Nga Dr Prof Eshref Ymeri
Reagim drejtuar gazetës “Tribuna Shqiptare”, Montreal, Kanada
Më 18 shkurt 2011, përmes faqeve të gazetës së nderuar internetike “Tribuna Shqiptare”, u njoha me një letër që zoti Luan Çipi ma dërgonte nga Çikagoja. Në atë lëtër ai reagonte ndaj një materiali me titull “Ca ngjarje “rastësore” në karrierën e Presidentit Topi”, që unë e kam botuar po në këtë gazetë më 15 shkurt 2011. Ato që unë kam shkruar për Presidentin Topi, zoti Luan i vlerëson si gjëra të pambështetura, si pandehma hesapi. Pra, sipas zotit Luan, unë paskam thënë gjëra të paqena në adresë të Presidentit Topi.
Së pari, zoti Luan kundërshton mendimin tim se pse Presidenti Topi vizitën e parë duhej ta bënte në Greqi. Sikur Presidenti Topi këtë vizitë të parë ta kishte bërë për të vënë pikat mbi i për ca probleme që mbeten shumë të mprehta në marrëdhëniet me shtetin grek dhe rezultatet e asaj vizite të na i kishte bërë publike, unë me siguri që do të shprehja gjithë entuziazmin tim për atë vizitë. Por Presidenti Topi, pas kthimit nga ajo vizitë, nuk i tha asgjë konkrete opinionit publik shqiptar.
Një i tillë problem i mprehtë ka qenë çështja e ngritjes së varrezave dhe memorialeve për ushtarët agresorë grekë që u vranë në territorin shqiptar gjatë Luftës Italo-Greke. Me siguri që zoti Luan e ka lexuar librin e Prof.dr. Beqir Metës me titull “Tensioni greko-shqiptar (1939-1949)”. Shtëpia Botuese GEER, Tiranë, 2002. Ja çfarë shkruan profesori i nderuar nacionalist:
“U vërtetua një veprim sistematik dhe i qëllimshëm i shkatërrimit të kishave dhe të xhamive të shqiptarëve në zonat ku u fut ushtria greke. U dëmtuan dhe u shkatërruan të dyja kishat ortodokse shqiptare në Rehovë, kishat në Selenicë, në Mileci, në Plasë, në Ersekë, në Boboshticë, në Dardhë, në Kapshticë, në Voskop, në Turan, Katedralja Ortodokse, kisha e Shën Trinisë dhe Pallati i priftërinjve katolikë në Korçë, katedralja e Shën Marisë dhe kisha e Shënkollit në Drenovë; kuvendi Shën Ilia në Vloçisht dhe 11 kisha ortodokse në Voskopojë. Grekët shkatërruan edhe xhamitë e Ersekës, të Vloçishtit, të Pogradecit, të Turanit, të Leskovikut, të Mborjes, të Floqit, të Zvezdës dhe të Gjonomatit. Kjo e fundit u shndërrua nga grekët në stallë kuajsh” (f.50-51).
Pikërisht eshtrat e këtyre ushtarëve të vrarë grekë, që u dyndën si agresorë në Shqipërinë e Jugut dhe që kanë kryer krime të tilla të përbindshme kundër trashëgimisë kulturore dhe fetare të kombit shqiptar, shteti shovinist grek i rivarrosi po në territorin shqiptar, duke ngritur për ta varreza, memoriale dhe manastire të posaçme me simbolikë greke! Por i rivarrosi, duke blerë eshtra qytetarësh shqiptarë, të vdekur një herë e një kohë, siç ishte rasti i zhvarrimeve skandaloze në Kosinë të Përmetit.
Për dijeninë e zotit Luan, Presidenti Topi ka gisht në ngritjen e këtyre varrezave, ashtu siç ka gisht edhe Kryeministri Berisha, edhe gjithë ish-kryeministrat e tjerë shqiptarë dhe mbarë klasa politike shqiptare. Në territorin shqiptar u vranë edhe mijëra ushtarë italianë dhe shteti italian nuk kërkoi kurrë që në Shqipëri të ngriheshin varreza, memoriale dhe manastire në nderim të tyre. Përkundrazi, ai i mblodhi eshtrat e tyre dhe i rivarrosi në Itali. Por shteti grek, si një shtet tradicionalisht shovinist, dhe kisha greke, si një kishë tradicionalisht shoviniste në qëndrimin ndaj kombit shqiptar, me këto varreza, memoriale dhe manastire që kanë ngritur në vendin tonë për ushtarët agresorë grekë, kanë ngulur “gozhdën e Nastradinit” në Shqipërinë e Jugut, me synime afatgjata për greqizimin e Shqipërisë së Jugut. Vallë të mos ketë dijeni zoti Luan që në kushtetutën greke ka një nen të posaçëm, në të cilin thuhet se atje ku bie një ushtar grek, ajo është tokë greke? Vallë të mos ketë dijeni zoti Luan që Kryepeshkopi i Serbisë që erdhi në krye të kishës shoviniste serbe pas vdekjes së ish-kryepeshkopit Pavle, deklaroi se serbët do të kthehen në Kosovë, qoftë edhe pas dy mijë vjetësh? Prandaj, pas ngritjes së varrezave, memorialeve dhe manastireve në nderim të ushtarëve agresorë grekë, shteti shovinist grek ka krijuar bindjen se çështja e “Vorio Epirit” është vënë në rrugën e “zgjidhjes përfundimtare”. Shovinizmi grekomadh dhe kisha shoviniste greke nuk punojnë sot për të ngrënë sot, ashtu siç kërkon ta “grazhdojë” popullin shqiptar klasa politike e të dy krahëve në vendin tonë. Përkundrazi, shovinizmi grekomadh dhe kisha shoviniste greke punojnë sot për të ngrënë edhe pas dy mijë vjetësh.
