Ndonëse ka mbi shpatulla mbi 40 vjet karrierë profesionale në fushën e gjuhësisë, madje duke dhënë mësim si rrallë kush nga kolegët e tij në tre kontinente, ai vazhdon të punojë përsëri po me të njëjtin përkushtim si dikur në rininë e tij. Por tashmë në dhe të huaj. Malli për vendlindjen e detyron herë pas here profesorin e famshëm, Agron Fico, të shkëputet nga Amerika e largët dhe të kthehet në Shqipëri, për t\u takuar dhe çmallur me miqtë e kolegët e tij të dikurshëm. Njëri prej tyre është edhe studiuesi e i historiani i njohur, Mësuesi i Popullit, Sherif Delvina, të cilit prof. Fico, në vizitën e fundit që bëri para pak ditësh në Tiranë, i dha disa nga kujtimet e tij për t\i botuar ekskluzivisht në gazetën "Shqip". Nga kujtimet e prof. Ficos, ne përzgjodhëm ato që kanë të bëjnë me jetën e punën e tij në Kinë, një pjesë nga të cilat po i botojmë në këtë shkrim.
Prof. Fico: Manush Myftiu më dërgoi në Kinë
Puna si pedagog i ri dhe bashkëpunëtor shkencor në sektorin e folklorit, po sidomos qenia si Sekretar Shkencor i Fakultetit dhe Institutit të Gjuhë-Letërsisë, e kishte bërë të dukshme punën time. Madje, në një rast, prof. Eqrem Çabej kishte thënë: "Agroni është i ri, por e ka stofin e shkencëtarit". Ishte mesi i shtatorit të vitit 1961, kur më lajmëruan të paraqitesha në Ministrinë e Arsimit. Diçka kisha marrë vesh, por asgjë nuk ishte e sigurt deri në njoftimin zyrtar. Ministër i Arsimit ishte Manush Myftiu, anëtar i Byrosë Politike të KQ të PPSH-së, i cili sapo ishte kthyer nga një vizitë zyrtare nga Kina. Më komunikoi detyrën e re dhe theksoi nderin e madh që po më bëhej si përfaqësues i arsimit tonë të lartë dhe i kulturës shqiptare. Më pas u ndal te disa detyra dhe udhëzime që lidheshin edhe me situatën politike të tensionuar në trekëndëshin: Kinë-Bashkimi Sovjetik-Shqipëri. Aty nga fundi i takimit, më porositi se duhet të vishesha mirë, madje të blija dhe një kapele republike. Kur pa ngurrimin tim, si e kishte zakon me atë tikun nervor në syrin e djathtë, u ngrit në këmbë dhe më paralajmëroi se nuk shkoja si individ, por si përfaqësues i Universitetit të Tiranës. Në fund ai u lidh në telefon me ministrin e Jashtëm, Behar Shtylla, dhe pasi mbaroi me të, m\u drejtua duke më thënë: "Sovjetikët nuk japin vizë të shkoni përmes Moskës, prandaj do të shkoni me një rrugë tjetër më të gjatë dhe më të bukur, me anë të detit, me vaporin "Vlora" që niset së shpejti. Pas një udhëtimi shumëditor në dete dhe oqeane arritëm në Kinë. Vapori u ndal në Portin e Cangjanit. Nga jashtë dëgjohej një zë: "Olgon Fiço". Ishte shqiptimi i emrit tim nga kinezi, që kishte dalë të na priste. Marinarët shqiptarë si në kor thërritën: "Profesor dil se kanë ardhur të të marrin". U largova me plot dashuri nga bashkudhëtarët e mi të këtij udhëtimi fantastik dhe plot emocione. Në bregdet më priste përfaqësuesi kinez, i cili më tha në rusisht një shprehje të ngurtësuar diplomatike: "Jam shoku Fe dhe kam ardhur t\ju marr në dorëzim. Mirëserdhët në Republikën Popullore të Kinës".
