GËZIM AJGERAJ
(Vetë jeta e shkrimtarit është kronikë)
Është gati e pamundshme për t’ia gjetur një përgjigje pyetjes: Pse shkruaj?! Ndoshta këtë pyetje, s'do ta parapëlqeja t’ia shtoja vetes, a dhuntisë e cila jeton thellë në mua. Ndoshta me të njëjtin ton, do të duhej të shtrohej pyetja: Pse ushqehemi? Pse zgjohemi në mëngjes? Pse biem për të fjetur? E pse…? E pseja pa mbarim! Një herë në jetë e kam shijuar magjinë e të mësuarit për të lexuar dhe përpara meje ishte hapur një dritare e madhe prej nga e shihja botën. E kuptoja atë, ia dëgjoja klithmën dhe disi, jeta dukej ndryshe. Nga pamja ime tashmë, qe larguar një perde që më kishte vërbuar deri në atë moshë. Përtej dritares së tillë, shpërndaheshin rrezet e diellit që ndriçonin përpara meje, ndërsa shkëlqimi sa vinte e rritej bashkë me pamjen. Pra, është magjia e shkëlqimit të diellit të fjalës, që në tërësinë time hyri paperceptueshëm, lehtas e lehtas dhe u ngulit thellë mbi qiellin e muzës sime, që gjithmonë e ngacmon. Brenda atij qielli që shkëlqente përpara meje, hapeshin tufa mjegullnajash, që gjithmonë ma ngacmonin kuriozitetin të dija se ç'kishte brendapërbrenda tyre dhe kjo shpesh ma prishte qetësinë djaloshare e më kthente në zhgënjim. Brenda atyre mjegullnajave, kishte jetë, vdekje, kishte ngjarje, të ruajtura e të harruara, të thëna e të pathëna, kishte zbrazëtirë që ma shponte muzën time. Si i ri, kërkoja në tregimet e gjyshes, nëpër oda burrash, në gojën e popullit, prapë ndjeja mungesë dhe ajo mugesë ishte e pashterrshme që si lumi bie në liqen dhe rritet e rritet me kohën, ndërsa në mua shtohej një zhgënjim. Ku t’i mësoja të fshehtat e asaj mjegullnaje?! Nëpër atë kërkim, i kërkoja dhe në libra, prapë më mungonin, nuk ishin të gjitha. Drita e magjisë së shkrimit, tek njerëzimi ishte përhapur shumë vonë, edhe pse ndoshta simbolet e komunikimit ishin të vjetra sa vetë njeriu. Dhe, kohët kishin rrjedhur e po rridhnin brenda hapësirës së globit, me boshllëqe e pa to, siç është edhe vetë atmosfera që e rrethon atë. Kishin ikur shumë ngjarje e kronika. Shumë kohë fshiheshin prapa mjegullnajave. Ndoshta, pikërisht këto mjegullnaja të errëta e ngacmonin muzën time, që nga drita që i paraprin udhëtimit tim, t’i largojë pëgjithmonë ato, jo për të bërë kronika, por për t’i hapur dritën të tjerëve. Në udhëtimin tim, dhuntia e fjalës ishte ndrydhur në cenzurën e sistemit deri te mospublikimi i saj apo të thënë përmes një fjale të thellë metaforike, por ajo ishte ruajtur e freskët brenda muzës sime dhe e kishte pritur çastin që një ditë të fluturonte hapësirave të bardha si një pëllumb i lirë që të transmetojë misionin e lirisë që do të vijë. Ndoshta diçka na kishte ikur nga muret e trasha të cenzurës, por
fuqia e fjalës që kishte mbetur, ishte bërë edhe më shpërthyese dhe nëpër këtë hapërim, ajo kishte çarë mjegullnajat e territ përtej cenzurës. Lufta që ndodhi në dheun e Arbërit, theu deri në themel muret e trasha të cenzurës dhe robit autor. Nëpër atë luftë, qenë vrarë njerëz, fjalë, libra, autorë… qenë mbyllur shumë ngjarje brenda kapitujve të të pa thënës, dhe prapë mjegullnajë në qiellin tone! Por tufat e asaj errësire ishin më të pathekshme. Brenda tyre ishte një mister që i shpartallonte ato. Misioni i pendës, hapëronte çdo hapësire të atyre ngjarjeve që po marrin dritë. Viteve që rridhnin, një mik imi diku kishte lexuar dhe për luftën. Në një letër që më pat shkruar, sikur ishte kthyer atyre përjetimeve dhe sikur i kishin lehtësuar dhembjet e plagëve që i rëndonin mbi trup. Kronika kohe i pata thënë, ndonëse se kisha atë mendim. Fjalë të arta ma preu miku dhe më përgëzoi. Pra më duhet edhe një herë të kthehem atje ku e fillova, pse shkruaj?! Shkruaj, jo për të qenë kronikan i vetvetes, a i bashkudhëtarëve të mi, a i udhëve përvëluese të nostalgjisë që na dogji, a i plagëve të atdheut që u dogj e u shkrumua nga dora barbare larg nesh; shkruaj që dhembjen e shpirtit ta shëroj në eter, ta nxjerr larg përtej muzën, t'i jap krah e ta largoj nga zjarri, sepse kam frikë se mos ndoshta do ta djegë flaka e harrimit. Ndoshta unë nuk shkruaj, shkruan dhuntia e brendshme. Ajo ka shpirt, ka jetë, ka dashuri, gëzime e hidhërime, dhembje e plagë. Ajo dhunti gjurmon brenda meje, me 36 shkronjat alfabetike, misterin e lumit të fjalëve duke i shtrydhur ato për ta krijuar mandej përtej meje lumin e atyre fjalëve në letër. Shkruaj se më duhet të shkruaj, jo për ta ndryshuar botën, por për t’i dhënë jetë fjalës nga jeta ime.
