2011-02-23

Të drejtat dhe gabimet e internetit...








                Hillary Rodham Clinton


Fjalim i Sekretares së Shtetit Hillary Rodham Clinton mbi Të drejtat dhe gabimet e internetit: Zgjidhjet dhe sfidat në një botë të lidhur në internet

Ju faleminderit shumë të gjithëve dhe mirëdita. Është kënaqësi të kthehem përsëri në kampusin e Universitetit Xhorxh Uashington, në vendin ku kam kaluar mjaft kohë në të gjitha mjediset e ndryshme gjatë pothuaj 20 vjetëve të kaluara. Dua veçanërisht ta falënderoj Rektorin Knapp dhe Provost Lerman, sepse kjo është një mundësi e madhe për mua për ta trajtuar një çështje kaq të rëndësishme, dhe një çështje që e meriton vëmendjen e qytetarëve dhe të qeverive, dhe e di që është duke e tërhequr atë vëmendje. Dhe ndoshta sot në fjalimin tim, mund ta fillojmë një debat shumë energjik që do t’u përgjigjet nevojave që kemi qenë duke i shikuar në kohë reale në televizorët tanë.

Më 28 janar, pak minuta pas mesnatës, interneti u ndërpre në tërë Egjiptin. Gjatë katër ditëve të kaluara, qindra mijëra egjiptianë marshuan për të kërkuar qeveri të re. Dhe bota e kishte përcjellë çdo hap të atij marshi në TV, laptopë, telefona celularë, dhe në telefonat “smart phones”. Fotografitë dhe videot nga Egjipti e vërshuan internetin. Gazetarët postonin raporte të drejtpërdrejta në Facebook dhe Twitter. Protestuesit i koordinonin lëvizjet e tyre të ardhshme. Dhe qytetarë të të gjitha shtresave i ndanin shpresat dhe frikët e tyre të përbashkëta për këtë moment shumë të rëndësishëm në historinë e vendit të tyre.

Miliona njerëz në mbarë botën u përgjigjën në kohë reale, “Ju nuk jeni vetëm dhe ne jemi me ju.” Atëherë qeveria e hoqi spinën. Shërbimi i telefonisë mobile u ndërpre, sinjalet satelitore të TV-së u penguan, dhe qasja në internet ishte bllokuar për pothuaj të gjithë popullatën. Qeveria nuk dëshironte që njerëzit të komunikonin me njëri-tjetrin dhe nuk dëshironte që shtypi të komunikonte me publikun. Me siguri nuk dëshironte që bota të shikonte.

Ngjarjet në Egjipt rikujtuan një lëvizje tjetër protestuese që kishte ndodhur 18 muaj më parë në Iran, kur mijëra veta marshuan pas zgjedhjeve të kontestueshme. Protestuesit e tyre i përdorën edhe uebsajtet për t’u organizuar. Një video e xhiruar me një telefon celular tregonte një grua të re, të quajtur Neda, që ishte vrarë nga një pjesëtar i forcave paraushtarake, dhe brenda disa orësh, ajo video ishte duke u shikuar nga njerëzit në çdo vend.

Edhe autoritetet iraniane e përdorën teknologjinë. Garda Revolucionare iu vu prapa anëtarëve të Lëvizjes së Gjelbër duke i kërkuar profilet e tyre në internet. Dhe, qeveria i mbylli internetin dhe rrjetet mobile për një kohë, si Egjipti. Pasi autoritetet i kontrolluan shtëpitë, i sulmuan konviktet e universitetit, bënë arrestime masive, e torturuan masën dhe shtinë në masë, protestat përfunduan.

Megjithatë, historia në Egjipt përfundoi ndryshe. Protestat vazhduan pavarësisht nga mbyllja e internetit. Njerëzit organizuan marshime përmes fletushkave dhe gojarisht, dhe përdorën modemet “dial-up” dhe fakset për të komunikuar me botën. Pas pesë ditësh, qeveria u zbut dhe Egjipti u lidh në internet. Autoritetet u përpoqën ta përdornin internetin për t’i kontrolluar protestat, duke u urdhëruar kompanive celulare që të dërgonin porosi pro-qeveritare me tekst, dhe duke i arrestuar blogerët dhe personat që i organizuan protestat përmes internetit. Por 18 ditë pas fillimit të protestave, qeveria dështoi dhe Presidenti dha dorëheqje.

Ajo që ndodhi në Egjipt dhe ajo që ndodhi në Iran, i cili edhe kësaj jave është duke e përdorur dhunën kundër protestuesve që kërkojnë liritë themelore, kishte të bënte më tepër sa me internetin. Sidoqoftë, njerëzit protestuan për shkak të frustrimeve të thella me kushtet politike dhe ekonomike të jetës së tyre. Ata qëndronin, marshonin dhe këndonin, dhe autoritetet i gjurmuan, i bllokuan dhe i arrestuan. Interneti nuk e bëri asnjërën prej atyre gjërave, njerëzit i bënë. Në këto dy vende, mënyrat si qytetarët dhe autoritetet e përdorën internetin e pasqyroi fuqinë e teknologjive lidhëse në njërën anë, si katalizator të ndryshimeve politike, shoqërore dhe ekonomike, dhe në anën tjetër, si mjet për ta shtypur ose shuar atë ndryshim.

Një debat është duke u zhvilluar në disa qarqe lidhur me atë nëse interneti është forcë për çlirim apo shtypje. Por mendoj që debati nuk ka të bëjë fare me të. Egjipti nuk është duke i frymëzuar njerëzit për shkak se ata komunikuan me njëri-tjetrin duke përdorur Twitter-in. Ai është duke i frymëzuar njerëzit për shkak se ata u bashkuan dhe vazhduan të kërkonin të ardhme më të mirë. Irani nuk është i tmerrshëm për shkak se autoritetet e përdorën Facebook-un për t’i ndjekur dhe kapur anëtarët e opozitës. Irani është i tmerrshëm sepse është qeveri që vazhdimisht i shkel të drejtat e popullit të vet.

