Me ipsum ames… Parathënie‏

 

Ky libër u shkrua në pranverë-verën e vitit 1998, kur unë isha ende studente e apasionuar e letërsisë. Pasi e mbarova m’u desh ta mbyllja në raftin e gjërave të përfunduara. Çelësat e pamundësive e lanë për shumë vite aty brenda. Kapitujt e fundit u plotësuan në vjeshtë-dimrin e vitit 2009.
       Mungesa e një subjekti të mirëfilltë letrar është e qëllimshme. Ashtu siç jeta njerëzore nuk ka një skenar të projektuar saktë, por shpesh është veç një vorbull e ngatërruar, edhe reflektimet mbi të janë pothuajse të tilla. Personazhi është shumëdimesnional në transformimet e tij. Një qënie komplekse e ndryshueshme si një figurë gjeometrike, e cila vërtitet nëpër rrjetat e frikshme të fatit. Format që merr janë njëkohësisht ndjesitë e çuditshme në marrëdhënie me gjithçka që e rrethon. Bota e tij është një simbiozë e përkryer mes Zanafillës dhe kohërave moderne. Është përralla e verbër të cilën njërëzimi kërkon ta besojë e njëkohësisht e vërteta e hidhur që dhemb. Shprehjet në latinisht janë  nostalgjia e kuptimit tonë ekzistencial për gjërat që tashmë i përkasin kujtimeve të vdekura. Trualli shpirtëror është i lëkundshëm. Ngjarjet zhvendosen nga planeti Tokë, në planete të tjerë imagjinarë. Kapërcimet kohore janë një sfidë për të projektuar të ardhmen. Shpesh kalohet në akohorësi. Në vetminë e tij të turbullt personazhi kërkon përjetësisht dashurinë, gjersa në fund e kupton se ekzistenca e përkohshme në këtë botë e dënon me pushtetin e saj absolut. Ky univers le gjurmë të pashlyeshme në qëniet njerëzore, aq sa shpesh, ato nuk dinë se cilat janë, ç’formë kanë, ç’ëndrra thurin, nga vijnë e cilës epoke i përkasin. Persiatjet filozofike të personazhit ndërpriten herë pas here nga të qeshurat sarkastike të fatit.
      Në pamundësi për ta inkuadruar brenda një kuadrati fiks të krijimeve letrare e kam quajtur roman, pavarësisht se e kam thyer pothuajse plotësisht strukturën tradicionale të tij.
      Lexues i dashur! Në segmentin tënd jetësor ka një mister të strukur diku, i cili të flet heshturazi: Të më duash mua, vetëm…!

Autorja
Tiranë, dhjetor 2010




Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)