Tre poetë shqiptar, ishin dje pjesë e një takimi letrar me studentë, kritik letrar, studiues të gjuhësisë, shkrimtarë dhe njerëz të artit e të librit në Prishtinë.
Takimi, që kishte për qëllim prezantimin e poetëve Primo Shllaku, Ledia Dushi dhe Manjola Brahaj, njëkohësisht përcolli mesazhin e vlerave të gegërishtes para publikut prishtinas.
Pjesë e orës letrare ishin edhe Ag Apolloni, Adem Gashi dhe Adil Olluri, të cilët shpalosën më shumë detaje rreth veprimtarisë krijuese dhe për profilet e poetëve nga Shqipëria. Me të tillë frymë vijoi ora e rezervuar nga Art Center, për poetët shqiptarë, të cilët shkëputën vargjet më të bukura nga veprimtaria e tyre krijuese letrare.
“Poetja Ledia Dushi ka seleksionuar lexuesin duke shkuar drejt lexuesit të elitës me një inteligjencë gjuhësore drejt përsosmërisë. Në pamje të parë duket si lojë e autores për ta shprehur abstrakten sa më mirë. Ledia ka arritur te pazëshmen të padukshmen duke bërë që mendimi abstrakt të afrohet me pjesën e dukshme pra me vargjet”,-është thënë ndër të tjera për poezitë e poetes nga Shkodra. Ndërsa për poetët e tjerë të ftuar, kritikët kanë vënë në pah një mungesë pozitive domosdoshmërie për tu kushtëzuar në kohë. Ku poezia nuk e ndjen nevojën e një sfondi, por jeton përtej kohës. Ndryshe Primo Shllaku ka botuar deri tani pesë libra, ndër të cilët tre vëllime poetike, një libër me refleksione dhe një studim për poetin e madh Martin Camaj. Ndërsa poezitë e para Dushi i shkroi kur ishte 14 vjeçe. Në vitin 2009, ajo boton librin me poezi “Me mujt me fjet... me kthimin e shpendëve”. Manjola Brahaj vjen nga tropoja. Në ''Çmimet Kombëtare të Letërsisë 2010'' ka fituar çmimin ''Migjeni'' me vëllimin “Vajtimi i Kalipsosë”, si poete debutuese.
Shkruan dhe boton artikuj dhe shkrime kritike në shtypin kosovar dhe shqiptar.