Pro et contra Rexhep Qosjës apo "Vareni kryengritësin e shenjtëruar" ...


Rexhep Qosja: Pse Sali Berisha është dhe sillet si Muamar Gadafi

Nga Flori  Bruqi 

LDK-ja ka sulmuar Qeverinë e Kosovës se ka ndarë 250 mijë euro për veprat e Rexhep Qosjes, të cilat nuk kanë kurrfarë vlere shkencore. "Nuk mund të theksohet si përparësi ndarja e 1 milionë eurove për implementimin e strategjisë nacionale për shkencë, në ndërkohë që 25 për qind të kësaj vlere apo 250 mijë i janë dhënë publikimit të veprave të Rexhep Qosjes”, është thënë në një konferencë për emdia të grupit të ekspertëve për ekonomi të LDK-së. Kjo parti e ja quajtur 'qeveri megalomane, me përzierje të kompetencave në mes të 6 zëvendëskryeministrave". "Plani ekonomik i Kosovës është i tipit të seminareve të studentëve, të përgatitur gjatë vikendeve duke bërë kamping, e i cili nuk ka se si të sigurojë perspektivë ekonomike për më shumë se 40 për qind të të papunëve dhe 30 për qind të atyre që jetojnë në varfëri" kanë thënë zyrtarët e LDK-së.

 http://www.lajmeditore.com/portal/index.php?option=com_content&view=article&id=2707:mustafa-qosja&catid=54:kosove&Itemid=70

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Rexhep Qosjes, i cili gjatë një interviste e ka quajtur Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës “shtëpi të LDK-së”. Deklaratat e Qosjes kanë pasuar shkrimin për nismën e deputetit të PDK-së, Ramë Vataj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ASHAK-un, të cilën LDK-ja e konsideron të dëmshme, të papranueshme dhe siç thotë kjo parti përmes një komunikate, të frymëuzar nga një logjikë staliniste.
 

Sipas LDK-së, PDK-ja synon të shtetëzojë ASHAK-në, për të vënë kontroll politik e ideologjik mbi institucionin më të lartë të dijes, shkencës dhe të kulturës në Republikën e Kosovës.
“PDK-ja nuk ka dhënë asnjë shpjegim të vërtetë për këtë tendencë, por, pasi pagoi rëndë Rexhep Qosjen, me paratë e qytetarëve të Kosovës, duke shpërdoruar fondin për shkencën, e obligoi këtë të fundit që të dalë e ta përkrahë tendencën e mbrapshtë të PDK-së dhe në të njëjtën kohë ta shajë LDK-në, lidhur me në çështje me të cilën LDK-ja nuk ka të bëjë. Por, Qosja arsyet i ka të forta, meqë 220 mijë euro për disa të shara nuk janë pak. Problemi është ky, PDK-ja dhe Qosja këto 220 mijë euro na i vodhën ne qytetarëve të Kosovës”, thuhet në këtë reagim të partisë më të madhe opozitare.

rexhep qosja
Arsyeja tjetër e akademik Qosjes, sipas LDK-së është se ai ëndërron institucione të kontrolluara nga partia të cilës i shërben, institucione në të cilat njerëzit dërgohen siç është dërguar ai në ASHAK në kohën e tij.
“Rexhep Qosja nuk arrin të dallojë veprimtarinë shkencore nga ajo politike, prandaj çuditet se si një njeri i shkencës, duke qenë edhe politikan, zgjidhet anëtar i ASHAK-së. ASHAK zgjedh sipas ligjit pozitiv dhe vullnetit të vet e jo si në kohën e Qosjes, me pusullat apo firmat e Komiteteve të LKJ-së. Rexhep Qosja i ka të vjetruara mësimet për formatin dhe Ligjin për ASHAK-në, meqë ai nuk ka kaluar kurrë procedura zgjedhjeje. Njeriu i dërguar në ASHAK nga ish-Komitetit Krahinor i LKJ-së, nuk ka si i mëson të tjerët për rregulla demokratike të zgjedhjes. Po ashtu, i njëjti nuk e di nga i bie ASHAK-ja, meqë aty nuk ka shkelur me dekada, edhe pse vijon të marrë rrogë nga ASHAK-ja, pra nga taksat e qytetarëve të Kosovës”, thuhet më tej në reagimin e LDK-së.
LDK-ja nuk ndalet me sulmet ndaj Qosjes në këtë reagim, duke thënë se apo ëndërron edhe një “revolucion të vonuar demokratik”, por tani në Kosovë.
“E sigurojmë atë që do të shkojë nga kjo botë i dëshpëruar, sepse një të tillë nuk do ta lejojnë qytetarët e Kosovës. Po të donin një gjë të tillë, ata do ta kishin votuar Qosjen me më shumë se 0.4 për qind të votave në humbjen e tij të turpshme”, thekson ky subjekt opozitar.
Lidhja Demokratike e Kosovës në komunikatën e saj thekson se nuk do të lejojë në asnjë rast që të denigrohet nga askush, do t’i mbrojë institucionet e dijes e të shkencës, do t’i mbrojë institucionet e shtetit që ka ndërtuar vetë, me ndihmën e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe do të flasë hapur për të gjithë denoncuesit e mashtruesit, brenda e jashtë Qeverisë së PDK-së, vullnetarë qofshin ata, apo të paguar.


