2013-09-26

Krijuesit gjenden në pozitë të palakmueshme

Nga Isa Vatovci



Krijimtaria krijuese-artistike në Kosovë edhe 13 vjet pas luftës vazhdon të përballet me sfida të shumta. Mospërkrahja institucionale, pozita aspak e favorshme e krijuesve dhe gjendja e vështirë ekonomike në vend dhe me mungesë të interesimit të publikut për veprat krijuese është duke e sjellë krijuesin në një gjendje degraduese. Kjo është pohuar edhe nga njerëzit e kulturës, sipas të cilëve pozita e krijuesit sot në Kosovë është alarmante dhe duhet një mobilizim i përgjithshëm, veçmas i institucioneve shtetërore e kulturore për të kthyer në vend dinjitetin e njerëzve të artit dhe të kulturës.

Mungesë e mbështetjes institucionale

Dramaturgu Arian Krasniqi ka thënë se ka vite që në Kosovë, në mungesë të mbështetjes institucionale për artin dhe kulturën, kemi ardhur në një situatë të degradimit kulturor e artistik, e sidomos të pozitës së krijuesve. Sipas tij, përjashto disa individë krijues, që kanë ushqyer ambicie të veçantë, pjesa dërrmuese gjendet në një pozitë jo fort të lakmueshme. “Mungesa e mbështetjes institucionale në aspektin material, por edhe mungesa e kategorizimit të vlerave të mirëfillta artistike e krijuese, ka bërë që ky degradim të përshkallëzohet edhe më shumë. Më mban shpresa se në mesin e brezit të ri të krijuesve ka individë që me gjithë kushtet dhe rrethanat e pafavorshme, mundohen të krijojnë vepra me vlerë”, ka thënë dramaturgu dhe skenaristi, Arian Krasniqi.

Ardian Haxhaj, shkrimtar dhe kryetari i Klubit të Shkrimtarëve të Kosovës, në një prononcim për “Kosova Sot”, është shprehur se janë shumë faktorë, si politikë ashtu edhe socialë që kanë çuar në gjendje mjaft të pavolitshme pozitën e krijuesve në Kosovë. Sipas tij, nuk ekziston një vullnet i mirë prej organeve vendimmarrëse, që krijuesit të mund të kenë një infrastrukturë të duhur me qëllim të krijimit të veprave artistike me vlerë. “Zakonisht kulturat e vogla si kjo e jona gjithmonë janë të varura prej zhvillimeve politike dhe sociale dhe është e pamundur që kultura jonë të vetëfinancohet. Vendet e vogla gjejnë forma të ndryshme për të mbështetur kulturën. Andaj mendoj se pa ndonjë subvencionin nga institucionet, kultura dhe arti te ne si dhe pozita e krijuesve në Kosovë nuk mund të përmirësohet”, ka thënë Haxhaj.

Degradim edhe nga klane kulturore

Avni Rudaku, shkrimtar dhe studiues i problemeve socio- kulturore, ka thënë se dinjiteti nëpërkëmbet në mënyra të ndryshme. Krijuesit në shumicën e rasteve u takojnë shtresave të gjera shoqërore, të cilat vijnë ose nga klasa e ulët ekonomike ose nga ajo e mesme, e shumë rrallë mund të gjejmë rastet e një krijuesi që jeton dhe vepron në Kosovë, e që i takon shtresave të larta shoqërore.

“Dinjiteti nëpërkëmbet sidomos në këso situatash, kur shkrimtarët nuk kanë stabilitet financiar dhe qëndrueshmëri materiale, prandaj detyrohen të bëjnë edhe gjëra që nuk përputhen me dinjitetin e tyre”, ka thënë Rudaku, , duke shtuar se disa të tjerë nëpërkëmben kur kanë nevojë të ndërhyjnë për të fituar projekte të financimit të librit dhe kjo nuk bëhet objektivisht përmes konkursit publik dhe komisioneve të pavarura, por ndahen projekte për shokë, militantë e situata të ngjashme. Po ashtu, sipas tij, dinjiteti nëpërkëmbet te krijuesit edhe kur detyrohen të vënë logot e markat e firmave, që ua financojnë librat, duke bërë falënderime, të cilat cenojnë kualitetin e librave në përgatitje, duke u ndjekur nga dëshirat e financuesve, lidhur me dizajnin, shtypin, etj.

“Ka mënyra të ndryshme të nëpërkëmbjes së krijuesit dhe degradimi tjetër është kur secili përqesh krijuesit, qoftë edhe mediokër aktiv në jetën publike. Degradohen krijues nga klane kulturore në emër të ‘kritikës letrare e profesionale’, ndërsa lartësohen figura krijuesish që as në mëhallë nuk i bën kujt përshtypje. Dinjiteti i krijuesit po degradohet edhe kur gjithçka bie nën ndikimin e politikave ditore, detyrohen të hyjnë në subjekte politike, ku ia falin sovranitetin krijues dhe nuk bëjnë zë kundër rendit shoqëror, organizativ dhe atij të përgjithshëm”, ka thënë ai.

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...