Libri qëmoti ka fituar shenjtërinë. Në këtë kuptim Borges ka të drejtë kur thotë se cilido libër për ne është i shenjtë. Nëse Malarme vlerëson se bota ekziston shkaku i një libri, fletë të tij janë edhe dy librat e djegur që trajton ky shkrim. Historia dëshmon se shpata dhe pena diktuan fatin tonë. Aleksandri i Madh çdo natë nën jastëk ka vënë shpatën dhe librin “Iliada” të Homerit. Megjithatë metaforën më të mirë të librit e bën objekti monumental në planetin tonë, Muri Kinez, i cili thuhet të jetë i vetmi objekt që shihet edhe nga një planet tjetër, përkatësisht nga Hëna. Muri Kinez u ngrit nga ndëshkimi që iu bë atyre të cilëve ishin të pasionuar në librin dhe nuk kishin përfillur urdhrin e perandorit Shi Huang Ti që t’i digjnin ato për ta shlyer kujtesën dhe për të filluar çdo gjë nga koha e tij. Giles thotë se ata që kanë fshehur librat janë dënuar duke u shënuar me një dangë të zjarrtë dhe me punë të dhunshme përjetësisht. Kështu ky objekt monumental del të jetë prodhim i librave, mallkimi i tyre vetë. Udha e historisë së librit është tepër rrënqethëse. Këtë na e dëshmon edhe ilirologu Aleksandër Stipçeviq në librin e tij “Historia e librit”.
Djegia e librit ka përcjellë historinë e njerëzimit njësoj si flakët e luftërave. Mbase nuk është thënë kot se aty ku është djegur libri, aty i ka ardhur era mishit të njeriut. Nëse thuhet se para çdo lufte vritet e vërteta, kjo vetvetiu kupton se libri është viktima e parë. Megjithatë këtu fjala është për historinë e librit shqip, e cila ka një moshe fare të re krahasuar me letërsitë e vjetra. Pra fjala është për dënimin dhe shkrumbin e librit tek ne, si një histori tepër e veçantë për kulturën tonë, e cila ka mbijetuar nëpër shekuj duke përballuar prerje tepër të vrazhdë. E kam thënë dhe herëve tjera publikisht se rasti i djegies së librit me poezi “Katërmbëdhjetë autorët”, i botuar më 1986 në kuadër të klubit letrar “De Rada”, në Ferizaj, bën shembullin më të veçantë të djegies së librit në Evropën e shekullit të njëzet. Ky libër bën një rast emblematik siç bën dhe bifurkacioni si fenomen natyror në qytetin e Ferizajt. Megjithatë që të dyja këto fenomene kanë mbetur jashtë interesimeve tona, përkatësisht jashtë shfrytëzimit si fakt dhe si vlerë.
Libri me poezi “Katërmbëdhjetë autorët”është i vetmi libër i cili me një vendim gjykate dënohet me zhdukje, përkatësisht me ekzekutim. Ç’është e vërteta shekulli njëzet është karakterizuar me flakë të mëdha librash, siç ishte rasti në Gjermaninë naziste, por nuk kishte një vendim gjyqi për këtë. Nuk ishte lehtë të dënohej një vepër arti, kaq vite pas kohës së njohur të Inkuizicionit. Pra nuk ka një rast tjetër që libri të digjet me një vendim gjyqësor, mbase ky vendim i ndikuar nga katërmbëdhjetë mbledhje të Komitetit Komunal të Ferizajt, të mbajtura vetëm për këtë libër, ku kishin marrë pjesë edhe anëtarë të kryesisë së Komitetit Krahinor. Librat digjeshin dhe zhbëheshin me urdhra ideologjik, por jo edhe me vendime gjyqësore. Historia e këtij libri kishte arritur deri edhe në Beograd. Gazeta “Borba”, organi më i lartë i partisë komuniste të Jugosllavisë, për ta ruajtur prestigjin e shtetit më liberal komunist në botë, ishte vënë në mbrojtje të këtij libri. Ky libër kishte ndikuar në hapësirat jashtë Kosovës për ta akuzuar partinë në pushtet dhe për të krijuar hapësira për pluralizëm, gjë e cila do të ndodhë vetëm pak kohë më vonë.
