por me emra të njohur si Agim Çeku dhe në partinë e tij dallohet sidomos Mimoza Kusari, një figurë karizmatike, e cila kishte kushtëzuar bashkëqeverisjen me PDK-në, me mospraninë e Fatmir Limajt në qeveri, i cili si deputet i PDK-së deklaroi se e kishte hedhur votën e tij kundër Pacollit.
Zgjedhja e Pacollit si president i Kosovës, pas tri raundesh, erdhi për shkak të aleancës midis PDK-së dhe AKR-së, kur asnjëra nga partitë e opozitës nuk pranoi të bëhej aleate qeverisëse me PDK-në, kështu PDK-ja kishte vetëm një alternativë: ose Pacolli president ose zgjedhjet e reja, dhe një gjë ishte e qartë se nëse futej në zgjedhje të reja e kishte të garantuar humbjen.
Që nga ora e zgjedhjes, Behgjet Pacolli ka marrë urime nga presidenti dhe kryeministri i Shqipërisë, Bamir Topi dhe Sali Berisha, si dhe nga ish-presidenti i Kroacisë Stipe Mesiç, ndërkohë Ambasadori Amerikan Dell ka dalë me një deklaratë të qeverisë Amerikane që i mbështet institucionet e Kosovës.
Zoti Pacolli në fjalimin e djeshëm ishte i mbushur me respekt me emrat që kanë bërë historinë e Kosovës duke premtuar se aspirata e tij është „për një Kosovë të hapur, e cila do të garantojë lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve, për një Kosovë të integruar plotësisht në shtëpinë e madhe evropiane, në NATO dhe në organizatat e tjera botërore.“
Më 1998-1999 në kohën e krizës në Kosovës lidhet me këngëtaren italiane me origjinë shqiptare Anna Oxa me të cilën vë kurorë dhe bashkë me të mbështesin luftën çlirimtare në Kosovë, ndërsa prej disa vitesh është i martuar me një ruse nga Shën Pjetërsburgu, me të cilën ka dy fëmijë. Zonja Pacolli prej dje është zonja e parë e Kosovës. Për të shkruante edhe gazeta zvicerane Neue Zürcher Zeitung, për faktin e njohur se Rusia është aleate e Serbisë dhe kundër pavarësisë së Kosovës. Dhe kjo është një nga pikat më të dobëta të Pacollit, i cili disa ditë më parë lajmëroi në Facebook lindjen e fëmijës së dytë me rusen.
Në botë kjo lidhje nuk do t’i hynte kujt në punë, por në Kosovë ky fakt shërben që kundërshtarët e Pacollit të bëjnë fushatë alla grande.
Behgjet Pacolli në fjalën e tij inaguruese si president i Kosovës i ngriti hymne punës, përmes të cilës ai ka ngritur perandorinë e tij dhe me të cilën ai krenohet shpesh. Në fund të fundit Kosovës i duhet punë, pasi më tepër se 60 % e popullsisë janë të papunë.
Pacolli nuk ka probleme me drejtësinë por ka problemin e imazhit të tij kontravers, të dëmtuar gjatë karrierës si biznesmen, por edhe gjatë këtyre javëve, kur u kthye në personazh dhe kandidat për president të Kosovës.
Pacolli sot e filloi mbarë nga Rugova. Në fakt ai ka mbajtur raporte shumë korrekte me Familjet e Mëdha të Kosovës, por prej dje do të duhet të ketë kujdes për çdo fjalë dhe veprim të tji se do të jetë nën lupën zmadhuese. Me veprimet e tij ai do ta fitojë edhe zemrën e popullit të Kosovës e cila për momentin është plot dyshime
Pacolli që është mësuar të ndërtojë dhe të meremetojë nëpër botë, natyrisht që ka mundësi që të ndërtojë edhe në përmirësimin e imazhit të tij, i cili i bashkangjitet imazhit të dëmtuar të Kosovës nga akuzat e Dikc Marty-it.