“Isha i zhgënjyer kur mësova sot se mjetet e shtypit kishin përgjuar dhe regjistruar dhe rrjedhimisht edhe kishin shtypur ose transmetuar në shkallë vendi korrespodencat dhe bisedat private. Këto medie, përfshirë edhe Kohën Ditore, Express dhe KTV, kanë tejkaluar kufirin duke transmetuar komunikimin privat që ka ndodhur në sallën e Kuvendit më 22 shkurt, përfshirë edhe një thirrje të qartë telefonike që më përfshin mua”, thuhet në një letër të hapur të ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Christopher Dell, drejtuar Komisionit të Pavarur të Medieve (KPM).
“Po ju shkruaj anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Medieve lidhur me këtë veprimtari joprofesionale, jo-etike dhe potencialisht të paligjshme. Unë nuk jam i trazuar nga përmbajtja e këtyre komunikimeve, të cilat nuk pasqyrojnë asgjë më shumë se sa përpjekje të zakonshme për të mbledhur informata në një ambient të hutuar dhe komentet domethënëse të shprehura nga palët e treta, përfshirë edhe një pohim plotësisht të respektuar se udhëheqësit politikë të vendit duhej të merrnin vetë disa vendime për vetvete, por më shumë nga veprimi i qartë i paligjshëm i medieve”.
“Ashtu siç i kam ftuar anëtarët e qeverisë që të përqafojnë standardet më të larta të qeverisjes transparente dhe të pastër, unë po ashtu i nxis pjesëtarët e medieve që t’iu përmbahen të njëjtave standarde dhe sjelljes profesionale për të cilën janë pajtuar kur kanë nënshkruar Kodin e mirësjelljes të shtypit”.
“Kosova ka kode të mirësjelljes si për shtypin e shkruar, ashtu edhe për atë elektronik. Këto kode kërkojnë nga nënshkruesit e tyre që t’iu përmbahen standardeve më të larta ndërkombëtare të gazetarisë, përfshirë edhe privatësisë. Koha ditore, Express-i dhe KTV-ja kanë thyer shpirtin dhe qëllimin e këtyre kodeve kur kanë ndërhyrë në komunikime personale. Sjellja e tyre ishte e pafalshme... Kjo sjellje po ashtu mund të ketë qenë edhe e paligjshme, pasi që Kodi penal i Kosovës ndalon përgjimin e paautorizuar të bisedave dhe deklaratave personale”.
Neni 170 (1) Kushdo që me anë të pajisjeve të posaçme pa autorizim përgjon apo bën përgjimin tonik ose incizon bisedën a deklaratën, e cila nuk i është drejtuar atij ose i mundëson personit tjetër të jetë në dijeni për bisedën apo deklaratën e cila është përgjuar tonikisht apo është incizuar pa autorizim dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.
“Andaj besoj se KPM-ja do të ushtrojë përgjegjësinë e saj në zbatimin e Kodit të saj të mirësjelljes dhe ua lë autoriteteve ligjore që të vlerësojnë se a ka pasur apo jo shkelje të ligjit dhe cilët hapa ligjorë do të duhej të pasojnë. Megjithatë, besoj se është përtej çdo dyshimi që gazetarët e përfshirë në këtë dhe redaktorët/botuesit që kanë autorizuar raportet, qartazi kanë thyer standardet etike dhe profesionale të pritshme nga gazetaria në një shtet demokratik”, thuhet ndër të tjera në këtë letër.