Flaka e librit “Katërmbëdhjetë autorët” u bë parashenjë e asaj që ndodhi pastaj në Kosovë, kur edhe libri e pësoi bashkë me njerëzit. Autorët e saj, poetët e rinj ferizajas u diferencuan, u ndoqën dhe u burgosën. Populli shqiptar i Kosovës u dënua me ligj, përkatësisht me suprimimin e autonomisë. Të hënën e këtij dhjetori, kur shihja flakët e librit në sheshin e qytetit, nuk kisha si të mos sillja në mendje zyrtarin e Gjykatës Komunale, babanë e ansamblit “Kastriotët”, tanimë të ndjerin Hivzi Gungën. Sa herë rrëfente për librin e djegur në oborrin e Gjykatës Komunale, krijoja bindjen se ai ende në mushkëri ruante tymin e saj, ndërsa në sy flakën që ishte ngjitur frikshëm drejt qiellit. Hivziu kishte reaguar, por nuk kishte pasur forcë ta ndalonte djegien e tij. Si njeri i artit që ishte, kishte përjetuar një djegie që përjetë i kishte lënë vragë në zemër. Vetëm tash kur më duhet t’i referohem, kujtohem se ai kishte një mbiemër tjetër që kurrë nuk ia mësova. E quanim kështu, sepse kishte një gungë natyrale në kokë. Rrumbullak pas 22 vitesh sërish digjet publikisht një libër në Ferizaj.
Digjet libri pamflet “Një pamje tjetër”, i gazetarit dhe shkrimtarit Rrahim Sadikut, nga Ferizaj. Edhe ky rast është shumë i veçantë, së paku për rrethanat kosovare. Është një ndjenjë e veçantë të shohësh personazhin e librit si ndjekë autorin dhe si djegë veten, si provon ta bëjë shkrumb kujtesën e rrejshme që mund ta ruaj libri për të. Pasi kujton thënien e Kishit se shkrimtarët nuk janë ndërgjegjja e kombit, sepse në mesin e tyre ka shumë qelbanikë, në çast të dalin përpara personazhet e Fatmir Gjatës nga romani “Këneta”. Në këtë rast nuk ke si të mos shtrosh dilemën se po të ishin gjallë ata si do të silleshin me autorin e tyre. Çfarë do të bënin gjithë ata inxhinierë shqiptarë që autori i librit i shpalli sabotatorë, dezertorë dhe armiq të atdheut!? A do ta digjnin romanin “Këneta”, të cilin si fëmijë e kisha lexuar me pasion? Këtë libër edhe sot e lexojnë njerëzit dhe vazhdojnë ta besojnë të vërtetën në të, që koha tashmë e ka demantuar katërçipërisht. Interesant është bota e librave mbushur me të vërteta dhe gënjeshtra njëkohësisht. Njësoj është interesant të shohësh sesi autori i librit, nëpërmjet një marrëveshjeje gjyqësore, heq dorë nga autorësia dhe pranon të kërkoj falje publike për gënjeshtrat me të cilat ka veshur personazhin e tij kryesor, i cili edhe e ka dërguar në bankë të zezë. Kjo në një formë të kujton kohën e autokritikës, kur një gjë të tillë, në shenjë pendimi, për t’i ikur ndëshkimit, janë detyruar ta bëjnë krijues të ndryshëm. Këto dy libra kanë të përbashkët sallë aktin e fundit të tyre: kanë shkrumbin. Unë dëshmitari dhe personazhi i tyre ndjehesha si ata burrat nga Këneta e Maliqit. Në fakt tymi i këtij libri të fundit dilte nga një moçal tipik, kundërmimi i të cilit ka kohë që na e zë frymën. Sikur është e shkruar që nëpër moçale të bëhen libra të tillë! Edhe përvoja e njerëzimit dëshmon se nuk është e thënë që librat të përmbajnë sall të vërtetat, ato mund të jenë edhe arka gënjeshtrash. Megjithatë, në këso rastesh, mendja nuk ka si të të mos kthejë sërish tek Muri Kinez, kjo vepër monumentale e njerëzimit, dhe të besosh se ka të tillë që këtë libër pamflet ta kenë ruajtur dhe të mos e kenë përfillur vendimin e gjykatës që ai të tërhiqet nga bibliotekat dhe lexuesit. Kjo është në natyrën e librit. Ky është fati i librit. E fati i librave është si fati i njerëzve.