Shaban Polluzha: Një përkujtim i harruar?!

Njëjtë si edhe viteve të kaluara, përkujtimi ndaj udhëheqësit të kryengritjes për çlirim dhe bashkim të trojeve shqiptare nën pushtimin sllav, Heroit Shaban Polluzha edhe këtë vit nuk ndodhi! Shkaqet mbeten të pa thëna, kurse mendimet mund të jenë të ndryshme, përderisa loja e kamufluar vazhdon e tillë e mbuluar me pluhurin e ngritur nga paqartësitë e mëdha që mbulojnë vendin tonë.

Kështu ndodhë sot në liri me përkujtimet e harruara edhe ndaj shumë luftëtarëve tjerë për lirin e kombit, njëjtë si me Heroin e Kryengritjes, Shaban Polluzha, familja e të cilit që para lindjes së tij, nga shkaku i gjendjes së rënd ekonomike ishte shpërngulur përkohësisht nga fshati Polluzhë dhe vendosur në fshatin Godanc të Drenicës ku me 1871 kishte lindur Shabani, i cili që nga rinia e tij e hershme dhe deri në moshë të shtyrë, asnjëherë nuk i ndali përpjekjet kundër pushtuesit, derisa ra heroikisht me 21 shkurt të viti 1945, në moshën 74 vjeçare, duke luftuar për liri dhe bashkim kombëtar, rënien e të cilit ne sot, nuk e përkujtojmë!!!

Shaban Polluzha e Mehmet Gradica si edhe bashkëluftëtar të tjerë, të cilët u vranë me 21 shkurt të vitit 1945 nga pushtuesit çetnikë, të kamufluar si partizanë sllavë, që nën regjimin policoro-ushtarak titist, bënin kërdinë me spastrimin e trojeve tona nga shqiptarët më të devotshëm dhe liridashës të kombit tonë. Shpresat e shqiptarëve për liri i lanë duarzbrazur, duke i kthyer në pikëllim dhe vdekje te udhëheqësve kryengritës dhe ushtarëve të lirisë që u dalluan për mbrojtjen e shqiptarizmës, e cila as në ato kohë të vështira nëpër të cilat po kalonte populli ynë, nuk i jepte fund martirizimit të mundimshëm të shqiptarëve për pavarësi e bashkim të trojeve tona nën ish Jugosllavi me shtetin amë Shqipërinë.

Madje kjo tragjedi, nuk doli si ngushëllim, zvogëlim e as përfundim i mjerimit të pafund shqiptar, nga i cili çdo ditë vdiste dikush nga prijësit e luftës për liri kombëtare, nën terrorin e krijesës së trishtë të quajtur Jugosllavi, e cila u formua nën parullën maskuese për “vëllazërim e bashkim-kombesh e kombësish”, e që mu atë kohë po vendoste përfundimisht thundrën e saj shtypëse dhe shfarosëse edhe një herë mbi shpirtin e shtrydhur të lirisë sonë kombëtare.

Nuk ishte vetëm trajtimi mizor dhe skamja e madhe që shqiptarët e pafat dhe të dergjur në mjerim e skamje i kishte detyruar në kryengritje, por ishte edhe shpresa për çlirim përfundimtar nga sllavët, ajo që i kishte bashkuar rreth heroit të luftës së tyre për Liri, Shaban Polluzhës, ngase shqiptarët edhe në atë gjendje që ishin, nuk kërkonin bukë as kushte jetese, madje as veshmbathje për fëmijët që i mbanin në krahë maleve ngado shkonin në luftë për çlirimin e trojeve të pushtuara, por ata kërkonin liri dhe një bashkim të natyrshëm kombëtar.

Tradhtia ndaj tyre dhe një seri e tmerrshme sulmesh nga çdo anë i përmbysi shpresat e shqiptarëve për liri të cilat kishin qenë aq afër realizimit. Ata lanë në vetminë e tyre të madhe kur ua kishin kthyer shpinën edhe vëllezërit shqiptarë nga Shqipëria dhe një pjese të madhe shqiptarësh të mashtruar nga Kosova, të cilët ishin vënë në anën e armikut. Të rrethuar nga çdo anë nga forcat e pushtuesit sllavë, edhe pse as para vdekjes nuk u dorëzuan, me gjithë vuajtjet e tyre të stërzgjatura, të padrejta dhe të pamerituara, çdo shpresë për çlirim të shpejt dhe bashkim të vërtetë kombëtar, u rrëzua përfundimisht duke i dhënë lamtumirën pa asnjë ngushëllim, lirisë së paarritur nga ripushtimi sllav, që me ndihmën edhe të shqiptarëve po rivendosej mbi tokat e tona.

