2011-02-23

Zëvendës shefi EULEX-it Andy Sparkes: Kërkohen prova për raportin e Dick Martyt


Zëvendës shefi i misionit evropian për sundimin e ligjit (EULEX), Andy Sparkes, i tha BBC-së se EULEX-i nuk ka ende të dyshuar konkret për akuzat e ngritura në raportin e senatorit zviceran Dick Marty. Por ai tha se misioni ka vënë një komunikim me senatorin Marty dhe ripërsëriti thirrjen për dorëzimin e dëshmive për dyshimet e ngritura në raport.
Ambasadori Andy Sparkes tha se të gjitha rastet e hetimeve të profileve të larta, të dyshuara për përfshirje në korrupsion, janë duke u shqyrtuar dhe i cilësoi ato si të komplikuara që do të marrin kohë për t’u proceduar. Sipas tij, misioni nuk dëshiron që të dështojë në trajtimin e këtyre rasteve dhe ka thënë se ligji duhet të jetë mbizotërues në çdo rast.
“Është një proces që po vazhdon. Vendosja e rendit dhe ligjit në këtë shtet të ri nuk është diçka që mund të arrihet me një shpejtësi prej 5 minutash. Mendoj se puna ku EULEX-i vërtetë po bën ndryshime, nuk është diçka që ju e përshkruat si spektakolare në rastin e hetimeve, ku mediat kanë shfaqur interes, rreth rasteve të profileve të larta”, ka thënë Sparkes.
Ai tha se misioni i BE-së çdo ditë bën vëzhgimin dhe këshillimin e institucioneve kosovare në drejtësi, prokurori, në shërbimet korrektuese, në dogana dhe polici. “Është më e vështirë për ta matur me shprehje dramatike, por unë besoj se ne po arrijmë përparime, por ka edhe lojtarë të tjerë në këtë lojë, përfshirë edhe amerikanët që po kontribuojnë shumë, në veçanti në gjykata dhe drejtësi. Pak nga pak Kosova po shënon përparime dhe ajo ka standarde të përcaktuara në dogana dhe polici që mund të krahasohen edhe me pjesën tjetër të rajonit”, është shprehur ambasadori Sparkes.
Rreth çështjes së raportit të senatorit Dick Marty, ambasadori Sparkes ka thënë se tashmë janë hapur hetimet paraprake, mirëpo ende nuk ka ndonjë të dyshuar konkret rreth të përfolurve në raport, edhe pse dosja është hapur.
“Ka patur vendosje të bazave për hetime të mëtejme, në këtë rast me Shqipërinë, ku prokurorët tanë kanë qëndruar dhe gjithashtu ka patur edhe diskutime në Beograd. Prandaj hapat përgatitor janë ndërmarrë. Ne jemi në komunikim me senatorin Marty. Ne do të përsërisim se duam që të gjithë ata që kanë dëshmi konkrete, të na mundësojnë që të përcjellim ato për të cilat ai ka ngritur dyshime në aspektin e drejtësisë, që të dorëzojnë dëshmitë me qëllim që ne të procedojmë. Ne si EULEX jemi të gatshëm dhe të aftë ta bëjmë këtë”, është shprehur Sparkes.
I pyetur nëse kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është nën hetime, ambasadori Andy Sparkes nuk ka dashur të jap hollësi të mëdha. “Nuk ka të dyshuar konkret deri tani. Raporti thotë atë që thotë dhe ne do t’i bazojmë pikëpamjet tona në dëshmi”, ka theksuar Sparkes.
Ndërkaq, sa u përket gjykatave në veri të vendit, ambasadori Sparkes ka dhënë shenja se ato do të jenë pjesë e dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit.
“Çështja e dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit është çështje e të dyja autoritete që ta zgjidhin së bashku me lehtësuesit e BE-së, por natyrisht se do ta ndihmonte EULEX-in nëse çështjet që aktualisht e bëjnë të vështirë që veriu të funksionojë normalisht të zgjidhen, me qëllim që ne ta kryejmë punën tonë më mirë dhe që qytetarët të përfitojnë”, ka thënë Sparkes, duke shtuar se EULEX-i nuk e kontrollon dialogun.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...