Pra, vlerat tona janë ato që shkaktojnë që këto veprime të na frymëzojnë ose zemërojnë neve, ndjenjën tonë të dinjitetit njerëzor, të drejtat që dalin prej tij, dhe parimet që e mbështesin atë. Dhe pikërisht këto janë vlerat që duhet të na nxisin të mendojmë për rrugën përpara. Dy miliardë njerëz tani janë në internet, pothuaj një e treta e njerëzimit. Ne përshëndesim nga çdo kënd i botës, jetojmë nën çdo formë të qeverisjes, dhe regjistrohemi në çdo sistem të besimeve. Dhe, gjithnjë e më shumë jemi duke iu kthyer internetit për të zhvilluar aspekte të rëndësishme të jetës sonë.

Interneti është bërë hapësirë publike e shekullit 21 – shesh, klasë, treg, kafene, dhe klub nate i botës. Të gjithë ne, dy miliardë prej nesh e më tepër, ndikojmë në atë që ndodh atje dhe ndikohemi nga ajo që ndodh atje. Dhe kjo paraqet një sfidë. Për ta mbajtur një internet që i sjell botës fitimet më të mëdha të mundshme duhet të kemi bisedë serioze për parimet që do të na udhëzojnë, çfarë rregullash ekzistojnë dhe çfarë rregullash nuk duhet të ekzistojnë dhe pse, çfarë sjelljesh duhet të inkurajohen apo dekurajohen, dhe si.

Qëllimi nuk është që t’u tregojmë njerëzve si ta përdorin internetin hiq më tepër se që duhet t’u tregojmë si ta përdorin çdo shesh publik, qoftë ai sheshi “Tahrir Square” apo “Times Square”. Vlera e këtyre hapësirave rrjedh nga moria e aktiviteteve që njerëzit mund t’i zhvillojnë në to, prej mbajtjes së një tubimi, shitjes së perimeve të tyre, e deri tek bisedat private. Këto hapësira ofrojnë platformë të hapur; këtë e bën edhe interneti. Kjo nuk i shërben asnjë agjende të caktuar, dhe kurrë nuk duhet t’i shërbejë. Por nëse njerëzit në mbarë botën komunikojnë çdo ditë në internet dhe kanë përvojë të sigurt dhe produktive, neve na duhet një vizion i përbashkët për të na udhëhequr.

Një vit më parë, unë ofrova një pikë fillimi për këtë vizion duke bërë thirrje për një angazhim global për liri të internetit, për t’i mbrojtur të drejtat e njeriut në internet dhe jashtë tij. Të drejtat e individëve për t’i shprehur pikëpamjet e tyre lirisht, për t’u bërë peticion udhëheqësve të tyre, për t’u falur sipas besimeve të veta – janë të drejta universale, pavarësisht ku ushtrohen ato: në një shesh publik ose në një blog individual. Liria e grumbullimit dhe grupimit duhet të zbatohet edhe në hapësirën e internetit. Në kohën tonë, njerëzit ka të ngjarë të bashkohen për t’i ndjekur interesat e përbashkëta në internet sikur në kishë apo sallë të punës.

Liria e shprehjes, e grumbullimit dhe e grupimit në internet së bashku përbëjnë atë që e kam quajtur liri të bashkimit në internet. Shtetet e Bashkuara e mbështesin këtë liri për njerëz kudo, dhe u kemi bërë thirrje vendeve të tjera që ta bëjnë të njëjtën gjë. Sepse dëshirojmë që njerëzit të kenë rast ta ushtrojnë këtë liri. Gjithashtu e mbështesin zgjerimin e numrit të njerëzve që kanë qasje në internet. Dhe pasi interneti duhet të punojë rregullisht dhe në mënyrë të besueshme për të pasur vlerë, ne e mbështesim sistemin me shumë aksionarë që qeveris internetin sot, i cili vazhdimisht e ka mbajtur atë në funksion nëpër të gjitha llojet e ndërprerjeve në të gjitha rrjetet, kufijtë, dhe rajonet.

Në vit pas fjalimit tim, njerëzit në mbarë botën vazhduan ta përdorin internetin për t’i zgjidhur problemet e përbashkëta dhe për ta zbuluar korrupsionin publik, prej njerëzve në Rusi, të cilët zbuluan zjarre të egra përmes internetit dhe organizuan skuadra vullnetare të zjarrfikësve, deri tek fëmijët në Siri, që e përdorën Facebook-un për ta zbuluar abuzimin nga arsimtarët e tyre, deri tek fushata e internetit në Kinë, që u ndihmon prindërve t’i gjejnë fëmijëve të tyre të humbur.

Në të njëjtën kohë, interneti vazhdon të kufizohet në një sërë mënyrash. Në Kinë, qeveria e censuron përmbajtjen dhe i ridrejton kërkesat për kërkim në faqet me gabim. Në Birmani, sajtet e pavarura të lajmeve janë mbyllur. Në Kubë, qeveria po përpiqet ta krijojë një intranet kombëtar, duke mos u lejuar qytetarëve të vet qasje në internetet botërore. Në Vietnam, blogerët që e kritikojnë qeverinë arrestohen dhe keqtrajtohen. Në Iran, autoritetet i bllokojnë uebsajtet e opozitës dhe të medieve, i synojnë mediat sociale, dhe i vjedhin informacionet identifikuese për njerëzit e tyre në mënyrë që t’i zbulojnë.