Me tren drejt Pekinit
Pas ditës së tretë të qëndrimit në Cangjan u nisëm me tren për në Pekin. Ishim vendosur në një vagon luksoz dhe bashkë me ne ishte dhe shoqëruesi. Treni ecte drejt veriut dhe gjarpëronte në mes fushash pa fund të mbjella me oriz dhe zarzavate. Ditën e dytë të udhëtimit duhej të ndaleshim në një qytet të vogël që të ndërronim trenin. Aty ndodhi një ngjarje interesante. Sa ndaloi treni dhe dolëm te dera e vagonit, drejt nesh u afrua një turmë njerëzish, që mbanin në duar portrete të udhëheqësve shqiptarë dhe kinezë. Kishte ndodhur një keqkuptim, që më kujtonte atë të revizorit te vepra me të njëjtin emër e shkrimtarit të njohur rus, Gogolit. Me takt u përpoqa të shpjegohesha se unë isha një specialist i gjuhës shqipe dhe po shkoja në Pekin që t\ua jepja mësim këtë gjuhë studentëve kinezë. Na shpunë në një pikë turistike shumë luksoze, ku hëngrëm një mëngjes të pasur dhe plot salltanete protokollare. Por kjo zgjati për ato 4-5 orë që qëndruam aty, pasi në orën dhjetë të mëngjesit hipëm në një tren tjetër dhe vazhduam rrugën drejt Pekinit. Në stacionin e trenave të Pekinit na priti dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Vendeve të Demokracive Popullore, shoqja Cin Pin dhe pedagogu i rusishtes, Ci Si Gua. Pas përshëndetjeve dhe urimeve të mirëseardhjes dhe buqetave të shumta me lule shumëngjyrëshe, "Zim"-i ynë i ra përmes qytetit të Pekinit. Pasi la prapa disa blloqe me ndërtesa të reja, makina u drejtua për në sheshin kryesor, Tien An Men, prej 440 mijë km katrorë (880 metra i gjatë dhe 500 i gjerë), i cili nxë një milion njerëz. Aty bie në sy tribuna qendrore e festimeve kombëtare. Në jug, përballë tribunës është Monumenti i Heronjve, më i madhi deri më sot në Kinë. Në perëndim është Pallati i Popullit, ose Pallati i Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës, organi më i lartë i pushtetit në vend. Pak më poshtë, po në atë vend, është ndërtesa e re e Radiotelevizionit Shtetëror Kinez dhe në të djathtë Pallati i Kombësive. Pekini, atëherë, kishte 4-5 milionë banorë dhe ishte jo vetëm qendra politike dhe shoqërore e Kinës, por edhe një qendër e madhe shkencore, kulturore, arsimore dhe arkeologjike. Aty ndodheshin Pallati i Dimrit dhe Pallati i Verës, vepra të mrekullueshme arkitekturore, ku kishin banuar perandorët kinezë. Rreth 100 milje nga qendra e qytetit gjendej Muzeu i Sinatropit, njeriut të parë kinez, i mbiquajtur "Njeriu i Pekinit". Në periferi kalonte si gjarpër vigan Muri i Madh, simbol i kombit kinez, i gjatë 6 mijë km, i cili shihet edhe nga Hëna. Të njohura ishin edhe varret e perandorëve kinezë të shekujve XVII para Krishtit.
Prof. Dr. Agron Fico dhe veterani i komunitetit, aktivisti i dalluar Ahmet Zherka
Katedra e gjuhës shqipe në Pekin
Universiteti i Gjuhëve të Huaja te Pekinit nuk ndodhet larg nga kompleksi i ndërtesave "Miqësia". Në të kishte disa fakultete për gjuhët kryesore si, anglisht, spanjisht, rusisht, indisht dhe katedra ose njësi mësimore për gjuhë të ndryshme. Aty mësoheshin rreth 74 gjuhë të huaja të popujve dhe kombësive të botës. Studentët përgatiteshin kryesisht si punonjës të ardhshëm të Ministrisë së Jashtme të Kinës, për dikasteret ekonomike, për Radiotelevizionin Kombëtar të Kinës, por edhe për shërbime ushtarake spiunazhi dhe kundërspiunazhi. Katedra e gjuhës shqipe u hap në gjirin e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Vendeve të Demokracive Popullore. Aty kishte specialistë të gjuhës çeke, polake, rumune, bullgare dhe hungareze. Pas dy tre javësh pushim, më 1 prill 1962 filloi mësimi i gjuhës shqipe në këtë universitet. Në orën e parë u bë një ceremoni e thjeshtë. Dekania Cin Pin foli shkurt për rëndësinë e hapjes së kësaj katedre dhe për miqësinë midis dy popujve tanë dhe u bëri thirrje studentëve që të mësonin mirë. Pas saj e mora fjalën unë dhe thashë se hapja e kësaj katedre do të shënohej si një ngjarje e veçantë në historikun e gjuhës shqipe, pasi sot filloni ta mësoni dhe ju gjuhën e bukur e të lashtë shqipe, që gjatë shekujve shqiptarët e kanë ruajtur si thesarin e tyre më të vyer. Emocione të fuqishme më pushtuan, pasi nuk e kisha menduar kurrë se do të vinte kjo ditë, që unë të ndodhesha para 30 studentëve dhe tre asistentëve të mi kinezë, këtu në Pekin, në Kinën e largët, që t\u mësoja gjuhën time, gjuhën tonë shqipe.