Realiteti i shpërfillur
nga Rexhep Qosja
Shtëpia Botuese: Toena
Numri i faqeve: 88
Çmimi: 520 lekë
Ndryshe, deputeti Ramë Vataj me nënshkrimin e 49 deputetëve ka inicuar ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ASHAK-ut, sidomos nenet që kanë të bëjnë me zgjedhjen e anëtarëve të rinj në akademi. Rexhep Qosja në një intervistë për Kosovapress e ka mbështetur këtë nismë, njësoj sikur edhe Nexhat Daci, ndërsa edhe drejtuesit e ASHAK-ut janë shprehur të gatshëm të bashkëpunojnë për ndryshimin e këtij ligji, por e kanë por argumentimin për ndryshimin e këtij ligji, duke e quajtur të cektë dhe të paqëndrueshëm.
Rexhep Qosja ka lindur më 1936 në Vuthaj te Kelmendit, Malit i Zi. Shkollën fillore e përfundoi në fshatin e lindjes, tetëvjeçaren e mbaroi në Guci. Shkollën normale e mbaroi në Prishtinë. Më 1964 diplomoi në degën Gjuhë-letërsi të Universitetit të Prishtinës. Studimet pasuniversitare i kreu në Universitetin e Beogradit, Beograd ku në vitin 1971 mori titullin "Doktor i shkencave filologjike" me temën "Asdreni-jeta dhe veprat". Ishte punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Universitetit të Prishtinës dhe drejtor i këtij Instituti prej vitit 1972 deri më 1981. Që në fillimet e veta, duke folur për rolin e kritikës dhe modernitetit, Rexhep Qosja pohoi se "realizmi socialist nuk është as realizëm, sepse është romantizëm". Duke mbrojtur dhe ushtruar një kritikë të tillë dhe duke hequr dorë nga glorifikimi i një orientimi të vetëm u siguroi studimeve të veta dimensione të reja që i përkasin të gjitha kohërave.
Realiteti i shpërfillur
Realiteti i shpërfillur
nga Rexhep Qosja
Shtëpia Botuese: Toena
Numri i faqeve: 88
Çmimi: 520 lekë
Tituj të veprave 

Episode letrare - (1967)
Dialog me shkrimtarë - (1968)
Antologjia e lirikës shqipe - (1970)
Kontinuitete - (1972)
Asdreni - jeta dhe vepra - (1972)
Panteoni i rralluar - (1973)
Vdekja më vjen prej syve të tillë - (1974)
Shkrimtarë dhe periudha - (1975)
Anatomia e kulturës - (1976)
Mite të zhveshura - (1978)
Prej tipologjisë deri te periodizimi - (1979)
Morfologjia e një fushate - (1980)
Nocione të reja albanologjike - (1983)
Historia e letërsisë shqipe I - (1984)
Historia e letërsisë shqipe II - (1984)
Antologjia historike e letërsisë shqipe - (1985)
Historia e letërsisë shqipe III - (1986)
Porosia e madhe - (1986)
Populli i ndaluar - (1990)
Strategjia e bashkimit kombëtar - (1992)
Çështja shqiptare: Historia dhe politika - (1994)
Ligjërime paravajtëse - (1996)
Fjalor demokratik - (1997)
Paqja e përgjakshme: Konferenca ndërkombëtare për Kosovën - (1999)
Një dashuri dhe shtatë faje, roman, bot. Toena, Tiranë, (2001)
I ringjalluri i penduar, tregim satirik. Toena, Tiranë, (2002)
Realiteti i shpërfillur (Vështrim kritik mbi pikëpamjet e Ismail Kadaresë për identitetin shqiptar) - (2006) Rilindja e dytë Prej letërsisë romantike deri te letërsia moderne - 2007
Nata është dita jonë, - 2007 etj.

Të vërtetat e vonuara
Ideologjia e shpërbërjes
nga Rexhep Qosja
Shtëpia Botuese: Toena
Numri i faqeve: 72
Çmimi: 520 lekë

Rexhep Qosja 

Vdekja me vjen prej syve te tille Fragment

Ka do dite, ndoshta prej se merkures se pare te qershorit, apo, ndoshta, edhe prej se enjtes, kur binte nje shi i imet, i dendur. Ti e ndien veten te shprazet, fyell; bosh, si shtogu kur ia nxjerrin palcen, si peshku kur ia shtrydhin vezet, si lehona kur ia heqin foshnjen. Te duket se nje humnere e gjere dhe e thelle, gati e paskajshme dhe e pafund, eshte mbeshtjelle me lekuren tende te holle, te bute, te bardhe qe e skuqin menjehere rrezet e diellit, duke te detyruar te kerkosh hijen qe i le te qeta nervat e tua te ndjeshme per se tepermi, qe t'i ndezin aq shpejt ndjenjat dhe imagjinaten. Tashti nuk ndien nevoje as te ulesh prane tryezes qe s't'i ze mire kembet perfundi, qe me lapsat, fletet, fletoret, skedat, ngjiteset, kutite eshprazeta te cigareve, shpuzoret, stilografet, kapeset, te qitura vend e pa vend, dhe me makinen "Erika", te kthyer anash, deshmon se nje shqetesim eshte realizuar ne harmonine e imagjinates duke lene realitetin e saj ne gjendje crregullsie. Tani mund te dalesh ne kafenene "Khajami", ne Rrugen e Kepucatreve, ku mblidhen poetet, prozatoret, artistet, regjisoret, piktoret, kompozitoret, kengetaret dhe gazetaret, ku je i sigurte se do te gjesh edhe Hajrushin e Kenduesit, Musliun e Kapeshnikut, Idrizin e Skeres dhe Aliun e Karahodes, qe zakonisht, i prijen muhabetit per piramiden e larte te letersise, filozofise, estetikes dhe linguistikes moderne, duke mos e gjetur asnjehere gjuhen e dallendyshes rreth tyre. Mund te inkuadrohesh edhe ti ne keto muhabete te shpeshta dhe te zjarrta qe behen me kafe turke, caj kinez, konjak te Korces, raki te kumbullave dhe koka-kole perpara, e te degjosh Hajrushin, dramaturgun qe perbuz teoriket e kafenese, kur thote, me nje ton patetik dhe gjeste teatrale, se si ne piramiden e arteve dhe te shkences mund te hyjne ata qe kane prirje dhe s'pertojne t'i kerkojne hyrjet e shumta, qe shpien ne brendesine e saj te pershkuar prej labirinthesh...Dhe mund te shkosh ne shfaqjen e baletit "Liqeni i mjellmave", t'i shohesh balerinat dhe balerinet, si fluturojne ne krahet e ambicieve, te shpresave dhe te endrres dhe si, ndonjehere kur shiriti i enderres u nderpritet, leshohen ne dyshemene e ashper dhe tendosin durimin e shikuesve, dhe mund te ndalesh me gjate ne parasallen, t'i shikosh ciftet e hekurosura qe ekspozojne lumturine e rrejshme, fustanet e shkurtuaraderi te laku i prapanices, paradat e takave te holla, si gjilpera e kepucetar Arifit te Gojanit, qe shpojne tepihun boje mjalti; vithet e gjera, te permbledhura ne bele, qe perdridhen si rrota e mullirit; kemishat e bardha me kravata flutura qe sillen verdalle duke dhene e marre pershendetje kolltuku derisa te bjere zilja e fillimit te aktit te pare, te dyte apo te trete. 

