Fqinjët tanë prej vitesh kanë bërë filma me gjuhë urrejtjeje ndaj shqiptarëve, por në këtë drejtim filmbërësit tanë, sidomos skenaristët, janë treguar shumë të kujdesshëm dhe nuk kanë rënë në nivelin e kolegëve të tyre serbë dhe maqedonas. Njerëzit e filmit përmendin filmat si "Opasni trag" (Gjurmë e rrezikshme), "Doktor Eshalon", "Iza kuçe moje majke" (Prapa shtëpisë së nënës sime), filma këta që janë bërë kundër shqiptarëve.
Ndikimi i politikës
Regjisori dhe aktori Sunaj Raça, i cili ka aktruar edhe në filmin shumë të suksesshëm "Kolona", i cili do të marrë pjesë edhe në garën prestigjioze "Oskar", thotë se serbët dhe maqedonasit filmat e tyre kryesisht i kanë "nderuar" me gjuhë urrejtjeje ndaj shqiptarëve. "Shtetet fqinje, si Serbia e Maqedonia, e kanë ndërtuar historikun e filmit të tyre me gjuhën e urrejtjes dhe atë kundrejt shqiptarëve. Mjafton t'i përmendim disa tituj të filmave, si "Gjurma e rrezikshme", "Doktor Eshalon", "Prapa shtëpisë së nënës sime" etj. Sigurisht se këtu ka pasur ndikim edhe politika", tha Sunaj Raça. Ai shton se në filmat që ka bërë Kosova nuk përdoret fare gjuha e urrejtjes. "Në Kosovë nuk ka gjuhë të urrejtjes, të paktën jo deri në atë masë sa do të kishte secili vend që ka dalë nga lufta. Nëse flasim për gjuhën e urrejtjes nacionale në filma, ajo është e pranishme në shumë filma, sidomos në shtetet sllave, ku shqiptari është personazhi, në të cilin ata kryesisht shfryjnë mllefin dhe urrejtjen", mendon Raça. Ai tutje u bën thirrje filmbërësve që ta pengojnë gjuhën e urrejtjes. "Gjuha e urrejtjes duhet penguar dhe nuk duhet lejuar që edhe ne të krijojmë kinematografi në bazë të gjuhës së urrejtjes, sepse kjo vetëm sa e zbeh vlerën e filmit. Por, armiku, krimineli, vrasësi nuk duhet ledhatuar apo kursyer, ne nuk duhet të krijojmë heronj nga ta", u shpreh Raça.
Gjuha e urrejtjes nga padituria
Skenaristi Arian Krasniqi tha se filmat tanë nuk e kanë problem gjuhën e urrejtjes dhe kjo është një përparësi për kinematografinë tonë. "Në skenarët e filmave tanë nuk shihet ndonjë tendencë e shprehjes së urrejtjes së qëllimshme ndaj popujve të tjerë dhe veçmas fqinjëve. Mendoj se në këtë aspekt skenaristët e kinematografisë sonë dallojnë prej atyre të kinematografisë së disa vendeve të rajonit, të cilët provojnë t'i shfaqin ambiciet e tyre politike nëpërmjet veprave kinematografike. Përjashto cilësinë e filmave tanë, që është e diskutueshme, në pikën e urrejtjes nuk do të kemi ndonjë rrezik dhe që nesër pasnesër të kishim telashe në rrugëtimin e kinematografisë sonë. Domethënë, pavarësisht që cilësia është e diskutueshme sa i përket këtij aspekti, nuk mund të ndodhë që ndonjë film yni të stagnojë në sukseset ndërkombëtare sa i përket gjuhës së urrejtjes", tha ai. Ndërkaq skenaristi Naser Shatrolli thotë se gjuha e urrejtjes vjen nga padituria. "Urrejtja vjen nga padituria, nga kompleksi naiv, nga amatorizmi, pra ky koncept shfaqet nga individë që besojnë se janë përfaqësues popullorë. Urrejtja nga profesionisti shfaqet kur thuhet saktë, besueshëm dhe arsyeshëm ngjarja. Nëse tregohet një vrasje, përse do të duhej dramatizuar atë vrasje. Por, problemi vjen nga padituria se si të ndërtohet një fabul apo përrallë reale", mendon Shatrolli.
B. ZYBERI