Darka me Cu En Lain
Vizita e Kryeministrit kinez, Cu En Lai, në Shqipëri në vitin 1964, e cila shërbeu për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, vinte pas një turneu që ai kishte bërë në disa vende të Afrikës. Pas kthimit në Pekin, në prag të Vitit të Ri kinez, Cu En Lai ftoi ambasadorin Nesti Nase, këshilltarin tregtar Kiço Kaspai dhe mua në një darkë që shtroi në kompleksin e Shtëpive të Pritjes së Mysafirëve të Lartë. Cu En Lai ishte Kryeministër që nga shpallja e Republikës Popullore të Kinës më 1 tetor 1949 dhe i përkiste udhëheqësve të shquar të Kinës në ato vite. Ai kishte studiuar në Francë dhe për stilin e tij tepër të shkathët të drejtimit gëzonte nderim edhe në Perëndim, sidomos për tendencën përparimtare në marrëdhëniet sa më normale me Evropën dhe rajonet e tjera të botës. Atë darkë qëndruam gati 6 orë me Kryeministrin kinez dhe patëm mundësi të bisedojmë lirisht me të. Cu En lai u interesua dhe më pyeti për studentët kinezë që mësonin gjuhën shqipe. Ai shprehu mendimin se unë duhet të vizitoja sa më shumë qytete dhe institucione arsimore e kulturore brenda dhe jashtë Pekinit. Me porosinë e tij, fill mbas diplomimit të 30 studentëve të parë kinezë nga katedra e gjuhës shqipe, u hap redaksia e gjuhës shqipe në Radion e Jashtme të Kinës, që vazhdon të transmetojë edhe sot. Duket se vizita e parë në Shqipëri i kishte lënë mjaft mbresa nga pritja e ngrohtë, natyra e hapur e shqiptarëve dhe guximi për përballimin e vështirësive të ndryshme. Midis të tjerash, ai u shpreh se i vinte keq, pasi nuk kishte mundur dot që të merrte me vetë në Shqipëri edhe bashkëshorten e tij. Gjatë mbrëmjes u shfaqën edhe disa filma të shkurtër me pamje nga vendet turistike të Kinës, fragmente operash tradicionale dhe ndonjë koncert me muzikë klasike. E kam ruajtur të gjallë në shiritin e kujtesës atë ngjarje, darkën me Cu En Lain. Vitet e Revolucionit Kulturor nuk e tronditën dot figurën e tij të nderuar, por kanceri i mëlçisë i shkurtoi jetën dhe, sipas testamentit, hiri i trupit të tij u shpërnda me aeroplan nëpër fushat e gjelbra të Kinës.
Mbi 40 vjet karrierë profesionale dhe vazhdon të punojë në Nju- Jork
Kush është profesor Agron F. Fico?
Agron F. Fico u lind në qytetin e Gjirokastrës, ku kaloi fëmijërinë e tij dhe vitet e para të rinisë. Shkollën e mesme ai e mbaroi në vendlindjen e tij dhe studimet e larta i kreu në Tiranë. Pas diplomimit ai ka punuar për vite të tëra si punonjës shkencor pranë Institutit të Gjuhësisë dhe Historisë, si dhe në Institutin e Folklorit në Tiranë. Në vitin 1961 ai u dërgua në Republikën Popullore të Kinës, ku në kryeqytetin e saj, Pekin, ai hapi katedrën e gjuhës shqipe, ku punoi disa vjet si profesor. Më pas, prof. Fico ka dhënë lëndën e folklorit në Fakultetin e Filologjisë dhe Akademinë e Arteve në Tiranë, si dhe gjuhën angleze në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike "Vojo Kushi". Ai është autor i teksteve të folklorit për shkollat e mesme dhe të larta. Po kështu, ai ka botuar në revistat më të njohura shqiptare me dhjetëra studime shkencore dhe artikuj, si dhe ka marrë pjesë me kumtesa në mjaft konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit si në: Athinë, Bukuresht, SHBA etj. Në vitin 2000, ai mori pjesë në Kongresin Botëror të zhvilluar në Finlandë. Gjatë më shumë se 40 vjetëve të karrierës së tij profesionale, prof. Fico është marrë dhe me hartimin e përpunimin e metodave të mësimdhënies së gjuhës shqipe për të huajt. Në vitin 1972, prof. Agron F. Fico është laureuar me Çmimin e Republikës dhe është pranuar anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Në vitet 1996-200, ai realizoi me sukses një program për pranimin e dhjetëra të rinjve shqiptarë në kolegjet dhe universitetet amerikane, si dhe hapi katedrën e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Miçigan. Në vitin 2000 ai u radhit midis profesorëve më të shquar në kolegjet dhe universitetet amerikane dhe u përfshi në botimin "Who\s Who Among America\s Teachers", 2000. Profesor Fico është anëtar i Akademisë së Shkencave Shqiptaro-Amerikane. Këto vitet e fundit ai jeton në Nju-Jork, ku vazhdon të punojë për projektet që ka në fushën e botimeve.
Profesor Dr.Agron Fico është specialisti i parë shqiptar, që ka punuar për 4 vjet me radhë aty në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit.
Në pranverë të vitit 1962, profesori erdhi në Pekin dhe mori pjesë në themelimin e katedrës së gjuhës shqipe. Ai punoi me pasion dhe krijimtari për mbarëvajtjen e katedrës dhe për përvetësimin e gjuhës shqipe nga studentët kinezë deri në diplomimin e tyre.