Këto veprime pasqyrojnë një peizazh të ndërlikuar dhe që digjet lehtë, dhe ka të ngjarë të bëhet më i ndërlikuar në vitet e ardhshme kur miliarda njerëz të lidhen në internet. Zgjidhjet që i bëjmë sot do të përcaktojnë si do të duket interneti në të ardhmen. Bizneset duhet të zgjedhin nëse do të hyjnë dhe si do të hyjnë në tregjet ku liria e internetit është e kufizuar. Njerëzit duhet të zgjedhin si të veprojë në internet, çfarë informacionesh të ndajnë dhe me kë t’i ndajnë ato, cilat ide t’i shprehin dhe si t’i shprehin ato. Qeveritë duhet të zgjedhin t’i përmbushin zotimet e tyre për ta mbrojtur lirinë e shprehjes, të grumbullimit dhe të grupimit.

Sa u përket Shteteve të Bashkuara, zgjidhja është e qartë. Sa i përket spektrit të lirisë së internetit, ne vihemi në anën e transparencës. E dimë që një internet i hapur vjen me sfida. Ai bën thirrje për rregullat bazë për t’u mbrojtur kundër keqbërjes dhe dëmtimit. Dhe liria e internetit i ngrit tensionet, si të gjitha liritë. Por besojmë se fitimet i tejkalojnë shpenzimet.

Dhe sot, dëshiroj të diskutoj për disa sfida me të cilat duhet të përballemi gjersa përpiqemi ta mbrojmë një internet lirë dhe të hapur. Tani, jam e para që do të them se as unë as Qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk i ka të gjitha përgjigjet. Nuk jemi të sigurt që i kemi të gjitha pyetjet. Por angazhohemi të bëjmë pyetje, t’i ndihmojmë bisedat, dhe t’i mbrojmë jo vetëm parimet universale, por edhe interesat e popullit tonë dhe të partnerëve tanë.

Sfida e parë është arritja e lirisë dhe e sigurisë. Liria dhe siguria shpesh paraqiten si të barabarta dhe të kundërta; sa më shumë që ta kesh njërën, aq më pak do ta kesh tjetrën. Në të vërtetë, unë besoj që ato e plotësojnë njëra-tjetrën. Pa siguri, liria është e brishtë. Pa liri, siguria është shtypëse. Sfida është të gjendet masa e duhur: siguri e mjaftueshme për t’i mundësuar liritë tona, por jo aq shumë apo aq pak sa për t’i rrezikuar ato.

Gjetja e kësaj mase të duhur për internet është vendimtare sepse cilësitë që e bëjnë internetin forcë për përparim të paparë – transparenca e tij, efekti i tij nivelues, shtrirja dhe shpejtësia e tij – gjithashtu mundësojnë keqbërje në shkallë të paparë. Terroristët dhe grupet ekstremiste e përdorin internetin për të rekrutuar anëtarë, për të planifikuar dhe kryer sulme. Trafikantët e qenieve njerëzore e përdorin internetin për t’i gjetur dhe joshur viktimat e reja në skllavëri moderne. Pornografistët e fëmijëve e përdorin internetin për t’i shfrytëzuar fëmijët. Hakerët hyjnë në institucione financiare, në rrjete të telefonisë mobile, dhe në emaila personalë.

Pra, na duhen strategji të suksesshme për t’i luftuar këto dhe kërcënimet e tjera pa e ngushtuar transparencën që është atributi më i madh i internetit. SHBA-ja është energjikisht duke i gjurmuar dhe frenuar kriminelët dhe terroristët në internet. Jemi duke investuar në sigurinë e internetit të vendit tonë për t’i parandaluar incidentet në internet dhe për ta zvogëluar ndikimin e tyre. Jemi duke bashkëpunuar me vendet e tjera për ta luftuar krimin ndërkombëtar në hapësirën e internetit. Qeveria e SHBA-së investon për t’u ndihmuar vendeve të tjera që ta ndërtojnë kapacitetin e tyre për zbatimin e ligjit. Gjithashtu e kemi ratifikuar edhe Konventën e Budapestit kundër krimit në internet, e cila i përcakton hapat që vendet duhet t’i ndërmarrin për të siguruar që interneti nuk keqpërdoret nga kriminelët dhe terroristët, gjersa i mbrojmë liritë e qytetarëve tanë.

Në përpjekjet tona të fuqishme për t’i parandaluar sulmet apo për t’i kapur kriminelët, angazhohemi për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. SHBA-ja është e vendosur ta ndalë terrorizmin dhe veprimtarinë kriminale në internet dhe jashtë tij, dhe në të dy sferat angazhohemi për arritjen e këtyre qëllimeve në pajtim me ligjet dhe vlerat tona.

Tani, të tjerët kanë ndërmarrë një qasje tjetër. Shpesh thirren në siguri si arsyetim për ta shtypur lirinë. Kjo taktikë nuk është e re në kohën digjitale, por ka një rezonancë të re pasi interneti u ka dhënë qeverive kapacitete të reja për t’i ndjekur dhe ndëshkuar përkrahësit e të drejtave të njeriut dhe disidentët politikë. Qeveritë që i arrestojnë blogerët, që i fusin hundët në aktivitetet paqësore të qytetarëve të tyre, dhe që e kufizojë qasjen e tyre në internet, mund të pretendojnë se janë duke kërkuar siguri. Në të vërtetë, ato mund ta kenë atë qëllim gjersa e definojnë atë. Por janë duke marrë rrugën e gabuar. Qeveritë që e shtypin lirinë e internetit mund të jenë në gjendje ta frenojnë shprehjen e plotë të dëshirave të qytetarëve e tyre për një kohë, por jo përgjithmonë.