Që të kthehem tek ajo çka deklarova më lart se Presidenti Topi ka gisht në ngritjen e objekteve të lartpërmendura për ushtarët agresorë grekë, dua të theksoj se ai, pra, Presidenti Topi, nuk i tha asgjë opinionit publik shqiptar për premtimin që u ka bërë autoriteteve shoviniste greke për ngritjen e objekteve në fjalë. Por, për fatin e keq të shqiptarëve, Presidentin Topi, ashtu edhe Kryeministrin Berisha, e nxjerr zbuluar nënkryetari i parlamentit grek Jorgos Sulas. Le të flasim më konkretisht.
Televizioni “Top Channel”, më shumë se dy vjet të shkuara, bënte të ditur se “nënkryetari i parlamentit grek Jorgos Sulas, duke folur në “TV Alfa”, deklaroi se do të votonte kundër marrëveshjes së Shqipërisë dhe BE-së, nëse qeveria shqiptare nuk mban premtimin për varrezat greke dhe për ngritjen e memorialeve. Ai deklaroi se kishte marrë mbështetjen e autoriteteve shqiptare, përfshirë Presidentin e vendit Bamir Topi dhe Kryeministrin Berisha për gjetjen e eshtrave dhe miratimin e ngritjes së memorialeve dhe varrezave për ushtarët e rënë në luftë. Por nëse kjo çështje nuk zgjidhet, deklaroi ai, unë do të votoj kundër ratifikimit të marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit të Shqipërisë me BE-në” (Gazeta “Panorama”, 29 tetor 2005, f. 5).
Po si shpjegohet fakti që marrëdhëniet diplomatike me Greqinë u vendosën që në vitin 1971 dhe shteti shovinist grek, për 34 vjet rresht, deri në vitin 2005, nuk u kujtua kurrë për gjetjen e eshtrave të ushtarëve agresorë grekë dhe për rrivarrosjen e tyre në tokën shqiptare? Sepse, për mendimin tim, ky shtet shovinist kishte krijuar bindjen se Shqipëria kishte në krye një klasë politike pa dinjitet kombëtar, pa vetëdije kombëtare dhe me të mund të sillej si t’ia donte mideja shovinizmit grekomadh dhe kishës shoviniste greke, duke e kërcënuar se do të dilte kundër vendit tonë për të gjitha ato probleme, për të cilat kërkohej firma e të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Unë mendoj se ngritja e varrezave, memorialeve dhe manastireve për ushtarët agresorë grekë është një haraç i rëndë që klasa politike shqiptare, dhe, konkretisht, edhe Presidenti Topi, ua kanë lënë në derë breznive shqiptare që do të vijnë pas nesh, haraç ky që do të duhet të shlyhet me një kosto shumë të lartë. Por, fatkeqësisht, zoti Luan nuk dëshiron ta njohë një realitet të tillë. Është punë e tij.
Ndër të tjera, duke m’u drejtuar mua për vizitën e Presidentit Topi në Greqi, zoti Luan shkruan:
“Se çfarë është biseduar dhe ç’nuk është biseduar atje, ju e thoni vetë se nuk e dini. Kjo, që nuk e dini ju dhe nuk e di unë, mund të jetë një gabim i tij dhe unë mund t’ia fal si për herë të parë dhe si pa përvojë…”.
Me këtë rast, dëshiroj të theksoj diçka nga përvoja ime. Në gushtin e vitit 2008 ndodhesha për vizitë te djali, në SHBA, në qytetin Minneapolis të shtetit Minnesota. Asokohe pata një infeksion të rëndë në këmbën e djathtë dhe m’u desh të shtrohesha në një klinikë të njohur të qytetit. Ishte mbrëmja e 27 gushtit. Pasi mjeku ma hoqi infeksionin me sondë, u shtrova në reaminacion. Gjatë 24 orëve që ndenja i shtruar, infermieret e klinikës m’u gjendën pranë 26 herë. Në kohën kur infermjerja Kejsi (Casey) u ndodh pranë shtratit tim për të më matur tensionin e gjakut, nga ekrani i televizorit që ishte në murin përballë, unë isha duke ndjekur përfundimin e Konventës së Demokratëve që zhvillohej në qytetin Denver të shtetit të Kolorados, në kuadrin e fushatës për zgjedhjet presidenciale. Ishte çasti kur drejtuesja e konventës ia dha fjalën ish-Presidentit Klinton. Pasi zonja Kejsi ma mati tensionin, unë e pyeta:
- “Besoj se ju duhet të jeni krenarë për këtë politikan?
- Kush ne? - ma ktheu ajo.
- Ju dhe mbarë qytetarët amerikanë, - ndërhyra unë.
- Jo, zotëri, - më kundërshtoi ajo. - Mos e keni harruar gjë historinë e tij me Monika Levinskin?
- Por njeriu, moj zonjë, para se të jetë politikan i madh, është edhe njeri i zakonshëm që mund t’i shpëtojnë edhe gabime, - u mundova të justifikohesha unë.
- Jo, zotëri, e keni gabim. Kur njeriu bëhet politikan i madh dhe arrin deri në postin e presidentit të vendit, ai duhet të harrojë së qenuri njeri i zakonshëm se figura e tij është në qendër të vëmendjes së mbarë opinionit publik, nga ai janë drejtuar sytë e të gjithë kombit.
Ky ishte një leksion i shkëlqyer që më dha infermjera Kejsi, një zonjë kjo shumë e re në moshë, që nuk do ta harroj sa të jem gjallë.
