Vëllimi poetik “Ama e dheut” del në dritë në një moment kur atdheu ynë merr një frymëmarrje tjetër.Vjen fjala e bukur poetike nga tingëllima e ofshamat e dashurisë për një jetë krejt ndryshe.Një qind vjet udhëtim, njëqind vjet lutje e këto lutje vijnë nga shpirti i femrës sonë, e cila ka gjakuar jetën dhe poezinë edhe të pa shkruar.
Poezia e përmbledhur në këtë libër bashkon; ëndrrat, dëshirat, idealet dhe bashkon moshat e këtyre poeteshave të një treve, artikulon grishjet nëpër kohë e faza të ndryshme. Vargjet shpalosin botën krejt ndryshe nga ajo që ia kanë përshkruar fatin dhe dëshirat femrës sonë, dikush tjetër, ajo vjen me një zë të qartësuar, sepse në momentet më kyçe të histo-ries, femra jonë ka ditur të ruaj siç është më së miri virtytet njerëzore të kohëve.Ajo ka mundur me sakrificën e saj pushtuesit e ndryshëm dhe me dinjitet ka sfiduar të dukshmen e të padukshmen antikohë.
Në këtë rrjedhë të proceseve shekullore, ajo ka hapëruar në të gjitha vijat e frontit bashkë me mashkullin dhe kështu ia ka dalë ,sepse ajo ka ditur të ruaj të thënën e të pa thënën fjalë.
Në këtë Njëqid Vjetor të Pavarësisë,poezia e këtij vëllimi vjen së bashku me hullinë e poeteshës së parë shqiptare në Kosovë e trevat shqiptare të ish Jugosllavisë, ajo këndoi e para me vepër poetike, ajo i dha elan e cytje penave të reja në hapësirat e këtij trolli të mrrolur. Sadete Presheva me vargun e saj ngjalli jetën dhe shpresa erdhi bashkë me vargun e saj. Ajo krijoi besimin për të, ajo ndërgjegjësoi kohën dhe theu barrierat e huaja.
Në këtë paradigmë poetike vijnë një tufë a buqetë nyjesh të ruajtura në brendinë e kozmosit njerëzor, që harmonizojnë dhe i japin kuptim e qartësi vetëfilijit të Amës së këtij dheu.
Zëri poetik ka ruajtur retrospektivën dhe perspektivës i ka dhënë përparësi gjithnjë të avansuar. Në këtë horizont vargu i tërësishëm i këtij vëllimi identifikon kodin e veçantë të ndërtimit estetik në vargje. Frymëzimet e brendshme, sa idilike, po aq edhe burimore saktësojnë ekzistencialen e imperativit konstruktiv, duke depërtuar deri në skajshmërinë e sintezës tematike dhe metaforike të ruatjes edhe të legjendave edhe të miteve sa më origjinale. Lirikat e tyre kanë dhënë rezultatet dalluese në zhvillimin e proceseve të avansuara në shoqëri, gjithnjë me tendencë të krijimit dhe ruajtjes të substancës sonë kombëtare.
Vargjet e kultivuara në këtë vëllim poetik paraqesin vokacionin e përjetimit krejt në një formë e koncepcion të mëvetësishëm, çka i jep kuptim dallues secilës krijuese. Kjo edhe e bënë më të avansuar botëkuptimin poetik dhe përvijon komplesitetin e zgjidhjes së nyjeve shpirtërore të femrës.
Përkufizimi dallues dhe afrues karakterizon botën poetike të tyre, sikur konstatimi vjen i qartësuar dhe jep identifikimin përmbajtësor në shprehjen dhe vokabularin poetik, si në qasje, poashtu edhe në parashtrim, e këto preokupime vijnë si rezultat i paradoksit të problemeve shoqërore në periudha të ndryshme kohore.
Fuqia e paqës dhe fuqia vargut vijnë si rezultat i dashurisë së amës për atdhe, e në këtë Njëqind Vjetor vijnë poetet me kristalin e vargëzuar sikur nimfat e tregimeve mitologjike. Këtë herë vargjet sikur përbirohen në gjilpërën e arnimeve të shekujve dhe përvijimet e gjilpërës koincidojnë me qëndismën e flamurit, me emrin e Marigonës.
Po, poezia e Miradie Ramiqit, Sabile Keçmezi-Bashës, Albina Idrizit, Sevdije Rexhepit, Zana Pirës, Linditë Ramushit, Hasije Selishtës........., e shumë të tjerave tejkalojnë dilemat dhe thyejnë barrierat e heshtjeve te gjata. Ato vijnë me vargjet e tyre plot energji, ato vijnë me vargjet e tyre plot mall për Amën e dheut.
Kështu, poezia arrin të pushtojë e mund dilemën, ajo tejkalon absurditetin dhe krijon bindjen se arti fuqizon e transformon shoqërinë shqiptare, e ketij Njëqind Vjetori të Pavarësisë i jep kuptimin fuqiplotë.
“Ama e dheut” shkrinë e palon kujtesën për vizionin e besës në shfaqjet e murosura të Rozafës, si dhe i jep mesazhin e qartë portertit të femrës bashkëkohore, sepse muza e saj poetike vjen si përceptim e sintezë të dhënies së idesë për të kaluarën dhe të ardhmën e amës së dheut me shkëlqimin e saj. E në këtë vëllim për herë të parë, vijnë bashkë këto vlera nga Anamorava e Kosova Lindore.
(Lexuar në përurimin e kësaj Buqeteje artistike, në Gjilan, më 27 nëntor 2012, në kuadër të edicionit të tretë "Vjeshta letrare e Gjilanit")