Nga Krenar Gashi,Prishtine
Prishtina mbase është qyteti i vetëm në botë, që nuk ka autobus që të çon në stacion të autobusëve. A e keni menduar këtë ndonjëherë? Asnjë autobus lokal që qarkullon nëpër qytet, nuk të çon te stacioni i autobusëve, prej ku nisën autobusët e linjave kombëtare e ndërkombetare!
Në mungesë të një linje të tillë, që do të ishte e logjikshme dhe e nevojshme (hej, paramendojeni, nuk ka autobus që t’çon n’stacion!) qytetarët janë të detyruar të marrin taksi, apo të arrijnë në stacion të autobusëve duke përdorur linjat ndërurbane, kryesisht atë për në Fushë Kosovë. As kjo linjë, e as ajo tjetra për në Obiliq, nuk kanë vendndalje të ligjshme afër stacionit qendror të autobusëve. Kësisoj, secila ndalje që bëhet në rrugët rreth stacionit për të lënë apo marrë udhëtarët, jo vetëm që shkakton tollovi në trafik, por edhe është e paligjshme.
Autoritetet rregullative, në këtë rast Komuna e Prishtinës, si duket i kanë rregulluar punët e tyre për merak, sa që nuk iu ndodhë që të shfrytëzojnë transportin publik për ta vërejtur këtë fenomen.
Por ja që, po e zëmë, iu vjen një musafir nga ndonjë qytetet a shtet tjetër, përmes transportit publik rrugor, dhe zbret në stacionin e autobusëve në Prishtinë. Nëse nuk keni dalur ta prisni musafirin, e me ç’rast do duhej të paguanit 1 euro për të hyrë në stacion, musafiri ka për të qenë i detyruar të paguaj një nga taksitë shumë të shtrenjta që lejohen të futen brenda në stacion. Meqë, po e përsëris duke qeshur, nuk ka autobus që vjen prej qytetit n’stacion.
Ky është veç një nga shumë paradokset rreth stacionit të autobusëve. Ja edhe një tjetër: Stacioni i autobusëve në Prishtinë duhet të jetë i vetmi stacion në botë, ku më shumë njerëz presin jashtë stacionit, sesa nëpër peronat përkatës. Madje, shpesh ndodhë që të ketë më shumë udhëtarë që presin “te rrethi” sesa në stacion.
E pse të shkojnë në stacion? Së pari nuk ka transport publik që i dërgon atje. Së dyti, bileta që blehet në stacion kushton për 0.5 euro më shtrenjtë sesa bileta që blehet në autobus. Dhe së treti, nuk ka ndonjë autoritet mbikëqyrët apo rregullativ, që do ta rregullonte këtë punë. Kësisoj, nuk bëhet nami që autobusët që nisen për në Prizren, Ferizaj a Shkup, ndalojnë fillimisht të porta e stacionit, e më pas te rrethi, duke e bllokuar kështu trafikun edhe ashtu të rënduar të Prishtinës.
Krejt në fund, më duhet të kthehem te fillimi: na duhet një autobus që na çon n’stacion t’autobusëve. Sa më shpejt që të jetë e mundur!