2011-02-23

Duhet edituar krijimtaria e artistëve të rënë



Secila komunë i di më së miri gjërat për secilin dëshmor, apo të humbur, për të cilin duhet përkujdesur për trashëgiminë e tij kulturore, artistike apo shkencore. Nëse nuk do ta bënin këta, atëherë lind pyetja, kush duhet ta bëjë mbledhjen, sistematizimin dhe prezantimin komplet të veprimtarisë së tyre?
image
 



BEDRI HALIMI

Disa emra të kulturës e artit, derisa ishin gjallë, me veprimtarinë e vet i kanë bërë nder artit e kulturës shqiptare. Tashmë për arsye se ata nuk janë më në mesin e të gjallëve, dikush duhet të përkujdeset për veprimtarinë e tyre, që ajo të mos mbetet në harresë. Këtë, në radhë të parë duhet ta bëjnë institucionet përgjegjëse komunale, duke filluar nga kryetarët e komunave përmes drejtorateve përkatëse të tyre, e deri te nivelet më të larta të Qeverisë, përmes Ministrisë së Kulturës. Nëse nuk do t’i bënin këta, atëherë lind pyetja, kush duhet ta bëjë mbledhjen, sistematizimin dhe prezantimin komplet të veprimtarisë së tyre? Të rënët nuk kanë nevojë më për krijimtarinë e tyre, po për atë kemi nevojë ne, për t’u mbetur trashëgim edhe gjeneratave të reja.



Gjakova duhet të përkujdeset për ruajtjen e interpretimeve të Esat Bicurrit dhe veprimtarisë shkencore të prof. dr. Bardhyl Çaushit


Këngëtari njohur i muzikës popullore, Esat Bicurri, siç dihet, është vrarë nga forcat serbe më 5 maj 1999. Ai ka lënë pas vetes shumë këngë popullore të interpretuara, të cilat gjenden të shpërndara në arkiva të ndryshme të ish RTP-së. Deri tani Komuna e Gjakovës për këtë këngëtar të njohur të këngës shqipe ka pagëzuar me emrin e tij një festival në Gjakovë, por fatkeqësisht edhe 12 vjet pas vrasjes së tij, Gjakova nuk i ka përmbledhur interpretimet e tij qoftë në CD, qoftë edhe në një DVD, në mënyrë që dashamirët e muzikës popullore ta kenë rastin që interpretimet e tij t’i kenë në fonotekën familjare. Ishte veprim i qëlluar i MKRS, që e mori iniciativën për veprimtarinë e Nexhmije Pagarushës, e cila padyshim se e meriton një gjë të tillë, por duke pasur parasysh faktin e fatit tragjik të jetës së Esat Bicurrit dhe talentit të madh të tij, do të ishte e udhës që Komuna e Gjakovës, përmes Drejtoratit të kulturës ta bënte këtë gjë, për ta nderuar jo vetëm emrin e paharruar të Esat Bicurrit, por edhe kulturën kombëtare. Gjakova ka traditë kulturore, që e dëshmoi edhe me koncertin madhor kushtuar veprimtarisë së Qamilit të Vogël, prandaj do të duhej të bënte përpjekje për ta nderuar këtë këngëtar emblematik, si dhe dashamirët e kulturës muzikore në përgjithësi.
Gjithashtu, Gjakova do të ishte mirë t’i botonte edhe punimet shkencore të prof. dr. Bardhyl Çaushit në libra të veçantë. Një intelektual i kalibrit të tillë çfarë ka qenë prof. Bardhyli, meriton gjithsesi një përkujdesje të tillë.


Mitrovica duhet të përkujdeset për ruajtjen e interpretimeve të Haki Misinit

E njëjta gjë vlen edhe për komunën e Mitrovicës, ku siç dihet, pushteti serb pati likuiduar në mënyrë mizore këngëtarin e njohur të muzikës argëtuese, Haki Misinin. Edhe ky këngëtar ka lënë në fonotekën e tij një varg këngësh argëtuese, të cilat janë të paharruara jo vetëm për gjeneratat e hershme. Ato kanë vlerë kurdoherë, prandaj një komunë e madhe si Mitrovica, ndonëse me probleme të mëdha, mund ta bëjë gjithsesi nxjerrjen e një CD-je dhe DVD-je me këngët e Haki Misinit. Fundja, ky është borxh i të gjallëve ndaj të vdekurve, sepse Haki Misini nuk ka më nevojë për këngët e tij, por për ato kemi nevojë ne.

Klina e Malisheva duhet të përkujdesen për ruajtjen e interpretimeve të Mujë Krasniqit e Beqir Gashit

Edhe komuna e Klinës duhet të bëjë përpjekje për grumbullimin në një CD, e pse jo edhe DVD, të interpretimeve të komandantit të njohur të UÇK-së, Mujë Krasniqit, tashmë dëshmor i kombit, i cili luftoi me pushkë dhe këngë. Ai, siç dihet, ra dëshmor me mikun gjithashtu këngëtar, Beqir Gashin (njërin nga bijtë e Sefës).


Kjo do të mund të bëhej edhe në bashkëpunim me Komunën e Malishevës, përmes drejtorateve për kulturë të këtyre dy komunave. Është i qëlluar organizimi i festivalit folklorik me emrin e Mujë Krasniqit në komunën e Klinës, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet mbledhur me kujdes krijimtarinë e Mujës dhe Beqës. Ato i duhen jo vetëm historisë, por edhe dashamirëve të artit e kulturës.

Vitia e Gjilani duhet të përkujdesen për ruajtjen e krijimtarisë së Gursel Sylemanit e Agim Ramadanit në pikturë

Në Viti, punimet e Gursel Sylemanit, piktorit të talentuar, tashmë dëshmor dhe hero i kombit, do të ishte mirë të tuboheshin për t’u botuar në një libër të veçantë.
Gjithashtu, në Gjilan, i është botuar libri me poezi i luftëtarit dhe komandantit të shquar, Agim Ramadani, tashmë dëshmor. Vlen një përkujdesje institucionale edhe për pikturat e tij, të cilat ka mundësi të botohen në formë libri.


Me veprime të tilla, do të nderoheshin jo vetëm të rënët, por edhe trashëgimia kulturore e shkencore e tyre. Në këtë rast, ka mundësi që dikush të mos na kujtohet, për momentin, por secila komunë i di më së miri gjërat për secilin dëshmor, apo të humbur, për të cilin duhet përkujdesur për trashëgiminë e tij kulturore, artistike apo shkencore.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...