Profesor Dr. Agron Fico i është përkushtuar edukimit të brezit të ri, gjuhës shqipe dhe kulturës popullore. Ai ka një gamë të pasur botimesh si studiues i folklorit i gjuhës shqipe dhe ka marrë pjesë me kumtesa në mjaft konferenca kombëtare ndërkombëtare, si në Greqi, Rumani, SHBA dhe në vitin 2000 në Kongresin Botëror të Finlandës.
Në vitin 1972 ai u laureua me Çmimin e Republikës dhe është pranuar anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Tani prof. Agron Fico është anëtar i Akademisë së Shkencave Shqiptaro-Amerikane. Ai ushqen një dashuri jashtëzakonisht të madhe për popullin kinez, për studentët e tij të dashur dhe për kulturën e lashtë kineze.
Në librin e tij prof. Fico kujton vitet e bukura të rinisë që ka kaluar bashkë me studentët kinezë, e vlerëson lart vullnetin e përpjekjet e tyre për të mësuar gjuhën shqipe. Ai shkruan: "Kam shumë dashuri për ju të gjithë, për punën fisnike që bëni.
Është e vërtetë se unë jam lidhur ngushtë, thellë e për gjithmonë me studentët kinezë, kam patur fatin të mësoj shumë studentë nga shumë vende të botës, por studentët e dashur kinezë janë dalluar e dallohen, në radhë të parë, për vullnetin, për punën e tyre. Në ato vite kur unë erdha aty, gjeta te studentët kinezë një dashuri, një zjarr të madh për të mësuar këtë gjuhë të bekuar, gjuhën shqipe. Dua të them se ne vendosëm një bashkëpunim shumë të madh, sekreti i këtij bashkëpunimi qendron në faktin se përpara se të isha profesor i studentëve kineze, unë u bëra student, unë mësova shumë, shumë nga studentët, nga mençuria e tyre. Kur u ktheva në Shqipëri, botova një libër me titull "Visare popullore kineze."
Profesor Agron Fico është një dëgjues entuziast yni dhe ua ka rekomanduar edhe miqve të tij emisionin dhe faqen tonë elektronike në gjuhën shqipe.
Beteja e Kosovës 1389, në një vështrim të ri
EPOSI SHQIPTAR PËR BETEJËN E KOSOVËS 1389 - NË NJË VËSHTRIM TË RI
(Anna Di Lellio: "Beteja e Kosovës 1389 - Eposi shqiptar")
Libri i Dr. Anna Di Lellio-s "Beteja e Kosovës 1389 - Eposi shqiptar" shënon një arritje në studimet shqiptare dhe shquhet për analizën shumë-planesh. Aty gërshetohen të dhënat historike, sociologjike, kulturore dhe mbi të gjitha ato folklorike.
Akademik Eqrem Çabej jep kriteret e studimit të poezisë popullore
Do të veçoja si një nga kontributet e studimit të autores vështrimin tërësor e dyplanesh. Akademiku dhe albanologu i shquar Eqrem Çabej thotë: "Në studimin e poezisë popullore duhet të kemi parasysh dy aspekte: anën nacionale dhe anën ballkanike; e para, na vë në gjendje të vërejmë, nëpërmjet poezisë, shpirtin e këtyre kombeve, e dyta na bën të njohim ndërlidhjet kulturore. E para është një metodë sinkronike, e dyta diakronike. (Eqrem Çabej: "Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes", 1994, f. 32)
Studiuesja ka sjellë fakte të shumta se si janë ngjizur dhe si kanë jetuar baladat për Millosh Kopiliqin. Arkivat, autorët, historianët e ndryshëm, tregimtarët, lahutarët, dhe vetë vëzhgimet e autores në terren janë labortatori i punës së saj shkencore. Kjo është edhe arsyeja që libri i Dr. Anna Di Lellio-s lexohet me interes dhe ngjall diskutime.
Beteja e Kosovës më 1389 nyje-kyç për historinë e popullit shqiptar
Beteja e Kosovës më 1389 ka qenë përherë një nyje kyç për historinë e popullit shqiptar, por edhe për gjithë historinë e ngatëruar të popujve të Ballkanit.
Historia dhe ngjarjet faktike, kronikat e shumta dhe studimet e ndryshme e me kahje të kundërta, mitologjia e krijuar, legjendat, tradita gojore folklorike dhe politizimi i kësaj beteje edhe në ditët tona, e bëjnë studimin e kësaj ngjarjeje madhore tepër të ndërlikuar.
Studiuesja Anna Di Lellio ka marrë përsipër të shqyrtojë me seriozitet, me ndërtimin e një laboratori shkencor-kërkues objektiv, një nga dukuritë më të qenësishme të kësaj beteje - eposin shqiptar si dhe aktorin kryesor të betejës, Millosh Kopiliqin.
Studimi i Dr. Anna Di Lellio-s është tronditës për vlerat shkencore, për metodën objektive të ballafaqimit të pikëpamjeve dhe mendimeve të kundërta e disa herë tepër të skajshme, si dhe për përfundimet e reja që arrin. Studimi shoqërohet me një informacion të gjerë, me një bibliografi gati shteruese dhe dukuritë që shqyrton autorja i ndjek të në të gjitha fazat e shpalosjes.