Vdekjet e tilla sado të rënda dhe tragjike, me heroizmin e tyre të padorzueshmërisë deri në rënie, lanë një porosi të gdhendur me mbishkrim për brezat e ardhshëm me historinë e këtyre ngjarjeve të rënda, e cila u bë shembull i vazhdimit të përpjekjeve për çlirim dhe dëshmi se vetëm jeta në liri i meritonte të gjitha këto flijime dhe sakrifica nga të cilat shqiptarët për t’i lehtësuar dhimbjet dhe vuajtjet e tyre nën robëri nuk mund të heqin dorë deri në arritjen e çlirimit dhe bashkimit të plotë kombëtar. Populli ynë ka vuajtur vërtetë shumë dhe vuajmë akoma si komb i ndarë që jemi, por pasi që Bota ishte bërë e shurdhër dhe e pandjeshme ndaj dhimbjeve tona, vetëm lufta për liri ishte dhe mbeti, mënyra e vetme për tu çliruar nga fatkeqësitë e robërive shekullore.

Dihet botërisht se datat e rënies së heronjve në një mënyrë apo tjetër, gjithsesi janë përkujtuar edhe nën okupim, por ja që tani në “Liri” nuk e sheh askush të arsyeshme të organizoi diçka meritore për hir të rënies së heronjve tanë. Ndaj, Zhgënjim më të madh për Komb dhe Dëshmorë nuk mund të ketë pasi që ne ‘heronjtë’ nganjëherë jo vetëm që nuk dimë t’i kujtojmë, por as nuk i përmendim fare! Dhe përkujtimet për ta, jo rrallë kalojnë pa bujë dhe mbeten përkujtime të organizuara vetëm nga familja.

Por neve si popull, na përcjellin edhe mëkatet tjera, ngase jo vetëm në kohë lufte që nuk mund t’i nderonim viktimat e këtyre heroizmave, me nga një varr me nder në vendlindjen apo vendrënien e tyre, duke iu fshehur trupat e tyre të vdekur nëpër lumenj e shpella për të mos rënë në dorë të pushtuesit, gjë që ishte normale dhe e pranueshme për kushtet e kohës, por sot? Ne edhe sot në liri nuk i përkujtojmë heronjtë tanë! Madje nuk turpërohemi nga dobësitë tona as me lënien anash të çështjes madhore kombëtare, e cila edhe ashtu nuk është në gjendjen më të mirë, ndaj edhe është e pamundur të japësh një ide mbi shkakun e vërtetë të gjendjes së mjerueshme dhe dëshpëruese në të cilën kemi rënë si komb, jo vetëm duke mos përkujtuar figurat madhore të historisë sonë si Shaban Polluzha, Isa Boletini, Idriz Seferi, e shumë heronj të tjerë të vendit dhe Kombit tonë edhe tani në liri.

Ne ndjehemi dhe tregohemi të pazot para një mjerimi kaq të madh dhe tjetërsimi të tmerrshëm në mesin tonë kombëtar, të transformuar për kohë kaq të shkurtër deri në këtë lloj degradimi, para të cilit me gjithë përpjekjet qofshin ato edhe të pamjaftueshme, ne si komb sot ndjehemi shumë të pafuqishëm për të ndryshuar gjë për të mirë në këtë drejtim. Andaj kjo gjendje vërtetë duhet të jetë e papranueshme dhe breng për secilin shqiptar, ngase për shqiptarët e pabashkuar, nuk është vetëm fati i keq që i ndjek ata pas, gjatë gjithë historisë e cila për ne përsëritet, por është fakti trishtues ai, që shqiptarët nga historia e tyre e dhimbshme nuk arritën të mësojnë kurrë atë që duhet! Deri kur kështu ?!

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)