Për dijeninë e zotit Luan, premtimi i Presidentit Topi dhe i Kryeministrit Berisha për ngritjen e varrezave, memorialeve dhe manastireve për ushtarët agresorë grekë, është një gabim i pafalshëm, për të mos thënë që është një faj i rëndë që kanë bërë në dëm të tërësisë territoriale të kombit shqiptar në perspektivat afatgjata. Presidenti Topi, para se t’i premtonte Greqisë lejen për ngritjen e objekteve për ushtarët agresorë grekë, le të kërkonte zhvillimin e një anketimi apo edhe referendumi mbarëpopullor, që të bindej se cili ishte pulsi i opinionit publik shqiptar për këtë problem kaq të mprehtë. Unë nuk ia fal dot Presidentit Topi, ashtu edhe mbarë klasës politike shqiptare, këtë lëshim të paparim që u kanë bërë autoriteteve greke, të cilat nuk janë çliruar kurrë nga epshet shoviniste që kanë ushqyer dhe vazhdojnë të ushqejnë kundër vendit tonë. Për mendimin tim, ky lëshim bie era tradhti kombëtare. Është punë e zotit Luan që këtë lloj lëshimi nuk e quan gabim, madje kërkon edhe t’ia falë Presidentit Topi. Punë për të.
Kryeministri Berisha është kryetar i një formacioni politik që sot qeveris vendin dhe qëllimi tij është që të qëndrojë sa më gjatë në pushtet, duke u munduar ta shtojë sa më shumë elektoratin e vet dhe duke e joshur atë me arritje objektivash në formumet evropiane. Por këto arritje, për mendimin e të gjithë shqiptarëve me vetëdije të lartë kombëtare, nuk mund të jenë të pranueshme, duke i bërë lëshime kaq të rënda shovinizmit grekomadh dhe kishës shoviniste greke që kanë si pikësynim greqizimin e Shqipërisë së Jugut.
Prandaj Presidenti Topi, si një figurë që qëndron mbi të gjitha formacionet politike të vendit, nuk mund të zbresë në nivelin e një kryeministri që kërkon të prekë interesat kombëtare të vendit. Premtimet që Presidenti Topi u ka bërë autoriteteve shoviniste greke për varrezat, memorialet dhe manastiret për ushtarët agresorë grekë, i ndezën edhe më keq epshet e tyre për pretendime të tjera ndaj Shqipërisë së Jugut. Siç janë në dijëni edhe zoti Luan dhe mbarë lexuesit e nderuar të “Tribunës Shqiptare”, fill pas këtij lëshimi të rëndë, pasuan pretendimet për zgjerimin e zonës së minoritetit deri në Himarë, Korçë, Përmet etj. Më pas, zëdhënësi i shovinizmit grekomadh, Bollanoja, siç do të përmendet më poshtë, kërkoi që krejt Shqipëria e Jugut të shpallet zonë minoriteti. Mandej shovinizmi grekomadh kërkoi të pushtonte hapësirat ujore të vendit tonë. Deputetët demokratikas, duke kryer një akt të lartë tradhtie, kaluan ligjin në parlament për t’ia falur hapësirat tona ujore shovinizmit grekomadh. Presidenti Topi e dekretoi menjëherë këtë ligj antikombëtar. Por, për fatin tonë të mirë, Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë ligjin e demokratikasve dhe dekretin e Presidentit Topi. S’kaloi shumë kohë dhe shovinizmi grekomadh kërkoi të bëhet regjistrimi i popullsisë, me qëllimin që njerëzve t’u kërkohej që ta zgjedhin vetë kombësinë dhe fenë. Dhe, çuditërisht, me porosi të shovinizmit grekomadh, përgatitja e këtij formulari i ngarkohet zotit Genc Pollo, ministër në qeverinë e zotit Berisha. Ky lloj formulari, me pyetjet që përmbahen në të për t’u shprehur për kombësinë dhe për fenë, nuk i është ofruar asnjë qytetari në asnjërin shtet të Evropës, përfshirë këtu edhe Greqinë. Atëherë, si shpjegohet që ky tip formulari i ofrohet pikërisht qytetarit shqiptar?
Kundër këtij formulari është ngritur edhe ish-Presidenti Moisiu, i cili tani kërkuaka që të rishikohet ligji për gjendjen civile (Gazeta “Shqip”, 20 shkurt 2011, f. 3). Domosdo! Nuk do ndonjë marifet të madh që të bëhesh trim pas luftës dhe i zgjuar pas davasë! Ndërkohë, Presidenti Topi, duke qenë në dijeni për mënyrën e regjistrimit të popullsisë me formularin Pollo, ka heshtur për ligjin për gjendjen civile, të hartuar që në vitin 2003.
Më 17 shkurt 2011, një grup të rinjsh shqiptarë, të ardhur nga të gjitha trojet tona etnike dhe të mbështjellë me flamurin e kuq kombëtar, u paraqitën para Këshillit të Lartë të Drejtësisë (ku kryetar është Presidenti Topi) për të protestuar kundër regjistrimit të popullsisë sipas formularit të përgatitur nga zoti Genc Pollo. Ata morën takim me nënkryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, zotin Kreshnik Spahiu, duke i dhuruar edhe një flamur me e portretin e tij dhe duke e përshëndetur ngrohtësisht për qëndrimin burrëror që ka mbajtur kundër vendimeve të disa gjykatave të jugut të Shqipërisë për ndërrim kombësie. Qëndrimi i atyre të rinjve me vetëdije të lartë kombëtare, duhet të shërbejë si zile alarmi, para së gjithash, për Presidentin Topi, i cili, në rast se nuk ndërhyn kundër formularit për regjistrimin e popullsisë, vendi mund të futet në një konflikt civil të përmasave të gjera.
