2011-02-23

Nga Flori Bruqi:Cikël poetik nga Manjola Brahaj

Manjola Brahaj



Manjola Brahaj ka lindur më 14. 06. 1986 në Tropojë. Ka kryer studimet e mesme atje, studimet e larta i ka kryer në Tiranë, fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, dega Gjuhë-Letërsi.
Në ''Çmimet Kombëtare të Letërsisë 2010'' ka fituar çmimin ''Migjeni'' me vëllimin “Vajtimi i Kalipsosë”, si poete debutuese.
Tani është me studime psuniversitare për letërsi, profili teori dhe kritike.
Shkruan dhe boton artikuj dhe shkrime kritike në shtypin kosovar dhe shqiptar. Jeton në Tiranë.




photo

Manjola Brahaj







VETËM UNË

Do të ta çmend sintaksën shpirt,
Dhe pse është kulla e fundit
Do të ta bëj rrush e kumbulla.
Veç pasthirrmat do t’i përdorësh.
Kallzuesit do të t’i pres në besë.
Kryefjalës s’do t’i lë dashnorë të tjerë.
Për ty do të ekzistojnë nëntëdhjetëenëntë
rrethanorë vendi
e gjashtedhjetëenëntë mënyre.
Me ty do të jetë si i marrrë
në një vend të vetëm, i pangopur,
vetori i vetës së parë.


***

Si Prometeu pas shkëmbit
të trupit tënd jam mbërthyer.

Gjithnjë si çekan kujtimesh
godas në po të njejtën pikë.

Kthehem tek ti.

Si shkaba të të ha zemrën
me gjithë mëlçi.


***

Hënën e kam ngrënë e kam bërë gjysmake
Detin e kam vrarë e lidhur si qen
Kujën e kam lëshuar në heshtjen e një nate
Statujat ia kam thyer Akropolit tënd.

Jam bërë plakë shtrigane që tremb
veç fëmijë e që s’ka miq, as bukë as fjalë.
Do lëshojë kujën prapë deri sa të çmend
të të mbyll në çmendinën e zemrës valë.

Mes skeleteve, kufomave të botës synxjerrë
Veç me ty do të jem më shumë se mish e gjak.
Do vë kujën heshtjen për të bjerrë
që në flokët e venave të biesh nga pak.




NUK TË PASHË MA



Për herë t’fundit
kur kambën vuna në ashtin e diellit
nuk të pashë ma

Tash kaloj para do syve që mrizojne hijeve, territ,
me lugetën të tredhun trush.
Nëpër do rrugë t’çaraveshuna buzësh,
t’shkyeme prej kush e di çfarë kambësh.

Iki prej dheut e gurit që m’blatoi
ti nuk je ma
e heshtja tjerr pejtë e saj fytit tim

Véna m’ban nji vend
në qoshin e sirtarëve t’mykun.
Rrëzohna mbi do shkrime.
Përzihen faqeve lotët e mij e të hanës

Nuk të pashë,
vetëm do imazhe t’cofta prej letre,
që më shkundën pluhnin

Tash asht vonë, terri ka ra,
po shprazh grushta t’plasaritun dimni,
gota t’thyeme akulli,
sy t’shprishun véri
mbi mue

Për herë të fundit
kur dorën vuna në buzën e hanës
nuk të pashë ma,
pashë vetëm do thija që shtohen tash  sa vjet
në kryet e nanës


ME T’PA HARRUE

Me t’pa harrue
Nji harren e kisha ngjit’
Aty ku zemra asht shkye
Prej se ke ik’

Kohës s’vrame mes duersh
Që nji trohë shpirti nuk m’i mbet
Nuk ia kisha marrë gjakun

Nji herë me t’pa harrue
Nuk m’kish çelë drita
Isha ngri n’dimen
Po me t’harrue nuk dita

Shpirti do m’u kish zgurdullue sysh
Për darkë e drekë
Vorben e territ e kisha shprazë n’fyt
Me t’pa harrue kisha dekë...

