2013/09/28

Një deklaratë befasuese e ministrit Agim Çeku

Shkruan Prof.Dr.sci.Eshref Ymeri
                   

 
       Në faqen e internetit të “Agjencionit Floripress” të moderatorit të mirënjohur Flori Bruqi, të datës 21 shtator 2013, është botuar një analizë interesante e Prof.dr. Mehdi Hysenit, me titull:
“Ideja për një “Jugosllavi të re” në Ballkan është pordhë e ftohtë e Serbisë së Madhe!!!”


Pse Nostalgjia për YU-në?!!!




Në këtë analizë, profesori i nderuar nacionalist citon një deklaratë befasuese që Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Agim Çeku,  e ka lëshuar në një intervistë që i paska dhënë gazetës serbe të Beogradit “Nedeljnik”, më datën 18 prill 2013.

Ja çfarë paska deklaruar ministri Çeku:
“Podržavam ideju nove Jugoslavije”(E mbështes idenë e Jugosllavisë së re”).
Kjo është një deklaratë sa e turpshme, aq edhe skandaloze që një politikan i lartë i Republikës së Kosovës ia jep gazetës së një vendi armik, siç ka qenë dhe vazhdon të mbetet Serbia millosheviçiane për mbarë kombin shqiptar. 
Me këtë deklaratë, ministri Agim Çeku i ka çjerrë maskën vetes përfundimisht, dhe, në sytë e kombit shqiptar, ai ka zbuluar fytyrën e tij të vërtetë prej shërbëtori të Beogradit dhe prej adhuruesi të fshehtë të titizmit në radhët e UÇK-së, dje, në kohën e luftës, dhe, sot, në krye të Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës.

Ideja e krijimit të Jugosllavisë së Re ka kohë që ka qarkulluar në fshehtësi në Boegrad, nën frymëzimin e Moskës dhe të Athinës. 



Kjo ide erdhi e u formësua pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, e cila shënoi hapin e parë drejt ribashkimit shkallë-shkallë të trojeve etnike shqiptare, në zbatim të platformës që shtroi Ismail Qemali me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë për të katër vilajetet tona.

Dështimi shembullor që pësoi politika e jashtme ruse për sabotimin e pavarësisë së Kosovës, e detyroi Kremlinin që, në bashkëpunim të ngushtë me Beogradin dhe me Athinën, të lëvizë të tjerë gurë të nëndheshëm, në mënyrë që imazhi i pavarësisë së Kosovës të vijë duke u zbehur me kalimin e viteve. Prandaj, në prapaskenë, u hartua projekti për krijimin e Jugosllavisë së Re, i cili s’është gjë tjetër, veçse vënie në jetë e programit “Naçertanie” të Ilia Garashaninit (1812-1874) të vitit 1844, kur ai ishte ministër i jashtëm i Serbisë dhe më pas kryeministër dhe ministër i jashtëm për shumë vite me radhë, program ky, sipas të cilit duhej të krijohej Serbia e Madhe.

Por, për t’i hedhur hi syve opinionit publik ndërkombëtar, trekëndëshi djallëzor Moskë-Athinë-Beograd, me qëllim që ta nxjerrë të larë Serbinë nga ky pazar i fëlliqur, vendosi të futë në lojë mikroshtetin që quhet Mali i Zi, i cili shtroi propozimin që, në kuadër të zhvillimit të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, të organizohet një takim i ministrave të jashtëm të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor - Serbisë, Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës - për të diskutuar idenë e krijimit të një bashkimi (unioni) të ri, të quajtur Jugosllavia e Re.

Propozimi i Malit të Zi për krijimin e një strukture të re federative me emrin Jugosllavi e Re, të kujton fjalën e urtë të gjuhës shqipe: çohu, o i vdekur, të hashë mish të pjekur.
Me sa duket, pas fjalimit të Kryeministrit Berisha më 25 nëntor 2012 në Shkup, në kuadrin e festimeve të 100-vjetorit të pavarësisë, i cili deklaroi se “bashkimi kombëtar mbetet një ëndërr për të gjithë shqiptarët”, trekëndëshi Moskë-Athinë-Beograd vendosi të ndërmarrë aksione konkrete, duke i kërkuar Malit të Zi t’i zbulojë letrat e bixhozit politik në tryezën e pazarllëqeve evropiane, të cilave kombi shqiptar ua ka parë sherrin që prej Kongresit famëkeq të Berlinit e deri në ditët tona.