Ekspedita ushtarake osmane që udhëhiqej nga vetë Sultan Murati synonte të shkatërronte qëndresën e popujve të Ballkanit, t'i nënshtronte dhe t'i vinte nën zgjedhën islamike.
Ndeshja midis koalicionit të popujve të Ballkanit dhe ushtrisë osmane u bë në Fushë Kosovë, më 1389. Kjo ndeshje, thënë fare shkurt, solli mundjen e forcave ballkanike, vrasjen e Sultan Muratit I, Llazari i Serbisë zihet rob e më pas ekzekutohet, Teodor Muzaku i II vritet në betejë.
Autorja, duke ndjekur planin e studimit, përqëndrohet fillimisht në shqyrtimin e literaturës që bën fjalë për faktorin shqiptar, për pjesëmarrjen e shqiptarëve në këtë betejë. Sjell pothuaj gjithë literaturën e njohur gjer sot. Burimet serbe, botimet dhe shkrimet serbe, ndjekin vijën antishqiptare, që fillon me zvogëlimin e pjesëmarrjes së forcave shqiptare, me mohimin e këtyre forcave, me deformimin dhe shtrembërimin e fakteve dhe personazheve. Autorja shkruan: "Reduktimi i Betejës në një përballje mes serbëve dhe turqve ka marrë forcën e idesë bazë nacionaliste, ndaj së cilës asnjë studiues nuk mban distancë kritike." (f. 30)
Ndërsa burimet joserbe, ato otomane, italiane, greke, shqiptare, etj. provojnë faktin se shqiptarët ishin pjesëtarë të koalicionit të krishterë ballkanik.
Historiani i njohur shqiptar Fan S. Noli shkruan: "Më 1389, Gjergji i II Balsha, Teodori II Muzhaqi, Gjergji Kastrioti, një stërgjysh i Skënderbeut, edhe disa kapedanë shqiptarë të tjerë u bashkuan me Kralin Llazar të Serbisë, i cili kishte organizuar një kryqëzatë kundër Sulltan Muradit I... Ushtria kryqësore... u përpoq me ushtrinë turke në Fushën e Kosovës". ( Fan S. Noli: "Historia e Skënderbeut", Tiranë, 1967, f.10) Një tjetër historian shqiptar, Prof. Selami Pulaha thotë: "Në Kosovë, shqiptarët luftuan kundër 'Islamit të prapambetur' dhe zunë një vend nderi në historinë e popujve të Ballkanit në betejën për të mbrojtur jo vetëm lirinë dhe pavarësinë, por edhe civilizimin europian." (Anna Di Lellio: Beteja e Kosovës 1389 - Eposi shqiptar, 2009, f.33)
Kompozicioni i studimit të autores të kujton formën e piramidave historike, kat pas kati gjer në pullaz.
Shqiptarët janë simbolizuar, tipizuar dhe mishëruar në figurën e Millosh Kopiliqit
Pjesa e dytë e studimit përqëndrohet te protagonisti i Eposit të Betejës së Kosovës më 1389, tek shqiptarët, të simbolizuar, të tipizuar, të mishëruar në figurën e Millosh Kopiliqit.
Kjo është edhe pjesa më e vështirë, më e diskutueshme, është siç mund të thuhej me një metaforë "thembra e Akilit" të këtij punimi serioz.
Autorja pajtohet me mendimin se, "Asnjë nga burimet e hershme nuk e përmend emrin apo përkatësinë etnike të vrasësit dhe japin përshkrime plotësisht ndryshe për vdekjen e Sulltanit." (Po aty, f.34)
Nga burimet bashkëkohore që përmendin vdekjen e Sulltanit - thotë Di Lellio - i pari është një shtesë e shkurtër në poezinë epike të vitit 1390, "Iskendername", shkruar nga Ahmedi, pseudonimi i një shkrimtari turk. Shkrimtari Ashik Pasha - Zade (më 1480) dhe shkrimtari serb Kostantin Mihailoviq nga Ostrovica (më 1497) përmendin emrin e vrasësit të Sulltanit. Pavarësisht nga forma si shkruhet emri, ky është Millosh Kobila.
Po ashtu burimet greke, italiane, etj. e përmendin protagonistin - vrasësin e Sulltanit - me emra të ndryshëm.
Një pyetje interesante do të ishte: Pse, nga tërë këto portrete të ndryshëm, gjithandej ka dalë qysh nga shekulli XVII vetëm si hero serb?
Bazuar në burimet e pasigurta historike dhe në traditën epike të Ballkanit Perëndimor është krijuar edhe rrëfimi nacional serb. "Bërja e këtij rrëfimi kombëtar, nuk është proces linear. Ka filluar me traditën gojore mbi Betejën, që është institucionalizuar në veçanti që në shekullin e XVI në forma liturgjike dhe politike të Kishës Ortodokse Serbe." (Po aty, f.38) Madje shkrimtarët ortodoksë në letërsinë mesjetare serbe ishin përqëndruar në fillim tek princi Llazar, kurse Obiliqin e shpërfillnin plotësisht.