Në një letër të hapur që Kisha Ortodokse Autoqefale Kombëtare Shën Maria Elbasan, me Kryetar Atë Nikollë Markun, u ka drejtuar Presidentit të Republikës, Kryeministrit, Ambasadës së SHBA, Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe Parlamentit Evropian, thuhet:
“Këto veprime udhëhiqen nga pseudokleriku Anastas Janullatos, në bashkëpunim me qarqe të caktuara antishqiptare që ndodhen brenda Shqipërisë, në shtetin grek dhe në lobin greko-amerikan. Duam t’ju bëjmë me dije se ortodoksia shqiptare nuk ka asgjë të përbashkët në origjinën kombëtare me pakicat kombëtare greke. Anastas Janullatosi, së bashku me greko-amerikanin Nikolas Gejxh, kërkojnë tjetërsimin e kishës ortodokse dhe të origjinës shqiptare, sipas një plani të vjetër për ta quajtur një pjesë të territorit shqiptar si Vorio Epir. Ne kërkojmë nga ju që të mbroni kombin shqiptar nga ky kurth i rrezikshëm për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Cenimi i ndërgjegjes kombëtare, i traditës dhe origjinës historike përbën një ndezje zjarri në ndërgjegjen shqiptare, ndërgjegje që mund të çojë në reagime aspak të dëshiruara për Shqipërinë Evropiane dhe anëtare të NATO-s. Loja me varret e ushtarëve grekë që kanë rënë si pushtues në Shqipëri, kthimi i emrave nga shqiptarë në grekë, ndryshimi kombësisë për një përfitim pensioni mujor, si edhe mbajtja peng e integrimit të Shqipërisë nga shteti grek në forume ndërkombëtare, janë veprime që cenojnë direkt jetën dhe identitetin kombëtar të kombit shqiptar. Ne shprehim indinjatën tonë të thellë, duke kërkuar nga ju ndërhyrjen dhe ndihmën që meritojmë për të ardhmen tonë evroatlantike. Ne besojmë se ju do të mbani qëndrim të ndershëm dhe të drejtë për veprime të kësaj natyre. Ne duam që të jetojmë në paqe dhe harmoni me fqinjët dhe besimet fetare të ndryshme, por kurrsesi dashuria dhe bujaria jonë apo edhe tranzicioni ynë të merrën si dobësi” (Gazeta “Republika”, 20 shkurt 2011, f. 4).
Në emisionin “Studio e hapur” të zonjës Eni Vasili që u transmetua më 19 shkurt 2011 në TV “Alsat”, dy përfaqësues të minoritetit grek, zotërinjtë Beci dhe Karamelo, që ishin ftuar në studio përball analistit Andrea Stefani dhe prof.dr. Apollon Baçes, e ngritën edhe shumë më lartë “stekën” e pretendimeve të shovinizmit grekomadh dhe të kishës shoviniste greke ndaj vendit tonë. I pari deklaroi se në Shqipëri ka “katërqind mijë” minoritarë, kurse i dyti përmendi flamurin e Kosovës me gjashtë yje, duke bërë aluzion të hapur edhe për riformatimin e flamurit tonë kombëtar, me objektiv përfundimtar shpalljen e Shqipërisë si vend shumetnik.
Për të justifikuar vizitën e parë të Presidentit Topi në Greqi, zoti Luan shkruan:
“Pse mos ta bënte vizitën e parë Presidenti Shqiptar në Greqi? Në vendin fqinj, me të cilin historikisht që nga Pellzgët, po dhe sot, kemi gjithë ato marrëdhënie e pleksje kapitaliste deri financiare, si një vend i NATOs dhe i Komunitetit Evropian…”.
Për sa thotë zoti Luan, dëshiroj të theksoj se marrëdhëniet greko-shqiptare, në aspektin e “pleksjeve kapitaliste deri financiare”, janë thjeshtë marrëdhënie koloniale. Këtu dëshiroj të mjaftohem vetëm me një shembull të thjeshtë. Nga një informacion që është bërë i njohur këtu e katër vjet të shkuara, mësojmë se Enti Rregullator i Telekomunikacioneve kishte arritur në përfundimin se të ardhurat që marrin kompanitë e telefonisë celulare AMC dhe VODAFONE nga paketat e tarifimit me kontratë në Shqipëri, janë më të lartat që ato mund të marrin nga gjithë Evropa. Në një raport, dorëzuar komisionit hetimor për telefoninë, ERT-ja theksonte se nga një abonent i vetëm me kontratë kompanitë celulare arrijnë të marrin afërsisht 2500 euro në vit…” (“Gazeta Shqiptare”, 22 qershor 2006, f.7). Po kjo gazetë e së njëjtës datë njofton se celularët në Shqipëri janë 1000 herë më të shtrenjtë se në Irak, kurse në numrin e saj të datës 23 qershor, lexojmë se milionerët e Luksemburgut i paskan celularët 600% më të lirë se ne!!!