image
 


Tani, kur kerkon frymezimin dhe, si duket, akoma nuk do ta gjesh, mund te shkosh ne pjacen e qytetit, Rruges se Gjyqit apo Rruges se Televizionit, perskaj teneqexhinjve, qe e mbushin hapesiren me tingujt moderne te veglave te tyre primitive, t'i numerosh kuajt e gomeret qe mes veturave qe fluturojne asfaltit, ecin krenare perpara kesulave te bardha, te tretura ne mesin e kravatave dhe te kapelave. I qet kembet, me kujdesin e lehones, ndermjet grumbujve te domateve, specave, kastravecave, molleve, karrotave, spinaqit, balancave, bezhdileve, minjve te ngordhur, duqeve te cigareve, i ngin syte me ngjyra dhe hunden me ere e, pastaj, kerkon frymezim prej setrave te zhgunit, pantallonave te leshta, tirqve, kemishave te leckosura, qafave te rrudhura, te palara, faqeve te pershkuara prej te carash te holla, te kryqezuara si shigjetat e grekeve e te persianeve, gishtave te perdredhur, tere nyja-nyja, si burgjite e Salajdin Batallit qe e ka dyqanin aty pak me tutje, ne hyrje te pjaces; syve qe shikojne nen vetullat e kerleshura, ku qimet perleshen me njera-tjetren... 




     VEPRA E GUXIMIT INTELEKTUAL


 Rexhep Qosja

"Vareni kryengritësin e shenjtëruar" (Qosja - Nobeli - Kadare)

 

 

Begzat Baliu, “Vareni kryengritësin e shenjtëruar (Qosja, Kadare, Nobeli...)” - Botues: Instituti Albshkenca i Prishtinës, Korrik 2010, f. 301.