Millosh Obiliç-i përbën një element shtesë relativisht të ri në mitin serb të Kosovës. Siç u vu në dukje më sipër, figura e Obiliqit, e shpërfillur nga letërsia mesjetare serbe, përmendet vetëm në dy pjesë të botuara nga Vuk Karaxhiq, poet dhe folklorist i shekullit të XIX.
Tradita folklorike dhe të dhënat gojore pasqyrojnë ndërgjegjen historike të banorëve
Në Kosovë Millosh Kopiliqi tradicionalisht ka qenë vetëm hero folklori, një figurë e njohur vendore. Emri dhe bëmat i janë përcjellë e i përcillen brez pas brezi dhe janë skalitur edhe në toponime të shumta dhe të ndryshme. Ende dëgjohen toponimitë si: kullat e Milloshit, bunari i Milloshit, livadhi i Milloshit, etj. "Në fshatin Kopiliq i Epërm, sipas historianit vendas Ibrahim Çitaku, që më tregoi një pus (pusi i Milloshit), gurë të vegjël të bardhë të shpërndarë nëpër fushë (kisha e Milloshit) dhe më të mëdhenj me shenja të shlyera, që mbase të kujtonin kryqin, të vendosur në një kodër (gurë varresh krishtere)... dëshmi e së kaluarës krishtere të vendasve." (Po aty, f.42)
Tradita folklorike dhe të dhënat gojore pasqyrojnë ndërgjegjen historike të banorëve. Ja disa prej tyre: "Jam nga Kopiliqi, ku ka lindur burri që vrau sulltanin." Të moshuarit thonë: "Millosh Kopiliqi është prej këtu (Drenicë) dhe ndonëse Llazari ishte serb, Kopiliqi ishte i yni."
Me një gjuhë bisedore, ja si lahutari shqiptar këndon për guximin trimëror të protogonistit, vrasësit të Sulltanit:
"Zgjatet mbreti e i jep kambën,
Ngrihet djali e i ban gjamën.
-Mik pa thirrë ka ardhë, aj,
Prej Azie n'Dardani,
Me na marrë magjet e miellit,
Me na zanë hisen e diellit.
Kjo Arbni ka bijtë e vet,
Të ven kryet maje kapicet,
Jam Miroshi prej Drenicet!" (Po aty, f.147)
Të dhënat gojore sjellin edhe fakte të tjera interesante. Justin Godart, politikan i njohur francez, mik i Shqipërisë, ka ardhur disa herë në Shqipëri në vitet 1921, 1922, 1923, 1937 dhe 1957. Herën e parë shkoi edhe në Qukës (Librazhd). Në ditar kujton se, "Selahedin Blloshmi, një oficer shqiptar, i cili na shoqëron, ngul këmbë që t'i bëj një nder duke vajtur për darkë në shtëpinë stërgjyshore të familjes, në Bërzheshtë. Selahedini, që mban emrin e një stërgjyshi, më tha se në shekullin e XIV, në Sopot, që është një lagje e Bërzeshtës, ka lindur Millosh Obiliçi. U largua nga vendi... vajti në Serbi... Dhe vrau me thikë sultan Muratin në Betejën e Fushë Kosovës." (Justin Godart: "Ditarët shqiptarë, mars 1921- dhjetor 1951", 2008, f.78)
Toponomastika shqiptare vërteton autoktoninë e popullit shqiptar
Antropologia Margaret Hasluck ka vërejtur se tradita e marrjes së emrave të fshatit si mbiemra ishte dhe vazhdon të jetë shprehi mes shqiptarëve. Hasluck ka parasysh se prejardhja e Milloshit nga Kopiliqi i Drenicës është dëshmuar me toponimi.
Çabej thotë: "Prej shumë vitesh kam formuar bindjen se toponomastika shqiptare përbën mbase dokumentin më kryesor që vërteton autoktoninë e popullit shqiptar... faktin që shqiptarët janë vendas në këto anë që nga kohët më të lashta të historisë, pa ndërprerje."
Drenica është më shumë se një vend, një krahinë kryengritëse, që historianët vendas e identifikojnë si qendër të Dardanisë, banuar nga ilirët. "Në Drenicë kombi shqiptar ka prodhuar një vijë heroike të luftëtarëve të lirisë, që fillon me Millosh Kopiliqin me 1389 dhe vazhdoi me Ahmet Delinë, me Azem Galicën dhe gruan e tij Shotën, që luftuan kundër mbretërisë serbe, me Shaban Polluzhën, Tahir Metën dhe kulmojnë me epopenë e Adem Jasharit dhe familjes së tij më 1998." (Po aty, f.46)
Baladat për heroin janë njëherazi historia dhe arti folklorik
Ndofta pjesa më interesante dhe më e mirëshkoqitur e studimit është ajo që i kushtohet vetë thelbit të eposit. Në variantet shqiptare të botuar nga Anna Di Lellio, pavarësisht nga ndyshimet midis tyre, ka një thelb, ka një kryemotiv - figura e Kopiliqit. Kjo figurë lartësohet në simbol të prejardhjes krishtere dhe të identitetit të shqiptarëve, që e pasuron më tej panteonin e heronjve dhe është themeli, baza e identitetit kombëtar. Luftëtari mesjetar nuk është vetëm simbol i karakterit shqiptar, por edhe dëshmi e së kaluarës së përbashkët të shqiptarëve me kombet e tjerë të Ballkanit.