Sfida e dytë është mbrojtja e transparencës dhe konfidencialitetit. Kultura më e fortë e transparencës së internetit rrjedh nga fuqia e tij për t’i vënë menjëherë në dispozicion informacionet e të gjitha llojeve. Por përveç që është hapësirë publike, interneti është edhe kanal për komunikime private. Në mënyrë që kjo të vazhdojë, duhet të ketë mbrojtje për komunikim konfidencial në internet. Mendoni të gjitha mënyrat në të cilat njerëzit dhe organizatat mbështeten në komunikimet konfidenciale për ta bërë punën e tyre. Bizneset kanë biseda konfidenciale kur zhvillojnë produkte të reja për të qëndruar përpara konkurrentëve të tyre. Gazetarët i mbajnë konfidenciale të dhënat e disa burimeve për t'i mbrojtur nga ekspozimi ose hakmarrja. Edhe qeveritë mbështeten në komunikimin konfidencial në internet dhe jashtë tij. Ekzistimi i teknologjive lidhëse mund ta vështirësojë mbajtjen e konfidencialitetit, por nuk e ndryshon nevojën për të.

E di që konfidencialiteti i qeverisë ka qenë temë debati gjatë disa muajve të fundit për shkak të WikiLeaks-it, por ka qenë debat i rremë në shumë mënyra. Në parim, incidenti WikiLeaks filloi me një akt të vjedhjes. Dokumentet e Qeverisë ishin vjedhur, njëlloj sikur të ishin kontrabanduar në një çantë. Disa kanë sugjeruar që kjo vjedhje ishte e justifikuar sepse qeveritë kanë përgjegjësi ta kryejnë tërë punën publikisht në sy të qytetarëve tanë. Sinqerisht, nuk pajtohem me këtë. SHBA-ja as nuk do të mund të ofronte siguri për qytetarët tanë, as ta mbështeste kauzën e të drejtave të njeriut dhe demokracisë në botë po ta kishim bërë publik çdo hap të përpjekjeve tona. Komunikimi konfidencial ia ofron qeverisë tonë mundësinë për ta bërë punën që nuk do të mund të bëhej ndryshe.

Merreni parasysh punën tonë me ish-shtetet sovjetike për të siguruar material të lirë bërthamor. Duke i mbajtur të dhënat në konfidencialitet, ne kemi bërë që terroristët apo kriminelët të mos e gjejnë materialin bërthamor dhe ta vjedhin atë për qëllimet e tyre. Ose merreni parasysh përmbajtjen e dokumenteve që WikiLeaks-i i bëri publike. Pa e komentuar autenticitetin e dokumenteve të veçanta, mund të vërejmë që shumë prej kabllove të lëshuara nga WikiLeaks kanë të bëjnë me punën për të drejtat e njeriut që është kryer në mbarë botën. Diplomatët tanë bashkëpunojnë ngushtë me aktivistë, gazetarë dhe qytetarë për t’i sfiduar krimet e qeverive shtypëse. Është punë e rrezikshme. Me publikimin e kabllove diplomatike, WikiLeaks-i i vuri njerëzit në rrezik edhe më të madh.

Për operacione si këto, konfidencialiteti është i domosdoshëm, sidomos në kohën e internetit, kur informacione të rrezikshme mund të dërgohen në mbarë botën me një klikim në tastierë. Por natyrisht, qeveritë gjithashtu duhet të jenë transparente. Ne qeverisim me pëlqimin e popullit, dhe ai pëlqim duhet të jetë i informuar për të qenë kuptimplotë. Pra, duhet të jemi të matur kur e mbyllim punën tonë për publikun, dhe duhet t’i shqyrtojmë standardet tona shpesh për të siguruar se janë rigoroze. Në SHBA kemi ligje të caktuara për të siguruar që qeveria ia bën punën e vet publike popullit, dhe Administrata Obama ka filluar edhe një nismë të paparë për t’i vënë të dhënat e qeverisë në internet, për ta inkurajuar pjesëmarrjen e qytetarëve, dhe për ta rritur në përgjithësi transparencën e qeverisë.

Aftësia e Qeverisë së SHBA-së për ta mbrojtur Amerikën, për t’i siguruar liritë e popullit tonë, dhe për t’i mbështetur të drejtat dhe liritë e të tjerëve në botë varet nga mbajtja e një ekuilibri ndërmjet asaj që është publike dhe çfarë duhet të mbetet jashtë fushës publike. Peshorja gjithmonë duhet dhe do të anojë në favor të transparencës, por animi i tepërt i peshores nuk u shërben interesave të askujt. Më lejoni të jem e qartë. Thashë që incidenti WikiLeaks filloi me një vjedhje, sikur të ishte kryer duke kontrabanduar gazeta në një çantë. Fakti që WikiLeaks e përdori internetin nuk është arsyeja që i kritikuam veprimet e tij. WikiLeaks nuk e sfidon angazhimin tonë për liri të internetit.

Vetëm edhe një fjalë për këtë çështje: ka pasur raporte në ditët pas këtyre rrjedhjeve kinse Qeveria e SHBA-së ka ndërhyrë për t’i detyruar kompanitë private për t’ia refuzuar shërbimin WikiLeaks-it. Nuk është ashtu. Disa politikanë dhe ekspertë publikisht u bënë thirrje kompanive të shkëputeshin nga WikiLeaks, ndërsa të tjerët i kritikuan për këtë. Zyrtarët publikë janë pjesë e debateve publike të vendit tonë, por ekziston një linjë ndërmjet të shprehurit të pikëpamjes dhe detyrimit të sjelljes. Vendimet e biznesit që kompanitë private mund t’i kenë ndërmarrë për t’i zbatuar vlerat ose politikat e tyre lidhur me WikiLeaks-in nuk ishin nën drejtimin e Administratës Obama.

Sfida e tretë është mbrojtja e shprehjes së lirë, gjersa nxitet toleranca dhe mirësjellja. Nuk ka nevojë t’i them audiencës se interneti është shtëpi për çdo lloj fjalimi – të rremë, ofendues, ndezës, novator, të sinqertë, dhe të bukur.