Po nga “Gazeta Shqiptare e datës 4 qershor, f.2, mësojmë se kompania celulare greke AMC në vitin 2005 paska deklaruar në bilancin e saj se “ka dhënë kredi për një shifër marramendëse prej 6 miliardë e 115 milionë lekë te reja, e barabartë me mbi 50 milionë euro, sikur të ishte një bankë dhe jo një kompani telefonie celulare”. Dhe këtë shumë kolosale kompania AMC ia paska lëshuar kompanisë mëmë COSMOTE në Greqi, paçka se në bazë të ligjeve tona këto para kjo kompani duhet t’i investojë për zhvillimin e ekonomisë shqiptare. Ndërkohë që kompania në fjalë këtë mal me para ia dorëzon në formë kredie kompanisë mëmë COSMOTE, ajo, siç bëhet e ditur nga “Gazeta Shqiptare” (23 qershor 2006), duke filluar nga viti 2001, nuk u ka paguar institucioneve tatimore të shtetit shqiptar një detyrim të majmë që arrin në shumën deri në 7 milionë dollarë. Po pse paska heshtur shteti shqiptar para një skandali të tillë financiar të kompanisë greke AMC?
A nuk duhet menduar se këto fakte dëshmojnë më së miri se “marrëdhëniet e pleksje kapitaliste deri finaciare” mes Greqisë dhe Shqipërisë u ngjajnë marrëdhënieve mes një metropoli dhe një vendi kolonial?
Marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe grekëve asnjëherë nuk kanë qenë korrekte, madje kanë qenë armiqësore. Nuk e di nëse zoti Luan e ka lexuar librin e Zhan Klod Faveirialit (Jean-Claud Faveyrial), me titull “Historia (më e vjetër) e Shqipërisë”, Shtëpia Botuese “Plejad, Tiranë 2004, në mënyrë që të bindet për qëndrimet tradicionalisht armiqësore të grekëve kundër shqiptarëve. Nga përmbajtja e atij libri rezulton se grekët, që nga koha e pellzgëve e deri në fundin e viteve ’70 të shek. XIX, asnjëherë nuk kanë manifestuar marrëdhënie dashamirëse ndaj shqiptarëve.
Në mënyrë që zoti Luan të bindet se unë nuk kam dyshime të pavërtetuara për ca dekrete të Presidentit Topi, po i citoj këtu një reagim të zotit Reshat Kripa, një figurë e nderuar kjo, ish-i përndjekur politik, të cilin dikatatura e egër komuniste e dënoi padrejtësisht në një moshë fare të njomë. Është një reagim i tij ndaj një materiali me titull “S’mbarojnë çuditë politike në Shqipëri” që unë e pata botuar në “Tribuna Shqiptare” më 22 maj 2010. Ja se çfarë shkruan zoti Reshat për Presidentin Topi:
“Ky president, karshi dekorimeve që u ka bërë disa ish-liderve të lëvizjes nacionaliste në Shqiperi, pa u menduar, dekoron edhe kriminelë që në ndërgjegjen e tyre mbajnë krime politike. Të tillë janë Skënder Breca, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme, autori kryesor i pushkatimit të Xhelal Koprenckës, Fadil Kokomanit dhe Vangjel Lezhos në kampin e Spaçit ne vitin 1979, vendim që u kundërshtua fuqishëm nga ish-të përndjekurit dhe familjarët e viktimave dhe që presidenti u detyrua ta terheqë. Po ashtu, dekorimi i Njazi Jahos dhe Fatmira Laskajt, fajtorët kryesorë të vrasjes së Tom Ndojës, Sandër Sokolit dhe Sokol Sokolit në revoltën e Qafës së Barit në vitin 1984. Presidenti i tanishëm vazhdon të dërgojë emra të kriminalizuarish si kandidatë për në Gjykatën Kushtetuese, si ai i njërit që u hodh poshtë nga parlamenti për pjesëmarrje në gjyqe politike. Kjo është Shqipëria në botën e çudirave”.
Në shkrimin tim, unë qëllimisht nuk i kisha përmendur emrat e të dekoruarve gabimisht nga ana e Presidentit Topi. Por zoti Luan më detyroi që unë të citoj zotin Reshat Kripa, në mënyrë që ai të bindet se unë nuk kam dyshime të pavërtetuara dhe nuk flas me pandehma për Presidentin Topi.
Për të justifikuar heshtjen e Presidentit Topi para fyerjes së kombit shqiptar nga ana ushtarëve grekë më 25 mars 2010, në bulevardin kryesor të Athinës, në prani të Presidentit Karolos Papulias, zoti Luan shkruan se këtu paskeshim të bënim me një “dhunim mistrecësh”. Më vjen shumë keq që zoti Luan, për formimin intelektual që ka, i lejon vetes tw zbresw deri në nivele të tilla arsyetimi. Sipas zotit Luan, trupat e zgjedhura greke, që seleksionohen me shumë kujdes për paradën solemne me rastin e përvjetorit të shpalljes së pavarësisë greke çdo 25 mars, na qenkan një tufë “mistrecësh” të papërgjegjshëm, që nuk ditkan çfarë nxjerrkan nga goja pikërisht para presidentit të vendit!!! Jo, ore të nderuar lexues të “Tribunës Shqiptare”! Këta ushtarë grekë që zoti Luan i quan dava “mistrecësh”, përfaqësojnë elitën e ushtrisë greke. Ata përgatiten paraprakisht nga oficerë të posaçëm të artit të stërvitjeve rreshtore, gjatë të cilave përsëriten aq shpesh parulla antishqiptare, saqë ato automatizohen për t’u shqiptuar, me një ritëm, në parakalimin solemn në bulevardin kryesor të Athinës, në prani të presidentit të vendit. Duket vërtet e çuditshme që zoti Luan paska krijuar bindjen se Komanda e Lartë e Ushtrisë Greke dhe Kryekomandanti i Forcave të Armatosura Greke, për paradën e festës kombëtare të Greqisë, lejuakan që në bulevardin kryesor të Athinës të parakalojnë një tufë “mistrecësh”, në prani të autoriteteve më të larta të vendit, përfshirë edhe Presidentin Papulias. Këta “mistrecët” e zotit Luan po të tilla parulla armiqësore antishqiptare hodhën edhe gjatë parakalimit të 25 marsit 2008, pikërisht disa ditë para se vendi ynë të merrte në Bukuresht ftesën për në NATO.
