2011/11/21

PASQYRAT PA GOJË

Vullnet Mato
 
PASQYRAT PA GOJË
 
Nevoja e reflektimit
me anë të pasqyrës,
u ndie qëkur pellgu i ujit
i tregoi njeriut të lashtë,
se në diensionin e trupit
dhe në formën e fytyrës,
kishte ndryshime,
nga të egrit përqark.
 
Indigjenët e Guinesë
dhe indianët e Amerikës,
zbuti pasqyra europiane,
ku së pari fytyrën panë,
dhe qeshën me veten,
pa njohur dhimbjet e frikës
që sillte pushka me barut
e njeriut të bardhë.
 
Më vonë Pitagora i Samosit
me pasqyra konkave,
bëri diellin gjigand
të mblidhet sa një grusht,
drejtoi rrezet përvëluese
me fuqi të madhe
dhe shkrumboi anijet
më gjithë ushtarët pushtus.
 
Pasqyrat me refleksin
e amalgamit në çdo format,
më pas u bënë sendi vetjak
më i domosdoshëm,  
për të mbajtur nën kontroll
çrregullimet në shtat,
dhe paraqitjen e fytyrës
tek çdo sy i zakonshëm.
 
Para pasqyrave dalin
të makiazhojnë dukjen,
vajzat që përgatiten
të joshin djemtë e dashur,
nuset që gjatë natës
çngjyrosen nga puthjet,   
plakat që luftojnë zhubrat
e moshës së zbardhur.
 
Çiftet lakuriq që presin
nga pasqyra eksitimin,
duke parë veten lakuriq
në kafshërinë e shtratit.
Kriminelët që rreken
të fshehin gjurmët e krimit,
duke kërkuar pika gjaku
në çdo pore të surratit.
 
Pasqyrat tregojnë
krejt bukuritë e njerëzimit
dhe gjithë shëmtirat
që krijon natyra në nxitime.
Por sikur të kishin gojë,
para monstrave të krimit,
s’do kish mbetur pasqyrë
pa u bërë copë e thërrime...

No comments:

Post a Comment

Qytetërimi i lashtë grek dhe arritjet e tij kishin një origjinë "shqiptare".

Shkruan :  Flori Bruqi,PHD  Studimet gjenetike te shqiptarët  përfshijnë studimet gjenetike që janë bërë mbi popullsinë aktuale shqiptare, d...