Teorikisht dihet se këngët epike, historike ose legjendare ngërthejnë, krahas faktit, ngjarjes historike, edhe procesin krijues të bartësit. Baladat për heroin shqiptar, vrasësin e sulltan Muratit, Millosh Kopiliqin, janë njëherazi historia dhe arti folklorik.
Koha gërryen dhe shteron këngën, por thelbi i mbetet tek ndërgjegjia popullore
Një çështje më vete është edhe mosha e këtyre këngëve në këtë hark kohor gati 600-vjeçar, qysh nga Beteja e Kosovës më 1389. Koha dhe madje pushtimi i gjatë 5-shekullor islamik-osman e gërryen dhe e shteron edhe vetë këngën, por tek ndërgjegjia popullore mbetet shpirti, thelbi i saj.
Mendoj se, studimi, analiza e përkatësisë fetare, etnike dhe historike e pasuron dhe e provon shumëfish shqiptarësinë e këtij heroi, Millosh Kopiliqit.
Autorja thekson se traditat historike janë e ruhen të gjalla në Dardani, në Kosovën e sotme; ky shpirt heroik vjen nga Milloshi e gjer tek Adem Jashari.
Një meritë tjetër e studimit është ballafaqimi i tezave dhe mendimeve më të ndryshme të autorëve dhe institucioneve të shumtë shkencorë.
Heroi përfaqëson rrënjët kristiane-europiane të shqiptarëve
Cikli i këngëve për Betejën e Kosovës më 1389, në variantet e ndryshëm, i mëshon faktit se Millosh Kopiliqi përfaqëson heroin iliro-arbëresho-shqiptar, me rrënjë në Ilirinë e lashtë, Arbërinë mesjetare dhe Shqipërinë e kohëve të reja. Ai si hero përfaqëson rrënjët kristiane-europiane të shqiptarëve.( Prof. Dr. Agron Fico)
Prof. Dr. Agron Fico
Librat e Kadresë gjejnë jehonë të madhe në Amerikë
Romani i fundit Kadaresë “Aksidenti”, i përkthyer anglisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u shoqërua me një shkrim kritik nga Charles McGrath në gazetën autoritare “New York Times” (Book Review). Madje, pothuajse të gjitha librave të Kadaresë botuar në Amerikë u është bërë jehonë me artikuj në organe të njohura të këtij vendi.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë botuar rreth 20-22 libra të Kadaresë, që janë shoqëruar me artikuj kritikë vlerësues për veprën dhe shkrimtarin. Thelbi i këtyre komenteve ka qenë dhe është se, Kadare është një shkrimtar i shquar kundër totalitarizmit universal, një këngëtar i lirisë së individit dhe i shpirtit demokratik. Kam patur rastin të jem i pranishëm në takime akademike të Kadaresë në institucione amerikane; në Princeton University dhe në Columbia University. Studentët, profesorët dhe akademikët amerikanë kanë bërë vlerësime dhe kanë shprehur nderim për veprën e Kadaresë.
Shkrimtarit Kadare iu dha, në mes të një ceremonie solemne, Çmimi “Princi i Asturias”. Shkrimtari i madh shqiptar, Kadare, u përzgjodh midis shkrimtarëve më të shquar dhe u shpall në Spanjë fitues i çmimit prestigjioz “Princi i Asturias” në letërsi për vitin 2009. Kjo është një ngjarje e shënuar dhe e gëzuar kulturore për lexuesin shqiptar; është njëherazi edhe një dëshmi e re, një vlerësim europian i personalitetit artistik-letrar, i universit të krijuar nga Kadare në një hark kohor gati gjysmë shekullor. Në vendim theksohej se, juria ka vendosur të vlerësojë shkrimtarin shqiptar për “zërin universal kundër totalitarizmit” dhe se shkrimtari e meriton këtë çmim edhe për “bukurinë dhe përkushtimin social të krijimit të tij letrar”. Në procesverbalin e jurisë shkruhej se, “Kadare tregon me gjuhën e përditshme, por plot lirizëm, për tragjedinë e vendit të tij”.
Ky vlerësim i lartë në Spanjë, në vazhdën e shumë e shumë çmimeve, vlerësimeve, publikimeve, studimeve, eseve, etj. për universin letrar-artistik të Kadresë, dhënë nga kryeqendrat e metropoleve europiane, djep i qytetërimit të planetit, shkërmoq dhe pluhuros kuisjet e atyre individëve, mikro-segment i lexuesve shqiptarë, që shajnë edhe përçmojnë veprën dhe shkrimtarin e madh. Këto sajesa, këto të pavërteta në adresë të shkrimtarit të madh janë jo vetëm të pambështetura, por janë mendime të politizuara, shpesh komente të varfëra, të rëndomta dhe bien erë kafenesh.