Unë kam bindjen e patundur se parullat armiqësore që ushtarët grekë hodhën gjatë parakalimit solemn të 25 marsit 2008 dhe 2010, janë shprehja më e koncentruar e një dashakeqësie tradicionale që ka karakterizuar mbarë opinionin publik grek, krejt strukturat e shtetit shovinist grek dhe të kishës shoviniste greke në qëndrimin që kanë mbajtur dhe vazhdojnë të mbajnë ndaj etnisë shqiptare në Evropën Juglindore.
Më lart përmenda veprën e Zhan Klod Faveirialit, i cili nxjerr në spikamë qëndrimin armiqësor të grekëve ndaj etnisë shqiptare që nga lashtësia pellazgjike e deri në çerekun e fundit të shek. XIX. Mirë do të ishte që zoti Luan, përveç librit të sipërcituar të prof.dr. Beqir Metës, le të lexojë edhe librin tjetër të këtij profesori të nderuar, me titull “Shqipëria dhe Greqia. Paqja e vështirë. 1949-1990”. Shtëpia Botuese “Koçi”. Tiranë 2004, në mënyrë që të bindet për të kundërtën e asaj që deklaron, se ushtarët e paradës greke nuk janë “mistrecë”, por janë përfaqësues elitarë të ushtrisë greke dhe të mbarë opinionit publik grek.
Më 07 tetor 2010, u bë e njohur se nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, zoti Kreshnik Spahiu, me një grup juristësh të këtij institucioni, zbriti për kontroll në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës. Duke folur para kamerave për zvarritjen e pafundme të proceseve gjyqësore në këtë institucion të drejtësisë, zoti Spahiu deklaroi:
“Në këtë gjykatë njerëzit vijnë të rinj dhe dalin pleq, vijnë me flokë të zinj dhe dalin të thinjur”. (Citohet sipas: “Emisioni i lajmeve i TV Alsat”, 07 tetor 2010).
Po si shpjegohet që Presidenti Topi, si Kryetar i Këshillit të Lartë të Deëjtësisë, nuk qenka kujtuar me kohë që të organizojë strukturat e këtij institucioni për t’i nisur me shërbim nëpër gjykatat e vendit që njerëzit e gjorë të mos plaken para kohe për zvarritjet burokratike në sistemin gjyqësor?
Në një mbledhje të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të datës 16 shkurt 2011, Presidenti Topi u kujtua të shtronte çështjen e zvarritjes së gjykimit në gjykatën e Tiranës të tragjedisë së Gërdecit. Më 15 mars 2011 mbushen 3 vjet që nga koha e shpërthimit tragjik në Gërdec, por deri tani gjykata e Tiranës e ka zvarritur zbardhjen e së vërtetës, çka është pasojë e korrupsionit, në të cilin noton sistemi ynë gjyqësor.
Në letrën që më drejton mua, zoti Luan e anashkalon çështjen e Janullatosit dhe qëndrimin e Presidentit Topi ndaj tij. Në artikull unë shprehja keqardhjen time për gjithë ato vlerësime të larta që Presidenti Topi përcillte me ngazëllim për Janullatosin (me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij), që unë e kam vlerësuar dhe e vlerësoj si kreun e shovinizmit grekomadh dhe të kishës shoviniste greke në Shqipëri, i cili ka ardhur këtu me të vetmin qëllim që të përgatitë shkallë-shkallë terrenin për greqizimin e Shqipërisë së Jugut.
Përkundër vlerësimeve të Presidentit Topi për figurën e Janullatosit që ka hequr portretin e Fan Nolit nga mjediset e Kishës Ortodokse, e cila sot nuk është më autoqefale, meqenëse është shndërruar në një filial të kishës shoviniste greke, unë dëshiroj t’u sjell në kujtesë lexuesve të nderuar vlerësimet që jep Prof. Kristo Frashëri për këtë pushtues të kishës sonë fanoliane. Ja çfarë shkruan profesori i nderuar:
“Nuk ka dyshim se dinakëria e tij për ta fshehur veten si militant i politikës shoviniste greke, një ditë do të zbulohej. Rastin e dha ndërhyrja e tij për aksidentin fatkeq që pati himarioti Aristotel Guma - një ndërhyrje e kombinuar nga Athina me kronometër me akuzën e të ashtuquajturit shpërthim të nacionalizmit shqiptar, që shprehën më 13 shtator 2010 zëvendësministri i jashtëm i Greqisë Dh. Drutsas, deputeti i parlamentit shqiptar Vangjel Dule dhe kryetari i shoqatës “Omonia” Vasil Bollano. Është pikërisht ky kombinim kronometrik që i shndërroi dyshimet e mia mbi A. Janullatosin, si simpantizant i Greqisë, në një militant të politikës shoviniste greke. Pavarësisht nga synimet e tij të fshehta,..puna e do që ai të largohet… nga Shqipëria. Më në fund, është e domosdoshme që, me largimin e tij, ndonëse me vonesë, të mblidhet një kongres i rregullt i KOASH-it, i cili t’ia kthejë Kishës Ortodokse Shqiptare prestigjin që kishte kur ajo u krijua nga i pavdekshmi mitropolit, Fan Noli” (“Gazeta Shqiptare”, 11 tetor 2010, f. 19).
