Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë është konfirmuar aktakuza ndaj dy ish-ministrave të Qeverisë së Kosovës, Slavisha Petkovic e Branislav Grbic dhe nëntë të akuzuarve të tjerë, për keqpërdorimin e rreth 1 milion eurove gjatë vitit 2009, mjete këto të destinuara për ndërtimin e shtëpive për të kthyerit.
Blerim Krasniqi, zëdhënës i EULEX-it, misioni ky i cilit udhëheq këtë proces, thotë se aktakuza është konfirmuar më 7 shkurt dhe palëve u është dërguar të premten, më 12 shkurt, njofton Zëri.
“Për këtë nuk e dimë se kur do të fillojë gjykimi në këtë rast”, thotë ai. Kjo aktakuzë që është konfirmuar nga gjyqtari i procedurës paraprake të EULEX-it, e ngarkon Petkovicin se me paratë e taksapaguesve kosovarë ka ndërtuar një shtëpi, në të cilën jeton edhe sot në vlerë prej 95 mijë eurosh.
Po me paratë e buxhetit ai kishte rinovuar një restorant të quajtur “Tropikana” në Çagllavicë. Për këto dhe shumë përfitime të tjera të majme, ish-ministri për Kthim dhe Komunitete do të përgjigjet për pesë vepra penale që i vihen në barrë. Bashkë me të akuzohen edhe një ish-ministër tjetër i kësaj ministrie, Branislav Grbic dhe nëntë persona tjerë që të gjithë të akuzuar të paktën për shtatë vepra penale të kryera me “ndërtimin dhe meremetimin” e shtëpive për të kthyerit.
Slavisha Petkovic, Branislav Grbic, Nemanja Vujovic, Muhamet Sadiku, nga Podujeva, pronar dhe drejtor i kompanive të ndërtimit “Art Piraci” dhe “Project Group” Ruzhdi Prebreza, nga fshati Lebanë, pronar i kompanisë ndërtimore “Era”, Ismet Hasani, nga fshati Llapashticë e Epërme e Podujevës, pronar dhe drejtor i kompanisë së ndërtimit “Valoni”, Fidan Sadiku nga Podujeva, pronar dhe drejtor i kompanisë ndërtimore, “Sh.T.Alfis”, i ati i tij Rifat Sadiku, nga Podujeva, Shemsi Haliti nga Podujeva, pronar i kompanisë “Atdhetari”, Driton Hamiti, pronar dhe drejtor i kompanisë ndërtimore “Diti” dhe Gani Zeneli nga fshati Siboc i Podujevës, akuzohen për vepër penale të përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare që dënohet me burgim deri në dhjetë vjet.
I tërë grupi akuzohet po ashtu për shpërdorim, vepër kjo e dënueshme deri në dhjetë vjet burg. Sipas aktakuzës, ata kanë përvetësuar shuma që kalojnë 15 mijë euro, duke krijuar dokumente false dhe duke autorizuar pagesa për punë të cilat nuk ishin kryer asnjëherë.
Të 11-it akuzohen po ashtu për mashtrim në detyrë, vepër e dënueshme deri në dhjetë vjet për mashtrim të Ministrisë së Kthimit dhe Komuniteteve, duke prezantuar kontrata të rrejshme për punë që nuk ishin kryer. Vlera e pagesave për më shumë se dhjetë kontrata, sipas kësaj pike të aktakuzës, ka tejkaluar shumën 5 mijë euro.
Për marrje të ryshfetit, e dënueshme deri në pesë vjet, akuzohet ish-zyrtari i prokurimit në këtë ministri, Nemanja Vujovic. Ai akuzohet se si zyrtar prokurimi ka marrë një dhuratë në vlerë prej gjashtë mijë eurosh nga Ruzhdi Prebreza, në mënyrë që t’i jepte punë në të ardhmen. Për dhënie të ryshfetit akuzohet Ruzhdi Prebreza.
Për falsifikim të dokumenteve zyrtare, e dënueshme deri në tre vjet burg, akuzohen Slavisha Petkovic, Branislav Grbic, Nemanja Vujovic, Muhamet Sadiku, Ismet Hasani Fidan Sadiku, Shemsi Hamiti dhe Driton Hamiti. Për falsifikim të dokumenteve akuzohen: Nemanja Vujovic, Muhamet Sadiku, Ruzhdi Prebreza, Ismet Hasani, Fidan Sadiku, Rifat Sadiku, Shemsi Haliti, Gani Zeneli, Driton Hamiti se kanë shpikur dokumentet e punës, faturat dhe kontratat për t’i pranuar paratë për 50 kontrata false.