Shkruan: RESHAT SAHITAJ

Vite me radhë, të shkruash kundër Rexhep Qosjes ka qenë në mode, ndërsa të shkruash për të pa dashur ta mbrosh apo lavdërosh veprën e tij, qoftë edhe vetëm me një artikull gazeta a interneti është  dashur të përgatitesh që të durosh reagimet në shtyp dhe internet dhe madje të përgatitesh për ndonjë shikim përbuzës gjatë një përshëndetje në rrugë. Nuk është e rastit pse një vepër e botuar këtyre ditëve mund të ngre shumë pluhur dhe shumë reagime kundër autorit dhe veprës njëkohësisht.
Studiuesi Begzat Baliu këto ditë para lexuesve tanë paraqitët me librin “Vareni kryengritësin e shenjtëruar”, ku në mënyrë të paanshme trajton tema të nxehta si: polemikat e dy kolosëve të letërsisë Qosja – Kadare, pastaj vendimin për  largimin e Rexhep Qosjës nga Instituti Albanologjik, propozimin e Rexhep Qosjes për çmimin Nobel etj. Për të përfunduar librin me shtojcën ku studiuesve dhe lexuesve të rëndomtë dhe atyre të specializuar, për herë të parë u jepet rasti të lexojnë dokumente të ndryshme shkencore në fushë të kulturës, shkencës së albanologjisë dhe marrëdhënieve arsimore e shkencore.
Vepra “Vareni kryengritësin e shenjtëruar”,  në lexim të parë të krijon përshtypje se çdo gjë ka filluar spontanisht e pa ndonjë objektiv të caktuar. Pra, fjala është për një nismë individuale  të Begzad Baliut, të publikuar vetëm për të plotësuar dëshirën e tij personale, por kjo dëshirë e individit shumë shpejt do të marrë përmasa në hapësirën kombëtare, evropiane dhe amerikane, ku jetojnë shqiptarët. Ky individ që e publikon dëshirën e tij, nuk është individ si shumica e tjerëve, por është prof. dr. Begzat Baliu, që në qarqet profesioniste shkencore njihet si njëri ndër studiuesit më serioz në fushën e albanologjisë në hapësirat shqiptare.
Çuditërisht autori librin e hap me një tekst krejt të shkurtës, pra me një tekst të arsyetuar të tij që Rexhep Qosja të propozohet për çmimin Nobel dhe këtë e bën në një faqe internetit, pa menduar se ky propozim dhe  emri i kolosit të letërsisë shqipe Rexhep Qosja do të bëhen objekt polemikash te lexuesit virtualë. Me këtë rast në shënjestër, për të mirë dhe të keq janë Rexhep Qosja dhe Ismail Kadare. Fillimisht autori bënë një test të opinionit mbarëshqiptarë se si do të reagojnë lidhur me propozimin e tij që Rexhep Qosja të jetë kandidat nga Kosova, që priste shpalljen e pavarësisë, për çmimin Nobel. Ky propozim do të vë në shesh dy lloj reaguesish, të cilët hidhen në luftë, njëri për ta mbrojtur dhe arsyetuar  figurën e Rexhep Qosjës se e meriton te kandidohet, e tjetri grup kategorikisht refuzon kandidimin e Qosjës për çmimin Nobel. Në mesin e dy grupeve kundërshtare lojën e barazpeshes e luan autori, i cili intervenon herë pas here duke e arsyetuar propozimin e tij me fakte, ndërsa tani në vepër sjell edhe shumë shembuj nga veprat e Qosjes, si dhe dokumente të ndryshme të nxjerra nga arkivi që lexuesit mund t’i lexojnë për herë të parë. Si në grupin e parë po ashtu edhe në të dytin pjesëmarrësit në polemika janë autoritete publike më pak të njohura për opinionin tonë, por shumë të njohur dhe me ndikim në faqet e ndryshme të internetit. Është për t’u nënvizuar se shumë polemika që zhvillohen në këtë libër kanë dozën e maturisë intelektuale, ku secila palë me argumente e kundërargumente kërkon të arsyetojë mendimin e vetë intelektual duke e veçuar ndonjë rast të rrallë ekstrem, i cili nuk joshet as nga Qosja e as nga Kadareja. Vlera dhe madhështia e këtij libri polemikash virtuale qendron në atë se autori nuk i censuron asnjërin prej pjesëmarrësëve në polemikë, duke i lënë secilit lirinë e të shprehurit, pavarësisht se ndonjëri ka mendim të keq për njërin e të mirë për tjetrin.
Kuptohet, duke e lexuar  librin “Vareni kryengritësin e shenjtëruar”,  lexuesi do të hasi edhe në ndonjë polemikë që nuk ka asnjë kuptim logjik e as filozofik, siç mund të lexojmë këtë mendim: “ ... Pas Shqipërisë vjen Kosova. Fati i botës varet nga Kosova, ndërsa Çmimin e Nobelit nga kjo zonë do ta përfitojë profesori po qe se do të angazhohet për inagurimin e Katedralës së Kombit në zemër të Dardanisë, me gjithë taborrin e tij që vuan nga komplekset fetare...”. ( faqe 57). Pra, ky shkrimtar, i njohur në qarqet intelektuale shqiptare, shkruan sikur të ishte një fshatar i Muçivërcës apo i Hajkobillës, kur thotë se fati i krejt botës varët nga Kosova dhe se mendime të tjera pa asnjë logjikë e as filozofi. Pavarësisht nga shkrime të tilla, me këtë vepër Begzad Baliu, për herë të parë sjell brenda një vepra letrare, dokumentare e shkencore dhe pasqyron nivelin internetik të shqiptarëve sot, duke ju bërë me dije se të shkruash në një faqe interneti nuk është përgjegjësi më e vogël se të shkruash në një faqe gazete apo libri.   
Tema e dytë që shtrohet në “Vareni kryengritësin e shenjtëruar” ka të bëjë me vendimin e drejtorit të dhunshëm të Institutit Albanologjik të Prishtinës që Rexhep Qosja të largohet nga Instituti. Pasi kjo është një ngjarje që ka ndodhur vetëm tri vjet më parë, shumë nga ne që kemi përcjell sado pak shtypin dhe televizionin e kujtojmë mirë se sa reagime të fuqishme intelektuale pati sjellë shtypi dhe televizioni atë kohë. Shumë prej nesh reagimet tona i kemi shprehur përmes shtypit, dhe sikur shkruan edhe autori, ndoshta është beteja e parë e intelektualëve të Kosovës kundër despotizmit të herëpashershëm në qeverisjen e Kosovës si nga të huajt ashtu edhe nga të brendshmit. Mendimet tona protestuese, nostalgjike, apo edhe politike të gjithë ne i kemi shprehur në forma të ndryshme, por zor të gjesh një reagim të asaj natyre që Begzad Baliu e ka shprehur në një tekst internetik, me të cilin e hap edhe Pjesën e dytë të librit: “Nuk e di a mund të them prandaj, shqetësimin që kam ndjerë kur kam dëgjuar dhe kur kam menduar se si vepra, dorëshkrime,letra,dokumente etj., janë vënë në thasë najloniprej atyre që librat i çmojnë si tullat e shtëpisë,dorëshkrimet si rrobat e vjetruara apo dokumentet si gjethet e rëna të vjeshtës. E kuptueshme, pa fajin e tyre?”. Janë momentët më trishtuese dhe më tragjike që autori i ketij libri përjeton kur Akademik Rexhep Qosjës i mbyllet dera e Institutit dhe librat e tij hudhen në thasë najloni. Si në pjesën e parë edhe në të dytën janë pothuajse të njejtit autorë që polemizojnë. Natyrisht në mesin tonë, në Prishtinë, në Tiranë, në Shkup apo edhe në diasporë, mund të gjeje edhe ndonjë të ashtuquajtur intelektual që vazhdonte të mendonte me mentalitetin e vjetër, me mentalitetin klanor apo edhe me xhelozinë për kolegun e dikurshëm të arritjeve shkencore modeste të tij, prandaj edhe i lejon vetes që Akademikun Rexhep Qosja ta quaj uzurpues, sikur Qosja të kishte uzurpuar pasuri. Kur njeriut të  mllefosur i jepet rasti të shprehet lirshëm, është më mirë që të mendojë para se të shkruan nga se shkrimet reflektojnë botën shpirtërore të individit si dhe vlerën apo mosvlerën e tij.