--------------------------------------------------------------------------------------------------------------------
Ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon me të gjitha gazetat dhe revistat e kohës, si: “Rilindja”, Zvicër - Prishtinë, “Bujku”, - Prishtinë, “Zëri i Kosovës”, Zvicër - Prishtinë, “Bota sot”,- Zvicër, “Koha ditore”, - Prishtinë, “Epoka e re”, - Prishtinë, “Zëri”,- Prishtinë”, “Fakti”, - Shkup, “Ars” – Tiranë, “Penashqiptare”, - Prishtinë, “Pioneri” – Prishtinë, “Zogu i mëngjesit”, - Prishtinë, etj. Nga janari i vitit 2004, editon revistën: Metafora poetike (Editorial i poetit) që del çdo tre muaj.
Ka botuar këto libra:
Klithmë malli, poezi, „Rilindja“, Prishtinë,1997
Ëndrra për parajsë,poezi,“Rilindja“,Prishtinë, 1998
Qiellit po digjem, poezi, „Rilindja“, Prishtinë, 1998
Flakë në plagë, poezi, „Rilindja“, Prishtinë, 1998
Kënga e babait, poezi për fëmijë, „Apolonia“, Prishtinë, 1998.
Urti popullore të Vërrinit 1 (bashkautorësi), „Apolonia“, Prishtinë,1998
Mallëngjimi, poezi, „Rilindja“,2000.
Balada e Vërrinit, K.L. „F. S. Noli“, Prizren, 2001.
Rruga e lirisë, Dramë, „Meshari“Prishtinë, 2001.
Rruga e lirisë (intervistë) me Zafir Berishën, botoi Asociacioni i veteranëve të ish UÇK-së – Prizren, 2002.
Atdheu në trastë-cikli me poezi, e botoi revista letrare "Jeta e re" nr. 4, korrik-gusht 2002, viti LIV. Prishtinë.
Pëllumbat e lirisë, Novelë për fëmijë, Edicioni i revistës; Fidani, Prizren, 2004.
Ditët e bardha, Novelë për fëmijë, Edicioni i revistës; Fidani, Prizren, 2004.
Atdheu i copëtuar-cikël me poezi, në librin: Pikoi molla gjak (Lirikë me motive arvanitase), botoi MKRSÇJR-Departamenti i Çështjeve Jorezidente, Prishtinë, 2004.
Cikël me poezi “Udhë e zjarmi”, në librin "Muzat i bien lyrës", Edicioni i revistës "Fidani", Prizren, 2005.
“Lulëkuqet e Vërrinit”, poezi, botoi shtëpia botuese “Metafora”, Zvicër, 2005.
Zana në mërgim, poezi për fëmijë, ”Metafora”, Zvicër, 2006.
Huqet e Benit, poezi për fëmijë, ”Metafora”, Zvicër, 2006.
Bosi lepurushi, fabula, ”Metafora”, Zvicër, 2006.
Gjëegjeza, ”Metafora”, Zvicër, 2006.
Dita me Tonin (Poemë), ”Metafora”, Zvicër, 2006.
Muajt e vitit me Ardin (Poemë), ”Metafora”, Zvicër, 2006.
“Dallëndyshja në Vërri” (poezi për fëmijë), ”Metafora”, Prizren, 2007;
“Kroi i qytetit tim”, (poezi për fëmijë), ”Metafora”, Prizren, 2007;
“Masakra e Tuzsuzit”, Monografi, (bashkautorësi), „Metafora“, Prizren, 2007,
“Degë e thyer”, poezi, “Metafora”, Prizren, 2007.
“Misioni i kriminelit”, roman, “Metafora”, Prizren, 2008
“Serboarmatosja", roman, "Metafora", Prizren, 2012
"Etje në fjalë", poezi, "Metafora", Prizren, 2013
"Kthimit furtunat m' i bëjnë prita", poezi, 2013