2011-02-22

ZEF PERGEGA:…kush e vrau këngën e lirisë!


ZEF PERGEGA

Në hyrje të kryeqytetit të ri një shtyllë elektrike gjysmë e rrëzuar. Dikush e fitoi një tender pa konkurent për t’a ngritur, por vetëm sa i dha bojë të zezë me zift. Në një mëngjez herët, njerëz që ndalojnë e mbajnë vesh. Në një copë letër të bardhë rrethuar me kordele të zeza është shkruar një lajm kob: “Ka vdekur në agim kënga e lirisë!”
Njerëz kureshtar ndalin hapin, njerëz indiferent e shpejtojnë çapitjet. Lajmet e zeza të ngjallin neveri. Tek kjo shtyllë pikëpytjet dhe pikëçuditset përplasen në rrugën pa sinjale. Nuk bien sirena, po degjohen hapa të pa kuptueshëm. Qenie të gjalla që shikojnë me sy në asfalt se mos dallojnë pika gjaku nga vrasja e vargjeve të pishtarëve. Në Prekaz martirizimi edhe në dimer çel lule, por nektari i tyre s’ka me rimë të kthehet në vargje lirie.
Fshirësit e rrugëve nxitojnë të pastrojnë udhën e shtyllës së rrëzuar. Njerëz që rendin drejt aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari” që nuk u intereson emri i tij, i cili u pagëzua me gjakun e 54 frymëve shqiptare. Mendjen e mbajnë në perëndim e në Amerikë. I presin kolltuqet e ambasadave dhe fushat e golfit, për t’i kaluar fundjavet me diplomatët serb, malazez e maqedonas. Mos e dhentë zoti të ndërmarrin ndonjë projekt me kongresistët e senatorët amerikan apo të vendosin lidhje me diasporën!
Ca të tjerë në rrugicën e shtyllës së rrëzuar, që fëmijet me llastik ua kanë thyer edhe llampat, rëndin me kolltuqe biznesmenesh në krah të mobilojnë zyrat e reja, për postet me të larta që ua dha bash vota e sovranit. Ç’është ky sovrani, po ti teket të çon brënda ditës tek sulltani!
Diku bien e diku ngrihen çmimet e votës, si fuçitë e naftës në Lindjen e Mesme. Kullës se Hajredinajve duket se nuk i interesojnë këto pazare tregu. Madje qeverisja e tij e hekurt duhej të provohej me këtë rast. Vetëvendosja pranon opozitën për të mos iu shuar vula! Një komb që i mungon shpirti i revoltës e ka pak shtypjen.
Asnjë në rrugicën e rënkimit të shtyllës së përkulur nuk e ka marrë vesh se kush është vrasësi i këngës së lirisë. Heronjtë nuk janë më, ata na kane lënë frymëzimin, po poetet mumërojnë gjethet?! Dikush hamendeson se ai që vret lirinë, vret edhe këngën e saj. Ca të tjerë mendojnë së janë të lirë se në shesh nuk shikojnë zingjirë. Po janë ca të tjerë që nën e mbi zë thonë se mikrob gjakësi ka hyrë në kulturë, në traditë dhe ka prishur raportin midis rruazave të kuqe e të bardha te gjakut dardan, duke sjellë në mënyrë adekuate vdekjen e këngës së lirisë. Janë disa të mësuar me sharki e çifteli që mendojnë se dehja e gjinjeve dhe lakuriqësia e kërthizës e ka vrarë në gjumë këngën e lirisë. Hamendjet shkojnë deri atje sa disa mendojnë se kënga e lirisë i përket një bote tjetër që lamë pas, mëgjithëse protogonistet e saj marrin frymë nate në diskotekat e Prishtinës e Tiranës. I njejti shpirt, por i tjetërsuar në kohë!
Në fakt koha e pushtimeve me bomba e rraketa ka dalë mode, ka ardhur koha e viruseve të epsheve, pa u tharë gjaku i të rënëve ose pa u plotësuar kujtimi dyzet ditësh i tyre. Këto viruse siç shkatërrojnë një kompjuter qesin jashtë loje mijra mendje.
Një këngëtare e talentuar kosovare me tha një herë në Detroit: “Asnjë nga producentët e fjalës dhe të këngës së lirisë dhe shpirtit atdhetar të kosovarit nuk punon me në ato studio. Ata janë të pushtuara nga fytyra të reja, shpirtin, ballin, sytë e driten nuk e kanë shqiptare. Që të mundesh të promovosh një vlerë duhet të pranosh të këndosh 4-5 antivlera!”
Fshesaxhinjtë e rrugës ndjehen të frikësuar. Duhet ta pastrojnë rrugën sa herë ato diktojnë një këngë apo një strofë të vrarë. Refrenet i kanë eleminuar me snajper. Politikanët e duan rrugën bilur pa gjak, se qylymi i pushtetit nuk e duron një gjë të tillë të këtë njolla të ngrira se shpejt ndërhyjnë ndërkombëtarët dhe nami bëhet! Kështu ndodhi me këngën e lirisë që e shkelen. Ndërkombetarët nuk kanë ngritur ndonjë grup ekspertesh të hetojë rreth kësaj çeshtje, po merret me disa tendera të ministrisë së rrugëve. Për shtyllën e rrëzuar në hyrje të kryeqytetit e quajnë aksident natyror.