Duket me të vërtetë tepër i habitshëm sa edhe naiv mendimi i shprehur se, librat e Kadaresë janë përkthyer dhe përkthehen për motive ideologjike ose fetare. Nuk do ndonjë argument të besosh se Nju Jorku e Los Angelosi, Londra e Parisi, Madriti e Roma, etj. janë aq të përgjumur ndaj librave të botuara sa të lejojnë botime jo cilësore e për më tepër me viruse ideologjike ose fetare.
Kadare nuk ka jetuar në planetin Mars; e njihnim dhe na njihte
E njoh Kadarenë që në vitet e para të shkollës tetëvjeçare dhe në vitet e gjimnazit “Asim Zeneli” në Gjirokastër, ku iu dukën edhe xixat krijuese. Edhe në vitet e studimeve në Universitetin e Tiranë ishim bashkë. Fati i bardhë e deshi ta takoja në maj 2009 në Paris. Po pija kafe në një lokal përballë “Kopshtit të Luksemburgut”. Binte një shi i imtë dhe isha tretur në ëndërrime për udhëtimin e nesërm. Ndërkaq një dorë m’u ngjit në krah. Papritur ishte shfaqur Kadare. Me fisnikërinë dhe oborrësinë e njohur më ftoi të lëviznim në një tavolinë tjetër ku rrinte dhe shkruante. Vërshuan kujtimet e rinisë, për Gjirokastrën dhe letërsinë. Kadare më shprehu edhe një herë mirënjohjen për veprimtarinë e organizuar për 70-vjetorin e ditëlindjes në Manhattan dhe në veçanërisht më pyeti dhe u interesua për veprimtaritë kulturore–letrare në Nju Jork dhe për miq e të njohur. Kadre nuk ka jetuar në planetin Mars, por në Shqipëri: në Gjirokastër në vitet e rinisë, si dhe në Tiranë në vitet e krijimtarisë. E njihnim dhe na njihte.
Familja e shkrimtarit blinte në po ato dyqane që blinte gjithë populli, ndryshe nga bllokmenët dhe funksionarë të lartë të partisë dhe shtetit që kishin dyqane të veçanta me prodhime cilësore dhe me mallra që vinin nga jashtë. Bashkëshortja, Helena, punonte redaktore në redaksinë enciklopedike, në të vetmen shtëpi botuese që kishte atëherë në Shqipëri; shkonte në punë me autobusin e linjës bankë – 21 dhjetori. Pra thjesht një jetë si shumica e popullit.
Ndjekja e Kadaresë ishte një nga përparësitë e punëve të Sigurimit të Shtetit
Mitet e krijuara për krijimtarinë letrare dhe jetëshkrimin e Kadaresë janë sajesa me plot të pavërteta. Ka shkrime dhe komente për Kadarenë dhe veprën e tij, që fryjnë dhe nxijnë ngjarje të jetës së shkrimtarit, duke synuar ta paraqesin si enverist, si stalinist të betuar. Madje, për të “argumentuar” mendimet e tyre trilluese iu referohen ose bëjnë analogji me shkrimtarë sovjetikë të periudhës së egër të sundimit të Stalinit. Në këto përqasje nuk ka asgjë të përbashkët me Kadarenë, veç synimit për të krijuar një mitologji të pavërtetë kundër Kadaresë. Ato janë mite të stisura dhe të sajuara me ligësi dhe keqdashje, që meritojnë përçmim për ata që i hartojnë.
Kadare nuk gëzonte besimin e diktaturës komuniste. Kadare ndiqej kudo nga sigurimi shqiptar, madje si brenda vendit, në Shqipëri, ashtu edhe kur shkonte jashtë shtetit. Po permend, midis të tjerash se, gazeta e njohur franceze “Le Monde” shkruante se, “Edhe këtë herë shkrimtari i njohur shqiptar Kadare erdhi i shoqëruar nga halla (tezja) D.Sh.” Pra aluzioni ishte i qartë: kur Kadare dilte jashtë, në shumicën e rasteve, shoqërohej nga “kolegë”, por me detyra sigurimi.
Kadare dhe veprimtaria e tij ka qenë e kontrolluar në mënyrë të përhershme nga Sigurimi i Shtetit. Pas vitit 1990, njëri nga shkrimtarët sigurimas, N.T., më ka thënë se, ndjekja e Kadaresë ishte një nga përparësitë e punëve të Sigurimit të Shtetit. Madje, siç përmend edhe vetë Kadare në “Ftesë në studio”, një herë drejtori i shtëpisë së vetme botuese Drago Siliqi i kishte thënë se, “Sigurimi ia ka dhënë librin për ta shikuar për botim shkrimtarit Z, prandaj pa shih mos futësh në të ndonjë fjali ose parullë për partinë”.
Përgatiti:Flori Bruqi