Përveç kësaj, tendencat nacionaliste që u vunë re me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, me pikësynim ribashkimin perspektiv të trojeve tona etnike në një shtet të vetëm kombëtar, krijuan shqetësime edhe në radhët e Bashkimit Evropian. Aq më tepër kur nisma e liderit të Listës për Shqipërinë Natyrale Prof.dr. Koço Danaj, pati mjaft jehonë në Austri dhe në Gjermani.
Prandaj nisma e Malit të Zi, e nxitur nga trekëndëshi ortodoks sllavogrek, vështirë se mund të jetë ndërmarrë edhe pa miratimin e heshtur të Brukselit, i cili, me krijimin e Jugosllavisë së Re, kërkon të rikthejë vitin 1919, kur Evropa Perëndimore krijoi mbretërinë serbo-kroato-sllovene. Me krijimin e Jugosllavisë së Re, Brukseli do t’u vinte në osh epsheve shoviniste të sllavogrekëve, do të vendoste hegjemoninë serbe në Ballkanin Perëndimor dhe do të varroste përfundimisht ëndrrën e shqiptarëve për ribashkim kombëtar. Prandaj jo rastësisht shteti hajdut i huadhënësve evropianë me emrin Greqi, vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, pavarësi kjo, që, sipas trekëndëshit sllavogrek, do të vijë duke u venitur në kuadrin e të ashtuquajturës Jugosllavi e Re.
Të gjitha shtetet e lartpërmendura sllave mund të bien në një mendje për krijimin e Jugosllavisë së Re. Por etnia shqiptare nuk duhet të pranojë kurrsesi të futet nën një sundim të ri sllav. Pranimi i ombrellës sllave do të ishte një akt i tradhtisë së lartë kombëtare nga ana e klasës politike shqiptare në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkup. Por deklarata e ministrit Çeku në gazetën beogradase, dëshmon se ajo nuk është një deklaratë personale. Çeku është ministër i qeverisë Thaçi dhe prapa deklaratës së tij fshihet pozicionimi i qeverisë së Thaçit, fshihet tradhtia e Thaçit ndaj interesave jetike të Republikës së Kosovës. Tradhtinë e Thaçit ndaj Republikës së Kosovës e vërteton fakti që në fletët e votimit për zgjedhjet vendore në Kosovë që do të zhvillohen në muajin nëntor, nuk do të figurojë shenja dalluese (logoja) e Republikës së Kosovës.

 Dhe Thaçi, me dredhitë e tij karakteristike, deklaron se shenja dalluese në fletët e votimit  na qenka në dorën e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për t’u vendosur dhe jo në dorën e qeverisë!!! Thaçi është bërë mbrojtje e fortë e shovinistëve serbë të Mitrovicës Veriore, të cilët gjatë viteve të luftës u bënë mbështetje e fuqishme e bandave kriminale të Millosheviçit për masakrimin e popullit shqiptar të Kosovës, kurse tani nuk pranojnë ta njohin pavarësinë e saj. S’është i rastësishëm qëndrimi tolerues i Thaçit ndaj shovinistëve serbë të Mitrovicës Veriore, të cilët po shkojnë drejt shpalljes së autonomisë dhe shkëputjes përfundimtare nga Republika e Kosovës. Me sa duket, nuk paskan qenë pa gjë ato llafet që dikur kanë pas qarkulluar në Tiranë për figurën e dyshimtë të Thaçit, i cili, kur në Kosovë derdhej gjaku i trimave të UÇK-së, gjente kohë për t’u çlodhur në hotelin Rogner në Tiranë.  
Nëse klasa politike shqiptare, në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkup, jep pëlqimin për të hyrë nën ombrellën e Jugosllavisë së Re, atëherë kjo do të thotë se ajo vazhdon të ndjekë traditën e politikës tradhtare të Enver Hoxhës, i cili, duke shpifur në emër të popullit shqiptar, në një letër vetëposhtëruese që i dërgonte  mareshalit Tito në mars të vitit 1948, shkruante:
“Shoku Marshall,
…Populli ynë është aq i lidhur shpirtërisht dhe ekonomikisht me popujt e Jugosllavisë sa asnjë popull tjetër dhe ky bashkim s’ka asgjë formale, por ndihet thellë në zemrat e popullit tonë. Ne duhet të punojmë konkretisht për Federatën [Jugosllave] dhe për këtë gjë në vendin tonë punohet me të gjitha forcat… Ne kemi bindjen se, si kurdoherë, Komiteti Central i Jugosllavisë do të na sqarojë dhe do të na këshillojë hapat dhe shoqërisht mbi këtë çështje të rëndësishme për të dy vendet tona.
Pranoni të falat e mia më të nxehta shoqërore.
Enver Hoxha
Tiranë, 17 mars 1948” (Nxjerrë nga AQSH, Fondi 14/AP, dosja 4, 1948. Citohet sipas: Vasfi Baruti. “Enver Hoxha në optikë të re. Shtëpia Botuese UEGEN. Tiranë, 2013, f. 207).

Tani është në dorën e klasës politike të trekëndëshit të lartpërmendur shqiptar se cilën rrugë do të zgjedhë: rrugën e tradhtisë kombëtare apo rrugën e realizimit të aspiratës mbinjëshekullore të shqiptarëve të mbarë trojeve tona etnike për ribashkim të tyre, në një shtet të vetëm kombëtar, me një stemë dhe me një flamur, dhe mandej hyrjen në Bashkimin Evropian.
Intelektualët shqiptarë në mbarë trojet tona etnike dhe sidomos dy akademitë e shkencave, në Tiranë dhe në Prishtinë, duhet të ngrenë zërin e tyre të fuqishëm kundër deklaratës së ministrit Agim Çeku, e cila, në të vërtetë, zbulon qëndrimin antikombëtar të qeverisë Thaçi.

Eshref Ymeri
Santa Barbara, Kaliforni
26 shtator 2013





No comments:

Post a Comment

Urrejtje dhe protesta anti Tesla

Qindra protesta në dealershipet dhe ekspozitat e Tesla në të gjithë botën u zhvilluan të shtunën, duke shfaqur një rezistencë globale kundër...