Artopolantët e tallavasë i kanë shtyllat e reja. Mbi to vallojnë tollumbacet dhe sutjenat e markave të seksit. Të rinjët nuk e pelqejnë me erën e qevapave që pjekin pleqtë në trotuare. Muzika e re qe tund pllakat e betonit i ngjanë xhinglave të fiseve indiane. Ku po shkojmë bacë?! Haj bacë po bëjmë shtet qysh e kemi lyp vetë!
Po andej nga Shqipëria ç’ka po thonë?! Dhantë zoti që Kosova të mos e ngjyej gishtin e mjaltit në atë qyp! Kryetari i bashkisë së Tiranës europiane thirri një këngëtar serb në lindje pa pasaportë europiane të këndonte shesheve të dëshmorëve të kombit. Malësorë në Amerikë thonë se këngëtari serb është antishqiptar i tërbuar. Au ngazëllye rinia e kryeqytetit?!
“Mos është kjo vella që me duart tona mbështesim kundravenien dhe financimin e lobit serb për dominim dhe përdhosje të vlerave të kulturës tonë kombëtare, sepse forcimi i shtetit të Kosovës do të thotë spostim i qëndrës së gravitetit të kryeqytetit të bashkimit tonë?! Këstu me thotë një plak i mënçur në mëgrim në mënyrën e vet po duhet me qenë me i mënçuar se ai me i kuptue këto punë të holla, kur Tirana e ha sapunin për djathë serb e grek.
Idhulli im i këngës së patriotizmit dhe lirisë shqiptare Ilir Shaqiri po merret me këngë dashurie. Shkurte Fejza që ka bërë burg për këngën e lirisë po e anash kalon pak bregun e saj. Leonora Jakupi nunesha e këngës së lirisë së Kosovës, nga ato zanat e Fishtës, që kur ka kënduar“mos ma prek shkja Drenicen” serbit nuk ia mbajti, por kur ajo e harroi ta këndonte, serbi i fut tërthorazi me struktura paralele.
“Qielli digjet e toka varrët. Po ku je Adem Jashari”  “Mos ma prek ti shkja Drenicen. Se kam gjallë Azem Galicen” “Asht një komb që don liri. Dhe Kosova asht Shqipëri!”  “Mos ma prek trollin shqiptar. Mijra vjet jam në Dhe të parë!”
Dhe Shaqirin e dëgjoi çdo natë. Nuk me zë gjumi pa dëgjuar një këngë kosovare të lirisë se saj. “Tokë e mbjellë me plumba. “Dhe i ndezur për shtatë trimeri”  “Tokë e mbjellë me bura. “Shekujve të rënë për liri” Zgjohuni o ju dëshmorë…!
Këngën e Shaqirit e kanë dëgjuar ne internet 500 mijë vetë, ndërsa atë të Jakupit 180 mijë artdashës të lirisë dhe pavarësisë. Mundohem të klikoj  natë e ditë që ta rris numërin e tyre, po ku kapet Genta Ismaili me 5.5 milion “…e kam shpirtin eksplozion!”
Këngëtaret e dikurshem të lirisë po këndojnë edhe në Amerikë. Po thonë se po këndojnë tallava për kantundarët se më shumë se liria e Kosovës tash po na lypen dollarët!
Lepa Brena ka kënduar në Detroit dhe salla është tundur nga shqiptarët. Në të njejtën sallë ka kënduar grupi kombëtar shqiptar i diasporës në Amerikë “Bashkimi Kombëtar” si një ansambel shteti dhe nuk ka patur më shumë se 100 mërgimtarë. Ne i këndojmë këngët greke e serbe, ata na urrejnë kombin, flamurin, shetin dhe shpirtin e këngës tonë, se cilësitë tona i vërbojnë armiqtë tanë shekullor. Kam ndjekur disa aktivitete me këngëtarë shqiptar në Detroit dhe atje ne e vona kur dukej se avujt e alkolit kanë bërë punën e vet ia ka nisur posdravi… Të gjithë këtë e dijnë edhe pse duke lexuar këto rreshta le t’i kruajnë mjekrrat! Ua këndojmë këngët grekëve, serbeve dhe ato me rrokjet e refereneve ndezin zjarre mbi kokat tona.
Marrja i mbuloftë vrasësit e këngës së lirisë nga puthabythësit e tallavasë së Prishtinës e Tiranës, që i sillën sheshit “New Born” dhe atij të “Dëshmorëve të Kombit” me shallin helen e tregishtorin. Lirinë nuk e ruan pushka, por kënga… Pse o bace puna e trimave është mishi i krimbave?!
Po ku je o Adem Jashari
Bir Kosove e dragua mali
Djemt po bëjnë politikë
New Born ku vajti ideali
E ndajnë, si tortë me thikë!
Ç’është ky gjak
Që rrjedh nga trolli
Po vjen mbret
Prej Kremlini Pacolli!
Po ku je o Ramush Haredinaj
Qielli lirisë mbush me korba
More dorë e fortë
Puna e trimave mishi i krimbave?!
Po ku je Isuf Gervalla
Në palcën e Dardanisë
Po luajnë pokër
Me ëndërrën e lirisë!
Po ku je o Albin Kurti
Lakun ne fyt
Na hedhin tradhëtarët
S’a s’kemi vdek
Nxirri në shesh të gjallët!
Brënda ashtit
Dëgjoi një kob
Mbi kulltukun e perandorit
Ul një korb?!
Po na çukit sytë
Zgjohuni!
Ka me na mbytë!
Po ku je Jakup Krasniqi
Naim Maloku e Nexhat Daci
Gjaku i martirëve lëshon piskamë
Zemra e tokës plasi
Leni karriket
Jepni krah zanit amë!
Detroit 12 shkurt 2010
zefpergega434@hotmail.com