2013-09-28

Për ku vrapon ky shi i mbrëmjes


Nga Kujtim Morina

Për ku vrapon ky shi i mbrëmjes
Për ku vrapon ky shi i mbrëmjes!
në këtë natë pa hënë e pa yje.
Mos vallë ka marrëveshje
mes tokës së etur dhe qiellit
ngarkuar me re të padukshme,
që lëshon shiun si farë jetësore
për mbarsjen e tokës,
në pllenimin e bimëve.
Për ku nxiton ky shi i mbrëmjes!
Ndoshta qielli do të çlirohet sa më shpejt
nga këto vrantësira kërcënuese,
S’mund t’i mbartë mbi shpinë tërë natën.
Të lëshojë një errësirë më të çelur,
pastaj të dremitë me sytë e përlotur.
Mbledh një dorë qiell,
te flokët e saj të lagur,
e shpërndaj si krem,
në sytë e mi të mpakur


Ëndërr në breg të detit

S’e di si mbeta në breg të detit,
përmbys duke u zvarritur,
ndërsa stuhia e fortë vazhdon.
Dallgët e furishme zgjaten drejt bregut,
si ulkonjat në kërkim të gjahut,
më mbulojnë dhe përparojnë më tej.
Kur kthehet zbatica,
më tërheq edhe më shumë drejt detit.
Si u tërbua kështu deti!
Ishte aq i qetë, aq paqësor.
Ndoshta unë jam viktima
e kësaj bote të fajshme njerëzore.
Kam ngecur krejt i pafuqishëm.
Këmbët as duart s’më bëjnë më tej.
E shoh se po mbytem në breg
dhe s’duket ndonjë shenjë,
që ky ciklon do të pushojë.
Veç ëndrra duke ikur, vjen të më shpëtojë

Gjumi si ëndërr

E shoh veten nën lëkurën e elefantit,
por me fuqinë e njeriut.
Koka më duket si një gur i madh,
që s’mund ta luajnë dhjetëra vetë.
Këmbët më janë zmadhuar së tepërmi.
Pëllëmbët e duarve si putra ariu.
Krahët si kofshë demi.
Peshën e rëndë plumb e kam më shumë
së brendshmi se së jashtmi.
Megjithatë bëj një përpjekje mbinjerëzore,
për të lëvizur duke shtyrë tej
shtrojën e trashë të çelikut të vënë përsipër.
Si hap sytë, e ndjej veten time,
Duke e prekur zbuloj se jam krejt i dobët.
Bie përsëri në kllapi,
duke e filluar avazin nga e para.
Në fund zgjohem duke e kuptuar
se gjumi qenka një ëndërr,
që është luks për ta parë.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...