Shkruan: Elife Luzha
|
Edhe sot u zgjova në orën e zakontë të mëngjesit sadoqë natën e kalova pothuaj pa vërë gjumë në sy. Në pasqyrë vërejta fytyrën e zbehur dhe sytë të ënjtur. Kurse në kokë ende më buçisnin fjalët e zëdhënësit të shkollës: “"Elife Luzha, përjashtohet nga shkolla, dhe humb cilësinë e nxënësit”.
Pa
pyetur për hekurat e qelive dhe zinxhirët e burgut, mëngjesi qe me
diell të çiltër, natyrë e bukur pranvere. Cicërimat e zogjve në kopshtin
e shtëpisë nuk më bënë përshtypje si ditëve të tjera. Bota e tyre e
çiltër prej zogu po më dukej si e larguar. Nëna po merrej me punët e
shtëpisë. Vëllezërit kishin vajtur nëpër punët e tyre. Kurse unë po
përgatitesha për në shkollë. Askujt nuk i tregova për vendimin e
Pleqësisë së shkollës të publikuar dje. Unë dhe vëllai, Kadriu ishim në
listën e të përjashtuarve nga shkolla, për veprimtari armiqësore,
siç thuhej në atë vendim. Vëllai ishte në përfundim të vitit të fundit
të gjimnazit, kurse unë sa po përfundoja vitin e parë.
Mbrëmë
nuk kisha mundur të hapë gojën me askënd. Nuk dija si t’i tregoja nënës
se jam e përjashtuar nga shkolla kur ajo po bënte gjithë ato mundime
për shkollimin tonë. Si t’i them për vëllain, kur i dija ëndrrat e saj
prej nëne të vuajtur Kosove për një të ardhme tonë të lumtur? Kadriu me
një karakter tepër të veçantë qysh herët ishte dalluar me horizont të
gjerë dijeje prej eruditi. Ishte
nxënës i shkëlqyer i gjimnazit Matematikor të Prishtinës. Por kushtet e
vështira në familje nuk i mundësuan që të vazhdonte mësimet atje, andaj
dhe ishte regjistruar në Komunën e Kaçanikut, për shkak të udhëtimit më
të afërt nga shtëpia, dhe uljes së shpenzimeve familjare. Me sjelljen
dhe zgjuarsinë e tij, krijonte nderim të veçantë kudo që shkonte. Përshtypje
të mirë kishte krijuar sidomos në mesin e profesorëve të tij. Sa here
që më thoshin se si motër e Kadriut do të duhej t’i kem ngjarë atij,
lumturohesha, nga ana tjetër, në mua shtresohej një detyrim se me të
vërtetë duhet t’i ngjaja! Aq shumë doja t’i ngjaja sa nuk linja vend pa e përgjuar, për të mësuar të veçantat e tij. E veçanta ishte, leximi i librave dhe loja me futboll.
Oborri i shkollës së mesme në Kaçanik - prej ku filloi demonstrata e 5 majit 1981.
U
përshëndeta me nënën dhe u nisa për te shoqja e lagjes Mërgimja, me të
cilën udhëtoja për në shkollë. Ajo e dinte se isha e përjashtuar nga
shkolla, por e kisha lutur të mos i tregonte askujt. Në shenjë proteste
për përjashtimin e numrit të madh të nxënësve nga shkolla, për shkak të
pjesëmarrjes në demonstratat e 05. 05. '81 në Kaçanik, bashkë me disa
shoqe dhe shokë organizuam bojkotimin e mësimit. Në mesin tonë ishte
edhe Mërgimja, por ajo disi më dukej si shumë e luhatur dhe nuk ja kisha
fort besimin. Kjo dhe u vërtetua. Posa u grumbulluam në oborrin e
shkollës që të manifestojmë bojkotimin ashtu siç kishim vendosur, ajo u
largua..
Paraqitja
ime në oborrin e shkollës, edhe pasi më ishte ndaluar, nuk u pa me sy
të mirë nga udhëheqja e shkollës dhe disa bashkëpunëtorë të tyre. Erdhi
një nga ata dhe më tha të largohesha, ose do të ftonin policinë. Unë
prita derisa sa u grumbulluam të gjithë dhe pak para se të fillonte
hyrja e nxënëseve brenda në klasa u larguam. Po ecnim nëpër rrugët e
Kaçanikut me parullën:
“Ktheni shokët tanë”,
“Republikë kushtetutë ja me hatër ja me luftë”,
si dhe këngë patriotike siç ishte:
“Kaçanik o shkëmb e gurë, vritesh, pritesh për flamur...”