Pjesa e tretë e këtij libri gjithashtu ka kulmin e saj. Këtu nuk vazhdojnë polemikat mes Begzad Balit dhe kundërshtarëve të tij që Rexhep Qosja të propozohet për çmimin Nobel, as polemikat në mbrojtje të linçit politik dhe qeveritar të largimit të Rexhep Qosjes nga Instituti Albanologjik, por tekste me karakter polemizues, që paraqesin fillimet kundërshtuese të Rexhep Qosjes e Ismail Kadaresë për probleme të letërsisë dhe identitetit evropian të kulturës e qytetërimit shqiptar, sado bëhen në kushte politike të jashtëzakonshme dhe në një kohë të largët, 1973. Në këtë pjesë që titullohet “Shtojcë”, shohim punime shkencore që në fakt trajtojnë jo vetëm problemet e fushës albanologjike, të kulturës e të diplomacisë, por edhe tekste që kapin problem të integrimit të kulturës kombëtare, sikur është çeshtja e bashkëpunimit me Shqipërinë, hapja e Institutit Albanologjikë në vitin 1952 etj.
Në këtë shtocjë për herë të parë botohen diskutimet tepër sekrete të qeveritarëve jugosllavë mbi marrëdhëniet kulturore dhe shkencore ndërmjet ish-Jugosllavisë dhe Shqipërisë dhe çështjen e Kosovës), letrat (për dhe të Krist Malokit), proçesverbalet e kohës së fillimit të themelimit të Institutit Albanologjik dhe projekteve shkencore të tij etj.
Duke lexuar këtë libër, gjatë tërë kohës lexuesi do e sjellë ndërmend titullin e tij, duke i bërë vetës pyetjet të shumta: cili është kryengritësi i shenjtëruar që duhet varë?! Nëse qenka i shenjtëruar pse duhet të varët?! Si është e mundur që edhe kryengritës edhe i shenjtëruar?!  Ne fakt në secilën shoqëri qoftë demokratike apo totalitare njerëzit e mençur, të cilët tentojnë të luftojnë për të drejtat e qytetarëve dhe interesin kombëtar janë të paktë dhe nga sistemi etiketohen “kryengritës” si dhe shpallën fajtor. Natyrisht, kjo ndodh edhe pse të gjithë themi se sistemi shoqëror i një shteti shkon përpara vetëm duke u kritikuar nga disa individë të mençur, të cilët nuk shkojnë pas turmës popullore që i duartrokasin liderit dhe qeverisë në pushtet. Çdo ndryshim dhe çdo revolucion është nxitur nga intelektualë të paktë e asnjëherë nga masa që i torturojnë duart e tyre duke i përplasur që të rrojë lideri. Në mesin e këtyre intelektualëve që nuk i duartrokiti asnjë qeverie është edhe Rexhep Qosja, i cili me angazhimin e tij e kritikonte qeverinë e Beogradit në kohën më të rrezikshme, kur askush nuk ishte i sigurt se e nesërmja e gjen të gjallë. Rexhep Qosja nuk do të heshtë as gjatë viteve të çlirimit të Kosovës sepse pas tërë asaj lufte e maskre që kishte përjetuar populli ynë Kosova nuk ishte ashtu siç e kishte imagjinuar dhe prejktuar Rexhep Qosja dhe krahu luftarak i çlirimit të Kosovës. Si mund të heshtej para padrejtësive që i behej familjeve te deshmorëve, ish- luftëtarëve të lirisë etj. Gjatë leximit lexuesi e kupton se “kryengritësi i shenjtëruar” është Rexhep Qosja dhe këtë Serbia e kishte në shënjestër, këtë disa shqiptarë e kishin dhe e kanë në shënjestërë, këtë ndonjë liderë i ndonjë krahu politik në pushtet e kishte vu poashtu në shënjestërë. Çuditërisht “kryengritësin” Qosja e kanë në thumb të njëjtit që dikur ishin të përkëdhelurit e Beogradit andaj urdhëri i tyre ishte: Kryengritësi duhet varur!”. Përkundër urdhërave të tillë Qosja me shkrimet e tij u përballojë fortuanve politike serbo-shqiptare, që është edhe mesazhi i librit “Vareni kryengritësin e shenjtëruar”. Duke e lexuar këtë vepër kemi përshtypjen se Begzad Baliu, nuk ka mbrojtur vetëm Rexhep Qosjen por edhe të gjithë ata intelektual që në një mënyrë apo një tjetër janë linçuar nga klane, parti apo qeveritar të ndryshëm, por duke e ditur se parti, grupe dhe klane  që vazhdojnë të përdhosin intelektualë të papërkulshëm ka edhe më tej, shpresojmë që autori dhe vepra e tij të mos e pësojnë fatin e Rexhep Qosjes.         
Libri ka mbi 300 faqe dhe është i domosdoshëm të lexohet si për lexuesit e rëndomtë po ashtu edhe për punëtorët shkencorë, si në fushën e kulturës e të albanologjisë, edhe ata  të shkencave politike. Në shikim të parë duket sikur libri është një bashkim tekstesh të ndryshme, por e vërteta, kur të mbarosh së lexuari, e ky libër lexohet me një frymë, nuk është vështirë të shihet se fjala është për një libër të mbyllur që kalon nga pjesa e parë (komunikimi individual për Qosjen, kryesisht në kontekstin letrar edhe me Kadarenë), te pjesa e dytë (Qosja dhe Instituti Albanologjik, duke e theksuar aspektin politik të këtyre lidhjeve) dhe në fund te pjesa e tretë (Qosja, Instituti Albanologjik, Kosova - Kadare, Shqipëria dhe marrëdhëniet shqiptari-jugosllave).    
Ma këtë vepër, Begzad Baliu duket se ka provuar shpesh t’iu jap përgjigje jo vetëm kundërshtarëve internetik të çastit, po edhe shumë kundërshtarëve të Rexhep Qosjes që me vite mezi kanë gjetur rastin që ta sulmojnë veprën dhe ta pështyjnë biografinë e tij. Prej autorit të këtij libri, as në faqet e shtypit ditor, as në faqet e shtypit elektronik nuk e di të kem lexuar ndonjë deklaratë apo tekst të veçantë për jetën dhe veprën e Rexhep Qosjes, qoftë në kontekstin mohues qoftë në kontekstin pohues. Mirëpo duke e parë njohjen kaq të thellë dhe kaq të gjithanshme të jetës dhe veprës së tij, kam përshtypjen se Rexhep Qosja tashmë ka gjetur autorin e biografisë së tij.      