Me sa duket, me anashkalimin që i bën çështjes së Janullatosit dhe qëndrimit të Presidentit Topi ndaj tij, zoti Luan mban anën e këtij të fundit, ndërkohë që unë jam tërësisht në anën e Prof. Kristo Frashërit.
Në lajmet e orës 19-30 të datës 16 dhjetor 2008, kanali “Top Channel”, përmes gazetarit të mirënjohur Dhimitër Gjoka, zbuloi të vërtetën e letrës së Bollanos që ky i fundit i paskej dërguar parlamentit grek për mosmiratimin e MSA-së me Shqipërinë, pa plotësimin nga ana e kësaj të fundit të shtatë kërkesave bollaniste, sipas njërës prej të cilave krejt Shqipëria e Jugut u dashka njohur si zonë “minoriteti” (Gazeta “Republika”, 10 dhjetor 2008, f. 10). Kjo kërkesë bollaniste ishte e para në listën prej shtatë kërkesash që ky lake i shovinizmit grekomadh i parashtronte parlamentit grek para se ky të merrte vendimin lidhur me MSA-në me Shqipërinë. Por gënjeshtrën e lakeut Bollano se një gjë e tillë nuk na qenkej e vërtetë, e zbuloi lakuriq intervista që ky kanal televiziv i kishte marrë deputetit shovinist grek Thanasis Plevris për përmbajtjen reale të letrës në fjalë.
Kërkesa e Bollanos përfaqësonte në vetvete një përpjekje të dëshpëruar për tjetërsim të territorit të Shqipërisë së Jugut. Në raste të tilla, normalisht, ndërhyn dhe duhet të ndërhyjë Presidenti i vendit për të ndarë shapin nga sheqeri. Lexuesve të nderuar me siguri që duhet t’u kujtohet një problem shqetësues që lindi para disa vjetësh në Itali. Asokohe kryetari i Partisë “Lega Nord” pati kërkuar disa herë që pjesa veriore e vendit të shkëputej nga pjesa e jugut dhe të shpallej Republika e Padanisë. Ndërkohë, Presidenti i vendit Skalfaro, pasi priti ca kohë që kryetari i asaj partie të hiqte dorë nga një kërkesë aq absurde, më në fund, deklaroi se nëse kryetari i partisë “Lega Nord” do të vazhdojë të mos heqë dorë nga kjo kërkesë, atëherë çështjen e tij do ta marrën në dorë prokurorët.
Sigurisht që nuk mund të ndodhte ndryshe në një shtet me të vërtetë ligjor, ku gjithsecili i njeh mirë detyrat që i takojnë për t’u zbatuar.
Po si shpjegohet që këta presidentët e vendit tonë, kur shkojnë për vizita në Greqi, për forcë reciprociteti, nuk kërkojnë nga Athina zyrtare njohjen e minoritetit etnik shqiptar në Greqi? Pse Presidenti Topi nuk e kërkoi një gjë të tillë? Por a nuk duhet t’u vijë zor këtyre presidentëve tanë nga opinion publik shqiptar, kur ky mëson se kërkesën për njohjen e minoritetit etnik shqiptar në Greqi, këtu e ca vjet të shkuara, e ka shtruar një ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës? Në faqet e një të përditshmeje shqiptare kemi lexuar si më poshtë:
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë që Greqia të jetë më e kujdesshme dhe e predispozuar për të respektuar të drejtat e personave me etni shqiptare që jetojnë në Greqi. Përfaqësuesit e SHBA në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim (OSBE) kanë kritikuar qëndrimin e Greqisë ndaj personave me etni shqiptare, turke dhe maqedone që jetojnë në shtetin helen. Ambasadori amerikan Clifford Bond i bëri thirrje Greqisë, gjatë takimit më të rëndësishëm vjetor të OSBE-së, mbajtur në Varshavë të Polonisë nga data 2 deri më 13 tetor 2006, që të ketë kujdes në trajtimin e personave me etni shqiptare” (Gazeta “Shekulli”, 19 tetor 2006, f. 5).
I menjëhershëm dhe i ashpër qe reagimi i ambasadorit grek në OSBE kundër ambasadorit amerikan, duke deklaruar se faktet e ambasadorit amerikan nuk ishin të vërteta, pasi, sipas tij, “në Greqi nuk ekzistojnë minoritetet, për të cilat fliste ambasadori amerikan,.. në Greqi nuk jeton minoritet etnik shqiptar, por jetojnë vetëm emigrantë” (po aty).
Heshtje e turpshme e Tiranës zyrtare, e cila duhej të dilte në përkrahje të fuqishme të ambasadorit Clifford Bond. Me këtë heshtje, Tirana zyrtare zbulonte veten si një servile e pështirë e shovinizmit grekomadhe dhe e kishës shoviniste greke. Megjithatë, ekzistencën e minoritetit etnik shqiptar në Greqi e ka pas pranuar një përfaqësues i shquar i tij, zoti Kolë Boçari, profesor historie në Universitetin e Kuislandit në Australi, i cili, në vitin 1996, në një replikë që bëri me ministrin grek për çështjet evropiane, në gazetën britanike “The Europeans”, u shpreh:
“Mësova për deklaratën tuaj, z. ministër, në të cilën ju pohuat se në Greqinë e sotme nuk ka minoritet. Ju ose e keni humbur lidhjen me realitetin, ose ju ka verbuar fare nacionalizmi… Në Greqi jo vetëm që ka minoritet, por atje ekziston një minoritet i madh, mbi 2 milionë banorë, që kanë pushtuar Peloponezin, Athinën, Thrakën, Livadhianë.., gjë të cilën Greqia e ka mohuar gjithmonë… Unë dhe familja ime jemi një nga viktimat e këtij represioni shekullor… Ju na ndaluat me forcë, që ne, arvanitasit, ta ushtronim meshën në gjuhën shqipe, të flisnim publikisht në gjuhën e nënës, madje na përgjonit që të mos flisnim lirisht edhe në shtëpi… Për këtë shkak, kemi ikur nga fshati i lindjes në Peloponez, për të gjetur lirinë këtu, në Australi…” (Nuri Dragoj. “Shqiptarët dhe grekët. Realitete historike”. Shtëpia Botuese “Wespo”. Tiranë, 2009).