Moria e mendimeve dhe ideve që e kaplojnë internetin është rezultat i transparencës së tij dhe pasqyrim i diversitetit tonë njerëzor. Të gjithë e thonë fjalën e vet në internet. Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut e mbron lirinë e shprehjes për të gjithë. Por ajo që themi ka pasoja. Fjalët urrejtëse ose shpifëse mund të nxisin armiqësi, t’i thellojnë ndarjet, dhe të provokojnë dhunë. Kjo mundësi zmadhohet në internet. Fjalimi jotolerant shpesh zmadhohet dhe është e pamundur të tërhiqet. Natyrisht, interneti gjithashtu ofron hapësirë unike në mënyrë që njerëzit t’i ngushtojnë dallimet e tyre dhe ta ndërtojnë besimin dhe mirëkuptimin.

Disa mendojnë se qeveritë duhet t’i shtypin disa ide urrejtëse për ta inkurajuar tolerancën. Ne besojmë se përpjekjet për ta frenuar përmbajtjen e fjalimit rrallë kanë sukses dhe shpesh bëhen justifikim për shkeljen e lirisë së të shprehurit. Në vend të kësaj, siç është dëshmuar shpesh historikisht, përgjigje më e mirë ndaj fjalimit ofendues është më tepër fjalim. Njerëzit mund dhe duhet të flasin kundër jotolerancës dhe urrejtjes. Duke i ekspozuar idetë për debat, idetë me merita kanë tendencë të forcohen, ndërsa idetë e dobëta dhe të rreme kanë tendencë të veniten përfundimisht, ndoshta jo menjëherë.

Tani, kjo qasje nuk e diskrediton menjëherë çdo ide urrejtëse, as nuk e bind çdo fanatik ta ndryshojë mendimin e tij. Por kemi vendosur, si shoqëri, se kjo është shumë më efektive se cilado qasje tjetër alternative. Fshirja e shkrimit, bllokimi i përmbajtjes, arrestimi i folësve – këto veprime i shtypin fjalët, por nuk i prekin idetë themelore. Ato thjesht i çojnë njerëzit me ide të tilla në periferi, ku bindjet e tyre mund të thellohen, pakundërshtueshëm.

Verën e kaluar, Hannah Rosenthal, e dërguara speciale e SHBA-së për monitorimin dhe luftën kundër semitizmit, udhëtoi në Dakau dhe Aushvic me një delegacion të imamëve dhe udhëheqësve myslimanë amerikanë. Shumë prej tyre e kishin mohuar më parë Holokaustin, dhe askush prej tyre nuk e kishte denoncuar mohimin e Holokaustit. Por duke i vizituar kampet e përqendrimit, ata shprehën gatishmëri për një mendim tjetër. Dhe udhëtimi kishte ndikim të vërtetë. Ata u lutën së bashku dhe nënshkruan porosi të paqes, dhe shumë prej atyre porosive në librat e vizitorëve ishin shkruar në gjuhën arabe. Në fund të udhëtimit, ata e lexuan një deklaratë të cilën e shkruan dhe nënshkruan së bashku me të cilën e dënonin pa rezerva mohimin e Holokaustit dhe të gjitha format e tjera kundër semitizmit.

Tregu i ideve pasi sukses. Tani, këta udhëheqës nuk ishin arrestuar për qëndrimin e tyre të mëparshëm, as nuk u ishte urdhëruar të heshtnin. Xhamitë e tyre nuk u mbyllën. Shteti nuk i detyroi me dhunë. Të tjerët u bënë thirrje me fakte. Dhe fjalimi i tyre ishte trajtuar përmes fjalimit të të tjerëve.

SHBA-ja kufizon lloje të caktuara të fjalimit në pajtim me sundimin e ligjit dhe detyrimet tona ndërkombëtare. Kemi rregulla për shpifjen, përgojimin dhe fjalimin që nxit dhunë të pashmangshme. Por, ne i zbatojmë këto rregulla në mënyrë transparente, dhe qytetarët kanë të drejtë të ankohen për mënyrën si zbatohen ato. Nuk e kufizojmë fjalimin edhe nëse pjesa dërmuese e njerëzve e konsideron atë ofendues. Megjithatë, historia është e mbushur me shembuj të ideve që ishin ndaluar për arsyet që tani i konsiderojmë të gabuara. Njerëzit ishin dënuar për shkak të mohimit të së drejtës hyjnore të mbretërve, ose për shkak se kishin sugjeruar që njerëzit duhej të trajtoheshin në mënyrë të barabartë pavarësisht nga raca, gjinia, apo feja. Këto kufizime mund ta kenë pasqyruar pikëpamjen dominuese në atë kohë, dhe variacionet e atyre kufizimeve janë ende në fuqi në vende të ndryshme të botës.

Por kur kemi të bëjmë me fjalimin në internet, SHBA-ja ka zgjedhur të mos largohet nga parimet tona të sprovuara me kohë. Ne i nxisim njerëzit tanë të flasin me mirësjellje, ta pranojnë fuqinë dhe shtrirjen që fjalët e tyre mund të kenë në internet. Kemi parë shembuj tragjikë në vendin tonë se si frikësimi në internet mund të ketë pasoja të tmerrshme. Ne në qeveri duhet të prijmë me shembuj, në tonin që e vendosim dhe me idetë që i mbështesim. Por udhëheqja gjithashtu nënkupton fuqizimin e njerëzve për t’i bërë zgjidhjet e tyre, në vend se të ndërhyjmë dhe t’ua marrim ato zgjidhje. E mbrojmë fjalën e lirë me fuqi të ligjit, dhe i bëjmë thirrje forcës së arsyes që ta mposhtë urrejtjen.

Pra, nuk është gjithmonë lehtë t’i avancojmë këto tri parime të mëdha në të njëjtën kohë. Ato ngritin tensione dhe paraqesin sfida. Por nuk duhet të zgjidhim mes tyre. Liria dhe siguria, transparenca dhe konfidencialiteti, liria e shprehjes dhe toleranca – të gjitha këto e përbëjnë themelin e një shoqërie të lirë, të hapur dhe të sigurt, si dhe një internet të lirë, të hapur dhe të sigurt, që i respekton të drejtat universale të njeriut, dhe që siguron hapësirë për përparim dhe prosperitet më të madh për një kohë të gjatë.