Botuar ne te perditeshmen e Prishtines, “Kosova sot”, 4. 9. 2010, f. 5.


Vlerësimi i këtyre figurave doemos provokon reagime të ndryshme, negative dhe pozitive. Kjo është e kuptueshme sepse ky është një roman polifonik.
Polemika për romanin e Rexhep Qoses













 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
Romani më i fundit i Rexhep Qosjes “Bijtë e askujt”, që doli nga shtypi pak ditë më parë, ka nxitur polemika të shumta ndër lexuesit e parë të tij. 

Në dy vëllime, me rreth 900 faqe, romani përbën një eksperiment postmodern. Në të Rexhep Qosja merret edhe me shumë personalitete të larta të politikës, të historisë dhe të artit në hapësirën shqiptare.

Vlerësimi i këtyre figurave doemos provokon reagime të ndryshme, negative dhe pozitive. Kjo është e kuptueshme sepse ky është një roman polifonik.

Romani dallohet për guximin që ka autori për t’i thënë idetë e tij shkoqur. Qosja, përveç guximit letrar ka edhe guximin moral për të sfiduar historinë e letërsisë shqipe dhe historinë politike të shqiptarëve: të djeshmen dhe të sotmen.

Romani “Bijtë e askujt” është botuar nga shtëpia botuese “Valdoli” në Prishtinë, 2010.
 

Monument kulturor i albanologjisë

  
Kompleti i veprave të Akademik Rexhep Qoses
  Në fund të dhjetorit 2010 Instituti Albanologjik i Prishtinës ka botuar kompletin e veprave letrare e shkencore të akademik Rexhep Qoses, që është kurorë e veprimtarisë së tij krijuese gjysmëshekullore.

  Krijimtaria letrare e shkencore e akademik Rexhep Qoses kap një spektër fushash e formash të diturisë albanologjike, që nga eseja, kritika, tregimi e drama deri te sintezat historiko-letrare, historike e tipologjike dhe strukturat moderne e postmoderne romanore.

Akademik Rexhep Qosja
Krijimtarinë e Qoses e integron stili origjinal dramatik, erudicioni intelektual dhe imagjinata krijuese artistike e shkencore.  


Kompleti me 29 vëllime i akademik Rexhep Qoses është strukturuar në pesë cikle.

1. Veprat historiko-letrare: “Vazhdimësi”,” Panteoni i rralluar”, “ Asdreni – jeta dhe vepra”, “Prej letërsisë romantike deri te letërsia moderne”, “Anatomia e kulturës”,Nocione të reja albanologjike”, “Historia e letërsisë shqipe - Romantizmi 1”, “Historia e letërsisë shqipe – Romantizmi 2”, “Historia e letërsisë shqipe – Romantizmi 3”, “Porosia e madhe”, “Tri mënyra të shkrimit shqip” dhe “Semantika e ndryshimeve historiko-letrare”.

   2. Veprat letrare: “Antologjia e lirikës shqipe”, tregimi satirik “I ringjalluri i penduar”, dramat “Mite të zhveshura” dhe romanet “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, “ Një dashuri dhe shtatë faje”, “Nata është dita jonë”, “Bijtë e askujt 1” dhe “Bijtë e askujt 2”.


   3. Veprat historike dhe historiko-dokumentare: “Çështja shqiptare – historia dhe politika”, “Programet serbe për shpërnguljen e shqiptarëve”,  “Paqja e përgjakshme”,  “Tronditja e shekullit 1”, Tronditja e shekullit 2” dhe “Rilindja e dytë”.

   4. Veprat publicistike: “Populli i ndaluar”, “Strategjia e bashkimit shqiptar”, “Ligjërime paravajtëse”, “Fjalor demokratik”, “Demokracia e shpërdorur” dhe “Intelektualët, etika dhe politika”.

   5. Veprat polemizuese: “Morfologjia e një fushate”, “Ideologjia e shpërbërjes”, “Realiteti i shpërfillur” dhe “Të vërtetat e vonuara” .

   Në krijimtarinë e Qoses shquhet vetëdija kritike jokonformiste ndaj tradicionalizmit, dogmatizmit dhe pushtetit autoritar.  
Liria, e drejta dhe vërteta janë parime të vetëdijes së tij filozofike e etike.
Në shkrimet e tij ai ka theksuar: “E vërteta është mënyra e dashurisë sime për popullin tim dhe për kulturën e tij.” 


    Kompleti i veprave të akademik Rexhep Qoses është një monument i rëndësishëm kulturor i albanologjisë.
    Akademik Rexhep Qosja konsiderohet sot një klasik modern i kulturës shqiptare. Veprat e tij shkencore e letrare kanë hapur përmasa të reja të emancipimit dhe modernizimit të vetëdijes historike, artistike e kritike shqiptare.

