2014-08-17

Nëna e katër jetimëve të mitur: “Askush s’po më ndihmon”

Nëna e katër jetimëve të mitur: “Askush s’po më ndihmon”
Institucionet e kujdesit social kanë lënë në mëshirë të fatit Elvira Ggën dhe katër fëmijët e saj të mitur, të cilët duhet të rriten pa babanë dhe pa ndihmën e Shërbimit Social Shtetëror. Historia e dhimbshme e familjes Gega në Sarandë pas humbjes së kryefamiljarit nga një aksident në punë dhe kalvari i vuajtjeve në dyertë e institucioneve për të përfituar ndihëm ekonomike që i takon.  
Nga Telnis Skuqi
Sarandë – Elvira Gega, nëna e katër fëmijëve të mitur, përkatësisht 6, 8, 10 e 16 vjeç, nuk e kishte menduar kurrë që prej disa vitesh do të përjetonte dopjo tragjedi familjare. Drama e parë u shfaq pesë vite më të shkuara, kur ajo humbi bashkëshortin në mënyrë tragjike. “Im shoq u aksidentua në punë teksa punonte si muratorë. Ai përfundoj i vdekur në trotuar nga skela e objektit në ndërtim”, tregon Elvira me pak fjalë historinë.
Elvira thotë se gjendja e saj ekonomike ishte e mirë përpara se të ndodhte aksidenti tragjik, ndërsa sot me vështirë rrit dhe arsimon fëmijët e saj. “Jetoj si mos më keq dhe këtë “peshqesh” e kam nga ish punëdhënësi i bashkëshortit, i cili nuk ka derdhur asnjë qindarkë për sigurimin e jetës, pavarësisht se në librezë rezulton e kundërta”, shprehet Elvira. Sipas saj, pas aksidentit tragjik, administratori i firmës ka deklaruar në prokurori e Sarandës se babai fatkeq i katër fëmijëve ishte i siguruar.
Elvira Gega, nëna e katër femijëve të mitur
Elvira Gega, nëna e katër femijëve të mitur
“Mendova gjysma e së keqes, por ku shkova tek sigurimet për të lidhur një pension për fëmijët e mi, punonjësa më tha se kontributet e tij janë zero”, tregon Elvira. Aktualisht, Elvira i ushqen fëmijët me 8 mijë lekë që përfiton nga asistenca sociale. “Prej vitesh jam e papunë, ndërsa fëmijët jetojnë me vështirësi”, thotë Elvira, ndërsa shton se prej një viti Shërbimi Social Shtetëror i ka përplasur dy herë portën në shurrat. “Kam kërkuar ndihmën e Shërbimit Social Shtetëror, por nuk kam marrë asnjë përgjigje pozitive, vetëm premtime bosh”, thotë Elvira.
Më tej, Elvira thotë se ndihet e pafuqishme përpara dyerve të shtetit. “Jam përpjekur disa herë të kërkoj të drejtën time edhe në gjykatë, por ndihem e pafuqishme të gjej drejtësi, pasi nuk kam asnjë qindarkë për avokatët”, nënvizon Elvira. “As lekë për të hapur gjyq nuk kam”, shton ajo. Elvira i ka humbur të gjitha shpresat, si nga shteti ashtu edhe nga firma e ndërtimit. “Prej pesë vitesh jetoj e vetme me katër fëmijët e mi në një shtëpi me qira. Pavarësisht vështirësive unë kurrë nuk do t’i braktisë këta ëngjëll, pasi janë gjaku im”, përfundon rrëfimin e saj, Elvira Gega.
Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social në Vlorë, e vlerëson shqetësuese problemin e familjes Gega nga Saranda, ndërsa thotë se në Shqipëri mungon një ligj i veçantë për të trajtuar këtë kategori në nevojë. “Në qarkun e Vlorës ekzistojnë shumë fëmijë me një prindër, por rasti i Elvirës është shumë specifike, pasi kemi të bëjmë me një nënë të re që jeton me katër fëmijë të mitur”, shprehet burime zyrtare nga Drejtoria Rajonale e Shërbimit Sociale në Vlorë (DRSHS).
Për të përfituar ndihmë ekonomike sipas ligjit nr. 9355, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, vijon komunikata e DRSHS, duhet të plotësohet disa kritere. “Kryetaria e familjes që kërkon ndihmë eknomike, duhet të paraqes pranë administratorit ku ka vendbanimin nga data 1-15 të çdo muaji, deklaratën për gjendjen social-ekonomike të familjes, çertifikatën e gjendjes familjare, çertifikatën e pronësisë, si dhe vërtetimin si punëkërkuese e papunë”, shpjegon DRSHS në Vlorë.
DRSHS-ja thekson se për familjen Gega i është ofruar si emergjencë ndihma ekonomike, por institucionet shtetërore funksion me letra. Lidhur me mosmarrjen e sigurimit të jetës nga kompanitë e sigurimit të bashkëshortit të ndjerë, DRSHS-ja thotë se kjo nuk është një çështje që i takon kësaj drejtorie, por një problem ligjor. “Elvira është e lirë t’i drejtohet gjykatës dhe të kërkoj dëmshpërblim ekonomik nga firma e ndërtimit që i shkaktoj vdekjen bashkëshortit të saj, pavarësisht se i ndjeri është i siguruar apo jo”, përfundon komunikata e DRSHS-ës.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...