GEORGE IORDANOU
Rritja e së djathtës ekstreme është një realitet i përditshëm në Europën e goditur nga kufizimet ekonomike. Efektet e saj janë më të dukshme në vende si Greqia dhe Qiproja, ku impakti i krizave ka qenë edhe më i rëndi. Dje në Greqi, një anëtar i vetëshpallur i partisë të së djathtës ekstreme “Agimi i Artë”, dyshohet se vrau aktivistin e majtë dhe këngëtarin Pavlos Fyssas. Kjo nuk është hera e parë që anëtarët e “Agimit të Artë” kanë kapur lajmet për dhunë-ata rëndom sulmojnë emigrantët, anarkistët dhe komunistët por rrallë ndiqen penalisht. Ngjitja e tyre ka qenë spektakolare. Ndryshe nga sa mendohet, “Agimi i Artë” ka qenë në qarkullim prej shumë kohësh. U krijua në vitet ’80, u regjistrua si parti politike në vitin 1993 dhe fitoi 18 vende në parlament me 6.9 për qind të votave në vitin 2012.
Shqetësueshëm, establishmenti politik në Greqi duket i gatshëm për të toleruar “Agimin e Artë”. Kandidati veteran i Demokracisë se Re, Vyronas Polydoras, ka thënë se trojka përbën një kërcënim më të madh për Greqinë sesa “Agimi i Artë”. Tani që anëtarët kryesorë të “Agimit të Artë” janë zgjedhur si deputetë, ata mbrohen nga imunitete parlamentare, të cilat, kolegët e tyre, si ata të Partisë qeverisëse Demokracia e Re apo dhe PASOK duken ngurrues për t’i hequr. Ky hezitim ka sjellë që udhëheqësit e “Agimit të Artë”, lirisht, të rrahin me shuplaka deputete femra në televizion pa u përballur me ndonjë pasojë për veprimet e tyre.
Çfarë e shpjegon rritjen e “Agimit të Artë”? Përgjigjja e shkurtër është: korrupsioni kronik, ekonomia me kursime dhe penetrimi i gënjeshtrave populiste rreth emigracionit. Agimi i Artë ka arritur të kanalizojë zemërimin e publikut në favor të vet. Duke kapitalizuar nga fakti se anëtarët e saj nuk kanë qenë më parë në qeverisjet që kontribuuan në konsiderimin e Greqisë si një nga vendet më të korruptuara në BE.
Klientelizmi që sundon sjelljen politike në Greqi, në masë të madhe ka qenë një prej arsyeve pas pakënaqësisë së votuesve grekë-ishte mirë ndërkohë që klasa e mesme qytetare mund të merrte ndonjë copë nga torta, por kur torta u bë më e vogël në epokën e shtrëngimeve, ata që mbetën pa gjë, pashmangshëm reaguan.
Në të njëjtën kohë “Agimi i Artë” shfrytëzoi frikën nga emigrantët, që është ndërtuar me mjeshtëri në shoqërinë greke. Liderët e partisë e kanë shfaqur veten si problemzgjidhës: njerëz të ndershëm që kurrë nuk kanë marrë një ryshfet, interesi kryesor i të cilëve është mirëqenia e popullit grek. Ata e portretizojnë veten si ‘njerëz të veprimit’, që nuk bëjnë premtime që nuk mund t’i mbajnë. Këto veprime janë sulme mbi emigrantët, anarkistët dhe komunistët, gjithçka për të ndihmuar grekët, disa prej të cilëve, për turpin e tyre, u kërkojnë ndihmë ‘për të spastruar zonën”. Një eufemizëm i tmerrshëm për “të lutem eja këtu, rrihni emigrantët dhe bëjini të ikin nga lagjia jonë”.
Ku do të çojë kjo? Sa larg mund të shkojë një “Agim i Artë” me lidhje me policinë dhe ushtrinë para se Greqia të bëhet një shtet ushtarak totalitar? Nuk ka një përgjigje të lehtë për këtë-unë nuk mendoj se kjo spirale për teposhtë mund të ndalet pa një ndërhyrje të jashtme. Gjendja aktuale e skenës politike greke është e tillë që kërkon koalicione. Përderisa e majta Siriza dhe Partia Komuniste refuzojnë të formojnë një qeveri me njërën prej dy partive kryesore, fuqia e të cilave është ulur ndjeshëm, e vetmja zgjidhje për dy partitë e mëdha është të shikojë për aleanca me parti të së djathtës ekstreme.
Ndërsa dy partitë qeverisëse vazhdojnë zbatimin e politikave kursimtare të përshkruara nga trojka, ata vazhdojnë të bëhen gjithnjë e më jopopullorë. Eventualisht, nuk do të ketë asnjë opsion përveç formimit të një koalicioni që përfshin “Agimin e Artë”, i cili ka shënuar rritje në anketimet e publikut duke shkuar nga 6.9 për qind në 11.5 për qind pasi hyri në parlament.
Këtu mund të faktorizohen faktorët e jashtëm. Partnerët europianë nuk do të jenë në gjendje për të shpërfillur ndikimin social të politikave të tyre ekonomike pafund. Këta fashistë po fitojnë vende në parlament, ose po e maskojnë ekstremizmin e tyre dhe po bëhen pjesë e partive kryesore, ku mund të kenë platforma edhe më të mëdha për të shpërhapur pikëpamjet e tyre raciste. Hapi tjetër është zgjerimi i “Agimit të Artë” përtej Greqisë. Zyrtarët e saj shpesh vizitojnë Qipron dhe mbajnë fjalime para partisë motër, Elam, e cila fatmirësisht nuk është fare afër popullaritetit të “Agimit të Artë”. Ashtu si në Greqi, dhuna raciste tolerohet si nga autoritetet, ashtu dhe nga partitë politike kryesore.
Paaftësia e të dyja shteteve, grek dhe qipriot, për të kontrolluar veprimet e motivuara racialisht të këtyre grupeve, ashtu si dhe paaftësia e partive politike kryesore për t’u përballur me to, është një thirrje për veprim për partnerët tanë europianë, të cilët nuk e kanë luksin që të presin nga vendet e tyre ekonomikisht në ringritje sikur asgjë nuk po ndodh tjetërkund. Ai që me naivitet konsiderohet vetëm si problemi grek, është më shumë se kaq-nuk është rastësi që Fronti Nacional i Marie Le Pen dhe Ukip i Nigel Farage-it e kanë rritur popullaritetin e tyre së fundmi. E djathta ekstreme është në ngjitje dhe një aksion i përbashkët në një nivel europian është i nevojshëm. Kur partitë si Laos-i grek apo Fronti Nacional Francez bëhen pjesë e së djathtës konvencionale, ajo që konsiderohet ekstreme bëhet edhe më shumë e tillë. Rezultati është ajo që po ndodh në Greqi-dhunë, vrasje dhe vigjilintizëm.