Në një bisedë për “Epokën e re” ai është shprehur i bindur në pastërtinë e luftës së UÇK-së.
Sipas tij, kjo do të vërtetohet në çdo proces sikurse është vërtetuar deri më tani.
“Kur kam qenë në krye të veteranëve të UÇK-së e kemi kundërshtuar edhe raportin e Dick Martyt, duke e vlerësuar atë si politik. Por, edhe raporti i prokurorit amerikan Williamson, i cili i ka hetuar pretendimet e Martyt, tregon se është një raport më shumë politik sesa një raport që ka të bëjë me ndonjë fakt apo argument që i vërteton ato pretendime. Pra, është një raport politik dhe njollos luftën çlirimtare të UÇK-së”, ka deklaruar Xhemajli.
Ai ka bërë me dije se ky raport ka për qëllim dëmtimin e imazhit të luftës së lavdishme të UÇK-së dhe atyre që kanë udhëhequr këtë luftë.
Sipas Xhemajlit, dyshimet se udhëheqësit e UÇK-së kanë kryer krime janë shpifje dhe trillime.
“Kjo mund të shkaktojë një dëm në aspektin ndërkombëtar dhe të bartë pasoja të disa bashkëluftëtarë tanë, të cilët do të ballafaqohen me drejtësinë. Në fund të fundit, jam shumë i bindur se e drejta prapë do të dalë në shesh dhe do të triumfojë. Pra, do të vërtetohet se këto janë shpifje dhe trillime të paargumentuara. Megjithatë, është një dëm që i bëhet luftës së UÇK-së, bartësve të kësaj lufte dhe mbarë popullit shqiptar”, ka deklaruar Xhemajli, duke shtuar se krime ndaj popullatës civile kanë kryer forcat serbe, e jo pjesëtarët e UÇK-së, të cilët ia kanë sjell lirinë këtij vendi.
“Ky është një absurditet. Jam i bindur se nuk do të ketë ballafaqime, por edhe nëse do të ketë ballafaqime të luftëtarëve të UÇK-së me drejtësinë, ushtarët do të dalin fitimtarë kushdo që të jetë pjesë e këtyre proceseve”, është shprehur Xhemajli.
Ndër të tjera, ish-kreu i veteranëve u ka bërë thirrje bashkëluftëtarëve të mos u përgjigjen ftesave të prokurorëve për këtë çështje.
“Organizata e veteranëve ka pasur dhe ka një qëndrim, në të cilin ka vlerësuar se të gjitha këto akuza ndaj UÇK-së janë procese të montuara dhe janë me motive politike. Unë qëndroj prapa vendimit të Këshillit Drejtues të OVLUÇK-së, që askush prej luftëtarëve të UÇK të mos i përgjigjet ftesës për bashkëpunim lidhur me këto akuza. Por, tekefundit, kjo është çështje individuale e secilit”, është shprehur Xhemajli.
Në këtë kontekst, Xhemajli ka shtuar se mospërgjigjja në këto ftesa e luftëtarëve nuk do të thotë se i frikësohen përballjes me drejtësinë.
“Mosparaqitjen e luftëtarëve para këtyre prokurorëve nuk e shoh se është ndonjë rrezik për prestigjin e UÇK-së, sepse konsiderojmë se është duke u bërë padrejtësi dhe luftë e dyfishtë kundër luftës së UÇK-së dhe kundër njerëzve që e kanë udhëhequr luftën çlirimtare të popullit të Kosovës. Prej pas luftës kemi pasur në Kosovë misione ndërkombëtare si UNMIK-u, i cili është marrë kryesisht me ndjekjen e luftëtarëve të UÇK-së, pastaj është marrë Tribunali i Hagës, ndërsa tash po bëhet prapë një gjykatë tjetër kundër shqiptarëve”, ka deklaruar Xhemajli, duke shtuar se e gjithë bota e di se kush ka kryer krime në ish-Jugosllavi.
“E dimë të gjithë se shteti i Serbisë nuk është dënuar. Janë marrë disa individë, por jo regjimi. Ata të cilët e kanë udhëhequr luftën kundër popujve të ish-Jugosllavisë, duke filluar nga Bosnja, Kroacia, pastaj edhe lufta që është bërë në Kosovë. Pra, nuk është dënuar regjimi serb. Për mendimin tim, kjo duhet të ndodhë, sepse të gjitha vendimet për t’i filluar luftërat janë marrë në parlamentin e Serbisë” ka thënë Xhemajli.
Ai ka vlerësuar se nuk e përkrah idenë që luftëtarët e UÇK-së të jenë të paprekshëm, por ka thënë se me ta duhet të merren gjykatat vendore.
“Nëse vërtet duhet dikush të hetohet nëse ka kryer ndonjë shkelje të rregullave të luftës, atëherë le të krijohen institucionet vendore, gjykatat vendore. Natyrisht se unë nuk jam që luftëtarët e UÇK-së të jenë të paprekshëm, por duhet të kenë fakte dhe argumente, e jo të bëhen këso spektaklesh të cilat janë duke ndodhur”, është shprehur Xhemajli.
Ai ka folur edhe për procesin e verifikimit të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së.
Sipas tij, ky proces duhet të kryhet sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë që edhe veteranët t’i gëzojnë privilegjet që u takojnë me ligj.
“Ka qenë një kërkesë e imja personale, që gjatë kohës së fushatës zgjedhore të ndërpritet procesi i verifikimit të kategorive të UÇK-së, sepse ka pasur tendenca të manipulimit. Tani është duke vazhduar verifikimi. Shpresoj shumë të përfundojë ky proces sa më shpejt që është e mundshme dhe të fillojnë t’i marrin veteranët beneficionet që i parasheh ligji, sepse një pjesë e veteranëve të UÇK-së janë në një gjendje të rëndë ekonomike”, ka vlerësuar Xhemajli.