Në trishtimin tim
nuk do isha mbështjellë si péni
n’furkën e nanës plakw
Përskej harpave që u bien
Duert e hanws si drapen i thatw
do m’u kish gjetë vendi

Me t’pa harrue ti duhet me e ditë
Nji harren e kisha ngjit’
Aty ku zemra asht shkye
Prej se ke ik’


KA ME ARDHË NJI DITË
                                                           
Ka me ardhë nji ditë kur kam me u varë
në vargojtë e zanit tand,
si nji flutur n’rrjeta marimange
kam me pranue aty me dhanë shpirt

Ka me ardhë nji ditë dhe qenia ime
ka me u varë në lakun e erës  s’kurmit tand,
si nji i denuem me vdekje n’shesh para botës
Ka me u varë n’notat e dihamës tande
si i dehuni pas gotës
Ka me u shkri si borë
e me lulue si lule
kur ta prekësh më dorë,
t’i ndjesh mishin e asaj buze

Ka me ardhë nji ditë dhe ti ke me u mbytë
në langun e shikimit tim
Ke me u dehë e me dalë prej veti
me venën e buzëqeshjes time
E kadalë kadalë, kadalë kadalë
ke me arritë lumnimin

Ka me ardhë ajo ditë
dhe atëherë teshat e trupit
mbytë në lang krype
kanë me na u dokë marrinë e pa krye
Me turra pikëpyetjesh
kena me e denue të shkuemen
nuk kena me e lanë me bëza

Tingujt e shiut kena me i mbajtë
si simfoninë e takimeve tona
Shtrati nuk ka me na u dashtë
vetëm katër mure e do libra
Brenda tyne;
Formula heshtjesh t’fohta
kanë me u djegë në zjarr fjalësh
Nuk kena me lanë dëshmi
vetëm pasardhës dashnie

Ka me ardhë ajo ditë
dhe ka me na gjetë të humbun në njani – tjetrin
të shterrun hapësinës si pika vene t’pime
unë në goten tande
e ti në gotën time.

Ka me ardhë nji ditë...


TË  SHTIFSHA  NË  DHE 

Nji gotë vénë ndoshta më ban edhe ma
Të marrë se sa jam
Vetimat e venave të zemrës
Shkojnë e bien mbi krye
A merr vesh, a s’di ndrysh
He terri të marrtë mësysh!

Para Kryqit, Kuranit e Diellit
Po të baj bé
Të due
He të shtifsha në dhé.

Nji gotë  çmendunie po due me ta dhanë
Le të jetë dëshmitare
Kjo natë
Kjo hanë
Ti me m’pa me sy
Me m’ardhë ngat
He mos gjetsh rahat!

Para Kryqit, Kuranit e Diellit
Po të baj bé
Të due
He të shtifsha në dhé


TINGULLI  I GJAKUT

Vetëm unë e di si ndihet tingulli i gjakut
Prej kambsh e maje kreje
Si çmendet mishi i trupit vetëm prej teje.

Vetëm unë e njoh ngjyrën e ajrit
Si ndalet e dredhet shtëllunga e frymës
Mushknive tona.

Vetëm unë e di drejtimin e djersës
e shoh se si hap rrugët kurmave tanë
e bahëm rrangallë mes duersh tua.

Vetëm unë e njoh si njomet shkretina
E buzëve,
si gdhendet skulpturë e bashkimit
vetëm unë e njoh fundin e fillimit.






AMA NI LAK


Veç me ty po du me u pre, n’gjak
deri n’gu
sa asht dita pa agu
ama ni lak
ama veç mu.
T’kapem si në shkamb
pse m’je mërrolë kaq rand?
Ama ni lak t’varem pas teje
se e ke hak.
E jam krejt si pije e çmendun
që don veç ni gojë, veç ni stomak.
Cigare që don me u shkimë si e trembun
në shpuzoren e zemrës tande pa cak
ama ni lak …

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...