Tani, disa vende janë duke e provuar një qasje tjetër, janë duke i shkurtuar të drejtat në internet dhe janë duke punuar për të ngritur mure të përhershme ndërmjet aktiviteteve të ndryshme – shkëmbimeve ekonomike, diskutimeve politike, shprehjeve fetare dhe ndërveprimeve sociale. Ato duan ta mbajnë atë që u pëlqen dhe ta shtypin atë që nuk u pëlqen. Por kjo nuk është detyrë e lehtë. Makinat për kërkim i lidhin bizneset me klientët e rinj, dhe ato gjithashtu i joshin shfrytëzuesit sepse dërgojnë dhe organizojnë lajme dhe informacione. Faqet e rrjeteve sociale në internet nuk janë vetëm vende ku miqtë shkëmbejnë fotografi, ata gjithashtu shkëmbejnë pikëpamje politike dhe ndërtojnë mbështetje për kauza sociale apo arrijnë kontakte profesionale për të bashkëpunuar për mundësi të reja të biznesit.

Muret që e ndajnë internetin, që e bllokojnë përmbajtjen politike, ose që ndalojnë kategori të gjera të të shprehurit, apo që lejojnë forma të caktuara të grumbullimit paqësor, por që i ndalojnë të tjerat, ose i frikësojnë njerëzit për t’i shprehur idetë e tyre më lehtë ngrihen se që mbrohen. Jo vetëm për shkak se njerëzit që e përdorin zgjuarsinë gjejnë mënyra për t’i kapërcyer ato, por për shkak se nuk ka internet ekonomik, internet social apo internet politik; është vetëm një internet. Dhe mbajtja e pengesave që përpiqen ta ndryshojnë këtë realitet ngërthen një sërë shpenzimesh – morale, politike, dhe ekonomike. Vendet mund t’i përballojnë këto shpenzime për një kohë, por besojmë që, në fund, ato janë të papërballueshme. Ka shpenzime alternative në përpjekjen për të qenë i hapur për biznes, por të mbyllura për shprehjen e lirë – shpenzime për sistemin arsimor të një shteti, për stabilitetin e tij politik, për lëvizjen e tij sociale, dhe për potencialin e tij ekonomik.

Kur vendet e kufizojnë lirinë e internetit, ato vendosin kufij për të ardhmen e tyre ekonomike. Rinia e tyre nuk ka qasje të plotë në bisedat dhe debatet që ndodhin në botë apo në ekspozimet në llojin e hetimit të lirë që i nxit njerëzit të dyshojnë në mënyrat e vjetra të veprimit dhe t’i shpikin mënyrat e reja. Dhe ndalimi i kritikave ndaj zyrtarëve i bën qeveritë më të prekshme ndaj korrupsionit, gjë që shkakton shtrembërime ekonomike me efekte afatgjata. Liria e mendimit dhe sheshi i rrafshët i lojërave, të mundësuara nga sundimi i ligjit, janë pjesë e asaj që i nxit ekonomitë novatore.

Pra, nuk është befasi që Këshilli evropian-amerikan për biznes, një grup me mbi 70 kompani, lëshoi një deklaratë të fortë publike javën e kaluar në mbështetje të lirisë së internetit. Nëse investoni në vendet me censurë agresive dhe politika të mbikëqyrjes, uebsajti juaj mund të mbyllet pa paralajmërim, serverët tuaj do të riprogramohen nga qeveria, dizajnët tuaj do të vidhen, ose stafi juaj do të kërcënohet me arrestim apo dëbim nëse nuk e zbaton urdhrin e motivuar politikisht. Rreziqet për linjën tuaj të fundit dhe integritetin tuaj do t’i kalojnë, në një çast, fitimet e mundshme, posaçërisht nëse ka mundësi të tregut gjetiu.

Disa kanë përmendur pak vende, veçanërisht Kinën, që duket të dallohet si përjashtim, një vend ku censura në internet është e lartë dhe zhvillimi ekonomik është i fortë. Është e qartë që shumë biznese janë të gatshme të durojnë politika kufizuese në internet për të fituar qasje në këto tregje, dhe brenda një afati të shkurtër, dhe mbase brenda një afati të mesëm, ato qeveri mund të kenë sukses për ta mbajtur një internet të segmentuar. Por ato kufizime do t’i kenë shpenzimet e veta afatgjata që kërcënojnë të bëhen problem serioz që e kufizon rritjen dhe zhvillimin.

Ka edhe shpenzime politike. Merreni parasysh Tunizinë, ku aktiviteti ekonomik në internet ishte pjesë e rëndësishme e lidhjeve të vendit me Evropën, kurse censura në internet ishte në të njëjtin nivel me Kinën dhe Iranin. Përpjekja për ta ndarë internetin ekonomik nga interneti “për çdo gjë tjetër” në Tunizi nuk mund të mbahej. Njerëzit, posaçërisht të rinjtë, gjetën mënyra për t’i përdorur teknologjitë lidhëse për t’u organizuar dhe ndarë ankesat, që, siç e dimë, ndihmoi nxitjen e një lëvizjeje që shpuri në ndryshim revolucionar. Edhe në Siri qeveria po përpiqet ta negociojë një kundërshtim të panegociueshëm. Vetëm javën e kaluar, ajo hoqi një ndalesë për Facebook dhe YouTube për herë të parë brenda tri vjetëve, dhe dje e fajësoi një adoleshente për spiunazh dhe e dënoi me pesë vjet burg për mendimet politike që i kishte shprehur në blogun e saj.