|
Por
tani po ndiqeshim nga policia. Filluam të shpërndahemi. Unë me një grup
shokësh ikëm luadheve për t’u fshehur nëpër male. Kisha vrapuar shpesh,
dhe isha pjesëmarrëse e garave atletike për komunën. Isha e bindur se
nuk do më zinin policët pasi më dukej vetja si vajzë se isha bijë e
erës. Vrapoja me tërë fuqinë duke e lënë pas grupin. Por e humba betejën
prej rinie. Nga bari i gjatë i luadheve të pa kositura të majit, m’u
pështjellën këmbët dhe u rrëzova. Një polic me zuri për krahu. Kur më
panë shokët dhe shoqet u ndalën. Donin të më shpëtonin nga duart e tij,
duke bërtitur - lëshojeni, si t’i bërtisnin një zagari që kish zënë një
thëllëzë të re! Unë u fola shokëve të ikin që të mos vëreheshin se kush
qenë. Polici shqiptar po më luste që t’i ndalja shokët vetëm sa për të
biseduar dhe do na lironte! Nuk ju binda urdhrit të tij. Ai filloi të
bërtiste për të më bindur, se do të më lëshonte nëse ata do të
ndaleshin. Dhe ashtu u bë. Polici nuk më lëshoi nga krahu deri sa e mori
fjalën nga ne se nuk do të dukeshim më në shkollë e as rrugëve të
Kaçanikut. Pasi na lëshuan, vendosëm të shpërndahemi, për të vazhduar
ditëve tjera më mirë të organizuar.
E
vetme, u nisa për në shtëpi. Në kokë më silleshin lloj-lloj mendimesh
dhe gati nuk vëreja asgjë rreth vetes. Vendosa që posa të mbërrija në
shtëpi t’i tregoja nënës së dashur për përjashtimin tim nga shkolla. Pa
pritur para meje u ndal një makinë policie dhe më futën fluturimthi në
makinën e tyre. Po më dërgonin në stacion të policisë. Na tradhtuan -
thash me vete. U tmerrova kur mendova se do të jenë kapur edhe shokët e
tjerë. Tërë ditën më morën në pyetje, herë njëri e herë tjetri. Asnjërit
nuk ja dija emrin. Kërkonin të tregoja emrat e atyre me të cilët isha
bashkë. Nuk thash asnjë. Përgjigjesha shkurt: - Jam nga fshati. Nuk e
njoh askënd. - E ndjeja veten në një kopësht zoologjik me të gjitha
llojet e bishave në uniformë xhandari.
Nuk
e dija saktë nëse i kishin kapur edhe të tjerët. Ankthi më shtrëngonte
në grykë. Në orët e vona të mbrëmjes më dërguan në gjykatore te
bashkëfshatari im gjykatës, Muj Luzha. Pas “përshëndetjes” me fyerjet më
të rënda që kisha dëgjuar ndonjëherë e sorollatjeve me kërcënime, ma
shqyrtoi dënimin me 15 ditë burg. Në ora 11 të mbrëmjes me makinën e
policisë më nisën për ta vuajtur dënimin në burgun e Mitrovicës. Rrugës
po mendoja për nënën e dhëmshur, për pikëllimin e saj me vajzën në
hekura qelie! Çfarë do t’i bënin vëllait të dashur, edhe ai i
përjashtuar? Po shokët, kush nga ata do të jetë kapur, çfarë dënimi do
të kenë marrë? Ishte pranverë, e rinisë së Kosovës rrezet e diellit do
binin mbi zinxhirët në duar.
Tërë ditën nuk kisha ngrënë e as nuk kisha pirë. Ndjehesha e tejlodhur gjer në kufirin e vdekjes. Por nuk kishim për të vdekur.
Pas
mesnate mbërritëm në burgun e Mitrovicës. Më vonë mësova se vetëm unë
isha e burgosur atë ditë. Ishte një ndër lajmet më të mira që dëgjova
pas daljes sime nga burgu. Ndjeva se shokët i paskisha dashur jo më pak
se veten. Përkundër të gjitha vuajtjeve dhe torturave asnjëherë nuk më
shkoi mendja t’ju besoj atyre që më quanin armike. Isha shumë e bindur
se po bënim një vepër të mirë për Kosovën, e që Kosova e robëruar e
priste nga ne. Isha shumë e bindur se nuk duhej ndalur e as frikësuar
nga kërcënimet e askujt. Isha shumë e bindur për fitoren tonë. Kjo
bindje qe mesazh i jetës që i përballonte mundimet.
* ) Autorja është e diplomuar në KU''VICTORY''Prishtinë,Fakulteti i Politikës Ndërkombëtare dhe Diplomacisë.