  Krijimtaria letrare e shkencore e akademik Rexhep Qoses e ka begatuar kulturën shqiptare me vlera, vizione, ndjeshmëri, forma artistike e metodologjike të vetëdijes moderne.   
    Vepra letrare e shkencore të Qoses janë përkthyer në disa gjuhë botërore.

  “Botimi i kompletit të akademik Rexhep Qosjes është ngjarje e shënuar kulturore e përmasës gjithëkombëtare. Kultura jonë – e përfaqësuar në këtë vepër unike, edhe si studim shkencor, edhe si shprehje e veçantë e saj – pasurohet me punën gjysmëshekullore diturore e krijuese të njërës ndër figurat më emblematike të botës bashkëkohore shqiptare. Është shenjë e identitetit tonë kulturor vepra e historianit të letërsisë, e kritikut letrar, e romancierit, e tregimtarit, e dramaturgut, e autorit të historisë sonë kombëtare, e eseistit, e publicistit, e polemistit, e dëshmitarit, e akademikut Rexhep Qosja”.- theksohet në parathënien e kompletit, shkruar nga drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, prof.dr.Hysen Matoshi.

Prishtinë, më 3 mars 2011                                       Abdyl Kadolli




Akademiku, letrari e polemisti Rexhep Qosja

Nuk ka fije dyshimi, se prof. Rexhep Qosja është një nga intelektualët më të shquar të kohës sonë, me emrin e të cilit lidhen shumë aspekte të zhvillimit tonë në fushën e shkencave albanologjike, të arsimit tonë kombëtar dhe të jetës sonë kulturore dhe shoqërore. Mund të thuhet se ai, me veprën e tij paraqet një fenomen të veçantë në kohën tonë dhe se është një rilindës i mirëfilltë për kulturën shqiptare.
 
Në periudhën e tretë të pasluftës së vitit 1998-1999, krijimtarinë e tij e karakterizon shumëllojshmëria e shkrimeve, midis të cilëve shquhen shkrimet dokumentare në formën e ditarit, shkrimet letrare në prozë, studimet e letërsisë e sidomos shkrimet e karakterit polemik për çështje të rëndësishme shoqërore. Autori i këtyre shkrimeve bëhet dëshmitar i drejtpërdrejtë i ngjarjeve të mëdha, siç janë Konferenca e Rambujesë, që paraqitet në librin “Paqja e përgjakshme”.

Rexhep Qosja, studenti i gjeneratës së parë në katedrën e Albanologjisë në Prishtinë, u dallua si njeri me kërshëri të gjerë dhe etje të pashuar për dije e kulturë, me vullnet të madh në punë, me qëndresë e vendosmëri të rrallë. Intelektuali i ri Rexhep Qosja, me punën e tij të përkushtuar, me mençurinë e kultivuar, duke i zgjeruar kufijtë e lirisë krijuese, i hapi shtigjet e diturisë jo vetëm vetvetes, por edhe mbarë brezit të ri të Kosovës, që u krijuan në rrethana pak më të liberalizuara pas ngjarjeve të vitit 1966. Në ato vite, rihapjes së institucioneve kombëtare, të avancimit të studimeve albanologjike me hapjen e shkallës së tretë, me hapjen e studimeve pasuniversitare, falë punës së tij dhe aktivizimit të mbarë inteligjencës shqiptare, kultura shqiptare në Kosovë po i kthehej amës së burimit kombëtar dhe po i vinte lidhjet e veta të shkëputura me Rilindjen Kombëtare Shqiptare, ndërsa gjuha shqipe në veçanti po ecte e sigurt drejt njësimit të saj si gjuhë letrare e popullit të qytetëruar.

Puna e Rexhep Qosjes në Institutin Albanologjik, në Katedrën e Gjuhës dhe të Letërsisë, në redaksitë e revistave shkencore e letrare, më vonë edhe në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, vepra e tij shkencore e letrare duhej t’i përballonte sfidat e dy dogmave të rrezikshme; ideologjinë antishqiptare të titizmit jugosllav dhe skematizmit dogmatik, por edhe të realizmit socialit që e karakterizonte letërsinë dhe artet në Shqipëri. Sado që asnjë vepër nuk mund të qëndrojë jashtë kohës së vet historike, Rexhep Qosja në veprën e tij është njëri ndër intelektualët e paktë shqiptarë të trevës së Ballkanit, që i ka tejkaluar me sukses këto rreziqe, madje edhe në raste kur në mënyrë të drejtpërdrejtë është marrë me to. Duke u bërë sfidë kufizimeve ideologjike të cilat politika ia parashtronte shkencës dhe kulturës shqiptare, Rexhep Qosja ballafaqohet drejtpërsëdrejti me të gjitha format e akulturimit, qofshin ato provinciale e konservatore të mbështjella me përbërës të epigonizmit modernist, qoftë edhe me përbërës të shkëlqimit të rremë spiunor të skemave me të cilat bëhet përpjekje për të dëshmuar novatorizmin brenda metodës së realizmit socialist.