Tani si ta kuptojmë faktin që Presidenti Topi shkoi për vizitë në Athinë dhe nuk ua shtroi autoriteteve greke kërkesën për njohjen e minoritetit etnik shqiptar në Greqi? Pëkundrazi, u premtoi atyre se do të lejojë ngritjen e varrezave, të memorialeve dhe të manastireve për ushtarët agresorë grekë. Pse? Pse Presidenti Topi nuk reagoi ndaj Bollanos, ndaj deklaratës së Janullatosit për ngjarjen e Himarës, për zvarritjen e pafundme të gjykimit të tragjedisë së Gërdecit, për zvarritjet e tmerrshme të proceseve gjyqësore në gjykatën e Tiranës, siç deklaroi zoti Spahiu, për moskthimin e Shtëpisë së Kulturës “Naim Frashëri” popullit Përmetit, për dhunën e ushtruar nga persona me precedent penalë kundër policisë para Kryeministrisë më 21 janar dhe për organizatorët e asaj dhune, për të cilën u shpreh me dhjetë ditë vonesë.
Në letrën e vet, zoti Luan thotë se Presidenti Topi, në reagimet e veta, nuk duhet të zbresë në nivelin e sofrës së Edi Ramës, të Ina Ramës, të Skënder Gjinushit dhe aq më pak të Spartak Ngjelës. Po si t’ia bëjmë hallit kur zoti Edi Rama është kryetar i opozitës më të madhe në vend, e cila zotëron 47% të ndenjëseve të parlamentit, zonja Ina Rama është kryeprokurore e vendit? Kush tjetër, veç zonjës Ina Rama, duhet të ndërhyjë për zbatimin e vendimit të të trija shkallëve të gjyqësorit për kthimin e Shtëpisë së Kulturës “Naim Frashëri” qytetarëve të Përmetit? Përmbarimi këtë vendim nuk e zbaton? Atëherë si do t’i vejë halli këtij problemi? A kemi ndopak shtet ligjor? A duhet të vazhdojë të heshtë Presidenti Topi. Kujt tjetër duhet t’i drejtohen për ndihmë qytetarët e Përmetit, të cilëve Janullatosi, si kreu i shovinizmit grekomadh në Shqipëri, vazhdon t’ua mbajë të pushtuar edhe sot e gjithë ditën?
Problemet që unë shtroja në artikullin tim, zoti Luan i vlerëson si akuza “të pambështetura dhe thjesht zëdhënie e ndonjë grupi që e sheh nga pozicione antidemokratike dhe antishqiptare Presidentin Bamir Topi…”.
Unë mendoj se zoti Luan bashkohet me pozicionimin e Presidentit Topi lidhur me premtimin që ky i fundit u ka bërë autoriteteve shoviniste greke dhe kishës shoviniste greke për ngritjen a varrezave, memorialeve dhe manastireve për ushtarët agresorë grekë në Shqipërinë e Jugut, një premtim i dënueshëm ky që i bëhet pikërisht një vendi, i cili, gjatë një shekulli të tërë, asnjëherë nuk ka hequr dorë nga pretendimet territoriale ndaj vendit tonë.
Unë, gjithashtu, mendoj se në pozicione antidemokratike dhe antishqiptare qëndron Presidenti Topi dhe zoti Luan Çipi që i bën fresk këtij presidenti padrejtësisht nga faqet e së respektuarës “Tribuna Shqiptare”. Unë dëshiroj me gjithë zemër që në krye të vendit të kemi një president me dinjitet të lartë kombëtar, që të ketë burrërinë që autoriteteve shoviniste greke t’u shtrojë kërkesën për njohjen e minoritetit etnik shqiptar në Greqi, që t’u thotë me zë të lartë se nuk mund të kërkohen eshtra ushtarësh agresorë grekë pas shtatëdhjetë vjetve dhe aq më pak të ngrihen varreza, memoriale dhe manastire në territorin e jugut të vendit tonë, që të kërkojë largimin e Janullatosit që ka pushtuar kreun e kishës ortodokse shqiptare, duke fyer rëndë veprën e Fan Nolit dhe mbarë martirët e ortodoksisë shqiptare që na i vrau helmi dhe thika e shovinizmit grekomadh dhe e kishës shoviniste greke, që t’i thotë Athinës zyrtare se nuk do të bëhet kurrë regjistrimi i popullsisë sipas formularit Pollo, të parapërgatitur në kancelarinë e kryeministrit grek dhe të kishës shoviniste greke.
Nga letra e zotit Luan, kuptohet që ai ka simpati për grekët. Askush s’e akuzon për një simpati të tillë. Edhe unë do t’i simpatizoj me shpirt grekët, por vetëm atëherë kur ata të njohin minoritetin etnik shqiptar në Greqi, kur të kërkojnë falje botërisht për genocidin që ushtruan kundër popullsisë së pafajshme të Çamërisë, kur çamët etnikë të kthehen në trojet e veta stërgjyshore, kur të abrogojnë ligjin e luftës dhe kur të njohin kufijtë zyrtarë të Republikës së Shqipërisë.
Eshref Ymeri
Tiranë, 21 shkurt 2011