Rreth 30 vjet më parë, në të njëjtin qytet, nga forcat serbe ishte djegur libri “Katërmbëdhjetë autorë”, pas lufte u dogj një libër i Rrahim Sadikut, ndërsa në fund të dhjetorit të 2011-s në Ferizaj është djegur libri i Blendi Fevziut.
Pasi kishin bërë homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve në Ferizaj, me rastin e përvjetorit të rënies së dëshmorit, Nazmi Uksmajli, OVL e UÇK-së ka djegur librin e Surroit, që është bërë me pretekstin që autori i libri mohon luftën çlirimtare të UÇK-së, fyen dhe përgojon pjesëmarrësit e kësaj lufte.
”Është për t’u habitur se në këtë roman për autorin e librit, të mirë janë vetëm ata që u vranë në këtë luftë, ndërsa përdor fjalët më absurde për ata që mbetën gjallë.
Sipas këtij autori, në Kosovë nuk pati gjenocid, dhunime, pastrime etnike e shumë gjëra të tjera”, citohet të ketë thënë Nazmi Krasniqi, kryetari i OVL të UÇK-së për Ferizaj, derisa ka shtuar se kjo djegie e librit është simbolike por OVL-ja nuk do të ndalet dhe do t’i mbrojë vlerat e kësaj lufte të pastër që bëri UÇK-ja.
Veton Surroi, autori i librit “Këmbët e gjarprit”, ka reaguar përmes rrjeti social “Facebook”.
“...një herë i djegin librat, pastaj i veshin këmishët e zeza…”, ka shkruar Surroi në profilin tij në “Facebook”.
Bardh Frangu, shkrimtar, ka thënë se logjika e djegies së librit u instalua në vitin 1986, kur me një vendim gjyqi u dënua antologjia poetike e krijuesve të rinj ferizajas, pastaj u dogj një libër i Rrahim Sadikut, u dogj libri i Blendi Fevziut dhe tani ai i Veton Surroit.
“Fenomenin e djegies së librit e nisen titistët, e vazhduan enveristët dhe kjo stafetë e kobshme dhe barbare tani është në duart e thaçistëve. Kjo për faktin se u dogj në hapësirat e Varrezave të Dëshmorëve dhe nga pjesëtarët e OVL të UÇK-së, të cilët në këtë mënyrë shprehën zemërimin e papërmbajtur ndaj librit të Veton Surroit "Këmbët e gjarprit", që për personazh ka liderin e tyre Thaçi”, ka thënë Frangu, për “Zërin”.
Ai ka shtuar se është keq që ky akt barbar ka ndodhur në hapësirat e Varrezave të Dëshmorëve, sepse aty pushojnë eshtrat e Gursel Sylejmanit, Enver Topallit, Astrit Bytyçit.
KMDLNJ-ja ka reaguar ndaj djegies së librit të Veton Surroit. Në reagimin KMDLNJ-së thuhet se e drejta e fjalës së lirë dhe shprehjes, është njëra ndër të drejtat elementare të njeriut e garantuar me Kushtetutën e Kosovës, si dhe me të gjitha dokumentet relevante ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
“Pavarësisht përmbajtjes së librit të Veton Surroit që dikujt mund të mos i pëlqejë, djegia e librit nuk arsyetohet me asgjë aq më parë që ka rrugë ligjore për kontestimin e përmbajtjes së këtij libri apo ndonjë publikimi në rast se vlerësohet se përmbajtja është e pavërtetë, fyese, përjashtuese apo nxit urrejtje racore, fetare etj.”, thuhet në reagimin KMDLNJ-së.
Përmes “Facebook”-ut ka reaguar edhe Adriatik Kelmendi, i cili ka thënë se lufta jonë ndodhi për shkak se regjimit serb i pengonte liria jonë, ajo që thuhej në librat tanë - ata na i kallnin librat, na i mbyllnin shkollat, na vandalizonin bibliotekat.
“Që vjen koha që ne që e bëmë luftën për liri t’i kallim vetë librat tanë vetëm se në to dikush prej nesh ka marrë lirinë të shkruaj diçka që s’i pëlqen dikujt prej nesh”, ka thënë Kelmendi, për të shtuar se nuk guxon as ta mendojë se ku mund të na çojë kjo rrugë.
Libri “Enver Hoxha” i Blendi Fevziut, përveç se në Ferizaj, është djegur edhe në qytetet e Shqipërisë, si në Berat, Elbasan e Gjirokastër. Ndërsa 1986, kur ishte nën regjimin e Milloshoviqit, po në qytetin e Ferizajt është djegur libri “Katërmbëdhjetë autorë” i katërmbëdhjetë poetëve të rinj ferizajas.