Jo vetëm me analizën kritike të veprave të dështuara, por edhe me veprën e vet letrare për prozë a dramë, ai do të provojë se cili është preokupimi estetik i tij dhe çfarë duhet të përmbajë vepra letrare me vlera të veçanta artistike. Kështu, vepra e tij letrare do t’i tejkalojë kufizimet ideologjike, qoftë edhe duke paraqitur estetikisht dhunën në përmasat e saj, si dhunë shtetërore ndaj një populli, qoftë duke krijuar antipodin e heroit të realizmit socialist, çfarë ishte jo vetëm Xhezairi i Gjikës i romanit, por edhe gati të gjithë heronjtë e dramës së tij. Duke vlerësuar me kritere të drejta shkencore letërsinë shqiptare të traditës, Qosja i ka hetuar me kujdes të gjitha arsyet pse kjo letërsi i ka veçantitë e saj të caktuara, pa pasur nevojë t’i arsyetojë në mënyrë subjektive të metat dhe mangësitë e saj. Në të gjitha rastet letërsia vlerësohet si vlerë estetike që ka mëvetësinë e vet.
Mirëpo kur është fjala për letërsinë e Rilindjes Kombëtare, nuk mbesim jashtë sferës së interesimit të autorit dhe funksionet arsimore, pedagogjike, politike e historike, mbi bazën e të cilave zhvillohet mbarë lëvizja për çlirimin kombëtar. Vepra e madhe e Rexhep Qosjes që nga fillimet shquhet për paraqitje të sakta gjuhësore, larg çdo mistifikimi që kritika jonë letrare e bënte në emër të veçantive terminologjike të studimit të letërsisë. Gjuha e veprës së tij në ecurinë e saj, në çdo vepër është pasuruar me elemente të reja burimore, ndërsa në veprat e tij të fundit kjo përkujdesje për pasurimin dhe pastërtinë e gjuhës shqipe ka arritur deri në shkallën e purizmit.

Edhe në këtë drejtim, ndryshe nga oksidentalistët tanë snobistë, ai ka ndjekur rrugën e pagabueshme të rilindësve tanë të mëdhenj. Duke filluar nga “Episodet letrare” në 1967, vijohet me “Dialogët me shkrimtarët” etj., më vonë korpusi krijues i Rexhep Qosjes do të pasurohet edhe me veprën “Panteoni i rralluar”, që parë nga largesa e sotme historike, ajo dëshmon largpamësinë e autorit për vlerësimin e drejtë kritik të letërsisë sonë, që rrallohej nga vlerat e njëmendta letrare. Duke u marrë me përkushtim të veçantë që nga fillimi me letërsinë e Rilindjes Kombëtare, prof. dr. Rexhep Qosja do të përmbushë ëndrrën e tij të kahershme me botimin e veprës madhore, “Letërsia shqipe - Romantizmi”, në tre vëllime. Dhe kurorë e plotë e këtij suksesi të papërsëritshëm në fushën e historisë së letërsisë është padyshim monografia për poetin kombëtar Naim Frashërin, me titullin kuptimplotë, “Porosia e madhe”. Fill pas “Porosisë së madhe”, ai do të botojë në vijimësi tri vepra, të cilat përfaqësojnë një tip tjetër të shkrimeve: “Populli i ndaluar”, “Strategjia e bashkimit kombëtar” dhe “Çështja shqiptare”, që trajtojnë aspekte të rëndësishme historiko-shoqërore, duke synuar shtigjet për të ardhmen e popullit tonë.

Po këto çështje janë trajtuar në veprën “Ligjërime paravajtëse”, si edhe veprën eseistike të kritikave shoqërore që titullohej “Fjalori demokratik”, me të cilën përfundon periudha e dytë e krijimtarisë së këtij autori. Ndërsa në periudhën e tretë të pasluftës së vitit 1898-1999, krijimtarinë e tij e karakterizon shumëllojshmëria e shkrimeve, midis të cilëve shquhen shkrimet dokumentare në formën e ditarit, shkrimet letrare në prozë, studimet e letërsisë e sidomos shkrimet e karakterit polemik për çështje të rëndësishme shoqërore.

Autori i këtyre shkrimeve bëhet dëshmitar i drejtpërdrejtë i ngjarjeve të mëdha, siç janë Konferenca e Rambujesë, që paraqitet në librin “Paqja e përgjakshme” dhe ndërhyrja e NATO-s për shkak të luftës në Kosovë dhe eksodi i madh i shqiptarëve në vitin 1999, në librin voluminoz “Tronditja e shekullit”. Këto dy vepra përveç vlerave dokumentare përmbajnë edhe përshkrime tronditëse për ngjarje, të cilat i karakterizon edhe paraqitja artistike e tyre. Edhe këtë fazë të krijimtarisë e karakterizojnë disa shkrime polemike, për të cilat Qosja iu kundërvihet disa qarqeve pseudointelektuale që veprojnë për të krijuar identitetin e ri, “kombin kosovar” dhe për të çintegruar gjuhën e përbashkët letrare.

Duke u marrë me çështje të identitetit, atij do t’i imponohet edhe polemika e fundit me shkrimtarin tonë të njohur Ismail Kadare, i cili mori rrjedhë të padëshirueshme me intimitet të panevojshme për njerëz të pafajshëm, e cila “trazoi” edhe shumë shpirtra në radhët e inteligjencës shqiptare, midis të cilëve pati edhe vlerësime të njëanshme jo vetëm për autorin, por edhe për mendësinë e përgjithshme të kosovarëve. Por fazën e fundit të krijimtarisë së tij e karakterizojnë edhe vepra të mirëfillta letrare, siç janë drama “Kukullat”, novela satirike “I ringjalluri i penduar” dhe romani “Një dashuri dhe shtatë faje”, që paraqesin vlera të veçanta për letërsinë e sotme shqipe. Por periudha produktive e këtij krijuesi është ende e hapur, prandaj lexuesi shqiptar pret ende nga ai, duke shpresuar se prof.

Qosja do të na befasojë me krijime të reja. E falënderoj edhe një herë për punën e tij të madhe për skenën tonë, për veprat e tij imagjinative dhe përgjithësisht për kulturën tonë kombëtare, duke i uruar shëndet të mirë dhe punë të mbarë në të mirën tonë të përgjithshme.

Prof.dr.SADRI FETIU
 Institutit Albanologjik të Prishtinës


 
 
 
 
 

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)