Kjo, gjithashtu, është e paqëndrueshme. Kërkesa për qasje në platforma të shprehjes nuk mund të plotësohet kur për përdorimin e tyre shkoni në burg. Besojmë se qeveritë që kanë ngritur pengesa për lirinë e internetit, qofshin ato filtra teknikë, regjime të censurës apo sulme ndaj personave që i ushtrojnë të drejtat e tyre të shprehjes dhe të grumbullimit në internet, në fund do ta gjejnë veten të ngujuar. Ata do të përballen me një dilemë të diktatorit dhe duhet të zgjedhin midis rrëzimit të mureve ose pagimit të çmimit për t'i mbajtur në këmbë, që do të thotë dyfishim në një dorë humbëse duke përdorur shtypje më të madhe dhe duke duruar shkallëzimin e shpenzimeve alternative për humbje të ideve që kanë qenë të bllokuara dhe të njerëzve që kanë qenë të zhdukur.

Kërkoj nga vendet kudo në botë të na bashkohen në planin që kemi bërë, një plan që një internet i hapur do të shpjerë në vende më të forta, më të begata. Në të vërtetë, kjo është një shtrirje e planit që SHBA-ja ka bërë për më shumë se 200 vjet, që shoqëritë e hapura sjellin përparim më të qëndrueshëm, që sundimi i ligjit është baza më e fortë për drejtësi dhe paqe, dhe që novacioni lulëzon ku idetë e të gjitha llojeve transmetohen dhe hulumtohen. Ky nuk është plan për kompjuterë ose telefona mobilë. Ky është plan për njerëz. Jemi të sigurt që bashkë me ata partnerë në qeveri dhe njerëzit në mbarë botën që janë duke bërë të njëjtin plan duke i respektuar të drejtat universale që i forcojnë shoqëritë e hapura, ne do ta ruajmë internetin si hapësirë të hapur për të gjithë. Dhe kjo do t’i sjellë fitime afatgjata përparimit dhe prosperitet tonë të përbashkët. SHBA-ja do të vazhdojë ta mbështesë një internet ku të drejtat e njerëzve janë të mbrojtura dhe që është i hapur për novacione, ndërveprime në mbarë botën, mjaft i sigurt për ta fituar besimin e njerëzve, dhe të mjaft i besueshëm për të mbështetur punën e tyre.

Gjatë vitit të kaluar kemi mirëpritur shfaqjen e një koalicioni global të vendeve, bizneseve, grupeve të shoqërisë civile dhe aktivistëve digjitalë që përpiqeshin t’i avanconin këto qëllime. Kemi gjetur partnerë të fortë në disa qeveri anembanë botës, dhe kemi qenë të inkurajuar nga puna e Nismës së Rrjetit Global, që i bashkon kompanitë, akademikët dhe OJQ-të për të punuar bashkë në zgjidhjen e sfidave me të cilat përballemi, p.sh., si t’i trajtojmë kërkesat e qeverive për censurë apo si të vendosim nëse do të shesim teknologji që mund të përdoren për t’i shkelur të drejtat ose si të trajtohen çështjet e privatësisë në kontekst të rrjetit të informatikës. Kemi nevojë për partnerë të fortë të korporatave që kanë bërë zotime parimore, të rëndësishme për lirinë e internetit gjersa punojmë bashkë për ta avancuar këtë kauzë të përbashkët.

E dimë që liria e internetit duhet të bartet gjatë aktivizmit të botës së vërtetë për të qenë kuptimplote. Kjo është arsyeja pse jemi duke punuar nëpërmjet iniciativës tonë Shoqëria Civile 2.0 për t’i lidhur OJQ-të dhe përkrahësit me teknologji dhe trajnim që do ta rrisë ndikimin e tyre. Gjithashtu angazhohemi ta vazhdojmë bisedën tonë me njerëz në mbarë botën. Javën e kaluar, mund të keni dëgjuar, kemi filluar me Twitter në gjuhën arabe dhe farsi, duke ua shtuar atyre që tashmë i kemi në frëngjisht dhe spanjisht. Ngjashëm do të fillojmë në kinezisht, rusisht, dhe indishte. Kjo na mundëson të kemi biseda në kohë reale, në dy drejtime, me njerëz sa herë që ka një lidhje të cilën qeveritë nuk e bllokojnë.

Angazhimi ynë për lirinë e internetit është angazhim për të drejtat e njeriut, dhe këtë e përshtatim me veprimet tona. Monitorimi dhe përgjigja ndaj kërcënimeve për lirinë e internetit është bërë pjesë e punës së përditshme të diplomatëve dhe ekspertëve tanë për zhvillim. Ata janë duke punuar për ta avancuar lirinë e internetit në terren në ambasadat dhe misionet tona në tërë botën. SHBA-ja vazhdon t’u ndihmojë njerëzve në mjediset ku shtypet interneti për t’i anashkaluar filtrat, për të qëndruar një hap përpara censorëve, hakerëve, dhe banditëve që i rrahin ose i burgosin për shkak të asaj që thonë në internet.

Ndërsa të drejtat që përpiqemi t’i mbrojmë dhe mbështesim janë të qarta, mënyrat e ndryshme në të cilat shkelen këto të drejta janë gjithnjë e më të ndërlikuara. E di që disa na kanë kritikuar për mosderdhje të mjeteve financiare në një teknologji të vetme, por besojmë se nuk ka plumb të argjendtë në luftën kundër shtypjes së internetit. Nuk ka zbatim për atë. (Qeshje.) Filloni të punoni, ju atje. (Qeshje.) Për këtë arsye jemi duke ndërmarrë një qasje gjithëpërfshirëse dhe novatore, një qasje që e plotëson diplomacinë tonë me teknologji, rrjete të sigurta të shpërndarjes për mjete, dhe mbështetje të drejtpërdrejtë për ata në vijën e frontit.

