Të gjithë njerëzit, nëpër udhët e jetës së tyre, ëndërrojnë dhe shpresojnë për një jetë më të mirë. Këto udhëtime mund të jenë të zakonshme, pra të natyrshme, por edhe të ndryshme, pra që diku ëndrra “thyhet” e, ndoshta, bëhet copë e thërime!… Kur po shkoja në përurimin e librit të bashkëkrahinasit nga Malësia e Gjakovës (Tropojë), Halit Nezaj po arsyetoja me vete, se titulli i tij kishte ngjashmëri me atë të librit tim jetëshkrimor, “Ëndrrat ‘e grisura’ të jetës sime”(Tiranë, 2010). Në fakt, ne nuk njiheshim më parë dhe as ia kisha dhënë atij librin tim. Por ja, që ndodhin afërsitë e mendimeve, të jetës së njerëzve dhe të shkrimeve rreth tyre.
1.
Në një sallë të Muzeut Historik Kombëtar të kryeqytetit, sot erdhën shumë lexues të intersuar, bashkëkrahinas, miq e dashamirë të autorit, nga media e shkruar dhe ajo elektronike, për të përuruar librin e ri, “Udha e ëndrrës së thyer”, me autor Halit Ismail Nezajn, tani me banim në Nju Jork të SHBA-ve. Një ditë më parë, ai kishte përjetuar kënaqësinë e përurimit të këtij libri në qytetin e Gjakovës, jo shumë larg vendlindjes së tij, Shipshan. Këtu ai e kishte kaluar fëmijërinë dhe, në vitin 1948, e kapërceu kufirin shtetëror e hyri në Kosovë. Donte të shpëtonte nga një regjim diktatorial dhe ra në një tjetër ende më të ashpër ose, siç thotë shprehja popullore, “nga shiu, ra në breshër”. Prandaj nuk qëndroi më tej atje dhe, në vitin 1969, emigroi në Nju Jork, sigurisht për një jetesë më të mirë.
Sa bukur, kur përurimi i librit jetëshkrimor shoqërohet me këngë popullore të krahinës!
Nuk e kishte menduar ndonjëherë Haliti, se një ditë do të ulej dhe të shkruante një libër, pasi edhe nuk kishte studiuar për gjuhë e letërsi. Por ja, që jeta shumëvjeçare larg Atdheut e mosha e thyer (lindur më 12 qershor 1933), sikur ia “diktuan” nevojën që të ulej e t’i shkruante kujtimet e jetës së tij, duke u nisur që nga traditat atdhetare të paraardhësve të tij.
2.
Me këtë libër në dorë, dhuratë për pjesëmarrësit, na priti sot autori Halit Nezaj. Takimin përurues e hapi redaktori dhe autori i parathënies së tij, Hamit Aliaj. Pastaj publicisti e shkrimtari Mujë Buçpapaj shpalosi para dëgjuesve vlerat kryesore të këtij botimi. Ai nënvizoi se vërtet libri është jetëshkrimor, por në vetëvete ngërthen vlera dhe mesazhe përgjithësuese. Një nga ato, është edhe malli e dashuria për vendlindjen, për truallin e të parëve. Nëpër faqet e librit, ai shprehet plot dhimbje: “Lamtumirë ti, moj kullë, a thua bashkë shihemi kurrë?”, “E lëshuam tokën, për të shpëtuar kokën!”, “Udha e emigrimnit, me kryet e kthyem mbrapa” etj. Në periudhën e qendrimit në Kosovë, ai u njoh e pati lidhje me disa persona, të cilët i mbetën në kujtesë, si: Fadil Hoxha, Zekerija Rexha, Gjon Lekë Buçaj, Zef Përndocaj e tjerë.
Gjatë veprimtarisë…
Rreth këtij libri diskutaun e folën disa veta, me radhë: juristi e publicisti Agron Gjedia, i cili e quajti këtë libër përmbledhje e kompozim vlerash, jo vetëm familjare, por edhe krahinore e më gjerë. Gjithashtu, fjalë vlerësuese thane: poeti Bajazit Cahani, Bahri Myftari, Vasil Bozo e Murat Gecaj. Secili në mënyrën e vet, e përgëzoi autorin për pasurinë dhe larshmërinë e fakteve dhe dëshmive të paraqitura, thjeshtësinë e rrëfimit, fotrografitë shprehëse që janë publikuar e tjerë. Ndërsa studiuesi Nuredin Lushaj recitoi një vjershë për traditat atdhetare e liridashëse të krahinës së Bytyçit, me të cilën autori i librit është i lidhur ngusht. Me mjaft interes u ndoqën edhe këngët e interpretuara nga Gjin Pepkolaj, me djalin Dardan, tematika e të cilave ishte ajo atdhetare, por dhe lirike.
3.
Duke kaluar nga një faqe në tjetrën, në mbi 500 që ka gjithësej ky libër, sigurisht lexuesit i tërheqin vëmendjen edhe fjalët përmbyllëse të tij. Ndër të tjera, aty shprehet se “nxitës” për t’i shkruar kujtimet e jetës së tij u bënë: djali i dytë, Afrimi dhe nipi 9-vjeçar. Për këtë të fundit, jep bisedën e mëposhtme:
“Kur Dilleni po kthehej nga një ceremonial përkujtimi për të rënët në luftë, nga Kombi Amnerikan, më pyeti:
-Gjysh, më ke thënë se edhe axha yt ka rënë në një luftë. A je krenar për të dhe kur do të më tregosh detaje për jetën e tij?
-Po, jam krenar,-iu përgjigja.-Një ditë do ta mësosh realitetin e do të ndjehesh edhe ti krenar!”
Në mbyllje të përurimit, autori i këtij libri i falënderoi nga zemra, si “nxitësit” për ta shkruar këtë libër dhe ata që e ndihmuan për ta botuar atë, si dhe folësit e vlerësuesit e tij, gjatë këtij përurimi.
Kopertinat e librit të Halit Nezajt
Ndërsa, na mbeten në mendje edhe pak radhë nga autori, në përfundimim e këtij libri: “Kombi ynë ka shumë për të thënë e për të shkruar. Mos lejoni që harresa t’i marrë me vete, të pathënat dhe të pashkruarat tona, që janë të mbushura plot drama e lavdi!”
I urojmë nga zemra transmetuesit të këtij mesazhi të bukur, Halit Nezajt: jetë sa më të gjatë, me begati, gëzime dhe lumturi familjare!