Gjatë tri vjetëve të fundit kemi dhënë mbi 20 milionë dollarë në grante konkurruese përmes një procesi të hapur, duke përfshirë vlerësimin e agjencive nga ekspertët teknikë dhe politikë për ta mbështetur një grup në zhvillim e sipër të teknologëve dhe aktivistëve që punojnë si avangardë e luftës kundër shtypjes së internetit. Këtë vit do të japim mbi 25 milionë dollarë në fonde shtesë. Jemi duke ndërmarrë një qasje sipërmarrëse të stilit kapital, me të cilën do ta mbështesim një portofol të teknologjive, mjeteve dhe të trajnimit, dhe jemi duke u përshtatur gjersa më shumë përdorues kalojnë në pajisje mobile. I kushtojmë vëmendje të posaçme trendeve të opinionit publik, bisedojmë me aktivistët digjitalë lidhur me atë se ku kanë nevojë për ndihmë, dhe qasja jonë e larmishme thotë që mund t’i përshtatemi një sërë kërcënimeve me të cilat përballen. Mbështesim mjete të shumta, kështu që nëse qeveritë shtypëse kuptojnë si ta qëllojnë njërën, të tjerat janë në dispozicion. Investojmë në avangardë sepse e dimë që qeveritë shtypëse vazhdimisht i përtërijnë metodat e tyre të shtypjes dhe ne synojmë të qëndrojnë përpara tyre.

Gjithashtu jemi duke i prirë përpjekjes për ta forcuar sigurinë dhe novacionet në internet, jemi duke i ndërtuar kapacitetet në vendet në zhvillim, jemi duke i përkrahur standardet e hapura dhe të ndërveprueshme dhe jemi duke e rritur bashkëpunimin ndërkombëtar për t'iu përgjigjur kërcënimeve në internet. Zëvendëssekretari i Mbrojtjes Lynn pikërisht dje mbajti një fjalim për këtë çështje. Të gjitha këto përpjekje bazohen në një punë dhjetëvjeçare për ta mbështetur një internet të hapur, të sigurt, dhe të besueshëm. Dhe vitin e ardhshëm, Administrata do ta kompletojë një strategji ndërkombëtare për hapësirë të internetit, duke trasuar kursin për vazhdimin e kësaj pune në të ardhmen.

Ky është prioritet i politikës së jashtme për ne, prioritet të cilit do t’i rritet rëndësia në vitet e ardhshme. Kjo është arsyeja pse e kam themeluar Zyrën e Koordinatorit për Çështje të Internetit, për ta përmirësuar punën tonë në sigurinë e internetit dhe në çështje të tjera dhe për ta lehtësuar bashkëpunimin brenda Departamentit të Shtetit dhe me agjenci të tjera qeveritare. Në krye të kësaj zyre të re e kam emëruar z. Christopher Painter, ish-drejtor i lartë për siguri të internetit në Këshillin e Sigurimit Kombëtar dhe udhëheqës me 20 vjet përvojë në terren.

10 vjetët e fundit kanë shënuar rritje të madhe të përdoruesve të internetit. Por ky ishte vetëm akti i hapjes. Në 20 vjetët e ardhshme, gati pesë miliardë njerëz do t’i bashkohen rrjetit. Ata përdorues do ta vendosin të ardhmen.

Pra, jemi duke luajtur për lojën e gjatë. Ndryshe nga ajo që ndodh në internet, përparimi në këtë front matet me vite, jo me sekonda. Kursi që trasojmë sot do të përcaktojë nëse ata që vijnë pas nesh do të kenë mundësi ta përjetojnë lirinë, sigurinë, dhe prosperitetin e një interneti të hapur.

Gjersa shikojmë përpara, të mos harrojmë që liria e internetit nuk ka të bëjë me ndonjë aktivitet të veçantë në internet. Ka të bëjë me sigurimin që interneti mbetet hapësirë ku mund të ndodhin aktivitetet e të gjitha llojeve, prej fushatave historike të mëdha e novatore deri te aktet e vogla, të zakonshme me të cilat njerëzit merren çdo ditë.

Dëshirojmë ta mbajmë internetin të hapur për protestuesin që përdor mediat sociale për ta organizuar një marshim në Egjipt; për studenten që ia dërgon familjes së vet fotografitë e semestrit të saj jashtë vendit; për avokatin në Vietnam që blogon për ta zbuluar korrupsionin; për adoleshenten në SHBA e cila ngacmohet dhe gjen fjalë mbështetëse në internet; për pronaren e biznesit të vogël në Keni që përdor sistemin bankar mobil për t’i menaxhuar fitimet e veta; për filozofen në Kinë që lexon revista akademike për disertacionin e saj; për shkencëtarin në Brazil që ndan të dhëna në kohë reale me kolegë jashtë vendit; dhe për miliarda e miliarda ndërveprime me internet çdo ditë gjersa njerëzit komunikojnë me të dashurit e tyre, i përcjellin lajmet, e bëjnë punën e tyre, dhe marrin pjesë në debate që i japin formë botës së tyre.

Liria e internetit ka të bëjë me mbrojtjen e hapësirës në të cilën ndodhin të gjitha këto gjëra në mënyrë që ajo të mos mbetet vetëm për studentët këtu sot, por edhe për pasardhësit tuaj dhe të gjithë ata që vijnë pas juve. Kjo është njëra prej sfidave më të mëdha të kohës sonë. Angazhohemi në një përpjekje energjike kundër atyre që përherë kanë qëndruar kundër, që dëshirojnë të mbysin dhe të shtypin, të paraqiten me versionin e tyre të realitetit dhe të mos pranojnë asnjë tjetër. Kërkojmë ndihmën tuaj në emër të kësaj lufte. Është luftë për të drejtat e njeriut, është luftë për lirinë e njeriut, dhe është luftë për dinjitetin e njeriut.
Ju faleminderit shumë.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...